'Tymi i votrës së pandezur'

Rrugës nga Vushtrria deri në Strofc, si fëmijë në kombin e vogël të udhëtarëve rrija në këmbë. Me gëzim sodisja nga dritarja drejtkëndëshe nga padurimi që po kthehem në shtëpi. Edhe sa mbërrijmë në shtëpi? Orën ende nuk dija ta lexoja.

Një shtëpi që përherë mbeti ‘e re’ dhe e zbrazët midis një lëndine, e vetme, rrëzë fshatit Bivolak më drejtonte në hapësirë dhe në kohë: “Qe kjo shpia që s’jeton kërkush. Edhe nji katun edhe mbrrijna në shpi.”                                                                                                                                                      

Çdo herë kur kthehesha nga dajtë në shtëpi, vështroja këtë shtëpi me mendimin që një ditë dikush do të jetojë aty dhe do t’i ngjyrosë blloqet e kuqrremtë me ngjyrë të bardhë. Por askush asnjëherë nuk jetoi. Një gjë e di, në fëmijëri ajo shtëpi për mua ishte busullë, kurse tash për një 22-vjeçare, është një shtëpi pa jetë që mundohem ta gjej arsyen e ekzistencës së saj.

Shtëpia që njoh unë është vetëm një nga shumë shtëpi që janë ndërtuar kryesisht para dhe pas luftës, por që kanë mbetur të braktisura në mëshirë të kohës. I pamë ose si pamë, rreth e rrotull Kosovës ka një mori shtëpi të tilla të cilat mbesin gjurmë të kujtesës kolektive.

Për dikë duken të frikshme aq sa misterioze e për dikë tjetër shenja lufte. Por, ka shumë të tjera të cilat brenda katër mureve ruajnë një përjetim, një traumë, një vdekje ose një jetë të pajetuar.

Meqë për këtë çështje ka vakum institucional aq sa nuk ka as të dhëna për shtëpi të braktisura – e intriguar nga qëllimi i ekzistencës së tyre, vizitova shtëpi të tilla nëpër fshatra të Kosovës dhe pyeta njerëzit se çfarë dinë për to. 

Nëpër qoshe të Kosovës dëgjova narrativa të ndryshme me emërues të përbashkët – luftën.

Krahas tragjedive personale si vdekja e kryefamiljarit që la shtëpitë pa pasardhës, disa shtëpi u përkasin kosovarëve të shpërngulur gjatë dhe pas luftës. Ka edhe shtëpi të cilat janë shfrytëzuar për tmerre lufte ose si pika qëndrimi të forcave serbe, sa që njerëzit nuk kanë pranuar të kthehen më. Disa shtëpi janë ndërtuar nga serbët, por nuk kanë jetuar kurrë, pasi kanë ikur në Serbi pas luftës.

Shtëpi – traumë e luftës

Shtëpi e braktisur në Likoc të Skenderajt. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Lulet e pemëve të pranverës i kishin rrethuar dy shtëpi të vetmuara në fund të rrugës së fshatit Likoc të Skenderajt. Njëra gjendet skaj rrugës, e tjetra midis një are pak metra larg shtëpisë së tjetër me të cilën ndajnë të njëjtin fat.

Edhe pse nuk ishte hera e parë që shihja shtëpi të tilla, fakti që dola me qëllim të gjej shtëpi pa njerëz më bëri të përsias se çfarë përjetimi fshihet prapa secilës – rrëfime që me gjasë askush nuk i dinë saktë, përpos atyre që i kanë përvetësuar.

Ishte e çuditshme të shohësh braktisjen e një fortese të re me pesë dhoma që në kushte normale do jetonte një familje tetë anëtarëshe, e në të cilën janë investuar më mijëra euro, por kanë mbetur vetëm muret nën kulm.

Muret e tyre asnjëherë nuk kanë dëgjuar zëra fëmijësh, as këngë të nënës e përralla të gjyshit, por kanë mbetur vetëm gurë që zënë një vend në tokë dhe në kujtesë.

Në shikim të parë shtëpitë e tilla duken të frikshme pasi që zakonisht nuk kanë shtëpi tjera përreth përveç disa barishteve. Brenda janë të zbrazta dhe me ndonjë mbishkrim nëpër mure. 

Para se të arrija te këto dy shtëpi, u ndala rrugës të pyes për një shtëpi të djegur në këtë fshat që gjendej breg rrugës. Në konakun e tyre më mirëpritën familja Rrota të cilët më drejtuan tek këto dy shtëpi dhe më treguan për historinë e tyre.

