Udhëkryqi 'special' i Kosovës: Aktakuza, presidenti, dialogu

Aktakuza e ngritur nga Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për krime kundër njerëzimit, ka mjegulluar të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe pozitën e presidentit në vend.

Aktakuza e Speciales ndaj presidentit dhe ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, përfshirë ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, u bë publike tri ditë para takimit të Uashingtonit më 27 qershor, i cili edhe më pas dështoi të mbahej.

Në këtë takim që ishte thirrur nga ShBA-të pritej të riniste procesi i negociatave mes të dyja vendeve, ndonëse ishte paralajmëruar se kishte të bënte me zhvillimin ekonomik.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës me kryeministër Avullah Hotin ka bërë të ditur se një takim tjetër do të mbahet shumë shpejt.

Në anën tjetër, përfshirja e presidentit në këtë proces, mbetet diskutabile. Thaçi, disa ditë pas aktakuzës së Prokurorit të Specializuar përmes një video-adresimi publik deklaroi se do të japë dorëheqje vetëm nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

“Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuza”, tha ai,

Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që –në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimipër një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës”, shtoi presidenti.

Thaçi ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të konsultohet me liderët politikë për hapat e mëtejmë, pa dhënë specifika tjera.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti, i pyetur nëse presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale dhe cila do të jetë rrjedha politike dhe se a synojnë bashkëpunim politik me PDK-në për pozitën e presidentit, tha se në çfarëdo situate do të reagojnë me dinjitet.

“Unë vlerësoj se pas gjithë këtyre viteve kemi ndërtuar një kulturë institucionale dhe një maturi institucionale me cilado situata që përballemi do të reagojmë me dinjitet karshi zhvillimeve që do të ndodhin”, tha kryeministri të hënën në një konferencë për media.

Pikëpamjet e analistëve për dialogun dhe pozitën e presidentit 

Lidhur me këto çështje, analisti politik Belul Beqaj thotë për KALLXO.com se gjaset janë të mëdha se do të konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi.  

“Kjo nënkupton fillimin e fundit të erës së komandantëve dhe fillimin e ngritjes së një lidershipi të ri që do të ketë, sipas të gjitha gjasave, qasje tjeter ndaj vazhdimit të dialogut, duke i respektuar marrëveshjet e arritura, rishikuar disa marrëveshje dhe duke kërkuar emëruesin e kompromisit definitiv”, theksoi ai.

Ndërkaq, Donika Emini nga Platforma “CiviKos”, thotë për KALLXO.com se roli i presidentit në dialog për momentin është pezulluar.

“Kjo normalisht që ka sjellë pasoja për shkak se ishte e qartë që Qeveria do të merrej me çështjet e brendshme kurse presidenti do të merrte drejtimin e dialogut, kjo ishte edhe formula mbi të cilat u themelua kjo Qeveri”, tha ajo.

Tash, sipas Eminit, me pezullimin e rolit të presidentit në proces po shihet qartë që Qeveria, përkatësisht kryeministri, edhe pse ka mandat dhe plaformë, anuloi takimin në Washington.

“Kjo tërheqje dhe hezitim për të shkuar në Uashngton janë indikatorë që Qeveria jo veç që nuk është e gatshme të marrë timonin, mirëpo ka edhe mungesë të fuqisë politike për të hyrë në procesin e dialogut pa praninë e presidentit. Ky monopolizim i procesit nga presidenti për një kohë aq shumë të gjatë ka pasur ndikim të madh në arritjen e procesit në këtë pikë kaq kritike”, vlerëson ajo.

Emini më tej thekson se dialogu me gjasë veç ka shënuar rinisje, kjo me praninë e Hotit në Bruksel si dhe takimi pritet të ndodhë në Paris të Francës.

Mirëpo, njohësja e zhvillimeve politike në vend thotë se është mëse e qartë që çkado që mund të arrihet e ka rrezikun e mosmarrjes së mbështetjes politike në Kosovë.

“Për momentin, Kosova në Parlament nuk po arrin me pasë konsensus në raport me çështje që janë më pak sensitive e lë më për dialogun më Serbinë ku rezistenca dhe rivalitetit politik është shumë i madh”, shtoi Emini.

Sa i përket mundësisë së dorëheqjes së presidentit dhe ndikimit në stabilitetin politik në vend, analisti Belul Beqaj tutje ka shtuar se beson se Thaçi e ka kuptuar që çdo përpjekje për të sabotuar apo instrumentalizuar situatën do të rëndojë edhe më shumë veten dhe Kosovën, “prandaj do të sillet në frymën e kërkesave të drejtës ndërkombëtare”.

“Nuk përjashtoj protestat e veteranëve të rrejshëm në shenjë të soldiaritetit për të ju falënderuar për ‘statusin’ e tyre,  por realisht çdo instrumentalizim i organizatave të dala nga lufta vetëm sa e errëson të kaluarën e ndritshme të UÇK-së”, vlerëson Beqaj.

Kurse, Donika Emini (CiviKos), vlerëson se dorëheqja e mundshme e presidentit do të ketë ndikim të madh në konstelacionin politik në vend.

“Dihet mirë që sa mbetet pozita vakante, detyrën e merr kryetarja e Parlamentit. Mirëpo, zgjedhja e një presidenti të ri kërkon konsensus të gjerë në vend dhe kjo nuk po duket të jetë proces lehtë i arritshëm në Kosovë”, thotë ajo.

Emini potencon se moszgjedhja e presidentit mund të çojë vendin në zgjedhje të reja dhe të ndryshojë potencialisht elitën politike që do të drejtojë vendin.

“Kjo normalisht që do të ketë ndikim edhe në dialog ku Kosova do të mbetet pa përfaqësues legjitim as nga presidenca e as nga qeveria për të udhëhequr këtë proces”.

Se a do të japë dorëheqje presidenti, siç thotë Emini, kjo mbetet të shihet.

“Nuk ka obligim ligjor por mund të konsiderojë obligim moral për dorëheqje. Kjo varet nga rrjedha e ngjarjeve në të ardhmen e afërt”, tha ajo për KALLXO.com.