Edi Rama dhe Lulzim Basha. Foto ilustrueseL LSA.

Vazhdimësi ose ndryshim: Rama dhe Basha në betejë për postin e kryeministrit

Për vite me radhë tashmë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i Partisë Demokratike Lulzim Basha po përballen përsëri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë fundjavë në Shqipëri. Që nga ajo kohë, përveç sloganeve, nuk kanë ndryshuar shumë gjëra.

Ndërsa Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare më 25 prill, kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama po synon një mandat të tretë në krye të qeverisë, ndërsa Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës po e sfidon atë përsëri.

Kjo nuk është hera e parë që kjo dyshe përballet. Katër vjet më parë, Rama e mundi Bashën në zgjedhje që, sipas misionit monitorues të OSBE/ODIHR, u mbajtën “në kontekstin e përçarjeve politike të gjata dhe të thella … si dhe besimit të ulët të publikut”.

Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që atëherë.

Të dy partitë rivale dhe liderët e tyre kanë krijuar një atmosferë të tensionuar parazgjedhore, të shoqëruar me incidente të shëmtuara dhe debate të nxehta.

Ndërkohë që të dyja palët tani janë drejt mbylljes së fushatave të tyre, Rama pohon se i duhet një mandat i tretë për të “përfunduar atë që nisi” ndërsa Basha – i cili dy vjet më parë e tërhoqi grupin e tij parlamentar nga parlamenti – kërkon një mandat për të “ndryshuar Shqipërinë”.

Slogani i Ramës në fushatë ka qenë “Shqipëria e ardhmja jonë!”, ndërsa ai i Bashës është “Bashkë për ndryshim. Shqipëria fiton”.

Me shpresën për një mandat të tretë

Kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat. Foto: LSA

Një ish-emigrant në fillim të viteve 1990, Rama u kthye në Shqipëri nga Parisi për t’u bashkuar me Socialistët që drejtonin vendin si Ministër i Kulturës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Në vitin 2000, ai fitoi garën për t’u bërë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe drejtoi kryeqytetin dhe qytetin më të madh për tre mandate me radhë, 11 vjet në total.

Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në 2005 pas humbjes së saj poshtëruese në zgjedhjet e atij viti, një pozicion që ai e mban ende.

Rama, tani 56 vjeç, mori pushtetin në vend në vitin 2013, ndërsa garonte kundër Sali Berishës, kryeministrit në atë kohë dhe kreut të Demokratëve në pushtet në atë kohë.

Pasi formoi një koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, e cila në atë kohë po qeveriste me Demokratët dhe drejtohej nga Ilir Meta, ai fitoi një fitore dërrmuese.

Rama fitoi përsëri në vitin 2017, këtë herë i vetëm, dhe formoi qeverinë. Ndërkohë LSI-ja u pozicionua përkrahë Demokratëve. Meta u zgjodh president dhe bashkëshortja e tij e pasoi atë si kryetare e LSI-së.

Në fushatën e tij të vitit 2017, Rama i kishte dhënë fund koalicionit me LSI-në e Metës, dhe i kërkonte publikut që ta mbante ai “timonin”, një referencë e drejtpërdrejtë për dëshirën e tij për të qeverisur i vetëm, pa partnerë të vegjël.

Ai formoi një qeveri, por nuk arriti të përmbushte dy nga premtimet e tij më të mëdha të bëra gjatë fushatës elektorale – “shërbim shëndetësor falas” dhe “300,000 vende të reja pune”. Asnjë nga këto nuk u realizua.

Gjatë mandatit të tij të parë Shqipëria kishte një problem të madh me kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin dhe qeveria u kritikua shumë se po bënte një sy qorr për këtë. Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i brendshëm i vendit, ende po përballet me akuza për këtë çështje.

