Ukrainasit dhe iranianët e kanë të njëjtin armik - Duhet ta kenë të njëjtin aleat

Nëse, pikërisht në këtë moment, George Uashington mund t’i zgjidhte trashëgimtarët më të ligjshëm të trashëgimisë së tij, më pëlqen të mendoj se ai do t’i zgjidhte njerëzit e Ukrainës dhe Iranit. Aq të ndarë janë amerikanët saqë aktualisht në eksperimentin e tyre të madh me demokracinë, ukrainasit dhe iranianët nuk po tregojnë asgjë tjetër veçse siguri dhe trimëri në luftën e tyre për të njëjtat të drejta që e mbështesin republikën që Uashingtoni ndihmoi për ta krijuar.

Në luftën e tyre, ukrainasit po përballen me një armik autoritar që Shtetet e Bashkuara kishin shpresuar se mund ta frenonin përmes diplomacisë. Iranianët që po brohorisin”Grua, jetë, liri” janë të gatshëm të vdesin për ndryshimin e tyre në bazamentin themelor amerikan të “Jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Qytetarët e asnjërit vend nuk janë të gatshëm të dorëzohen, pavarësisht nga sulmet me raketa në Kiev dhe të policisë së trazirave në Teheran. “Më jep lirinë, ose më jep vdekje” mund ta ketë origjinën gati 250 vjet më parë në Virxhinia, por sot slogani ka gjetur një strehë të re në vende të largëta, mes njerëzve që nuk janë amerikanë nga lindja, por mund të ndihen të tillë në shpirt.

Megjithatë, ajo lidhje farefisnore midis betejave të këtyre dy kombeve nuk ka marrë ende njohjen urgjente që i nevojitet në Uashington, D.C. – qendra e demokracisë dhe qeverisë amerikane. Njoftimi i fundit i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan për masat “për ta mbajtur Iranin përgjegjës për dhunën kundër popullsisë së tij, veçanërisht kundër grave dhe vajzave” është një zhvillim i mirëpritur – nëse ato masa rezultojnë të jenë më praktike sesa retorike. Por siç zbulova në një seri takimesh të kohëve të fundit me senatorë dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, mënyra se si janë ndërthurur fatet e Ukrainës dhe Iranit – në sajë të aleancës së Moskës me Teheranin dhe furnizimit të përshkallëzuar të ndihmës ushtarake nga Irani për forcat ruse në Ukrainë – është anashkaluar rëndë. Shumë nga ata që takova dukeshin veçanërisht të papërgatitur për të dëgjuar për vendimin e plotë të kërkesave të popullit iranian. Refreni që dëgjoja vazhdimisht ishte: “Cili është ndryshimi midis këtyre kryengritjeve në Iran dhe atyre që erdhën më parë?”

Gjatë Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009, thashë unë, protestuesit pyesnin: “Ku është vota ime?” Ata ishin ende në bisedime me regjimin dhe besonin se duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet, mund t’i zhbënin zgjedhjet e manipuluara. Demonstruesit e sotëm kanë mbaruar së foluri me autoritetet. Teksa e shajnë themeluesin e Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, dhe liderin suprem aktual të saj, Ali Khamenei, ata kanë një kërkesë të thjeshtë: Ikni!

Një javë pas bisedës time me Sekretarin Antony Blinken dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, përfshirë edhe Robert Malley, të dërguarin special të SHBA-së për Iranin, e pashë këtë postim në Tëitter nga Malley: “Marshuesit në Uashington dhe qytete në mbarë botën po e tregojnë mbështetjen e tyre për popullin irania, të cilët vazhdojnë të demonstrojnë në mënyrë paqësore që qeveria e tyre ta respektojë dinjitetin dhe të drejtat e tyre njerëzore.” Nëse nuk do të isha ulur përballë të dërguarit dhe nuk do t’i kisha thënë atij pa mëdyshje se ajo që duan iranianët është të shpëtojnë nga regjimi – që ishte një mesazh të cilit i kishin dhënë jehonë gratë iraniane amerikane që morën pjesë në takim – mund të kisha menduar se ai nuk i dinte kërkesa reale e popullit.

