Udhëtimi i Trump në politikën shqiptare

Nëse Trump do të marrë një mandat të dytë, ka gjasa që politika e tij e tërheqjes së Amerikës nga bota do të nënkuptojë më pak aktivitet diplomatik amerikan në Tiranë ndërsa nëse fiton Biden, gjërat mund të ndryshojnë në drejtim tjetër.Ishin orët e para të mëngjesit të datës 9 nëntor 2016, në Hotel Plaza në Tiranë. Ambasada Amerikane në Tiranë kishte thirrur një numër shqiptarësh për të ndjekur shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Në një ekran të madh, harta e Shteteve të Bashkuara në rrjetin televiziv CNN po ngjyrosej me blu apo të kuqe, për të sinjalizuar se cili nga shtetet po mbështeste Hillary Clinton, sekretare shteti, senatore dhe bashkëshorte e ish-presidentit Bill Clinton, e konsideruar gjerësisht si favorite në zgjedhje, kandidate e Partisë Demokratike, apo po mbështeste Donald Trump, një miliarder që mori me sulm qendrën e politikës amerikane duke sfiduar dekada të tëra politikëbërje si dhe duke nxjerrë të pasakta pothuajse të gjitha parashikimet e ekspertëve të sondazheve, në një vend ku miliarda dollarë shpenzohen për të mësuar se çfarë mendojnë qytetarët për çfarëdolloj gjëje.Ndërsa nata e zgjedhjeve amerikane ndiqet zakonisht në Shqipëri me një dozë kërshërie dhe feste, atmosfera atë mëngjes të 9 nëntorit 2016 në sallën e mëngjesit të zgjedhjeve në Hotel Plaza ishte jo shumë festive. Një prej shqiptaro-amerikanëve në sallë tha se kishte një ndjesi jo të mirë, për shkak se Partia Demokratike Amerikane i kishte dërguar një email pak orë para mbylljes së votimeve në SHBA, duke iu lutur që të votonte, nëse nuk kishte votuar ende. Pavarësisht se sondazhet parashikonin fitore komode të Clinton, dukej se edhe vota e fundit mori një rëndësi të veçantë në atë ditë zgjedhjesh.

Rreth orës 9 të mëngjesit me orën shqiptare, Donald Trump u shfaq në televizor për të thënë se kishte fituar, se Hillary Clinton e kishte telefonuar për t’i uruar fitoren.

Ambasadori Donald Lu u ngjit në skenë për të ngritur humorin në sallë, ndërsa të pranishmit ishin dukshëm të zhytur thellë në mendime mbi ndryshimet që mund të sillte ndryshimi drastik në politikën amerikane. Lu rikujtoi se Shqipëria ka pasur marrëdhënie të mira njëkohësisht me administratat republikane dhe ato demokrate dhe se politika e jashtme e SHBA-së mbështetet te parimi i vijimësisë.

Vetëm pak më vonë, Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, mbërriti i buzëqeshur në sallë. Ai dukej jashtëzakonisht i lumtur. Meta e komentoi zgjedhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë si “mrekulli e demokracisë”.

Tërheqja e Amerikës brenda vetes

Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë e gjeti Metën në fund të një periudhe të gjatë telashesh politike, akuza për korrupsion masiv, në veçanti në çështjen CEZ-DIA dhe kërcënimeve të hapura nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kundër “politikanëve të korruptuar”. Ndonëse diplomacia amerikane nuk shënjestron një person të caktuar politik, dyshimet se Meta mund të ishte shënjestra kryesore e një fushate anti-korrupsion dukshëm ishin aty. Në prill 2018, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi publikisht se sipas tij, ambasadori Donald Lu në Tiranë i pati kërkuar atij arrestimin e Metës. Lu deklaroi se pretendimi i Llallës ishte “gënjeshtër absurde”. Por pavarësisht se ku qëndron e vërteta, ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë duket se pakësoi autoritetin moral të Shteteve të Bashkuara kudo nëpër botë.

