U Kapën në Restorant me 3,6 kg Marihuanë

Prokuroria e Qarkut e ngarkon të pandehurin Zija Gjini, se më 13 mars 2012, rreth orës 14, në rrugën magjistrale Prizren – Gjakovë, më konkretisht në restorantin “Pulaj”, pa autorizim ka poseduar dhe transportuar me qëllim shitjeje substancë e preparate, të cilat janë të shpallura të rrezikshme.

Ndërsa i pandehuri Edmond Kurtishi, pa autorizim posedon dhe bën ofertë për shitje, ndërsa Jakup Takyaci, Shkelzim Simitçiu dhe Shengyl Dadale, pa autorizim posedojnë dhe transportojnë me qëllim shitjeje substanca narkotike.

Nga restorant “Pulaj” ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Takyaci merr makinën e Gjinit, të cilin e lë së bashku me Kurtishin në restorant, ndërsa vetë vazhdon në drejtim të qytetit. Përmes telefonit merren vesh dhe takohen me dy të pandehurit e tjerë dhe vazhdojnë për në shtëpinë e Simitçiut. Dadale hyn në shtëpi dhe më pas del me një thes të bardhë, të cilin e fut në bagazhin e automjetit.

Sipas aktakuzës, Takyaci kthehet në restorant, ku ishin duke e pritur dy të pandehurit e tjerë. Me këtë rast ndërhyn policia, e cila bastis veturën dhe gjen një thes me ngjyrë të bardhë, në të cilin ishin dy paketime të mbështjella me qese plastike, të mbushura me një bar të terur me ngjyrë të gjelbër. Ekspertiza dhe analizë kimike ka përcaktuar se ajo është substancë narkotike e llojit “marihuanë” me peshë prej 3 630 gramësh.

Duke u bazuar në këtë, Prokuroria e Qarkut i akuzon të pestit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes, transportimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

I pandehuri Zija Gjini ngarkohet edhe për një vepër tjetër të njëjtë, pasi që në ditën e njëjtë, gjatë bastisjes nga ana e Policisë, në banesën e tij e cila gjendet në Prishtinë dhe atë në lagjen Ulpiana, nën krevatin e dhomës së fjetjes është gjetur një çantë, brenda së cilës ishte një paketim i mbështjellë me qese plastike me marihuanë, me peshë prej 992 gramësh.

Asnjëri nga të pandehurit nuk e pranuan fajësinë për veprat penale nga dispozitivi i parë i aktakuzës, me përjashtimin të të akuzuari Gjini, i cili e pranoi fajësinë për veprën penale të dytë, për substancat narkotike që ishin gjetur në shtëpinë e tij.

Për këtë rast, ishte i propozuar vetëm një dëshmitar, nga i cili gjykata nuk mundi të përfitojë asgjë, ngase u deklarua se nuk di asgjë në lidhje me rastin.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor u lexuan dhe u prezantuan edhe shumë prova të tjera të siguruara nga prokuroria, të cilat ishin në shkresat e lëndës.

Në mbrojtjen e ttij, i akuzuari i parë, Zija Gjini, i njohur me nofkën “Zak” tha se marihuanën prej 992 gramësh e ka marrë nga një person, me të cilin ka ndejt dy-tri herë në një restorant. “Ai deshti me e gjujt, unë ja mora. Madje e kam lënë në shtëpi as që e kam prekë, deri në ditën kur ka ardhur policia”, deklaroi ai.
 
Kurse për takimin në restorant “Pulaj”, ai tha se e kishte lënë të takohej me Jakupin, ndërsa nuk e di pse ka ardhur edhe Edmondi. “Ndejtëm nja dhjetë minuta. Jakupi  mi kërkoi çelësat e veturës, pati pak punë me shku deri në qytet e vetura e tij ishte e prishur. Unë ja dhashë. Pas gjysmë ore, erdhi Jakupi mi gjuajti çelësat. Pas tij erdhi edhe Policia dhe veç kur më kapën dhe mi lidhën duart. Ata më pyetën, se a kam diçka në shtëpi, unë u tregova se e kam një sasi të drogës, për të cilën ju fola më herët”, tregoi versionin e tij Gjini.

Kurse, Jakup Takyaci, në mbrojtjen e tij e mohoi faktin se ka lënë takim me të pandehurin Gjini. “Unë kam qenë duke ndejtë me Edmondin, ai me telefonin tim e ka thirrë Zijanë disa here dhe kanë lënë takimin në restorantin ‘Pulaj’. Kur kemi shkuar, unë ja kam marrë veturën se vetura ime ishte e prishur, kur jam kthyer policia e kanë bastisë veturën dhe në bagazhin e saj kanë gjetur drogë. Unë asgjë nuk kam ditur, dyshoj se narkotiku ka qenë i Zijasë”.

Për shkak të kalimit të kohës së rregullt të orarit të punës, seanca gjyqësore u ndërpre, ndërsa të pandehurit e tjerë do të japin mbrojtjen më 26 korrik 2012.