“Këto shtëpi i kanë ndërtu para luftës edhe pse vetë kanë qenë jashtë. Kanë mendu që kthehen djemtë me jetu. Djemtë nuk janë kthy. Por erdhën paramiltarët serbë gjatë luftës e u stacionuan në të. Aty ka mbishkrime, emrat e serbëve që kanë bërë faqe të zezë në fshatin tonë. Ata këtu kanë nejtë natën. Se pata dalë luftës me marrë do miell, u nijshin t’u sharrit dru” – tha 63-vjeçari Shaqë Rrota.

Pas luftës askush nuk ka jetuar më aty, pasi siç thotë Shaqë Rrota – “Shtëpia është përdorë nga paramilitarët serbë të Zveçanit të cilët kanë lënë gjurmët e tyre aty”.

Nëpër këto shtëpi zakonisht gjenden mbishkrime në mure qoftë kur janë përdorur për qëllime të tjera, qoftë nga njerëz tjerë… se askush nuk kërkon llogari për një pronë të braktisur.

Në njërin prej mureve të brendshme të shtëpisë, larg të bërit art, por në mënyrë të shëmtuar ishte vizatuar figura e gruas. E zhveshur, në një pozicion me idenë për ta poshtëruar dhe e rrethuar me mure të vjetra, gruaja sikur kërkonte ndihmë të ikte jashtë asaj shtëpie që e dhunon.

“I kam pa vetë t’u hi në atë shpi, se janë kanë të stacionum aty. Janë dalë në pod të kodrave edhe i kanë pa disa njerëz t’u ikë e t’ia kanë krisë rafall pushkëve drejt civilëve e i kanë plagos dy çika” – rrëfen Rrota kur kujton paramilitarët në këtë shtëpi.

Shtëpi e braktisur në Likoc të Skenderajt. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Edhe pse nuk e dinin sigurt nëse shtëpitë janë të minuara, njësoj si në fshatrat tjerë më këshillonin të mos hyjë brenda shtëpive.

“Mos hynë brenda se mos ka ndonjë minë. Pasoja lenë lufta edhe masandej.”

Edhe pse shtëpitë nuk ishin të përfunduara tërësisht, në disa hapësira të dritareve ishin ngjitur pëlhura ose ndonjë dërrasë që mos të kenë mundësi njerëzit të shohin përbrenda mureve.

Këto pëlhura të dala jashtë boje e të vjetërsuara që më ngjallnin përshtypjen e “errësirës informative”,  sikur donin të paralajmëronin njerëzit përreth se çfarë ndodh brenda shtëpisë, mbetet brenda shtëpisë. 

Pata dëgjuar që në në rrethin e Gjilanit shtëpi të tilla ka me bollëk. Mora rrugën për të gjetur një shtëpi me blloka të bardhë rrugës për në Zhegër. Por para se të mbërrija në destinacion u habita se sa shumë shtëpi të ngjashme tre katëshe hasa përgjatë rrugës.

Shtëpi të braktisura rrugës për në Gjilan. Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Trokita derë më derë nëpër shtëpi e biznese që zakonisht gjendeshin disa metra larg shtëpive.

Shtëpi të tilla pati me dhjetëra deri tek rruga për në Zhegër, përkatësisht në Budrikë të Poshtme. Edhe pse banorët për këtë fshat thonë që është një ndër fshatrat me pozitën më të mirë gjeografike në Gjilan, hapësira rreth shtëpisë me blloka të bardhë ishte pa asnjë shtëpi. Të gjitha shtëpitë e fshatit ishin ndërtuar larg kësaj shtëpie. 

E banuar me shumicë serbe, shqiptarët e vetëm në Budrikë të Poshtme ishin ata që kishin ardhur për tregti nga fshatra tjerë. Për mysafirët, kjo shtëpi është vetëm një pikë orientuese ta gjetur fshatin. Ndërsa, nga banorët shtëpia shihet si traumë. 

Jankoviq Mimcilo, banor i Budrikës së Poshtme i cili është i afërm i pronarit të shtëpisë, thotë që shtëpia është ndërtuar para luftës dhe në të për një kohë shumë të shkurtër kanë jetuar shtatë anëtarë. Sipas tij, për shkak të dyshimeve që është e minuar gjatë luftës e kanë braktisur dhe kanë migruar në Zvicër.

“E kanë minuar dhe më nuk ka banuar askush edhe pse kështu shumë pak kanë jetu. Nuk nuk ka qenë plan që të jetohet më në të. Prej 99’ nuk ka banuar askush. Ajo shtëpi duket traumë e luftës”-  rrëfeu Mimcilo.

“Lufta është luftë edhe na kanë mbet ato trauma” – shtoi 58-vjeçari.

