Universiteti "Kadri Zeka", Gjilan

Universiteti i Gjilanit në vitin 2020 vetëm në udhëtime shpenzoi mbi 26 mijë euro

Stafi i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, gjatë vitit 2020, ka shpenzuar mbi 26 mijë euro në udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, në këtë shumë janë përfshirë, biletat, akomodimet dhe shpenzime të tjera, të cilat në total kanë kushtuar 26,602.61 euro.

Vendet e vizituara gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2020 nga stafi i i UKZ-së janë: Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Budva si dhe Helsinki, Duisburgu, Lisbona.

Ndërsa, po ashtu në këtë shumë janë paguar edhe shërbime të transportit për studentët për mobilitet në Zvicër.

Udhëtime gjatë vitit që e lamë pas janë bërë nga rektori, Bajram Kosumi, prorektori Dukagjin Leka, dekanë, profesorë dhe persona të tjerë nga stafi i angazhuar.

Universiteti i Gjilanit këto udhëtime i ka arsyetuar me pjesëmarrje në vizita studimore, takime me koordinatorë të projekteve të ndryshme, marrëveshje të nënshkruara të bashkëpunimit, pjesëmarrje në konferenca të ndryshme e të tjera.

Periudhat e udhëtimit janë në muajt janar, shkurt, prill, maj, qershor, tetor dhe dhjetor të vitit 2020.

Nga buxheti i UKZ-së janë shpenzuar 7,352.61 euro,  ndërsa shpenzimet e tjera janë paguar nga donatorët e ndryshëm që shuma në total është 19,250 euro.

Vizitat në rajon

Stafi i UKZ-së ka bërë disa vizita në shtetet e rajonit, siç janë Shqipëria dhe Mali i Zi, por më e vizituara ka qenë në Shqipëria.

Më 22 janar është bërë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Universitetit “Kadri Zeka” dhe Universitetit të Elbasanit.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë 7 persona nga stafi i UKZ-së dhe ky udhëtim ka kushtuar 944 euro.

Ndërsa, në po këtë datë është bërë edhe një takim në Tiranë të dy zyrtarëve të UKZ-së për një projekt, i cili ka kushtuar 375.77 euro.

Vizita e radhës është bërë në Mal të Zi në Budva më 24 qershor të vitit 2020, që po ashtu është bërë për të marrë pjesë në një projekt. Në këtë udhëtim janë bërë shpenzime nga buxheti i UKZ-së që kanë kushtuar 276 euro dhe pjesa tjetër është mbuluar nga donatori.

Në Korçë vizita ka qenë më 29 qershor dhe kanë marrë pjesë dy zyrtarë, në kuadër të konferencës së dytë të rektorëve të universiteteve publike dhe janë shpenzuar nga buxheti i UKZ-së 300 euro.

Më 5 tetor, Universiteti i Gjilanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” dhe kanë marrë pjesë tre zyratrë. Në kuadër të kësaj marrëveshje janë shpenzuar për udhëtim 778.81 euro.

Korça është vizituar edhe në muajin tetor nga stafi i UKZ-së dhe kanë qenë pjesëmarrës në një tryezë të organizuar nga Eramsus+. Në kuadër të këtij udhëtimi janë bërë shpenzime prej 312 euro dhe pjesa tjetër e udhëtimit është paguar nga donatorët.

Qyteti i Gjirokastrës është vizituar në muajin dhjetor të vitit 2020 për shkrim dhe menaxhim të projekteve nga stafi i UKZ-së dhe janë shpenzuar 1,018.25 euro.

Vizitat në vendet europiane

Stafi i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, gjatë periudhës 12 muajshe të vitit 2020 ka udhëtuar edhe në vendet europiane.

Vizita e parë ka qenë në Bruksel në muajin shkurt dhe kanë udhëtuar për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga Komisioni Evropian. Kjo vizitë ka kushtuar 2,074.62 euro duke përfshirë, shpenzimet e udhëtimit, akomodimet dhe biletat. Ndërsa, 755 euro janë paguar nga donatori në këtë rast, Komisioni Evropian.

Në muajin qershor është bërë vizitë në Gjermani në Duisburg në kuadër të një trajnimi dhe janë shpenzuar 661.56 euro dhe një pjesë tjetër është mbuluar nga donatori.

Vizita në Finlandë është bërë në Helsinki dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga donatori Erasmus+ në kuadër të një vizite studimore.

Edhe një vizitë tjetër studimore është bërë në kryeqytetin e Portugalisë në Lisbon dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga donatori.

KALLXO.com ka raportuar edhe për shpenzimet në udhëtime të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe do të raportojë edhe për shpenzimet e universiteteve të tjera publike, ditëve në vijim.

Mijëra euro shpenzime të UP-së, në udhëtime gjatë vitit 2020