Vendimi i dyshimtë i Qeverisë Hoti për heqjen e akcizës në pije joalkoolike  

Në kohën kur e gjithë vëmendje e kosovarëve është tek pandemia COVID-19, Qeveria e Kosovës pa shumë zhurmë e ka nxjerrë një vendim që i shkon për shtati kompanive të mëdha në Kosovë që importojnë apo prodhojnë pije të ndryshme, disa prej të cilave janë të lidhura me politikën.

Një vendim i Qeverisë, i datës 9 korrik ka vendosur që ta zbresë normën e akcizës për 88.9% për disa lloje të lëngjeve të caktuara që përmbajnë sheqer.

Deri më 9 korrik, kur Qeveria kishte vendosur të bënte ndryshme rrënjësore në këtë normë të akcizës, kompanitë që kanë prodhuar lëngje dhe pije të ndryshme përmes sheqerit, kanë paguar 4.5 cent në litër akcizë. Kjo vlerë është ulur për 88.9%. Tani e tutje, pagesa për do të jetë vetëm gjysmë centi për litër (0.005 euro ltr).

“Ujërat, duke përfshirë ujërat minerale dhe të ajrizuara të cilat përmbajnë sheqer të shtuar apo ndonjë material tjetër ëmbëltues apo që janë me shije, si dhe pijet e tjera joalkoolike, duke mos përfshirë lëngjet e frutave apo të perimeve nga kaptina 2009, me shifër 2202, ku tarifa e taksës reduktohet në zero pikë zero zero pesë euro për një litër (0,005‎€/ltr”, thuhet në vendimin e Qeverisë Hoti të miratuar më 9 korrik.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Financave.

Lulzim Krasniqi, pjesë e kabinetit të ministres së Financave, Hykmete Bajrami e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë këtë zbritje të tatimit.

“Ministria e Financave ka shqyrtuar seriozisht këtë kërkesë dhe i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që norma e akcizës të ulet nga kjo vlerë në 0.005 (gjysmë centi) për një litër”, i ka thënë Krasniqi, Gazetës Jeta në Kosovë.

Sipas tij, ka qenë kërkesë e kamotshme e bizneseve të lëngjeve, që të bëhet kjo zbritje.

“Sektori i lëngjeve për një kohë të gjatë ka paraqitur kërkesa të vazhdueshme për lirim nga akciza për lëngjet e caktuara që përmbajnë sheqer”, ka shtuar ai.

Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ministria e Financave po synon me heq akcizën në langje, përkundër faktit që në buxhet thuhet se kemi rënie të hyrave.

Murati ka thënë prej 5 milionë euro që janë nga kjo akcizës, rreth 4.3 milionë euro paguhen nga importuesit.

Sipas tij qeveria është vendos në shërbim të grupeve të interesit, të importueseve pasi ka tentu me ja heq akcizën.

Nga ky vendim përfitojnë kompanitë që merren me prodhimin e lëngjeve dhe pijeve tjera që përmbajnë sheqer të shtuar si dhe pijet e tjera joalkoolike.

KALLXO.com, nga Dogana e Kosovës e ka siguruar një listë të kompanive që përfitojnë nga ky vendim, në mesin e të cilave është edhe kompania e ish-deputetit të AAK-së, Gani Dreshajt.

80% të kompanisë “Getrinke Vrella”, është në pronësi të ish-deputetit të AAK-së, Gani Dreshajt.

Kompania “Getrinke Vrella” për aktivitet primar e ka prodhimin e pijeve freskuese dhe është në mesin e kompanive që përfiton nga ky vendim për ulje të akcizës.

Kapitali i kësaj kompanie sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës është 2.5 milionë euro.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me udhëheqësit të kompanisë “Getrinke Vrella”, të cilët thonë se tash e 11 vjet janë duke kërkuar që të hiqet kjo akcizë.

Drejtori i Kompanisë, Adnan Dreshaj thotë se pronari Gani Dreshaj nuk ka ndikuar në heqjen e kësaj akcize.

“Këto kërkesa ne jemi duke i bërë prej vitit 2009, Ganiu nuk ka qenë as deputet, as nuk ka qenë në politik. Ganiu as nuk është drejtor as kurrgjë. Këto kërkesa i kemi bërë të gjithë ne prodhuesit. Ganiu ka qenë edhe deputet edhe kurrgjë nuk na ka ndihmu në këtë çështje”, tha shkurtimisht drejtori i Kompanisë, Adnan Dreshaj për KALLXO.com

Sipas Adnan Dreshajt, ky vendim i Qeverisë do t’i ndihmojë kompanisë që të rritet fuqinë punëtore dhe prodhimin.

