Udhëheqësi suprem afgan urdhëron zbatimin e plotë të ligjit të sheriatit

Ekzekutimet publike dhe amputimet janë disa nga dënimet për krimet në Iran duke përfshirë tradhtinë bashkëshortore dhe vjedhjen.

Udhëheqësi suprem i Afganistanit i ka urdhëruar gjyqtarët që t’i zbatojnë në plotni aspektet e ligjit islamik që përfshijnë ekzekutimet publike, gurëzimin, fshikullimin dhe amputimin e gjymtyrëve për hajdutët, tha zëdhënësi kryesor i talebanëve.

Zabihullah Mujahid shkroi të dielën në Twitter se urdhëri “i detyrueshëm” nga Haibatullah Akhundzada erdhi pasi udhëheqësi i fshehtë u takua me një grup gjyqtarësh.

Akhundzada, i cili nuk është filmuar apo fotografuar në publik që kur talebanët u kthyen në pushtet në gusht të vitit të kaluar, sundon me dekret nga Kandahari, vendlindja dhe zemra shpirtërore e lëvizjes.

Talebanët premtuan një version më të butë të sundimit të ashpër që karakterizoi qëndrimin e tyre të parë në pushtet, nga vitet 1996-2001, por gradualisht i kanë shtypur të drejtat dhe liritë.

“Shqyrtoni me kujdes dosjet e hajdutëve, rrëmbyesve dhe rebelëve,” citoi Mujahid të ketë thënë Akhundzada. Ato dosje në të cilat janë plotësuar të gjitha kushtet e sheriatit [të ligjit islam] të hududit dhe kisasit, ju jeni të detyruar t’i zbatoni. Ky është vendimi i sheriatit dhe urdhri im, i cili është i detyrueshëm.”

Muxhahidi nuk ishte i disponueshëm të hënën për të dhënë ndonjë shpjegim shtesë lidhur me postimin e tij në Tëitter.

Hudud-i u referohet veprave për të cilat, sipas ligjit islam, disa lloje dënimesh janë të mandatuara, ndërsa Qisas (kisasi) përkthehet si “hakmarrje sipas natyrës” – në mënyrë efektive sy për sy.

Krimet e hududit përfshijnë tradhtinë bashkëshortore – dhe akuzimin e rremë të dikujt për të – pirjen e alkoolit, vjedhjen, rrëmbimin dhe grabitjen në autostradë, apostazinë dhe rebelimin.

Qisas mbulon vrasjen dhe plagosjen e qëllimshme, ndër të tjera, por gjithashtu lejon që familjet e viktimave ta pranojnë kompensim në vend të dënimit.

Dijetarët islamikë thonë se krimet që çojnë në dënimin e hududit kërkojnë një shkallë shumë të lartë provash, duke përfshirë – në rastin e tradhtisë bashkëshortore – rrëfimin, ose të dëshmuarit nga katër muslimanë meshkuj të rritur.

Që nga marrja e pushtetit vitin e kaluar, video dhe fotografi të luftëtarëve talebanë që aplikojnë rrahje ndaj njerëzve të akuzuar për vepra të ndryshme janë shfaqur shpesh në mediat sociale.

Në disa raste, talebanët gjithashtu kanë shfaqur në publik trupat e rrëmbyesve për të cilët ata thanë se u vranë në shkëmbim zjarri.

Ka pasur gjithashtu raporte për shkelësit e kurorës që fshikulloheshin në zonat rurale pas lutjeve të së premtes, por verifikimi i pavarur ka qenë i vështirë për t’u marrë.

Rahima Popalzai, një analiste juridike dhe politike, tha se dekreti mund të jetë një përpjekje nga talebanët për ta forcuar një reputacion që ata mund të ndjejnë se është zbutur që nga kthimi i tyre në pushtet.

“Nëse ata me të vërtetë fillojnë të zbatojnë hududin dhe Qisasin, ata do të synojnë të krijojnë frikën që shoqëria afgane e ka humbur gradualisht,” tha ajo, duke shtuar se talebanët gjithashtu donë ti lustrojnë kredencialet e tyre islame. “Si një strukturë teokratike, talebanët duan ta forcojnë identitetin e tyre fetar midis vendeve muslimane.”

Të drejtat e fituara me vështirësi të grave në veçanti janë avulluar në 15 muajt e fundit dhe ato po shtrydhen gjithnjë e më shumë nga jeta publike.

Shumica e punonjësve femra të qeverisë kanë humbur punën e tyre, ose po paguhen me pagë të ulët për të qëndruar në shtëpi, ndërsa grave u ndalohet gjithashtu të udhëtojnë pa praninë e një të afërmi mashkull dhe duhet të mbulohen me burka ose hixhab kur janë jashtë shtëpisë.

Në javën e kaluar, talebanët gjithashtu ua ndaluan grave të hyjnë në parqe, panaire argëtimi, palestra dhe banja publike.

Gjatë periudhës së tyre të parë të sundimit, talebanët kryenin rregullisht dënime në publik, duke përfshirë fshikullime dhe ekzekutime në stadiumin Ghazi në Kabul. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala