Gomave të automjeteve të nxjerra nga përdorimi - FOTO Egzon Dahsyla - KALLXO
Vazhdon djegia ilegale, shteti ka dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm
Në 21 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova ende nuk e ka një plan të mirëfilltë për menaxhimin e gomave të automjeteve të cilat nxirren jashtë përdorimit.
Karshi problemeve të theksuara me mjedis, djegia ilegale e gomave jashtë përdorimit vazhdon të jetë një problem i heshtur nga institucionet e thirrura për ta mbrojtur ambientin nga degradimi.
Për më tepër, shteti i Kosovës nuk ka të dhëna zyrtare se çka ndodhë me gomat që nxirren jashtë përdorimit, ndërsa djegia ilegale e tyre vazhdon të jetë prezent.
Gjatë viteve të pasluftës, në Kosovë në mënyrë individuale dhe private ka pasur persona që merren me riciklimin e gomës, por një organizim nga ana e shtetit ende mungon, ndërsa ata që merreshin me riciklim, viteve të fundit janë dorëzuar, pasi nuk kanë interes ekonomik në mungesë të një politikave përkrahëse për ta.
Mungesa e interesit për riciklimin e gomave nga persona privat lidhet me koston e shtrejntë të kësaj veprimtarie, si dhe problemi i eksportimit të produktit, që nxirret nga riciklimi i gomës, por edhe me mungesën e përkrahjes nga shteti.
Legjislaconi për trajtimin e gomës, si një material mjaft i rrezikshëm për mjedisin, nuk mungon, por në zbatimin e tij ka ngecje.
Në vitin 2012 është miratuar Udhëzimi Administrativ për ‘Menaxhimin e Gomave Jashtë Përdorimit dhe Mbeturinat e Gomës’.
Ky Udhëzim është miratuar për parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga gomat jashtë përdorimit; riciklimin e gomave jashtë përdorimit dhe mbeturinave të gomës; si dhe krijimin e sistemit për informim të grumbullimit, transportimit dhe trajtimit të gomave.
Udhëzimi, gjithashtu përcakton se shteti i Kosovës duhet të ketë një Qendër grumbulluese dhe trajtuese të gomës, si dhe gjithashtu jep mundësinë për personat privat që të licencohen në Ministrinë e Ambientit, që privatisht të merren me grumbullimin, trajtimin apo riciklimin e gomave dhe të mbeturinave të saj.
Në dokumentin e Ministrisë së Ambientit ‘Strategjia e Republikës së Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave 2013-2022’, flitet për problemin e mbeturinave të gomës.
Në këtë dokument që është i miratuar në vitin 2013, e që flet për planin e Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e mbeturinave, nuk ka të dhëna të sakta se sa është sasia e gomave në Kosovë. Aty, është bërë një llogaritje e përafërt, përmes numrit të makinave në Kosovë.
“Makinat e regjistruara në Kosovë në vitin 2008 ishte 206,352 makina. Numri mesatar i gomave për makinë 5 copë, numri i gomave në përdorim 1 milion e 31 mijë e 760 copë”, thuhet në këtë dokument.
Duke llogaritur kohëzgjatjen e një gome që mund të përdoret, rreth 5 vjet, peshën e gomës dhe numrin e gomave të importuara në vit, në dokument thuhet se çdo vit në Kosovë përafërsisht rreth 4 mijë e 280 ton goma hudhen apo nxirren jashtë përdorimit dhe përfundojnë si mbeturinë.
Në këtë dokument, gjithashtu nuk tregohet dhe nuk bëhet e ditur se çka ndodhë më pas me ato goma, apo me mbeturinat e gomave.
Çka ndodh me gomat në Kosovë pasi të nxirren jashtë përdorimit?
Askush nga shteti nuk e ka një përgjigje zyrtare, definitive dhe të saktë se çka ndodhë në Kosovë me gomat që nxirren jashtë përdorimit dhe me mbeturinat e saj.
Ndonëse Udhëzimi Administrativ për gomat e cakton se Kosova duhet ta ketë të paktën një Qendër grumbulluese, trajtuese dhe ricikluese të gomave, një e tillë ende nuk egziston.
Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë thotë se nuk pranon dhe nuk merret me trajtim të gomave jashtë përdorimit.