Shtëpi e braktisur në fshatin Budrikë e Poshtme të Gjilanit. Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Migrimi i la vatrat pa zjarr

Rruga për në Pejë ishte më e gjatë se për në Gjilan. Trajektoren deri në destinacion e mbushën shumë shtëpi të pabanuara. Diku gjendej një shtëpi e vetmuar, e diku katër shtëpi të cilat e shoqëronin vetëm njëra – tjetrën.

Rreth e qark fshatrave të Pejës pati shumë shtëpi të tilla, por shumë pak qytetarë që dinin historinë e tyre. Njerëzit që e dinin, kryefjalë e kishin – migrimin gjatë luftës.

Në njërën pjesë të fshatit Vitomiricë, në të njëjtin vend gjendeshin katër shtëpi të reja – vend që ngjasonte me një oazë. Tentova të hyjë brenda se mos gjendet dikush, por nuk hasa në as një njeri as përreth tyre. Banorët tjerë rrugës thonin që shtëpitë janë braktisur pasi që pronarët janë larguar nga Kosova.

Rrugës për të kërkuar shtëpi të tjera nëpër fshatrat e Pejës, përkatësisht në fund të fshatit Loxhë pashë një shtëpi të tillë e cila ishte rrethuar nga barishtet. Shtëpitë e banuara të fshatit sikur kishin ikur nga kjo shtëpi e cila skajohej e vetme në rrugën që të dërgonte në mal.

Shtëpi e braktisur në Pejë. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

E pyeta një burrë rreth të gjashtëdhjetave, Haxhi Rexhepi, i cili truponte rrugën me një biçikletë, nëse e njeh pronarin e shtëpisë. 

Rexhepi më tha që kjo shtëpi ekziston që prej paraluftës, por prej që ka vdekur pronari dhe dy djemtë e tij, shtëpia ka mbetur ashtu siç është ndërtuar.

“Tjerët [anëtarët] krejt kanë shku jashtë. Do të afërm të tij e lërojnë tokën aty kanihere kur vijnë në pushime” – tha ai, duke theksuar që shtëpi të tilla kanë mbetur prej luftës kur shumica kanë migruar për në vendet perëndimore.

Më pak në numër, shtëpi të ngjashme pati në fshatrat Pavlan, Zahaq e Qyshk të Pejës.

Sipas banorëve të fshatrave, shumica prej shtëpive kanë mbetur të papërfunduara për shkak të migrimit. Ndërsa pas luftës nuk janë kthyer në shtëpitë që i kanë ndërtuar, por kanë blerë banesa në qytet.

Rreth e rrotull qytetit të Pejës, aty – këtu ekzistojnë shtëpi të pabanuara, por më rrallë se sa në fshatra. Shtëpi të tilla janë veçori e fshatrave, pasi që migrimet më të shpeshta bëhen nga zonat rurale.

Jo vetëm në Pejë, shtëpi të braktisura si pasojë e migrimit pati edhe në Gjilan.

Me ‘dy sy katër’ menjëherë pasi kalova liqenin e Badocit pashë tri shtëpi që duken të reja nga pamja e jashtme, por jo nga vitet e ekzistencës, me blloka të kuqrremtë të cilat nuk kishin fqinj të gjallë, por vetëm shoqëroheshin me pemë të vjetra dhe përpara një tabelë që tregonte që aty pritet autobusi. 

Skaj asfaltit në fshatin Parallovë të Gjilanit, Banush Gërbeshi nga Lipjani, biznesin e tij të hotelierisë e ka pranë një shtëpie të pabanuar. Prej ditës që këmba e tij ka shkelur në atë vend para 20 viteve, ai e mban mend këtë shtëpi si ditën e parë që e ka parë. 

Banorët thonë që shtëpia është e një serbi. 

“Shtëpia është ndërtuar me gjasë para luftës, por pas luftës është shkatërruar brenda. E re është se askush asnjëherë nuk ka jetuar aty. Nuk ka dritare, as dyer e as asgjë tjetër. Kjo veç u ndërtu edhe ka mbet. Kur kemi ardhur ne këtu në vitin 2004 kështu njëjtë si sot ka qenë” – më tregoi ai.

Shtëpi e braktisur në fshatin Parallovë të Gjilanit. Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Gërbeshi thotë që në Babush të Ferizajt ka dhjetëra shtëpi të tilla që sipas tij i kanë ndërtuar serbët, por kanë mbetur të pabanuara për shkak se pas luftës ata kanë shkuar në Serbi.

“Nuk frikësohem me hi as brenda shtëpisë. Unë për veti jam mësu këtu me këtë shtëpi se kështu e kam gjet. Për ata që e njohin pronarin më kanë thënë që ai nuk kthehet ma prej Zvicrës” – tha ai.

