Universitetet e diskredituara edhe para humbjes së akreditimit

Mes grindjesh ndërmjet zyrtarëve qeveritarë në njërën anë, ekspertëve të arsimit dhe opozitës nga ana tjetër, Prishtina Insight paraqet një pasqyrë të çështjeve që prekin tri institucionet arsimore të cilat humbën akreditimin e tyre këtë javë.

 Në korrik të vitit 2014, në prag të zgjedhjeve pa rezultat të muajit paraprak, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, shpërfaqi krenarinë e tij në hapjen e pesë universiteteve të reja në të cilat studentët nga rajone të ndryshme të Kosovës do të mund të regjistroheshin.

 “Brenda ‘Misionit të Ri’ (slogani elektoral i PDK-së), ne synojmë të investojmë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore në mënyrë që ato të bëhen konkurruese në një ekonomi globale e cila po bazohet në njohuri dhe inovacion, çdo ditë e më shumë”, u tha ai gazetarëve.

 Pesë vjet më vonë, në korrik të vitit 2019, tri nga këto institucione të arsimit të lartë, Universiteti ‘Haxhi Zeka’ në Pejë, Universiteti ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë dhe Universiteti ‘Ukshin Hoti’ në Prizren humbën akreditimin e tyre për vitin e ardhshëm akademik, pasi morën një vlerësim negativ nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, KShC.

 Thaçi, aktualisht presidenti i Kosovës dhe ideatori i themelimit të këtyre universiteteve publike, ka vendosur të heshtë në lidhje me vendimin e KShC-së. Megjithatë, ish-kolegët e tij në qeveri me në krye Ramush Haradinajn si kryeministër, kanë dalë me reagime të ashpra ndaj heqjes së akreditimit për tri institucionet publike, duke e quajtur KShC-në “një mafia”.

 Debati që ka shpërthyer këtë javë duket se do të vazhdojë edhe më tutje, me kritika të zyrtarëve qeveritarë drejt KShC-së përballë thirrjeve nga partitë opozitare, bashkësia ndërkombëtare dhe OJQ-të, që qeveria të mbajë duart sa më larg nga sistemi arsimor dhe njëkohësisht të respektojë vlerësimin e bërë nga KShC.

 Problemet e Universiteteve

 Tre universitetet publike, bashkë me tre të tjerë në qytetet e Ferizajt, Gjilanit dhe Gjakovës, u themeluan në periudhën prej gjashtë vjetësh, prej vitit 2009 deri në vitin 2015, dhe qysh nga ajo kohë, të gjitha këto universitete i janë nënshtruar akuzave për ndërhyrje dhe ndikim politik. Këto universitete gjithashtu janë përballur me mungesë të stafit dhe me akuza për kopjimin e programeve të Universitetit të Prishtinës, përveç mangësive tjera.

 Ministri aktual i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, ka deklaruar se, nëse nuk do të mbyllen krejtësisht, atëherë reduktimi i programeve dhe profilizimi i këtyre universiteteve është i nevojshëm

“Të identifikohen me programe të caktuara dhe jo siç e kemi sot përsëritje apo tentativë për ta imituar universitetin e Prishtinës dhe në fakt nuk arrijnë as ta imitojnë Universitetin e Prishtinës,” i tha Bytyqi BIRN-it në dhjetor të vitit 2018.

 “Ajo çfarë është në të kaluarën në momentin e hapjes, pa dashur të diskutoj pse janë hapur gjithë këto universitete nuk është bërë një vlerësim i nevojave të hapjes së universiteteve publike…dhe kur gjërat bëhen pa vlerësim ka një risk të madh që gjërat të mos funksionojnë”, kishte thënë ai.

 Një prej universiteteve të para regjionale që u themelua në vitin 2009 ka qenë Universiteti ‘Ukshin Hoti’ në Prizren duke u bërë universiteti i dytë publik i themeluar në Kosovë. Universiteti i ri i Prizrenit filloi punën në vitin 2010, fillimisht me 1,700 studentë, numër ky që, sipas të dhënave zyrtare, u rrit në rreth 10,000 në vitin 2014.

 Megjithatë, pavarësisht nga rritja e madhe e numrit të studentëve, sipas raportit të fundit nga KShC, universiteti duhet të përmirësojë ofertën e tij.

 “Universiteti ka nevojë për modernizimin e programeve të studimit, por pa burime për të rritur numrin e bibliotekave, për të siguruar qasje në revista moderne dhe për të rritur numrin e personelit, kjo është shumë e vështirë”, thuhet në raport. “Duket qartë se Universiteti i Prizrenit gjendet një situatë të vështirë financiare”.

 Në dhjetorin e vitit 2018, studentët protestuan kundër kushteve në universitet, si dhe për të vënë në pah nevojën për bursa dhe rreziqet e ndërhyrjes politike. Çështja e fundit është përkeqësuar në muajt e fundit, pasi universiteti është përballur me akuza për punësimin e militantëve partiak.

