Ushtria e Emigrantëve që Ndërton Britaninë

Burrat mblidhen nën hijen e dyqanit të paisjeve të ndërtimit Vikers, duke kërkuar punë që do t’ua mundësojë të rrinë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që i ruhen policisë e cila herë pas here i dëbon.
   
Si punëtorë me mëditje në margjinat e sektorit të ndërtimit të Britanisë, ata përbëjnë një furnizim të lirë të krahut të punës, të dobishëm por shpesh të padëshiruar.

Prania e tyre provokon ankesa të shpeshta nga banorët e Shtatë Motrave, një lagje veriore e Londrës ku bar-restorantet ofrojnë “mëngjese me shumë kalori” për më pak se pesë paund.

Pa zyra apo agjenci që t’i mbështesin, punëtorët me mëditje popullojnë trotuaret dhe e reklamojnë zanatin e tyre përmes veshjes – tuta të pista të spërkatura me bojë e llaç.

Kur ndalojnë klientët potencialë, ata bëjnë pazar për pagesën dhe rrugën. Kur shfaqen policët, ia mbathin vrapit.
   
Në rrugën përballë dyqanit në një mëngjes të shndritshëm korriku, Xhareku mbledh sendet e pazarit dhe ndalon për një bisedë të shkurtër me disa shokë.

“Njerëz të paligjshëm”, kështu i përshkruan ai afro 30 burrat që presin jashtë Vikersit. Ndryshe prej tyre, ai vjen nga Polonia dhe nuk e zë paniku kur sheh policinë.

Edhe ai është  punëtor ndërtimi, por nuk bën punë në trotuaret jashtë Vikersit. Ndryshe prej tyre, ai udhëton me një motor të vogël me kuti veglash duke shpërndarë fletëpalosje që reklamojnë “shërbime kontraktuale të lira dhe të besueshme” në një anglishte jo fort të saktë.

Xhareku është një nga rreth një milion punëtorët që u zhvendosën në Mretërinë e Bashkuar si pasojë e zgjerimit të BE-së në Europën Lindore më 2004. Shkalla e migrimit, shumica e së cilës nga Polonia, nxiti reagim kundër politikanëve britanikë që kishin dështuar t’i paraprinin asaj.

Punëtorët me mëditje janë kryesisht rumunë dhe bullgarë, dhe relativisht kanë ardhë vonë. Ata erdhën pas vitit 2007, kur Rumania dhe Bullgaria – t’ashtuquajturit vende A2 – iu bashkuan BE-së.

Me gjithë dyshimet e Xharekut, prania e këtyre njerëzve në Britani, apo jashtë Vikersit, nuk është në vetvete e paligjshme.   

Gjithë çka e ndan atë nga të sapoardhurit është një rrjet kufizimesh, të përvijuara për t’ua mohuar emigrantëve të klasit A2 përfitimet e shumta që e ndihmuan Xharekun dhe bashkatdhetarët e tij të sistemoheshin në Britani.

Të lirë për të qëndruar por jo për të punuar, rumunët dhe bullgarët përmbushin një funksion specifik, plotësimin e nevojës së Britanisë për krah pune të lirë dhe të pasiguruar.

Nervozë dhe dyshues

Sektori i ndërtimit përbën më se 10 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të Britanisë. Ai është pjesa qëndrore e planit të qeverisë për të rigjallëruar ekonominë e dobësuar dhe marrës i rregullt i subvencioneve dhe stimulimeve.

Kritikët thonë se kufizimet e qeverisë mbi punëtorët e klasit A2 kanë bërë që të përfitojë sektori i ndërtimit duke shtuar radhët e punëtorëve të keqpaguar dhe që janë jashtë rregulloreve. Ata e akuzojnë Britaninë se po përpiqet ta çajë rrugën mes një recesioni të dyfishtë duke ulë pagesat dhe kushtet për punëtorët e tjerë që janë relativisht të sistemuar.

Një hetim i Rrjetit Ballkanik për Hetim dhe Raportim (BIRN) tregon se punëtorët A2 përgjithësisht janë të përgatitur të punojnë për rroga më t’ulëta dhe në kushte më të këqija sesa të tjerët n’industrinë e ndërtimit. Shumë t’intervistuar folën me kusht anonimiteti sepse nuk dëshironin të tërhiqnin vemendjen e autoriteteve.

