Ujërat e lumenjve nuk e bartën korrupsionin i cili shihet afër çdo lumi

Lumenjtë po vazhdojnë të shkatërrohen në Kosovë pasi shteti nuk po arrin t’i mbrojë dhe denojë degraduesit e tyre. Eksploatimi ilegal i zhavorrit, derdhja në lumenj e kanalizimeve të qytetarëve dhe bizneseve pa u trajtuar nëpër impiante, mbeturinat e shumta nëpër rrjedhat e lumenjve, e ato inerte nëpër brigjet e tyre, janë ndër faktorët kryesorë që po vazhdojnë degradimin e një prej pasurive kryesore të Kosovës.

Se lumenjtë e Kosovës janë të ndotur e kanë konfirmuar edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, institut ky që monitoron rrjedhën e ujërave të lumenjve.

Bashkim Kastrati nga ky institut ka thënë se nga të dhënat e tyre del se lumenjtë janë të ndotur.

“Pjesa ma e madhe e lumenjve në Kosovë me keqardhje e them se janë në gjendje të rëndë apo në gjendje të keqe, edhe në aspektin fizik të tyre edhe në aspektin e përmbajtjes së tyre, me materie ndoshta jo edhe me përmbajtje kimike të rrezikshme prej industrisë apo edhe të tjera të cila shkarkohen direkt në to” – ka deklaruar Kastrati.

Ai po ashtu ka përmendur edhe dëmtimin e tyre nga nxjerrja e zhavorrit.

“Por ka edhe ndërhyrje të personave që nxjerrin rërën dhe zhavorrin e pastaj nuk bëhet rehabilitimi as i shtratit po as i brigjeve ku mbesin hapësira të degraduara”- theksoi Kastrati.

As një ndër lumenjtë kryesorë dhe më të bukur në Kosovë, Drini i Bardhë, nuk i ka shpëtuar ndotjes. Për këtë kanë folur edhe banorët që e dëshmojnë çdo ditë me sytë e tyre degradimin e Drinit të Bardhë.

Bukuria e ‘vyshkur’ e Drinit të Bardhë nga ndotja

Lumi Drini i bardhë buron në fshatin Radavc të Pejës. Ndotja më e madhe e këtij lumi bëhet nga derdhja e kanalizimeve të shtëpive e bizneseve, ‘ishujt’ e qeseve të plastikës e mbeturinat e tjera. Ky fshat ende përballet me mungesë të rrjetit të kanalizimit.

Një nga banorët e fshatit Radavc, Sahit Sadrijaj, tregon se shumë vite me parë lumi është përdorur për peshkim dhe për rekreacion. 

“A e sheh, a e sheh sa i pastër është por edhe 50 metra, 100 metra më së shumti nuk mundesh me pi se është i ndotur komplet nga kanalizimet e restoranteve që janë ndërtuar në afërsi të rrjedhës së lumit” – tha Sadrijaj, i cili këto komente i bëri deri sa po e pinte ujin në burimin e Drinit të Bardhë. 

Larja e fëmijëve të fshatit Radavc në lumin e Drinit të Bardhë i përket të kaluarës. Ish-kryetari i fshatit Radavc, Shaban Ramaj, thekson se kanalizimet derdhen në lumin e fshatit dhe ndikojnë direkt në cilësinë e ujit dhe ndotjen e tij.

“Ka ndryshuar shumë, përpara jemi la në të, kemi zënë peshqi e kemi pi ujë, sot krejt është ndryshe, është shumë i ndotur”- tha Ramaj.

Në rrjedhën e lumit janë ndërtuar restorante, hotele e bujtina të ndryshme. Sipas ligjit, kanalizimi dhe mbetjet duhet të trajtohen në impiante që e pastrojnë ujin. Por, të tilla nuk janë ndërtuar gjatë rrjedhës së lumit. Asnjë nga bizneset e kontaktuara gjatë realizimit të këtij hulumtimi nuk ka arritur të dëshmojë se ka impiant të ndërtuar.