E vetmja mënyrë që unë mund të mendoj për të dhënë shpjegime për këtë keqinterpretim në dukje të qëllimshme të realitetit të ri në Iran është se administrata e Biden, së cilës i shërben Malley, është më shumë e shqetësuar me ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të epokës Obama me regjimin sesa t’i pranojë aspiratat aktuale të popullit iranian.  Ky lloj reagimi shurdhues nga politikëbërësit amerikanë ndaj Iranit ka një histori të gjatë. Në vitet 1940 dhe 1950, një preokupim i Luftës së Ftohtë me frenimin e komunizmit i errësoi për politikëbërësit amerikanë faktet politike të Iranit, krijoi një frikë irracionale ndaj kryeministrit Mohammad Mosaddegh dhe çoi në përfshirjen e CIA-s në grushtin e shtetit të vitit 1953 që përmbysi atë dhe qeverinë e tij. Sot, shpëtimi i marrëveshjes bërthamore është një preokupim shpërqendrues për Departamentin e Shtetit, duke i zhveshur zyrtarët e administratës nga aftësia intelektuale e nevojshme për ta kuptuar situatën që po shpaloset tani në Iran dhe për ta përshtatur strategjinë e SHBA-së në përputhje me rrethanat.

Isha po aq i hutuar pas takimit me disa senatorë demokratë. Kur u kërkova atyre ta jepnin të gjithë mbështetjen e tyre për demonstruesit në Iran, dëgjova një seri të dështimeve të politikës së Amerikës në vendet fqinje me Iranin, të recituara si dëshmi se SHBA nuk mund ta kuptojë kurrë rajonin dhe është e detyruar të kryejë një gabim tjetër duke ndërhyrë. Se si përvoja e disfatave të kaluara në kushte lufte e justifikon mosveprimin në një çast historik, nuk do ta di kurrë, por ky nuk dukej si një reagim që vie prej shtetarëve.

Për fat të keq për iranianët dhe ukrainasit, Moska dhe Teherani nuk dyshojnë për mbështetjen e njëri-tjetrit. Kjo është një lidhje që ata krijuan në Siri. Ndërkohë që SHBA-ja dhe Evropa e mbronin, Irani dhe Rusia e asgjësuan lëvizjen anti-Bashar al-Assad. Dhe kjo aleancë ndihmoi në hapjen e rrugës për pushtimin e Ukrainës. Pas tërheqjes kaotike të SHBA-së nga Afganistani, Vladimir Putin u trimërua për ta sulmuar fqinjin e Rusisë. Dhe ai e dinte se mund të mbështetej tek regjimi iranian për t’a mbështetur veprimin e tij me aq vendosmëri sa në të kaluarën. Këtë javë, John Kirby, koordinatori i komunikimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, konfirmoi se personeli ushtarak iranian ishte në terren në Krime për ta ndihmuar personelin ushtarak rus në “pilotimin e UAV-ve iraniane [dronët], duke i përdorur ato për të kryer sulme në të gjithë Ukrainën”. Sipas CNN, oficerët e inteligjencës ukrainase pohojnë gjithashtu se ushtria ruse pret të marrë dërgesa të dronëve shumë më të avancuar, të cilët mund të mbajnë 200 kilogramë eksploziv.

Nëse lidhja midis betejave të ukrainasve dhe iranianëve nuk është e dukshme për zyrtarët amerikanë, është e qartë për të tjerët – si historiani Timothy Snyder, i cili komentoi në një postim të fundit në Tëitter: “Regjimi iranian që vret gratë për mënyrën e tyre të mbajtjes së shamive furnizon armë në mënyrë që Rusia të vrasë njerëz për faktin se janë ukrainas. Dhe kjo lidhje i parapriu valës aktuale të protestave në Iran: Disa ditë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, një turmë që mbante flamuj blu-verdhë u mblodh para ambasadës së Ukrainës në Teheran për një vigjilje me qirinj, duke brohoritur “Vdekje Putinit!” Një barrikadë u ngrit shpejt përpara ambasadës së Rusisë në qytet për t’i mbajtur larg protestuesit. Aktivistët dixhitalë iranianë deklaruan solidaritetin e tyre e duke shtuar flamurin ukrainas në profilet e tyre të mediave sociale dhe duke i postuar me shumë pasion lajmet e luftës. Muajin e kaluar, anëtarët e diasporës ukrainase dhe iraniane zhvilluan një demonstratë të përbashkët në Londër, duke e bërë të qartë se kauza e tyre është e njëjtë.