“50 deri në 80 mijë euro që nuk kam nevojë me ia pagu shtetit. Me ato e rriti fuqinë punëtore. Nuk më ka bo çirak, po mirë që iu është bërë të gjitha firmave në Kosovë. Me ato rritet edhe prodhimi edhe fuqia punëtore. Kjo ka me pasë ndikim tek të gjithë prodhuesit, të cilët do të prodhojnë më shumë”, tha tutje Dreshaj.

Në listen e kompanive përfituese janë edhe dy bizneset “ABRAZEN L.L.C” dhe “Birra Peja”, të lidhura me “Devollit Group”, pronë e Blerim Devollit.

Kompania “ABRAZEN L.L.C”, sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, merret me prodhimit e produkteve të qumështit, ujit mineral dhe pijeve fresh. Kapitali i kësaj kompanie është mbi 6.5 milionë euro.

Poashtu edhe kompania tjetër “Birra Peja” që aktivitet primar ka prodhimin e birrës, lëngjeve dhe ujit. Kapitali i kësaj kompanie është mbi 5.8 milionë euro.

Pronarë e kompanisë “Birra Peja” është pikërisht kompanisë “Abrazen LLC”. Ndërsa, pronarë e kompanisë “Abrazen LLC” është kompania me bazë në Maltë, Abrazen LTD.

Prodhimet që i bëjnë kompania “Birra Peja” dhe “Abrazen” janë të prezantuara në ueb-faqen e kompanisë “Devolli Group” dhe njëkohësisht është prezantuar edhe lidhja në mes këtyre bizneseve. Pronar i kompanisë “Devolli Group” është Blerim Devolli.

 

KALLXO.com i ka shkruar kompanisë “Devolli Group” për t’i pyetur se që sa kohë kanë paraqitur kërkesa në Qeverinë e Kosovës dhe se qysh e komentojnë këtë vendim. Ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Qeveria e Kosovës, këtë zvogëlim enorm të normës së akcizës e ka arsyetuar edhe me situatën aktuale të Shëndetit Publik dhe krizës në ekonomi që e ka shkaktuar.

“Kjo ulje, konsiderojmë se do t’i ndihmojë subjektet ekonomike të këtij sektori në procesin e rigjallërimit të aktivitetit ekonomik, sidomos në këtë kohë të vështirë të krijuar nga pandemia”, ka thënë Lulzim Krasniqi nga Ministria e Financave.

Ky vendim i Qeverisë, është marrë në një mbledhje elektronike të kabinetit Hoti. Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Financave e kanë prezantuar këtë vendim për konsultim në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Vendimi i qeverisë për akcizën në ujëra

Ky vendim i Qeverisë është diskutuar këtë të marte në Komision, por nuk është marrë asnjë hap. Komisioni i ka ka kërkuar ministrisë të vijë me një propozim tjetër.

“Komisioni i ka kërkuar qeverisë me ardhë me një propozim alternativ, që u ndihmon prodhuesve vendore, e jo edhe importuesve. Sepse ministria e financave nuk ishte në gjendje me tregu sa nga shuma e akcizës paguhet prej prodhuesve vendorë, e sa nga importi”, tha për KALLXO. om, kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati.

Ligji kërkon që vendime të tilla të implementohen në dakordim me Komisionin

“Ligji ia kërkon ministrisë me u konsultu me komisionin, dhe deri më sot nuk ka ndodhur që ministria te veprojë ndryshe nga vendimi i komisionit”, u shprehë Murati.

 

Por, në ministrin e Financave thonë se tashmë vendimi është duke u zbatuar dhe akciza ka zbrit në vetëm 0.5 cent.

Përveç këtyre dy kompanive të Devolli Group dhe kompanisë “Getrinke Vrella” janë edhe 17 kompani të tjera që do të përfitojnë nga kjo zbritje e Qeverisë.

Përfitues nga ky vendim është edhe kompania “Fluidi”, pronë e Fejzull Mustafa. Pastaj kompania “Laberion”, pronë e Bashkim Osmani, kompania “Vjosa” pronë e Shemsi Sheholli, “Frutti” pronë e Labinot Malsori.