Sindikatat dhe zyrtarët e sigurisë pajtohen që statusi i emigrantit i punëtorëve A2 i ka shtyrë në cepin e skajshëm të sektorit të ndërtimit, ku procedurat ka gjasa të shpërfillen dhe dëmtimet apo ankesat të mos raportohen.

Qeveria britanike i justifikon kufizimet e saj duke shtjelluar se e kanë mbrojtë forcën e punës së Britanisë duke penguar një valë tjetër emigrimi të shkallës së asaj që solli Xharekun këtu.

Statistikat e Departamentit të Punës dhe Pensioneve tregojnë se rreth 210.000 rumunë dhe bullgarë kanë marrë një numër të Sigurimit Kombëtar (NI), që kur  vendi i tyre iu bashkua BE-së pesë vjet më parë. Kjo shifër ofron një tregues të përafërt se sa migrantë nga këta vende mund të jenë duke punuar në Britani, pa marrë parasysh ata që punojnë ilegalisht dhe ata që janë kthyer në shtëpi prej asaj kohe.

Nga ana tjetër, afërsisht 640.000 polakë kanë marrë numra NI gjatë pesë vjetëve të shkuar, nga gjithsejt më se një milion të dekadës së kaluar.

Ndërkohë, sindikatat e mëdha të ndërtimit, këmbëngulin se antarët e tyre janë të detyruar nga ligji të sigurohen që kushtet e punës të jenë të sigurta e të drejta. Kur thyhen rregullat, thonë ata, në shumicën e rasteve migrantët janë bashkëfajtorë.

Disa emigrantë të intervistuar nga BIRN-i duket se e vërtetojnë këtë, duke thënë se kanë punuar në ekonominë gri për të shmangur taksat. Por, sa më shumë të jenë të keqpaguar, aq më e madhe është prirja për ta bërë këtë.

Nëse kapen duke punuar ilegalisht, emigrantët përballen me një gjobë deri në 1.000 paund (rreth 1.300 Euro) dhe ndoshta edhe me burgim.

Megjithatë, punëtorët ditorë para Vikersit nuk janë shumë të rrezikuar për t’u kapur ngaqë mund të pretendojnë se kanë ndërmend t’i deklarojnë fitimet.

Nervozizmi i tyre në lidhje me policinë më shumë është prej dyshimit të përgjithshëm ndaj shtetit sesa nga frika e persekutimit.

Të përballur me kufizime t’ashpra në tregun e punës, ata janë shtyrë drejt një zone ku nuk ka dallim të qartë mes të ligjshmes dhe të paligjshmes, apo mes shfrytëzimit dhe efektivitetit të kostos.

“Policia më ka kërkuar kartën e identitetit… Nganjëherë thonë se mund të rrish, nganjëherë të detyrojnë të ikësh’’, thotë një punëtor me mëditje në moshë të mesme nga Bullgaria që tha se e quajnë Neven. “Unë rri’,’ shton ai. “Çka do të më bëjnë policët?’’

Loja e shifrave

Pas mbërritjes në Britani, të gjithë të huajt në kërkim të punës pritet që të aplikojnë për një numër NI.

Ky numër është parakusht për secilin që kërkon punësim të ligjshëm afatgjatë. Ai është efektivisht kodi mbi të cilin shteti ndërton regjistrin e taksave, pensionit dhe përfitimeve të secilit individ.

Kur Xhareku erdhi në Britani në 2004, polakët si ai nuk kishin shumë vështirësi të merrnin numrin NI. Por në kohën kur emigroi Neveni pesë vjet më vonë, rumunët dhe bullgarët e kishin më të vështirë të regjistroheshin.

Qytetarëve A2 u jepet automatikisht numri NI vetëm nëse kanë ardhur në Britani me një lloj vize pune që lëshohet me oferta të drejtpërdrejta punësimi.

Megjithatë, këta emigrantë janë pakicë. Shumica e rumunëve dhe bullgarëve udhëtojnë për në Mretërin e Bashkuar pa leje pune ose ndonjë premtim të sigurtë punësimi.

Të zellshëm të fillojnë fitimet, ata gravitojnë rreth sektorit të ndërtimit dhe hotelerisë, ku me gjasë i shmangen nevojës për leje pune duke u regjistruar si të vetëpunësuar.