Periudha e administratës Obama (2009-2016), nëse shihet në një distancë kohore, duket se u karakterizua nga një prani shumë e fuqishme dhe e drejtpërdrejtë e SHBA-së në skenën politike shqiptare. Ambasadorët John L. Withers II, Alexander Arvizu dhe Donald Lu u bënë emra pothuajse të përditshëm në lajmet shqiptare. Ata folën hapur kundër korrupsionit në qeverisjen e vendit, mbështetën aktivizmin qytetar dhe kërkuan me ngulm dhe morën dy ligje të shumëdebatueshme të politikës shqiptare. Në mars 2016, pas tre vitesh rezistence, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama pranoi kërkesën e Partisë Demokratike në opozitë për të miratuar një ligj që ndalon kandidimin e personave me të shkuar penale në zgjedhje. Dhe në korrik të atij viti, një paketë tjetër ndryshimesh radikale, Reforma në Drejtësi, i miratua nën presionin e hapur ndërkombëtar, në veçanti ndaj opozitës politike, me synimin për të pastruar sistemin e drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar, të paaftë apo të kapur nga krimi. Të dyja ndryshimet u miratuan mes tensioneve të larta. Reforma në Drejtësi u miratua pasi në telefonët e deputetëve shqiptarë mbërritën mesazhe kërcënuese për sanksione amerikane në rast se ata nuk pranonin të miratonin reformën. Në fund, opozita pranoi ta miratojë reformën ndërsa në muajt që pasuan, Departamenti i Shtetit vijoi të ishte shumë aktiv në politikën shqiptare.

Në shkurt 2018, Adriatik Llalla, ish-prokuror i përgjithshëm, i cili në një rast iu referua presionit të Ambasadës Amerikane si “shantazh Sorosian”, u shpall person i padëshirueshëm nga Departamenti i Shtetit. Dy muaj më vonë, non grata u shpall edhe Tom Doshi, ish-deputet socialist dhe figurë kryesore e socialistëve për zonën e veriut.

Ndërhyrjet deri në nivelin e politikës së përditshme nga ambasada e SHBA-së ngritën pikëpyetje, në disa raste private dhe në disa raste publike, nëse ambasadorët e Tiranës kishin një axhendë të tyre dhe nëse Departamenti i Shtetit nuk kishte dijeni për ta. Pas një shkëmbimi deklaratash mes Lu dhe Llallës, Departamenti i Shtetit ndërhyu për të rikujtuar se politika e jashtme në Shtetet e Bashkuara është funksion i Presidentit dhe se ambasadorët e SHBA janë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe vështirë se mund të flasin ndonjë gjë nga mendja e vet.

Megjithatë, veprimtaria e diplomacisë amerikane në Shqipëri mund të thuhet se u rrallua me kalimin e kohës ndërsa Departamenti i Shtetit i SHBA-ve kaloi në trazira të njëpasnjëshme. Duket se u desh ca kohë pas hyrjes në zyrë të Trump para se politika e tij “Amerika e Para” të fillonte të konvertohej në një farë tërheqjeje e diplomacisë amerikane nga politika e përditshme e Tiranës.

Para me thasë për simpatinë e Trump

Në ditën kur Meta shpalli mrekullinë e demokracisë, më 9 nëntor 2016, figura tjetër politike shqiptare, Edi Rama, duket se kishte një siklet. Disa muaj më herët, ndërsa në SHBA zgjedhjet ishin ende në fazën e zgjedhjeve paraprake, Rama pati dhënë një intervistë në rrjetin CNN ku, pati paralajmëruar për pasoja të rënda në rast se Trump zgjidhej president.

Basha e kritikoi deklaratën e Ramës për CNN si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara por ndërkohë Basha dhe Meta duket se nxituan të merrnin simpatinë e administratës së re.

Meta nuk humbi kohë dhe ndërsa Trump nuk kishte hyrë ende në zyrë në janar 2017, ai nënshkroi një kontratë lobimi për të siguruar një ftesë për ceremoninë e inaugurimit të Trump. Kontrata, u mësua më vonë, kushtoi 15 mijë dollarë dhe u ndërpre në shkurt 2017 me argumentin se “qëllimi i saj nuk u përmbush”.