Sipas një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Kompania ka thënë se para më shumë se 10 viteve, në kohën kur deponitë kanë qenë të menaxhuara nga sektori privat dhe Kompanitë Regjionale, në disa deponi ka pasur grumbullim të tyre, por që më nuk ndodhë një gjë e tillë.
“Ky magazinim i atëhershëm, Kompanisë sot i shkakton probleme të ndryshme. Në të ardhmen, kurdo që duhet dërguar këto goma të nxjerra nga përdorimi, në vendet ku do të bëhet trajtimi i tyre, kompania do të ketë kosto shtesë, e nga të cilat nuk ka pasur asnjë benefit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në anën tjetër, Krenare Salihu nga Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës (WWF), thotë se vendosja e pikave grumbulluese dhe ricikluese nëpër Kosovë është e domosdoshme.
“Për fat të keq, kemi shumë probleme në përgjithësi me mbeturinat dhe riciklimin e tyre e jo vetëm të gomave. Rritja e numrit të veturave dhe përdorimi më i shpeshtë i tyre ndikon në “hargjimin” e gomave që e rritë sasinë e gomave të vjetra që zakonisht përfundojnë në deponi apo edhe digjen. Vendosja e pikave grumbulluese dhe riciklimi i tyre është i domosdoshëm, dhe në fakt mendoj se jemi vonuar mjaft në këtë aspekt”, thotë Salihu.
Në Kosovë, në mënyrë pothuajse tërësisht ilegale gomat digjen dhe përdoren nëpër furra për pjekjen e gëlqeres. Këto furra janë të theksuara kryesisht në rajonin e Hasit të Prizrenit, si dhe në disa rajone të tjera të Kosovës.
Shteti i Kosovës gjithashtu duket se nuk ka të dhëna të sakta për këto furra për pjekjen e gëlqeres, pasi nuk ka ofruar përgjigje në pyetjet e KALLXO.com, se sa furra të gëlqeres janë gjobitur apo ndaluar veprimtaria e tyre në 5 vitet e fundit, nga Inspektorët e Ambientit.
Ndërsa Ligji për Mbeturinat është mjaft i ashpër me gjoba, ndonëse Ministria ende nuk ka ofruar të dhëna se sa është respektuar.
Sipas këtij Ligji, neni 71, paragrafi 1.15, personat që menaxhojnë me gomat jashtë përdorimit dhe mbeturinat e gomës pa u pajisur me licencë nga Ministria përkatëse, gjobiten në të holla prej 5 mijë deri në 50 mijë euro.
“Natyrisht që ka në planin strategjik të veprimit të mbeturinave, ka projekte konkrete, që ka të bëjë me riciklimin por edhe me deponitë dhe deponitë për materialet e pa ricikliueshme”, ka thënë Aliu.
Ndërsa po ashtu ka bërë të ditur se planifikohen të ndërtohen dy deponi urgjente në dy qytete të Kosovës.
“Plani i aksionit të menaxhimit të mbeturinave bëhet këtë vit. Dy deponi urgjente që janë në Kosovë është deponia e regjionit të Prishtinës dhe e Pejës. Pra që të dyja janë top-prioritete sa i përket deponive. Problemi ka qenë tek gjetja e lokacionit, investimi është grant. Kjo në Prishtinë duhet të mbyllet, sepse madje qysh tash përbën rrezik”.
“Ndërsa për mbeturinat inerte, duhet të bisedojmë me komunat, duhet të shikojmë, madje ndoshta edhe të negociohet për këtë punë”, deklaroi ministri Aliu.
Ndërsa ambientalistja Salihu nga WWF thotë se nga përvoja e saj dhe vizitiat studimore nëpër vende të ndryshme të BE-së, ka parë praktika të mira të deponimit dhe riciklimit të gomave të vjetra.
“Ka pasë shumë fusha sportive dhe kënde të lodrave të fëmijeve që kanë qenë të mbulurara me shtresë gome duke evituar lëndimin në rast të rrëzimit. Këto praktika mund t`i sjellim edhe në Kosovë, në njërën anë e mbrojmë ambientin dhe në anën tjetër i shfrytëzojmë ato goma për diçka të mirë dhe të nevojshme”, tregon Salihu për KALLXO.com.
