Udhëkryqi i Kosovës me shtetet mike karshi referendumit të Serbisë

Ende nuk është e qartë nëse qytetarët e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë do të mund t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel për të votuar në referendumin e organizuar nga Serbia.

Qeveria e Kosovës ka dhënë dy opsione sesi këta qytetarë mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Ata mund të votojnë në referendum përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Mirëpo këto opsione nuk i kanë ‘pëlqyer’ Serbisë, as Bashkimit Evropian, e as vendeve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, madje as Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Opsioni i pëlqyeshëm nga ta është që këto zgjedhje të organizohen nga OSBE-ja dhe qytetarët serb të mund të votojnë në vendvotime, ashtu siç kanë votuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë 21 qershorit 2020 kur Qeveria Hoti kishte lejuar mbajtjen e tyre.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

QUINT-i e BE-ja kundër qëndrimit të qeverisë së Kosovës

Mëngjesin e së premtes, përmes një deklarate të përbashkët vendet e QUINT-it dhe BE-ja, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t`i lejojë qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në reagimin dërguar mediave.

Duke mos u mjaftuar me një kërkesë me shkrim, ambasadorët e këtyre vendeve i shkuan në zyrë kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani si dhe kryepalamentarit Glauk Konjufca.

Mirëpo pas takimit, ambasadorët u larguan në heshtje pa dhënë ndonjë deklaratë tjetër.

Ndërsa Kurti paralajmëroi thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa në një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët, Institucionet e Kosovës, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, kanë theksuar se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

“Një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ndërsa nga OSBE-ja në një përgjigje për BIRN kanë konfirmuar se janë të gatshëm të organizojnë mbarëvajtjen e këtij referendumi në Kosovë.

Opozita në një vijë me qeverinë

Si rrallë ndonjëherë në Kosovë, partitë opozitare edhe pas kërkesës së Bashkimit Evropian dhe vendeve të QUINT-it e kanë përkrahur vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e referendumit në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka deklaruar se partia e tij e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, ka shkruar në facebook.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se një referendum i tillë do të përbënte shkelje të sovraniteti.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”, ka thënë ai.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e  ka kundërshtuar këtë ide. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka thënë se ky do të ishte sulm mbi sovranitetin.

“Pretendimi i Serbisë që të organizoj referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

 

Faktet rreth referendumit të Serbisë