Partia Socialiste nënshkroi kontratën e vet të lobimit në prill 2017. Ajo zgjodhi si kompani lobimi Ballard Partners, një kompani nën pronësinë e një prej mobilizuesve të fondeve elektorale të Trump në Florida. Kostoja e kontratës, 20 mijë dollarë në muaj.

Po në këtë kohë, Basha pagoi një kompani lobimi në SHBA dhe dukshëm pati më shumë fat se sa Meta. Ai arriti të dalë në fotografi me Trump dhe mbështetësit e tij u panë duke marrë pjesë në mitingje elektorale të zgjedhjeve të vitit 2017 me foto të Bashës me Trump.

Gjithsesi fotoja duket se i shkaktoi telashe Bashës më vonë, pasi një investigim i BIRN zbuloi mospërputhje mes pagesave të deklaruara në SHBA për llogari të Partisë Demokratike dhe deklaratave financiare të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Investigimi i BIRN vërejti se 675 mijë dollarë ishin paguar përmes një kompanie guackë të quajtur Biniatta Trade.

Basha hasi në telashe të mëtejshme kur një revistë amerikane, Mother Jones, ngriti pikëpyetje nëse paratë në fjalë kishin origjinë ruse.

Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësit shqiptarë hyjnë në telashe të tilla për hatër të një fotoje me presidentët amerikanë. Një vit para se Basha të përballej me pikëpyetje mbi financimet e lobimit për të dalë foto me Trump, dy shtetas amerikanë u shpallën fajtorë dhe u dënuan për transferimin e 80 mijë dollarëve për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Barack Obama në vitin 2012, për llogari të daljes në fotografi të Edi Ramës me Obamën. Rama nuk u hetua kurrë për origjinën e financimit të 80 mijë dollarëve për foton me Obamën. Basha u hetua nga prokuroria shqiptare dhe rezultoi i pafajshëm.

Trumpizmi bëhet modë

Që nga viti 2016, Donald Trump u bë referencë për një lloj politike të kritikuar si populizëm i paskrupullt për kapjen e pushtetit. Shtypi amerikan hyri në telashe që gjatë fushatës së Trump kur u përball me pikëpyetjen se çfarë mund të bëjë media përballë deklaratave politike me përmbajtje dukshëm të pavërtetë. Ndonëse gënjeshtrat janë pjesë e politikës që nga koha që politika filloi të ekzistojë, përsëritja nga Trump i të pavërtetave të njohura shënoi një nivel të ri të cinizmit politik. Shoqëruar kjo me sulmet e vazhdueshme ndaj medias apo etiketimi i mediave më të besueshme të SHBA-së si “Fake News”, (lajm fals), shtyu amerikanët të rimendohen edhe një herë se çfarë janë lajmet dhe se çfarë rëndësie ka media e pavarur.

Por ndërsa amerikanët medituan se si t’i shpëtonin kësaj politikëbërjeje të mbështetur te përsëritja e të pavërtetave për llogari të nxitjes të ndasive apo politikës së bazuar mbi problemet identitare të shoqërisë apo grupimeve të ndryshme shoqërore, kjo lloj politike duket se u bë shkollë për politikanë të ndryshëm në vende të ndryshme të botës.

Një nga ekspertët e ilustroi këtë me deklarimin e përsëritur nga Donald Trump në vitin 2012 dhe të tjerë që supozonin se Barack Obama nuk kishte lindur në Amerikë, nuk ishte amerikan dhe rrjedhimisht nuk mund të zgjidhej president. Pavarësisht se të gjitha faktet tregojnë se një sugjerim i tillë është i pavërtetë, sërish një pjesë e popullsisë vijon ta besojë atë.