Gjatë mandatit të tij të dytë, Rama u kritikua më shumë për trajtimin e tij të ekonomisë, veçanërisht për partneritete të diskutueshme private dhe për dhënien e koncesioneve të ashtuquajturve oligarkë.

Një problem tjetër i dukshëm është emigracioni masiv, duke përfshirë një “largim të trurit” të të rinjve dhe të arsimuarve. Mijëra njerëz u larguan nga vendi duke kërkuar azil në Evropë. Kjo e renditi Shqipërinë në krye të vendeve përsa i takon numrit të azilkërkuesve.

Lidhjet e supozuara midis socialistëve dhe krimit të organizuar i kanë ofruar një tjetër narrativë të rëndësishme demokratëve në opozitë.

Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë ishte gjithashtu një çështje tjetër e nxehtë që mbizotëroi debatin për gati dy vjet dhe shkaktoi protesta kur ai u shemb në maj të vitit 2020.

Rama tani po u kërkon shqiptarëve një mandat të tretë për të “vazhduar atë që ka filluar”. Ai e ka përqendruar fushatën e tij në vaksinimin masiv nga COVID-19, rindërtimin nga tërmeti i rëndë i nëntorit të vitit të kaluar dhe në “projekte të tjera të mëdha”.

Më 18 prill ai fluturoi me avion nga Tirana për në Kukës për të përuruar aeroportin e dytë të vendit. Ai u kritikua për këtë në rrjetet sociale se po përdorte burimet publike në një fushatë elektorale, gjë e cila është e ndaluar me ligj.

Gjatë mandatit të tij, Rama, një artist dhe piktor, gjithashtu ka synuar të ndryshojë fytyrën e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë me dy projekte, “Rilindja Urbane” dhe “100 fshatra”.

Të dy projektet gjithashtu janë kritikuar se nuk kanë sjellë ndryshime të vërteta, por se thjesht kanë ndryshuar fasadat.

Raundi i dytë për Bashën

Kryetari i Partisë Demokratik Lulzim Basha. Foto: Facebook/Lulzim Basha.

Në qendër të vëmendjes që nga viti 2005, kur ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri ndryshime të mëdha në parti në përpjekje për të marrë pushtetin pas vitesh në opozitë, avokati i arsimuar në Holandë, Lulzim Basha, ka mbajtur poste të ndryshme që nga ajo kohë.

Ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në vitin 2013 dhe ka qenë kryetari i saj që nga ajo kohë. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2011 deri në 2015, pasi më parë shërbeu si Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm.

Kjo është hera e dytë që 46 vjeçari kandidon për postin e kryeministrit. Në këto zgjedhje, ai ka formuar “Aleancën për Ndryshim”, një koalicion me disa parti më të vogla, dhe nënshkroi një marrëveshje para zgjedhjeve që parashikon bashkëpunim pas zgjedhjeve, nëse ato fitojnë, me LSI-në.

Në këto zgjedhje, fushata e tij është përqendruar në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndalimin e emigrimit masiv si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Së bashku me deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dhe LSI-së, ai dogji mandatin e deputetit në vitin 2019 si një shenjë proteste kundër një qeverie të cilën ai e quajti “një bandë” dhe që tha se ishte e lidhur me krimin e organizuar.

Pas kësaj, megjithatë, u krijua një opozitë “e re” parlamentare që zuri vendet e lira në parlament. Ndërkohë opozita “e vjetër” nisi protestat masive në Tiranë.

Pasi Basha dhe deputetët e tij u larguan nga parlamenti, ata nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në vitin 2019, duke lënë Socialistët të fitonin dhe qeverisnin pothuajse çdo bashki në vend, përveç Shkodrës në veri.

Rama i ofroi Bashës një formë bashkëpunimi në këto zgjedhje, me kusht që ai të shkëputej nga figura të ndryshme të vjetra politike si ish-kryetari i LSI-së Ilir Meta, tani president, dhe ish-kryeministri Berisha. Basha e refuzoi ftesën.