Në themel të kësaj kauze të përbashkët qëndron përkushtimi i ukrainasve për shtetësinë e pavarur, me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata po luftojnë për të drejtën për ta përcaktuar të ardhmen e tyre, jo ta caktojnë atë nga autokrati fqinj. Edhe iranianët kanë aspirata të ngjashme, të cilat vetëm në gjashtë javët e fundit u kanë kushtuar atyre afro 250 jetë dhe në burgosjen e 12,500 të tjerëve.

Për të arritur në këtë pikë, kur një protestë ndaj sundimit të regjimit për kodin e detyrueshëm të veshjes për gratë ka nxitur një thirrje kombëtare për t’i dhënë fund regjimit krejtësisht, iranianët kanë udhëtuar larg. Në vitin 1979, liderët revolucionarë të Iranit – si komunistët ashtu edhe islamikët – të cilët e rrëzuan shahun, synonin secili ta ndërtonin utopinë e tyre ideologjike. Ishte utopizmi ai që i pengoi kaq shumë iranianë të bashkoheshin me një brez të mëparshëm të grave që kishin dalë në rrugë më 8 mars të vitit 1979, për të protestuar kundër dekretit të ajatollahut mbi kodin e veshjes fetare. Disa intelektualë të shquar laikë dhe figura marksiste të kapur në iluzionet e tyre, i quajtën gratë protestuese “të kota” dhe “jashtë kontaktit me nevojat e revolucionit anti-imperialist”, që do të thoshte se gratë duhet t’i binden kodit islamik të veshjes në interes të solidaritetit kombëtar.

Tani, më në fund, pas kësaj vonese prej dekadash, të gjithë u janë bashkuar grave në rrugë – dhe për vetë kërkesën e lirisë që disa patën guximin ta bënin shumë kohë më parë. Kësaj radhe, protestuesit nuk i udhëheqin asnjë iluzion ideologjik madhështor, por vetëm një dëshirë për atë që ata e quajnë “një jetë normale”. Muajin e kaluar, një këngëtar iranian i quajtur Shervin Hajipour krijoi një këngë nga një përmbledhje postimesh në Twitter, duke shpjeguar pse po ngriheshin – “për ajër të pastër … për ta shetitur një qen të përkëdhelur, për t’u puthur në rrugë pa frikë, për shpresën të një të ardhmeje.” Këto dëshira bazë janë shenjat më të qarta se sa larg ka udhëtuar Irani nga fanatizmi i tij ideologjik i së kaluarës për të kërkuar liritë individuale që përbënin vizionin e demokracisë amerikane të cilat i mbrojti Xhorxh Uashingtoni kur, në vitin 1790, ai i dërgoi një letër Kongregacionit Hebre në Njuport, Rhode Island: “Secili do të ulet i sigurt nën hardhinë dhe fikun e vet dhe nuk do të ketë asnjë që ta trembë”, shkroi ai. Këto janë të njëjtat gëzime të thjeshta për të cilat po luftojnë ukrainasit dhe për të cilat po marshojnë nëpër rrugë iranianët sot.

Unë jam larguar nga takimet e mia me zyrtarët amerikanë me një ndjenjë të madhe se Uashingtoni zyrtar thjesht nuk e di se çfarë të bëjë me lajmet e mira. Për 20 vitet e fundit, amerikanët kanë frikë nga një luftë e afërt me Iranin. Ajo luftë nuk erdhi asnjëherë. Në vend të kësaj, ai regjim i frikshëm armik tani përballet me një kërcënim ekzistencial nga populli i tij, pasi armiku tjetër i frikshëm, Rusia, po goditet nga aleatët tanë ukrainas. Këto ngjarje historike duhet të përshëndeten nga liderët e Amerikës si triumfe. Ato nuk kanë ardhur pas ndonjë ndërhyrjeje ushtarake amerikane, por përmes vendosmërisë dhe nismës së vetë të dy vendeve.

Në vitin 1979, populli iranian po këndonin e brohorisnin në rrugë “Vdekje Amerikës”. Sot, ata po brohorasin “Vdekje diktatorit” dhe po i kërkojnë lirinë e stilit amerikan. Me autoritarizmin në rritje në botë, suksesi i këtyre dy kombeve mund të jetë një ndihmë për kauzën e demokracisë – vetëm nëse Uashingtoni do ta shihte këtë dhe do të vepronte sipas tij. /The Atlantic