UNHCR: 57 000 Refugjatë nga Kroacia

Duke folur në prezantimin e një studimi të UNCHR-së rreth kthimit të refugjatëve në Kroaci, Pike deklaroi se në prill, do të mbahet një konferencë ndërkombëtare donatorësh për kthimin e refugjatëve.

Në konferencë, UNHCR-ja do të prezantojë iniciativën Programi Rajonal për Strehim, për të rikthyerit. Nën kuadër të kësaj iniciative, rreth 8 500 refugjatë nga Kroacia pritet të kthehen në shtëpitë e tyre, tha Pike.

“Kur programi të jetë implementuar plotësisht, UNHCR-ja ka për synim të aplikojë Klauzolën e Ndërprerjes për refugjatët serbë të Kroacisë”, tha Pike.

 “Klauzola e ndërprerjes” është një dispozitë në nenin 1.C në Konventën e Gjenevës të vitit 1951. Kjo do të thotë se statusi i refugjatit nuk aplikohet më, nëse rrethanat në vendin e origjinës kanë ndryshuar mjaftueshëm dhe është e sigurt për refugjatët që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Pike pranoi se ka pasur progres të konsiderueshëm në lidhje me kthimin e refugjatëve në Kroaci. “Që nga fillimi i procesit të kthimit në vitin 1996, autoritetet kanë regjistruar më shumë se 132 600 të kthyer me etni serbe në Kroaci dhe brenda Kroacisë, e cila korrespondon përafërsisht me gjysmën e atyre që u larguan nga vendi i tyre i origjinës, gjatë konfliktit”, tha ai.

Qeveria kroate ka implementuar një Program Rindërtimi që nga viti 1996, tha Pike, dhe si rezultat “148 453 njësi banimi me nivel të ndryshëm dëmtimi janë rindërtuar dhe është vlerësuar se një e treta e këtyre pronave iu përket minoritetit serb”.

Gjithashtu, Programi i Kujdesit për Banim kroat siguron banim për ata që kanë pasur të drejta banimi dhe pronësie, nga të gjitha etnitë, të cilët duan të largohen nga Kroacia.

Një total prej 14 700 të rikthyerish serbë në Kroaci aplikuan për banim që kur programi u hap në vitin 2003, dhe 7 979 njësi banimi janë shpërndarë. Pritet që ky proces do të intensifikohet përmes implementimit të programit rajonal, tha Pike.

Ende, “integrimi social dhe e drejta për punësim mbetet sfidë për të rikthyerit serbo kroatë”, theksoi Pike, për të shtuar se kriza financiare globale e ka përkeqësuar situatën për të gjitha segmentet e shoqërisë kroate.

Përpjekjet e ardhshme duhet të tërheqin anëtarët e rinj, të shkolluar, të familjeve të rikthyera, të cilët nuk kanë zgjedhur të kthehen.

“Kthimi i tyre i mundshëm nuk do të jetë pjesë e asnjë programi zyrtar, por një vendim i bërë në mënyrë të pavarur, bazuar në lirinë e lëvizjes dhe të mundësive në dispozicion në Kroaci”, përfundoi Pike.

Vlerësohet se ndërmjet 200 000 dhe 300 000 serbo kroatë janë larguar nga Kroacia në vitin 1995, pasi ushtria kroate rimori territoret e tyre, të mbajtura nga forcat serbe që nga vjeshta e vitit 1991.