Vdiq Shoku Ramiz Alia

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, ka vdekur sot në moshën 86-vjeçare.

TCH transmeton se ai ndërroi jetë në orën 7 të mëngjesit të sotëm, në sanatoriumin e Tiranës, ku ndodhej i shtruar për shkak të komplikacioneve në mushkëri.

Ramiz Alia u lind më 18 tetor 1925 në Shkodër. Ai u bashkua me lëvizjen komuniste pa mbushur ende 20 vjeç.

U bë pjesëtar i ushtrisë partizane dhe pas çlirimit nisi një karrierë politike duke u bërë edhe pjesë e Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë në vitin 1961.

Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë në vitin 1954. Alia ishtë një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1985 deri në 1992. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të Partisë Komuniste shqiptare, Partia e Punës, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar.

Detyrat më të rëndësishme kanë qenë Ministër i Arsimit dhe Kulturës, anëtar i Byrosë Politike, deputet, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Sekretar i Parë i Partisë Komuniste dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët komunistë, më 30 prill 1991 e zgjodhi Ramiz Alinë President të Republikës.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe u tërhoq nga jeta aktive politike pas reformimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste dhe zgjedhjes së Fatos Nanos kryetar të saj.