Veliu - Pamë Dhunë të Tepruar në Taksim (TV)
Sonte (e premte) në Stamboll dhe gjatë fundjavës në Ankara janë paraparë mitingje të mëdha. Protestat kanë nisur më 31 maj dhe çështja e mbrojtjes së hapësirave të gjelbra ka qenë më shumë shkas, pasi shumë qytetarë ishin të shqetësuar me veprimet e pushtetit përfshirë shpërthimet e majit të ndërlidhura me zhvillimet në Siri si dhe nismat qeveritare për të kufizuar abortin.
Protestuesit nisen me lugë dhe tepsi drejt Taksimit. Si studentë, lirisht mund të shkojmë në universitet dhe të bëjmë aktivitete tjera. Por nuk mund të shkojmë në Taksim, pasi hapësira është e paralizuar. Aty zakonisht zhvillohet jeta e natës.
Këtu jetoj qe shtatë vjet. Si të huaj nuk kemi shumë të drejtë të përzihemi në punët e popullit turk. Por nuk më pëlqen dhuna dhe e përkrah demokracinë. Ajo që kam parë, sidomos në fillim, e që nuk ka dalë në televizione, është dhuna e madhe e fillimit të protestës.
Disa studentë të huaj janë dërguar në shtëpi. Mua nuk besoj se do të më merret bursa për shkak të kësaj paraqitje. Të dy palët kanë problemet e tyre dhe nëse nuk do të kishte fare demokraci do të kishte shumë më tepër qytetarë në protestë. Por unë jam nga Mitrovica dhe e di që atje në vitin 2004 shumë njerëz patën humbur jetën në këtë mënyrë dhe kjo nuk është e drejtë.
Unë jetoj 800 metra largësi ajrore nga vendi ku kanë nisur protestat. Këtu gjendet stadiumi i ekipit futbollistik Besiktas. Tifozët e tij shpesh janë pjesë e nismave të këtilla të mëdha qytetare.
Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar bisedime me njerëz të njohur nga filmi dhe kultura. Si duket as ai as populli nuk po i do më protestat, por nuk po gjendet rrugëdalje. Ideja e referendumit për mbrojtjen e gjelbërimit si duket po gjen tash më pak mbështetje tek populli.
Deri më tash pesë njerëz kanë vdekur. Një prej tyre është polic. Qeveria po paraqitet më e rezervuar në masat e saj. Tani, në protesta po paraqiten edhe artistë dhe ka interpretime me piano. Rreth 300-500 mijë njerëz po paraqiten në to.
Ka disa kosovarë dhe shqiptarë tjerë që janë pjesëmarrës në protesta. Stambolli është qytet kozmopolit dhe veprimet e qeverisë ndikojnë tek të gjithë banorët. Shumë njerëz nuk janë të kënaqur jo vetëm me Erdoganin, por me tërë pushtetin. Kjo madje vërehet edhe tek elitat mësimdhënëse në universitete.