 Që kur ka marrë pozitën në vitin 2017, ministri Bytyqi ka emëruar katër anëtarë të bordit universitar, përfshirë kryesuesin e bordit Bedri Muhadri, i cili ka pranuar hapur se është anëtar i Partisë së Bytyqit, Nisma Social Demokrate.

 Gjatë këtij muaji, Demir Limaj, vëllai i udhëheqësit të NISMA-s Fatmir Limaj, u emërua gjithashtu si Profesor Asistent i ekonomisë, ndërsa rektori i ri i universitetit, i zgjedhur së fundmi, gjithashtu akuzohet se ka lidhje me partinë.

 Raporti i KShC konstaton gjetje  në lidhje me çështje teknike për institucionin, duke përfshirë ato  ku thuhet se universiteti dështoi të japë një numër të saktë të studentëve, duke dhënë numra të ndryshëm në deklarata të ndryshme.

 “Në takimin e parë u përmend se universiteti kishte rreth 6,000 studentë, por në raportin e vetëvlerësimit thuhej se kishte 17,000 studentë, ndërsa sistemin elektronik i të dhënave jep më shumë se 29,000 studentë”, thuhet në deklaratë.

 Ngjashëm me raportet për dy universitetet e tjera që humbën akreditimin e tyre, KShC-ja ka vërejtur pakujdesi nga universiteti në paraqitjen e dokumenteve në gjuhën angleze, që ishte gjuha e raportit.

 Universiteti Ukshin Hoti u kritikua gjithashtu nga KShC për mungesë transparence në dokumentet e saj publike, një çështje kjo e ngritur edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit, ORCA, e cila publikoi një raport mbi transparencën në muajin shkurt të këtij viti.

 Me sfida të ngjashme ballafaqohet edhe Universiteti Haxhi Zeka në Pejë, i themeluar në vitin 2011. Gjatë gjithë ekzistencës së tij, universiteti është përballur me kritika lidhur me nepotizmin dhe lidhjet politike, të cilat u shprehën në një protestë studentore në vitin 2017. Studentët gjithashtu kërkuan bursa për të cilat universiteti tha se nuk kanë mjete financiare.

Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

 BIRN zbuloi këtë javë se një numër i stafit akademik në këtë universiteti janë anëtarë të partisë në pushtet, PDK, e cila ishte në rolin e lehtësueses në krijimin e këtyre universiteteve.

 Astrit Ademaj, sekretari i përgjithshëm i universitetit, përgjegjës për punësimin e stafit, është anëtar i PDK-së. I kontaktuar nga BIRN të mërkurën, ai u përgjigj. “Po, unë jam sekretar i përgjithshëm dhe anëtar i kryesisë së PDK-së në degën e Pejës. Dhe jam krenar për këtë. “

 Raporti i ekspertëve ka gjetur shumë parregullsi tjera. Aty thuhet se”Aftësia e stafit administrativ dhe menaxherial për tu shprehur në gjuhën angleze është ende e pazhvilluar. Menaxhmenti i universitetit nuk ka njohuri për Kodin e Etikës dhe nuk ka qenë në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të përgjithshme, e lë më përmendjen e denimeve specifike”.

 Përveç problemeve me gjuhën angleze, gjetjet nga BIRN thonë se universiteti ka probleme edhe me gjuhën shqipe po ashtu. Në deklaratën e tyre zyrtare lidhur me vendimin për të mos akredituar këtë institucion, më shumë se dhjetë gabime gramatikore janë bërë në një tekst me vetëm tre paragrafë.

 Sipas këtij raporti, universiteti gjithashtu nuk kishte ‘asnjë kontakt me realitetin’ lidhur me vetëvlerësimin. “Institucioni duhet të ketë qenë i preokupuar me paraqitjen e një praktike pozitive institucionale dhe nuk ka arritur të jetë vetëkritik”, thuhet në raport.

Universiteti Isa Boletini në Mitrovicë u themelua në një pako votimi nga Parlamenti bashkë me universitetet e Gjilanit dhe Gjakovës, në maj të vitit 2013. Por, ndërsa dy universitetet e tjera publike kaluan testin e ekspertëve për akreditim, Universiteti Isa Boletini nuk i përmbushi kriteret sipas vlerësimit të fundit nga KShC.

Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’
FOTO: Facebook

 Në vitin 2016, diploma e parë universitare është dhënë në mënyrë solemne nga Presidenti i Kosovës dhe iniciatori i themelimit të universitetit, Hashim Thaçi. Dy vjet më vonë, gruaja e Thaçit, Lumnije Thaçi u promovua në pozitën e Pro-Dekanes.