Emigrantët që nuk mund ta provojnë se janë të punësuar, dhe për këtë arsye nuk mund të marrin numrin NI, shpesh përfundojnë në margjina të këtyre sektorëve, duke marrë pagesa në dorë për punë rastësore që kërkojnë nivel minimal shkresurinash.

Zyrtarët e ambasadës bullgare dhe asaj rumune në Londër i thanë BIRN-it që qytetarët e tyre kishin vështirësi në marrjen e numrit NI, me raste që shkonin edhe deri në pesë përpjekje të pasuksesshme. Shumica e punëtorëve ditorë jashtë Vikersit tek Shtatë Motrat futen në këtë kategori.

“Pa pare, pa punë në Bullgari”, thotë një emigrant 45-vjeçar që nuk e dha emrin. Ai tha se kishte aplikuar dy herë për numrin NI dhe ishte refuzuar të dyja herët. Nuk kishte gjetë punë prej dy muajsh dhe po jetonte me kursimet.

“Vendet e vogla, rreziqe më të mëdha”

Punëtorët e padokumentuar ka më shumë gjasa të plagosen rëndë në punë, sipas sindikatave dhe ekspertëve të sigurisë në punë.

Një i ri rumun, emri i të cilit mbrohet me këshillën e avokatit të tij, i tha BIRN-it se e kishte zënë korrenti ndërsa përdorte një matrapik në një kantjer ndërtimi në Londër. “Nuk mbaj mend shumë”, tha ai. “Kishte tym. M’u dogj krahu.”

foto  
Vinçat, megjithë krizën, janë pamje e zakonshme qiejve të Londrës.  

 

I riu po punonte në Britani pa numër NI dhe e kishte marrë punën nga një shok. Ai thotë se nuk iu kërkua të jepte ndonjë dokument apo të nënshkruante kontratë para se të fillonte punën dhe ishte paguar në dorë. Megjithëse i ishin dhënë disa udhëzime themelore mbi sigurinë, ai thotë se kishte pasë vështirësi t’i ndiqte ato për shkak të anglishtes së dobët që zotëronte.

Sindikatat e ndërtimit llogarisin se afro 80 për qind e aksidenteve në punë nuk raportohen. Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë (HSE), organizata britanike që monitoron sigurinë në vendin e punës, nuk mban ndonjë të dhënë lidhur me kombësinë e punëtorëve të plagosur.

Gjithsesi, ajo pranon se punëtorët emigrantë janë më t’ekspozuar ndaj aksidenteve dhe me më pak gjasa t’i raportojnë ata, edhe nëse s’mund të deportohen apo të penalizohen pse e bëjnë këtë.

Richard Boland, kreu i HSE-së për ndërtimin në Anglinë jugore, thotë se “vulnerabiliteti që vjen me kufizimet se kur dhe ku mund të punosh” mund t’i shtyjë pundtorët e ndërtimit drejt kantjereve ku rregullat e sigurisë nuk zbatohen.

Inspektorët e HSE-së tashti po e zhvendosin vemendjen nga firmat e mëdha drejt të voglave sepse këto të fundit, shprehet ai, ka më shum gjasa t’i shpërfillin standarded dhe të punësojnë punëtorë emigrantë relativisht pa përvojë.

“Aksidentet e heshtura”

Punëtorët rumunë dhe bullgarë që ia dalin të marrin numrin NI prapseprapë përballen me pengesa të cilat nuk i kanë dalë një brezi më të hershëm emigrantësh nga BE-ja.

Shumica e punëve në ndërtim përfitohen nga agjencitë e specializuara të punësimit, që në mënyrë tipike janë kompani të vogla me histori punësimesh nga një bashkësi e caktuar emigrantësh.

Këto agjenci veprojnë si nënkontraktorë për firma më të mëdha, që japin punë të përkohshme për sheshe të mëdha ndërtimi në kohë të shkurtër dhe kryejnë shumicën e shkresurinave që lidhen me procesin.

Sipas avokatëve dhe ekspertëve të punës, punëtorët A2 të punësuar nga agjenci të tilla ka më pak gjasa t’ankohen për kushtet e rrezikshme dhe rrogat e ulëta. Shumica e tyre frikësohen se mos futen në listën e zezë në një ekonomi ku opsionet për punësim edhe ashtu janë të vogla.