Kompanitë private nuk kanë interes të merren me riciklim të gomave
Riciklimi i gomave dhe nxjerrja e një produkti që mund të përdoret në disa sektorë, siç janë përshembull fushat artificiale të futbollit, për kompanitë private duket se nuk ka shumë interes.
Kjo pasi që riciklimi i tyre përbën një kosto të lartë, ndërsa shitja e produktit nuk është e garantuar.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës, Kosova në vitin 2020 ka importuar 56 mijë e 303 copë goma pneumatik të përdorura, goma të riveshura për autovetura, autobusë dhe kamionë. Vlera e përgjithshme e tyre e importuar para taksave ishte 379 mijë e 631 euro.
Nusret Brahimi e ka një biznes të gomave në fshatin Babush të Ferizajt. ‘Autogoma’ merret me riveshjen e gomave të transportit. Ai, mbledh goma nga klientët e tij, e më pas shtresën e fundit të gomave e ‘rivesh’ të cilat mund të përdoren prapë edhe për disa vite.
Në lidhje me riciklimin e gomave, Brahimi thotë se nuk ka leverdi të merret, pasi sipas tij, e ka një kosto shumë të lartë.
“Me riciklim kam qenë i interesuar të merrem, por e ka një kosto të lartë. Së pari makineria për riciklim kushton shumë shtrejtë, e më pas energjia elektrike që shpenzohet nga makineria, po ashtu është shumë e lartë”.
Brahimi, me biznesin e riveshjes së gomave merret që nga viti 2005, ndërsa thotë se në të ardhmen nuk e mendon riciklimin e tyre, pikërisht për shkak të kostos.
“Nuk e di, nuk mendoj që ia vlen të merrem me riciklimin e gomës, ndoshta në të ardhmen nëse shteti subvencionon, do të ishte mundësia, por momentalisht nuk kam interes”, ktregon Brahimi.
Në anën tjetër, sipas të dhënave zyrtare të Doganës, gjatë vitit 2020 janë importuar 27 mijë e 976 neto kilogramë gomë fasheta mbrojtëse të gomave pneumatike, gomat e mëdha apo goma jastëk, veshje të jashtme të gomave pneumatike, me vlerë të përgjithshme mbi 57 mijë euro.
Mirëpo Dogana nuk ka të dhëna nëse ka pasur eksport të gomave të nxjerra nga përdorimi, për qëllime riciklimi.
“Stagova” është një tjetër biznes që merret me riveshjen e gomave. Ky biznes në të kaluarën është marrë me riciklimin e gomave jashtë përdorimit dhe kanë qenë të licencuar nga Ministria e Ambientit, për të ushtruar këtë veprimtari.
Por ka vite që “Stagova” më nuk merret me riciklim, për shkak të kostos së lartë, si dhe të barrierave për eksportin e gomës së ricikluar, jashtë vendit.
Nga ky biznes thonë se kanë qenë të licencuar nga viti 2010 deri në 2015, por që më pas nuk kanë aplikuar për licencim, pikërisht sepse nuk ka qenë intersi që si biznes të merren me të.
“E kemi ende makinerinë që riciklon gomën. Ka disa vjet që nuk e kemi në funksion, sepse pikë së pari energjia elektrike që shpenzon makineria, është shumë e shtrejtë. Ndërsa as nuk kemi ku ta eksportojmë atë, për shkak të procedurave në kufi”.
Sipas përgjigjeve nga kompania “Stagova”, shteti i Kosovës as nuk ka ofruar mbështetje apo subvencione për këtë veprimtari, e as nuk ka lehtësuar procedurat për eksport jashtë vendit.
“Lëre që e kemi vështirë në rajon me eksportu atë ‘produkt’, por edhe në Shqipëri është shumë vështirë. Procedurat janë të vështira dhe asnjëherë nuk ka qenë e sigurt produkti që është krijuar nga riciklimi i gomave, që të eksportohet për në tregun e rajonit”.
Me shpresën se në të ardhmen do të gjejnë ndihmën e shteti përmes subvencioneve dhe lehtësimit të procedurave, nga ky biznes thonë se është në pikëpyetje rikthimi në riciklim.
Në Fushë Kosovë është një kompani private që merret me grumbullimin e gomave jashtë përdorimit.