 ““Ndikim nuk ka fare për shkak se unë krejt jetën time ja kam kushtuar arsimit dhe krejt këtë që e kam arritur, shumë ose pak është 100 përqind punë e imja, angazhimi im.”, insistoi ajo në një deklaratë për BIRN në vitin 2018

Ajo gjithashtu insistoi që burri i saj nuk kishte ndikim në pranimin e saj si profesoreshë në këtë universitet. Para se ta merrte këtë pozitë, ajo ka ligjëruar në kolegjin privat ‘Fama’.

 Emërimi i saj megjithatë nxiti protesta nga organizata studentore ‘Studim, Kritikë, Veprim’, në të cilën u arrestuan shtatë persona.

 Raporti i KShC-së gjen shumë lëshime teknike që ndikojnë në udhëheqjen e universitetit. “Nuk ka asnjë instrument formal për sigurimin e cilësisë, përveç vlerësimit të kursit të bërë nga studentët. Cilësia e mësimdhënies dhe efektiviteti i programit nuk vlerësohen nga pyetësorët apo punonjësit, “thotë raporti.

 Një çështje tjetër me rëndësi është përbërja e bordit të universitetit. Pesë vjet pas themelimit të tij, universiteti akoma vazhdon të funksionojë me një statut të përkohshëm, duke i dhënë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHT-it, mundësi për vendimmarrje për çështje të tilla si shkarkimi i një rektori.

 Mungesa e stafit në këtë institucion ka shkaktuar probleme në emërimin e pozicioneve drejtuese dhe universiteti është kritikuar në raportin e KShC-së për shkak se të gjithë anëtarët në Bordin e këtij Universiteti janë të emëruar nga MASHT.

 “Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, Bordi duhet të ketë 5 deri në 9 anëtarë”, thuhet në raport. “Në këtë përbërje, numri i anëtarëve të emëruar nga ministria është përcaktuar në statut, por nuk duhet të tejkalojë gjysmën e numrit të përgjithshëm. Sipas statutit të [universitetit], bordi ka 9 anëtarë, dhe që të gjithë të emëruar nga MASHT. “

 Një raport i BIRN gjithashtu tregon se ky universitet ka miratuar së fundmi rregulla të reja për zgjedhjet e brendshme që lejojnë dy pozita drejtuese. Universiteti ka thënë se kjo është bërë për shkak të mungesës së stafit të brendshëm akademik.

 Propozimi i zbehur për reduktimin e universiteteve

 Koalicioni i gjerë qeveritar i njohur si PAN (PDK, AAK, AKR dhe Nisma) mori pushtetin pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2017. Fillimisht, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi nga partia NISMA, doli me idenë për ‘reduktimin e universiteteve’’ duke deklaruar se ministria do të diskutojë mbi planet për t’i shndërruar shumicën e universiteteve publike në degë të Universitetit të Prishtinës.

 Në një intervistë për BIRN në janar të vitit 2018, ai ishte shumë kritik ndaj cilësisë së universiteteve. MASHT pastaj e dërgoi raportin e saj të brendshëm tek parlamenti dhe qeveria për diskutim të mëtejshëm.

Në dhjetor të vitit 2018, ministri Bytyqi përsëriti nevojën për një vendim në lidhje me ekzistencën e këtyre universiteteve.

 “Janë dalë me dy propozime konkrete, propozimi i parë që të reduktohet numri i tyre duke i lënë në degë apo kampuse dhe propozimi i dytë është profilizimi i universiteteve, nëse nuk kemi reduktim, minimumi duhet të kemi profilizim.,” tha Bytyqi.

 Megjithatë, gjatë këtij viti kalendarik, asnjë zhvillim me rëndësi nuk është bërë në lidhje me këtë objektiv dhe se reduktimi i këtyre universiteteve nuk ka qenë në qendër të debatit për arsimin e lartë.

 Pavarësisht faktit se Bytyqi ishte kritik ndaj cilësisë së arsimit në këto universitete, ai nuk dha mbështetjen e tij ndaj vendimit të KShC-së për të hequr akreditimin e tyre, duke e përshkruar vendimin si “problematik”. Sipas ministrit, përbërja e KSHC-së është e dyshimtë.

 “Ne e kemi pasur një shkresë nga Agjencia Kundër korrupsion për disa çështje që janë ngritur në këtë shkresë dhe që ka pasur nevojë që KSHC t’i qartësojë sepse rekomandimet e Agjencisë Kundër Korrupsion thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen e aktuale të  KShC-së dhe ne i kemi drejtuar në mënyrë që këto çështje të qartësohen dhe të mos ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Bytyqi në një konferencë me media të hënën.

Në konferencën per media, Bytyqi po ashtu kërkoi nga qeveria tē ‘adresojë çështjen’ e universiteteve, akreditimi i tē cilave është tërhequr.

 Të tre universitetet kanë të drejtë ankese kundër vendimit të KShC, megjithëse Këshilli për Ankesa mund të ndryshojë vendimet vetëm sa i përket rivlerësimit por nuk mund të ndryshojë vendimin fillestar të KSHC.