Gjatë hulumtimit në terren, pronarët e bizneseve e kanë pranuar për KALLXO.com se nuk kanë rrjet të kanalizimit.

Labinot Isufaj, pronar i një restoranti në Radavc ka konfirmuar se biznesi i tij funksionon me gropë septike.

“Ne nuk kemi kanalizim, funksionojmë me gropa septike sepse kanalizimi ende nuk ka ardhur tek ne, ka mbet diku 2 kilometra larg” – theksoi Isufaj.

“Jo, nuk kemi kanalizim, funksionojmë me gropë septike” – tha pronari i një restoranti tjetër, i cili nuk ka dashur të flas me emër.

Në kushte anonimiteti, gjatë hulumtimit në terren të ekipit të KALLXO.com, edhe pronari i një biznesi tjetër e ka pranuar se nuk ka impiant e as kanalizim.

“Këtu edhe restorante edhe fshatrat përreth këtu deri në Novosellë krejt në Dri i kanë kanalizimet”- thotë ai. 

Se rrjeti i kanalizimit në fshatin Radavc nuk ka përfunduar ende e ka konfirmuar Agron Nikqi, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës.

“Kanalizimi i fshatit Radavc, që është projekt i Ministrisë, nuk ka përfunduar ende” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Nikqi ka treguar se kanë në plan të përfundojnë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Tërstenik për të zgjidhur problemin.

“I cili kish me zgjidhë edhe problemin sepse edhe nëse kryhet kanalizimi prapë kanë me u derdhë në Drinin e Bardhë” – theksoi Nikqi.

Për çështjen e ndotjes së lumenjve, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por të njëjtit deri në publikimin e këtij hulumtimi nuk janë përgjigjur. 

Drini i Bardhë është i gjatë 111 kilometra, ky lum përben 43 % të pellgut ujor të territorit të Kosovës. Drini i Bardhë buron i pastër, uji i tij pihet por si i tillë nuk derdhet në Shqipëri. Lumi Drini i Bardhë që në nisje është i pastër eksporton në Shqipëri mijëra kub ujë të ndotur e të kontaminuar. 

Krimi me eksploatim të zhavorrit 

Nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë treguar se personat që i dëmtojnë lumenjtë janë recidivistë. Ata kanë treguar se kanë hasur në persona që i kanë mbi 20 raporte për eksport ilegal të rërës dhe zhavorrit.

Drini i Bardhë është një ndër lumenjtë ku eksploatohet ilegalisht zhavorri. Në Gllaviqicë të Pejës eksploatimet ilegale kanë filluar nga paslufta dhe janë duke vazhduar ende. Shtrati i lumit është shkatërruar dhe aty kanë mbetur të hapura gropat e mëdha që përveç pamjeve të shëmtuara që i japin lumit janë rrezik për banorët e zonës.

Banorët e fshatit Gllaviqicë kanë thënë se puset e tyre kanë mbetur pa ujë për shkak të hapjes së gropave të thella gjatë eksploatimeve ilegale.

“Këto kanë filluar që nga 2008 a ma herët. Tash edhe bereqeti i tokës po vërehet se nuk ka toka lagështi, jemi detyru me i thellu puset se ka ikur uji në thellësi”- tha Nikollë Marku, banor i Gllaviqicës.

“Para se me kanë këto gropa që i kanë hapur duke marrë zhavorr këtu puset i kemi hapur kudo dhe ka pasur ujë, kanë shku vetëm nga 4 metra ndërsa tash duhet me shku me 15 metra dhe a gjen ujë apo jo”- theksoi Pashk Gashi, banor tjetër i Gllaviqicës.

Në dy vitet e fundit janë dorëzuar 75 kallëzime penale për shkatërrim dhe eksploatim të zhavorrit.

“Këto dy vite janë bërë 75 kallëzime penale  dhe janë sekuestruar 40 makineri të rënda lidhur me eksploatimet e zhavorrit. Përveç degradimit të ambientit kemi edhe përfitime të mëdha nga operatorët ilegalë dhe humbje të buxhetit të shtetit” – theksoi ushtrues detyre i kryeinspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Naim Sejdiu.