Kompania ‘Eurogoma’ thotë se në momentin që klientët e tyre vendosin t’i largojnë gomat nga përdorimi, ato grumbullohen në disa pika në tërë Kosovën, e më pas ato goma dërgohen në hapësirat e depos qendrore të kësaj kompanie, që gjendet në Fushë Kosovë.
“Deri më tani, duke u bazuar në eksperiencat tona ndër vite, personat të cilët janë të interesuar për gomat e nxjerrura jashtë përdorimit janë disa persona fizik, të cilat i marrin këto goma për krijimin e gëlqeres, si dhe disa për arsye të ndryshme me qëllim të riciklimit të gomës”, thonë ata.
Ndërsa sipas tyre, nga viti 2020 nuk ka pasur asnjë individ apo kompani e interesuar për të trajtuar këto lloje të gomave.
“Si kompani ne posedojmë informatat e sakta dhe të plotë për gjithë procesin e grumbullimit dhe trajtimit me qëllim të procesit të riciklimit të gomave, mirëpo nuk jemi përfshirë asnjëherë në këtë proces, si rezultat i mos interesimit nga Ministria, për t`u marrur me këtë çështje problematike”.
Kompania ‘D-eco Trans’ është një tjetër kompani që është marrë me riciklimin e gomave që nxirren jashtë përdorimit, të paktën deri para se të kishte filluar pandemia COVID-19.
Bllokimi i ekonomisë si pasojë e pandemisë, ka ndikuar që kjo kompani të pezullojë punën e saj për riciklimin e gomave, në fshatin Bllacë të Komunës së Suharekës.
Ata thonë se nga nëntori 2020 kanë pauzuar punën dhe shpresojnë që shpejtë ta rifillojnë.
“E kemi pauzu sepse produktin e fituar nga riciklimi i gomës nuk kemi pasur ku ta shesim. Eksportimi jashtë Kosovës është shumë i vështirë, thuajse i pamundur, ndërsa pandemia COVID-19 ka bërë që të mos ketë kërkesa edhe brenda Kosovës”.
Ndikimi i djegies së gomave në ambient dhe në shëndetin e njeriut
Krenare Salihu thotë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), personat që thithin pluhurin e dhe tymin e shkaktuar nga djegia e gomave mund të kenë shkurtim të jetës nga 1.5 deri në 2 vjet.
“Pra, emetimet nga ndezja e gomave përmbajnë sasi të konsiderueshme të agjentëve të njohur si kancerogjene për njerzit. Prandaj këto emetime të shkaktuara nga zjarri i gomave në ambient të hapur mund të jenë shkaktar potencial të rrezikut për sëmundjet akute (afatshkurtër) dhe kronike (afatgjatë)”.
Sipas Salihut, gazrat dhe kimikatet e lëshuara nga djegia e gomave të përdorura janë jashtëzakonisht toksike për shëndetin e njeriut dhe shumë të dëmshme për mjedisin.
Ajo përmend ndotjen e mjedisit përmes të gjitha rrugëve të transmetimit, përmes ajrit, ujit dhe tokës.
“Është e rëndësishme të dini se sipas vlerësimeve të ekspertëve, djegia e një gome çliron një sasi të konsiderueshme vaji, dhe djegia e rreth 100 gomave lëshon rreth 25 litra vaj që mund të ndotin mjedisin nëse nuk rregullohen në mënyrë adekuate. Gjithashtu është e rëndësishme të dini se mesatarisht, një gomë digjet në 50 minuta, gjë që flet shumë për shkallën e ndotjes që lirohet nga ndezja. Në varësi të gjatësisë dhe shkallës së ekspozimit, efektet shëndetësore dhe ato mjedisore mund të jenë të mëdha”, tregon Salihu.
Ajo alarmon se, përveç ndotjes së drejtpërdrejtë të tokës dhe ujit me produktet e djegies që janë në gjendje të lëngët, duhet të ketë parasysh edhe ndotjen graduale të ujit dhe tokës, e shkaktuar nga kullimi i hirit dhe mbetjeve të djegura pas shiut ose ndonjë kontakt tjetër me ujin.
“Gjithashtu, edhe hudhja e gomave në ambient është dukuri negative sepse një gome i duhet 2000 vjet për t`u dekompozuar prandaj duhet të bëhet një zgjidhje sa më shpejt”, thotë Salihu.