Remus Robu, avokat në firmën ligjore britanike Levenes, shpesh merret me pretendimet që dalin nga aksidentet që përfshijnë punëtorët A2. “Fatkeqësisht, ka njerëz që pushohen nga puna kur kërkojnë dëmshpërblim,” tha ai.

Pronari rumun i një kompanie të voglë ndërtimi, duke folë me kusht anonimiteti, konfirmoi ekzistencën e një liste jozyrtare të zezë për punëtorët që konsideroheshin si shqetësues. Por, tha ai, kjo nuk ndryshonte nga sistemi i rekomandimeve i përdorur nga punëdhënësit e industrive të tjera.

“Pse do të doje të punësoje dikë që ka parashtruar një ankesë kundër teje?’’, tha ai.

Pronari i tha gjithashtu BIRN-it që ai e kishte bindur një punëtor të mos raportonte një incident për një këmbë të thyer. Ai tha se i kishte paguar atij një rrogë të plotë gjatë shërimit dhe i ka garantuar punësim të mëtejshëm pasi të shërohej.

“Ai pranoi të mos parashtronte ankesë kundër meje sepse unë kam marrdhënie të mira me punëtorët e mi”, tha pronari.

Sipas HSE-së, çdo aksident që shkakton këmbë të thyer duhet të raportohet sipas ligjit britanik. Nëse një punëdhënës kapet gabim, avokatët thonë se punëtori mund të presë të marrë mes 6.000 dhe 36.000 paund, varësisht shkallës së dëmtimit.

Firmat e vogla të ndërtimit zakonisht priren t’i shmangen parashtrimit të ankesave kundër tyre, ngaqë këto i pengojnë të marrin kontrata të reja.

“Ekonomi informale”

Përveç se nuk i përkrahin në ankesat kundër kushteve, agjencitë e punësimit shpesh i paguajnë emigrantët A2 me rrogë më të ulët sesa punëtorëve të tjerë.

Shum agjenci zbresin një formë komisioni nga paketat e pagesës së punëtorëve. Në disa raste, një kompani pagesash, shpeshherë e lidhur me agjencinë, do të kërkojë një pagesë shtesë “administrative” për procesimin e rrogave.

Emigrantët A2 nuk kanë mbrojtje kundrejt këtyre shkurtimeve të fitimeve të tyre. Si punëtorë të vetëpunësuar, ata nuk kanë të drejtë ta gëzojnë rrogën minimale britanike, aktualisht e përcaktuar në gjashtë paund në orë.

Për më shumë, megjithëse teknikisht pritet prej tyre të paguajnë taksat, punëtorët e vetëpunësuar automatikisht taksohen në burim me 20 përqind, sipas një skeme qeveritare që zbatohet vetëm tek sektori i ndërtimit.

Sindikata e punëtorëve të ndërtimit, UCATT, ka kërkuar që kjo skemë të hidhet poshtë, duke thënë se ajo mundëson një lloj vetëpunësimi të rremë. Edhe Partia Laburiste opozitare ka thënë kohët e fundit se do ta rishikojë këtë skemë.

Megjithatë, një zyrtar nga sindikata më e madhe britanike e ndërtimit tha se punëtorët në këtë kategori nuk meritonin simpati më të madhe sesa punëdhënësit e tyre për shkak të pengimit të “konkurrentëve të tyre legjitimë”.

“Të dyja palët fitojnë nga shkelja e ligjit dhe, si të tillë, ata A2 që mashtrojnë me vetëpunësimin s’mund të portretizohen si viktima të pafajshme”, thotë Peter O’ Connell, menaxher i politikave tek Federata e Ndërtuesve të Mëdhenj.

Stephen Ratcliffe, drejtor në Grupin e Kontraktorëve të Britanisë, një sindikatë që përfaqëson firmat më të mëdha të ndërtimit në vend, tha se duhen përdorur ndjekje penale kundër “ekonomisë informale” ku kompanitë i shmangen ligjeve të taksimit, punësimit dhe sigurimit.

Si O’Connell ashtu edhe Ratcliffe theksuan që antarët e organizatave të tyre i binden krejtësisht ligjit.

Organizmi kryesor britanik për agjencitë e punësimit, Konfederata e Rekrutimit dhe Punësimit, s’pranoi të jepte koment pavarësisht disa kërkesave nga BIRN-i.

Duke pasë parasysh mënyrat në të cilat veprimi përmes agjencive të punësimit mund t’ua ulë të ardhurat, shum punëtorë A2 vendosin të dalin nga sistemi.