Nga vitit 2018 deri në vitin 2022, Prokuroria e Pejës ka treguar për KALLXO.com se janë ngritur 82 aktakuza për shkatërrim dhe eksploatim të zhavorrit.

Nga Prokuroria e Pejës për KALLXO.com kanë thënë se në vitin 2022 kanë pranuar 56 kallëzime penale ndaj 57 personave dhe janë ngritur 29 aktakuza. Krahasuar me vitet e mëparshme, në vitin 2022 janë ngritur më së shumti aktakuza.

Në vitin 2021 kanë pranuar 15 kallëzime penale ndaj 17 personave dhe kanë ngritur 11 aktakuza. Në vitin vitin 2020 kanë pranuar 10 kallëzime penale ndaj 13 personave dhe janë ngritur 15 aktakuza. Kurse në vitin 2019, Prokuroria e Pejës i ka pranuar 5 kallëzime penale ndaj 5 personave dhe i kanë ngritu 7 aktakuza. Prokuroria e Pejës ë vitin 2018 ka thënë se i ka pranuar 19 kallëzime penale ndaj 22 personave, dhe prej tyre janë ngritur 20 aktakuza.

Pamje të shëmtuara të Drinit të Bardhë nga eksploatimet ilegale të zhavorrit kanë mbetur edhe në fshatin Kramovik të Rahovecit. Eksploatimet ilegale aty janë rrezikojnë të shkatërrojnë tokat bujqësore dhe të jenë një ndër shkaktarët e përmbytjeve në atë zonë.

Dënimet e ulëta nga gjykatat po konsiderohen si një ndër arsyet pse eksportuesit ilegalë të zhavorrit të përsërisin këtë vepër penale. Ish-kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gërguri, ka thënë për KALLXO.com se numri i dënimeve prej gjykata është shumë i vogël krahasuar me numrin e raporteve që shkojnë prej Inspektoratit.

Gërguri ka përmendur edhe raste që e njëjta kompani ka deri në 20 raporte për eksploatim të zhavorrit.

“Në shumicën e rasteve dënimet kanë qenë me 200, 300 apo 400 euro, e krejt këta operatorë janë recidivistë. Ka operator që sigurisht i ka 20 raporte, unë ka dy vite që nuk jam kryeinspektor por me siguri që ka ende eksploatime. Tmerr është zona e Kramovikut, me thanë të drejtën është me e rëndë se vet Gllaviqica” – theksoi Gërguri.    

Ekspoatime ilegale bëhen edhe në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, por prokuroritë e tyre nuk janë përgjigjur deri tani për KALLXO.com, për numrin e kallëzimeve penale e aktakuzave të ngritura për shkatërrimin e ambientit rreth rrjedhës së Drinit të Bardhë. 

Ujëvara pa ujë – Cilët ishin shkaktarët? 

Në Drinin e Bardhë derdhet edhe lumi Mirusha, ata takohen në vendin e quajtur ‘Guri i Zi’ për të vazhduar më pas rrjedhën për në Shqipëri. Lumi Mirusha fillon në disa degë të vogla nga fshatrat e Malishevës për të përfunduar në territorin e Komunës së Klinës.

Në gushtin e vitit 2020, uji në Ujëvarat e Mirushës ishte ndalur duke i lënë ujëvarat pa ujë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka hartuar një raport rreth ndaljes së rrjedhës së lumit Mirusha. Për të treguar arsyet e ndaljes së ujit në Ujëvarat e Mirushës, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka hartuar një hulumtim hidrologjik. 