Politikanët që thonë të pavërteta haptazi por që llogarisin se këto të pavërteta gjithsesi ndezin pasionet e segmenteve të caktuara të popullsisë. Shumë studiues të shkencave politike e kanë quajtur këtë lloj politike si fashizëm. Madeleine Albright, ish-sekretarja amerikane e shtetit, e para grua në këtë pozicion, familja e së cilës u arratis nga Çekoslovakia komuniste më 1948, publikoi së fundmi një libër  të titulluar Fashizmi, një paralajmërim, në të cilin vëren se fashizmi nuk është një ideologji, por një teknikë për kapjen dhe ruajtjen e pushtetit.

Ndërsa Trump hodhi në erë sistemin e konvencioneve se çfarë është e vërtetë dhe çfarë, gënjeshtër, bota filloi të ndërgjegjësohet gradualisht edhe për një aspekt tjetër, rrezikun e dizinformimit dhe luftërave hibride.

Media amerikane në fakt e konsideron shpesh si tabu që t’i thuash një politikani që po gënjen! Parapëlqehet më shumë të përdoren terma më të butë. P.sh., the New York Times i referohet politikës së Trump si pandershmëri.

Pak para se Trump të vinte në pushtet, në Tiranë, kryeministri Edi Rama u vu në siklet kur një tentativë e tij për të lejuar importin e plehrave në Shqipëri, dështoi të kalojë pa zhurmë në parlament pas protestave të shumta popullore.  I mërzitur nga dështimi, Rama akuzoi median si përgjegjëse për nxitjen e reagimit popullor. Vijuan shumë vite gjatë së cilave, Rama u përpoq të shmangte çdo debat serioz mbi qeverisjen e tij duke sulmuar kritikët në përgjithësi dhe median në veçanti si shpifës, sharlatanë, përhapës paniku dhe “rrezik publik”. Larmishmëria e sharjeve të Ramës ndaj medias dhe terminologjia e përdorur është e ngjashme jo vetëm me retorikën e Trump, por edhe me teknikat e menaxhimit të qeverisjes nga shumë udhëheqës me prirje autoritare në të gjithë historinë e gjatë të njerëzimit.

Në një intervistë në Opinion në TV Klan më 29 shtator 2016, Rama iu referua medias si kazan, një term që e përdori në vijimësi. Por dy vite më vonë, kur u ballafaqua me një gazetar të Politico.eu mbi këtë sulm ndaj medias, Rama mohoi që të kishte përdorur fjalën kazan në kuptimin e kazanit të plehrave por sugjeroi se kjo ishte ekuivalenti shqiptar i asaj që Donald Trump i referohet si Fake News. Në fakt, pavarësisht kuptimit të përgjithshëm që Fake News ka marrë sot, përdorimi origjinal i termit nga Donald Trump i referohej raportimit faktual nga media më prestigjioze e botës.

Kopjimi nga Rama i Fake News si term për të etiketuar raportimet faktuale të medias mbi punët e qeverisë së tij nuk kaloi pa u vënë re nga ekspertët ndërkombëtarë të medias, të cilët e theksuan këtë aspekt të retorikës anti-media të Ramës gjatë debateve për të ashtuquajturën “Paketë antishpifje”. Me pak fjalë, Shqipëria duket se e ka pasur Trumpizmin në përmbajtje para se vetë Trump të bëhej president i SHBA-ve.

Amerikanët po votojnë sot (3 Nëntor) për zgjedhjet presidenciale. Nëse Trump do të marrë një mandat të dytë, ka gjasa që politika e tij e tërheqjes së Amerikës nga bota do të nënkuptojë më pak aktivitet diplomatik amerikan në Tiranë ndërsa nëse fiton Biden, gjërat mund të ndryshojnë në drejtim tjetër. Pavarësisht kësaj, Trumpizmi si formë e politikëbërjes agresive, e ndarjes së popullsisë në “tanët” dhe “armiqtë”, në shmangien e diskutimeve konstruktive përmes metodës së vrasjes së dhënësit të mesazhit, këto janë gjëra që në politikën shqiptare kanë qenë të pranishme që para Trump dhe ka gjasa do të vijojnë të jenë me ne pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve amerikane.