Tek punëtorët me mëditje jashtë Vikersit tek Shtatë Motrat përfshihen edhe disa që e kanë numrin NI por kanë vendosë të mos e përdorin.

Një rumun që nuk pranoi ta jepte emrin thotë se ai ka gjashtë vjet në Britani dhe i paguan rregullisht taksat dhe kontributet ndaj shtetit.

Por ai i plotëson t’ardhurat e veta zyrtare duke punuar me para në dorë. “Njerëzit më punësojnë t’ua lyej shtëpinë. Nëse më kërkojnë faturë, mund t’ua jap. Përndryshe, nuk e lëshoj.”

“Më ka ardhë në majë të hundës të punoj për agjencitë,” shton. “Të marrin shumë.”

Shumica e njerëzve jasht Vikersit thonë se presin të fitojnë rreth 50 paund (60 Euro) në ditë. Po të krahasohet, një rumun i vetëpunësuar i rekrutuar ligjërisht nga një agjenci punësimi për drejtimin e trafikut në një shesh ndërtimi, mund të presë të fitojë 80 paund (100 Euro) në ditë. Me fjalë të tjera, ai do të paguhet vetëm 30 paund (40 Euro) më shum sesa punëtorët me mëditje , nga e cila shumë ai duhet të zbresë taksat dhe kontributet e tjera të NI-së.

Agjencitë e rekrutimit thonë se ata paguajnë të njëjtën rrogë, pavarësisht kombësisë. Megjithatë, sindikatat thonë se punëtorët britanikë dhe polakë mund të presin të paguhen 9-10 paund në orë për punë që do t’u ofrohen punëtorëve A2 për 5-6 paund në orë.

Ngaqë nuk përballen me ndonjë pengesë pune, punëtorët polakë dhe britanikë janë në pozitë më të mirë të negociojnë pagesat apo thjesht të marrin punë më të mira në sektorë të tjerë. Rumunët dhe bullgarët kanë më shumë gjasa të pranojnë atë çka u ofrohet, ngaqë kanë më pak opsione në tregun e punës.

“Mirë për biznesin”

Sipas kritikëve të saj, politika aktuale mbi punëtorët A2 ka krijuar një sistem që ia ul t’ardhurat nga taksat shtetit, pengon krahun britanik të punës dhe i lë të huajt të ekspozuar ndaj shfrytëzimit.

Deputeti laburist Jim Sheridan ka kërkuar rregullim më të ashpër të agjencive të punësimit në sektorin e ndërtimit, përgjatë linjave të licensimit të pronarëve në bujqësi.

foto  
Puna e emigrantëve ka ndihmuar bumin e sektorit ndërtimor të Britanisë.  

 

Disa të tjerë kërkojnë zvogëlimin e vetëpunësimit në sektor duke i detyruar firmat e ndërtimit të punësojnë më shumë punëtorë drejtpërdrejt. Gjithsesi, kjo gjithashtu do ta zhvendoste barrën për kontributet NI – afërsisht 14 përqind të rrogës – drejt punëdhënësve.

Sindikalisti në UCATT Dave Allen pranon se kjo s’ka gjasa të ndodhë, ngaqë do t’i linte firmat e mëdha me buxhete më të vogla. “Qeveria e di që nëse të gjithë do të punësoheshin drejtpërdrejt, ekonomia do të pësonte rënie,” thotë ai.

Bridget Anderson, zv/drejtor dhe kërkues i njohur në institutin COMPAS të Universitetit t’Oksfordit, thotë se qeveria të paktën duhet të zbatojë rregulloret e pagës minimale mbi të gjithë punëtorët, britanikë ose të huaj, të vetëpunësuar ose jo.

Ajo thotë se retorika lidhur me mbrojtjen e punëve për britanikët ishte e rreme: kufizimet e reja kishin dobësuar krahun e atëhershëm të punës ndërkohë që i kishin krijuar përfitime bizneseve duke u dhënë një krah pune më të nënshtruar.

“Sa më shumë të përqendrohesh në kontrollin e emigrimit, sa më shumë krijon kontrolle të përkohshme – aq më shumë krijon një krah pune që është më e dëshirueshme për punëdhënësit,” tha ajo.