“Kjo ka ndodh për disa arsye, e para. ka pas më pak reshje ndërsa në teren kemi pa edhe ndërhyrje të vogla prej njerëzve dhe qytetarëve, nuk ka pas ndonjë aktivitet të mirëfilltë të planifikuar dhe një digë e Malishevës që nuk e di as destinacionin pse është ndërtuar. Sepse çdo objekt i tillë duhet ta ketë një destinacion nëse vendoset për çështje të ujitjes apo për ndaljen e rrjedhës së përmbytjes por nuk qëndrojnë edhe si e tillë ajo nuk kishte asnjë vlerë, as turistike edhe vizualisht nuk u doke mirë” – tha Kastrati.

Ujëvarat e Mirushës janë shpallur monument i mbrojtur nga Qeveria e Kosovës por gjendja e tyre nuk është e mirë. Krenare Salihu nga organizata “World Wide Fund’ ka numëruar disa probleme në atë pjesë.

“E para hapja e një rruge e cila ka pasur me u bo shëtitore dhe sot është rrugë që po kalojnë kamionët fatkeqësisht. Mandej është problemi i dy apo tri lokaleve që operojnë aty nuk e kanë të zgjidhur sistemin e ujerave të zeza. E edhe kjo diga, penda e cila për momentin e dimë që është ilegale që nuk ka hala saktë statusin se kush e ka ndërtuar dhe për çfarë arsye është ndërtuar. Disa arsyetime janë për ujitje disa janë për peshq por nëse e marrim në tersi nuk po përdoret për kurrgjë” – thotë Salihu.

‘Stolisja’ e lumenjve me qese të plastikës

Për natyrën qeset e plastikës janë të dëmshme dhe atyre u duhen shumë vite të dekompozohen. Përveç kësaj, kur qeset e plastikës shkatërrohen nën rrezet e diellit, në tokë lëshohen substanca toksike. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), çdo minutë, në të gjithë botën, përdoren një milion qese të plastikës.

Lumenjtë e Kosovës janë të mbushur me qese e plastika të ndryshme. Këto ‘stoli’ dalin në pah sidomos pas shirave të dendur e rritjes së nivelit të lumenjve. Rrjedha e fuqishme e ujit pas reshjeve ‘përplas’ qeset e plastikës nëpër rënjë të pemëve rreth shtretërve të lumenjve.

Ndonëse, autoritetet në Kosovë kishin konfirmuar se nga janari i vitit 2023 qeset e plastikës do të bëheshin me pagesë, një masë e tillë nuk ka nisur të aplikohet. Arsyeja e mosaplikimit të kësaj mase, sipas zëvendësministres të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha është mosfinalizimi në tërësi i një udhëzimit administrativ që e rregullon këtë çështje.

Në vitin 2022, 900 mijë kilogram të lëndës së parë për prodhimin e qeseve të plastikës janë importuar në Kosovë. Nga Dogana e Kosovës kanë thënë se viteve të fundit ka rritje të importi i lëndës së parë për prodhimin e qeseve të plastikës.

“Mund t’iu them se ka edhe rritje të importit të granulatit apo lëndës së parë e cila përdoret për prodhimin e qeseve të plastikës” – tha Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2022, u importuan 930 mijë kilogramë lëndë e parë për prodhim të qeseve të plastikës ndërsa në vitin 2021, 1 milion kilogramë.

Nga Dogana e Kosovës kanë thënë se pjesa më e madhe e lëndës së parë, të importuar në Kosovës është nga polimeri biodegradues i cili lejohet sipas normativave ligjore të përdoret në Kosovë.

Më tej, nga Dogana kanë treguar se së fundmi është rritur importi i lëndës së parë për prodhimin e qeseve të plastikës për shkak se është rritur edhe industria e prodhimit të tyre në Kosovë.

Nga korriku i vitit 2021, Bashkimi Evropian ka fuqizuar direktivën që ndalon plastikën për një përdorim. Produktet e plastikës për një përdorim përfshijnë: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe ato qese që, sipas BE-së, shndërrohen në mikroplastikë dhe mbeten gjatë në mjedis. Këto plastika, sipas vlerësimeve të BE-së, përbëjnë rreth 70 për qind të mbeturinave detare në Evropë.