Vazhdon Rasti Bllaca II

Drita Kllokoqi, gruaja e Ibush Kllokoqit, ka dëshmuar për herë të parë në gjykatë për vrasjen e burrit të saj me 2 shkurt në gjykatën e qarkut në Prishtinë para panelit gjykues të EULEX-it.

Në dëshminë e saj, Drita ka thënë se në mbrëmjen e 6 gushtit, 1999 katër persona ishin afruar tek shtëpia e tyre dhe njëri nga ta i kishte kërkuar asaj që ta thërras burrin për të biseduar për blerjen e autobusit, që ishte pronë e Kllokoqit. 

Ajo tha se personat e tjerë qëndronin pak më larg. “Deri sa Ibushi foli me ta, unë isha nisur për ta thirrur kunatin që të jetë prezent, por nuk arrita ta thërras, ngase i dëgjova të shtënat dhe e pash Ibushin gjysmë të shtrirë, në shkallë,” deklaron Drita. 

Ajo tha se me të parë burrin në atë moment kishte rënë në shok dhe pastaj kishte shkuar në KFOR, ‘por nuk e di si kam shkuar deri atje’.

Në pyetjet e avokatëve mbrojtës e njëjta përgjigjet se burri i saj ka punuar në sigurimin shtetëror nga viti 1981, për çka mbrojtja aludon se Ibushi ka mundur të ketë shumë armiq. 

Mbrojtja thekson se në gazeta është shkruar se Ibushi ka qenë dëshmitar në proceset e të burgosurve politik duke shtuar se ‘po ashtu është thënë se atë e ka vrarë shërbimi sekret serb’.

Mbrojtja po ashtu e ballafaqon dëshmitaren me deklaratat e saj të dhëna më parë, e që kanë të bëjnë me përshkrimin dhe identifikimin e personave që e kanë vrarë Ibushin. 

Avokatët mbrojtës theksuan se në deklaratën e mëhershme ka përshkrime më të detajuara dhe në disa raste ndryshojnë me deklaratën e tanishme. 

E njëjta thekson se kanë kaluar afër 13 vite dhe nuk i kujtohen saktësisht, e kjo edhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që ka.

“As tani dhe as pas 100 vitesh nuk mund t’i identifikoi fytyrat e personave që kanë qenë në natën kritike kur u vra Ibush Kllokoqi,” tha Drita.

Pas dhënies së dëshmisë, Drita alivanoset pas largimit nga salla e gjykimit. 

Si të pandehur në këtë rast janë Fahredin Gashi, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari, Shpresim Uka dhe Sadik Abazi, të gjithë këta të akuzuar pas deklarimit të Nazim Bllacës.

Të pandehurit në këtë çështje akuzohen për vrasjen e Ibush Kllokoqit, vrasjen në tentativë të Ismet Arifit dhe të Adem Salihajt.

Një tjetër dëshmitar i propozuar nga prokurorja ishte Ismet Arifi i cili ka deklaruar se asnjëherë nuk e kishte kuptuar se kush e kishte sulmuar atë, deri në daljen e Nazim Bllacës në publik. 

Në këtë seancë, Ismet Arifi dëshmoi se me 3 nëntor 1999, rreth orës 8 të mbrëmjes, në banesën e tij në Bregun e Diellit në Prishtinë, kanë ardhur tre persona. 

Ai tha se djali dhe gruaja e kanë hapur derën, të cilët i kanë kërkuar të bisedojnë me të. “Kur kam dal te dera, nuk ka pasur rrymë dhe pak më larg i kam parë edhe dy persona tjerë, të cilët janë prezantuar si anëtarë të Shtabit të UÇK-së dhe kërkuan që të shkoj me ta,” tha Arifi.

Ai tha se ishte i bindur se personat te dera nuk janë anëtarë të UÇK-së, ngase UÇK-ja ‘më njihnin mua dhe nuk do ta bënin një gjë të tillë’. 

Arifi tërhiqet me dhunë nga njëri prej personave, pas refuzimit kategorik të tij që të shkoj me ta, duke iu thënë që të vinin nesër paradite dhe do të shkoj ku të dëshirojnë. 

“Njëri nga ta më ka kapur dhe më kanë tërhequr me dhunë, për të më larguar nga familja, deri te shkallët e banesës. Këtu më janë thyer dy gishta dhe shputa e këmbës, pastaj e kam shtyrë atë që më kishte kapur dhe arrita të iki një kat më lart,” shpjegon Arifi. 

Ai tha se dikush prej tyre ka gjuajtur me armë duke u larguar ndërsa me arritjen e shpejt të KFOR-it, ishin gjetur dy gëzhoja të plumbave dhe kanë dërguar Arifin në spital. 

“Kur nuk e kam ditur se kush më ka gjuajtur deri në momentin kur Bllaca ka dal publikisht,” tha Arifi para panelit gjykues të EULEX-it. 

Arifi thekson se më vonë e ka njoftuar UÇK-në se dikush e ka sulmuar në emër të UÇK-së dhe ata i janë përgjigjur ‘se nuk jemi ne, por disa persona tjerë që sulmojnë njerëz’.

Në një rast tjetër, ai ka gjetur në shtëpinë e tij një letër ku ishin të shënuar 6 emra, të cilët kërcënoheshin që të largohen nga LDK-ja dhe në fund të letrës shkruhej nga SHIK.

Në procesin gjyqësor kundër Fahredin Gashit, i njohur si rasti Bllaca I, kolegji e kishte shpallur të pandehurin fajtor për Krime Lufte kundër popullatës civile dhe i kishte shqiptuar dënimin prej 18 vjetësh burgim. Një ndër arsyet e shpalljes fajtor dhe të dënimit të Gashit ishte edhe dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca.

Në këtë seancë, paneli gjykues i EULEX-it, i njofton palët se kërkesat e palës mbrojtëse për hedhjen poshtë të deklaratave të Bllacës të dhëna në prokurori dhe propozimi që të njëjtit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik, refuzohen si të panevojshme.

Avokati Tahir Rrecaj e njofton panelin gjykues se Fahredin Gashi në vazhdimësi ka probleme shëndetësore, përdor medikamente të ndryshme dhe të shumta, të cilat mund t’i kenë shkaktuar halucinacione. 

Rrecaj tha se në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, klienti i kishte thënë se dikush ka tentuar ta vras atë dhe për këtë janë të njoftuar edhe gardianët. Propozon që të ti bëhet ekzaminimi fizik dhe psikik.