Antarët e BE-së s’mund t’i pengojnë qytetarët e shteteve të tjera antare t’udëtojnë në vendet e tyre për të punuar. Ata munden vetëm të vendosin “kontrolle të përkohshme” të llojit aktual në Britani kundër rumunëve dhe bullgarëve.

MB-ja është vetëm një nga disa shtete të BE-së që kanë vendosë kufizime mbi punëtorët A2. Kufizime të ngjashme ka në Austri, Gjermani, Belgjikë, Francë dhe Hollandë.

Sipas ligjit, kufizimet duhen hiqen në janar 2014. Megjithatë, një deklaratë e lëshuar nga Agjencia Kufitare Britanike vitin e kaluar konfirmoi se do të zbatoheshin “kufizime të përkohshme” të ngjashme mbi të gjithë shtetet e reja të BE-së për të siguruar që “emigrimi të sjellë përfitim për Mretinë e Bashkuar dhe të mos ndikojë keq mbi tregun tonë të punës’’.

Agjencia Kufitare britanike, ministri i emigrimit dhe Departamenti i Punës dhe Pensioneve, nuk pranuan të intervistoheshin për këtë artikull.

Box1: Numrat e sigurimit kombëtar

Një numër i Sigurimit Kombëtar (NI) mundëson mbajtjen e regjistrit të taksave dhe kontributeve të sigurimeve të secilit individ. Qytetarët britanikë e marrin automatikisht numrin NI kur mbushin 16 vjeç. Emigrantët polakë shpesh duhet të japin veetëm një kartë identiteti origjinale dhe provën e një adrese britanike për t’u kualifikuar në marrjen e tij.

Rumunët dhe bullgarët që duhet të regjistrohen si të vetëpunësuar për ta marrë numrin, duhet të paraqesin kontratat, faturat, ofertat e punës dhe referencat nga klientët. Ata kanë një periudhë tremujore kohë për t’i grumbulluar këto të dhëna.

Shumica ankohen se kjo krijon një situatë të qarkut vicioz. S’mund të marrin provat për numrin NI derisa të stabilizihen si të vetëpunësuar, por nga ana tjetër s’mund të stabilizihen si të vetëpunësuar pa marrë numrin.

Rrëfimet e punëtorëve A2: Me numrin NI

“Një herë një agjenci më ngarkoi 30 përqind taksë në vend të 20 përqind. Një zonjë më tha në telefon se do të merrnin 30 përqind, plus pagesën e agjencisë, plus pagesën e kompanisë së pagesave. Kështu shkon kjo: të dyja janë bashkë, secila merr një përqindje nga pagesa ime.” (Florini, Rumani, rregullues dritaresh)

“E mora numrin NI pas katër përpjekjesh dhe m’u desh t’i paguaj një konsulenti 200 paund të më ndihmonte të përzgjidhja kontratat dhe faturat që më duhej të paraqisja si provë të vetëpunësimit tim.” (Kosteli, Rumani)

“Jam shum i lumtur se si e trajtoi rastin tim HSE-ja. Erdhën tek sheshi mbrenda dhjetë minutash dhe të gjitha kompanitë përgjegjëse për aksidentin tim u penalizuan.” (Marseli, Rumani)

Rrëfimet e punëtorëve A2: Pa numrin NI

“U them klientëve të mi në fillim që s’marr çeqe dhe nuk jap fatura. N’daç merre, n’daç lëre. Mund të fitoj deri në 3.000 në muaj.” (“Joni”, Rumani)

“Kam një dhomë me nënën time për 100 paund në javë. Erdha të kërkoj punë në Vikes sepse duhet të paguaj qiranë. Nëse s’paguaj çdo javë, thjesht më nxjerrin jashtë.” (Ergean, Rumani)

“Nuk kam dokumente dhe s’kam punuar kurrë për ndonjë kompani. Në vend se të gjej punë përmes një agjencie që do të më marrë 40 paund në javë, më mirë të pres jashtë Vikesit dhe të shpresoj të fitoj 80 paund në ditë.” (“Paul”, Rumani)

“Nuk e di pse erdha në Britani në radhë të parë. Më është refuzuar një herë numri NI dhe sapo kam aplikuar për herë të dytë. Nëse thonë jo, do të përpiqem edhe një herë dhe pastaj do të kthehem në shtëpi.” (Mihaela, pastruese rumune)

Sorana Stanescu është gazetare nga Bukureshti. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanin të Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. Redaktoi Neil Arun.