Në fshatin Mehir një burrë rreth të tridhjetave priste autobusin. E pyeta nëse e dinë që sa kohë ekziston njëra prej shtëpive që gjendej aty rrotull.

“Është e pabanuar se me sa e di janë jashtë krejt. Me sa kam ni, kanë provu njëherë me u kthy, po nuk iu ka ec. Kurrë kërkush nuk ka jetu. Na që jetojmë këtu, këtu e presim autobusin. Prej që e mbaj mend është kështu” – më tha ai, i habitur që dikush po pyet për një shtëpi të braktisur.

Shtëpi të boshatisura, por të mbushura me arsye

Një shtëpi për të cilën shpenzohen burime njerëzore, financiare dhe kohë, gjithsesi që ka një qëllim për të cilin është ndërtuar. Por, nëse ekziston pa asnjë ekzistencë brenda dhomave të saj, lind pyetja – Pse zë vend diçka e tillë në tokë?!

Përpos rrëfimeve të banorëve që jetojnë rreth e qark tyre, për të trajtuar edhe më qartë një dukuri e tillë, sociologu Avni Rudaku shpalosi një mori faktorësh.

Frika e grumbulluar nga këto shtëpi është kultivuar kryesisht për shkak të luftës. Rrethanat e luftës kanë bërë që këto shtëpi të ndërtohen për qëllime jetese, po të përdoren për qëllime tjera.

Në bazë të observimit të tij, shumica e shtëpive i takojnë shqiptarëve të cilët para luftës së fundit ishin nisur për objekte banimi. Për shkaqe të rritjes së shtypjes sistematike të regjimit ish-jugosllav nuk u përfunduan.

Sipas tij, arsyet pse nuk u përfunduan janë pasi që kryefamiljarët, vëllai më i madh në familje ose grupmoshat që mund të merreshin dhunshëm në ushtrinë jugosllave emigruan dhe shtëpitë e tyre mbetën të pabanuara. Pas një kohe, me ta u bashkuan edhe pjesa tjetër e familjes si refugjatë të luftës, pas dëbimit me forcë nga shtëpitë e tyre.

Shtëpi të braktisura. Foto: KALLXO.com

“Disa shtëpi vetëm u ndërtuan si objekte, por nuk u instalua as rryma, as nuk u rregullua interieri, as asgjë dhe shumica mbetën me blloka të kuq, fare pa suvatim të jashtëm” – shpjegon Rudaku. 

Shtëpi të tilla, Rudaku thotë se shfrytëzuan si hapësira publike të lagjes ose komunitetit, pasi që shqiptarët filluan të largoheshin nga qendra drejt periferive, u larguan nga institucionet publike dhe mbetën të papunësuar në vitet ’90-ta.

Për këtë arsye banorët ndiheshin më sigurt vetëm brenda vendbanimit të tyre dhe shtëpitë e pabanuara ishin objekte për vendtakim social, lojëra fëmijësh, biseda të rriturish, ndeja gjatë mbrëmjeve duke ndezur një zjarr, eksplorimi seksual.

Në një situatë tjetër, shtëpitë u përdorën nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë për abuzime e dhunime seksuale, strehim të përkohshëm, grumbullim të përkohshëm të objekteve të vjedhura, ndërluftime, roje të pikave të caktuara, pika të përkohshme të kontrollit, ndalimit dhe arrestimet arbitrare të civilëve, shoferëve ose kalimtarëve shqiptarë të rastit. 

“Shtëpia e pabanuar sidomos kur vlerësohet vetëm me sy si e rrezikshme, është kujtesë e fuqizuar për shkak të frikës reale nga rreziku, me shumë kujtime traumatike. Edhe kur rrëzohet ajo shtëpi, e ndërtohet një krejt e re pas saj, kujtimet mbesin, besa edhe traumat” – tha Rudaku. 

Përveç kësaj, shtëpitë e pabanuara janë shfrytëzuar edhe nga shqiptarët për shumë arsye të tjera gjatë luftës, përfshirë në vende të caktuara edhe nga UÇK-ja si pika të përkohshme ndalimi, ose si pika përshtatjeje praktike të qëndrimit në shtëpi të braktisur si hapësirë publike dhe pa banorë. 

Rudaku thotë që shumë shtëpi vazhdojnë të jenë të pabanuara nga braktisja e tyre sidomos nga serbët e romët në komunat ku kishte më shumë serbë, qoftë në Dukagjin, Anamoravë apo diku tjetër.

“Disa të minoritetit serb e rom ishin pjesëmarrës në fshatrat përreth me shqiptarë edhe në krime gjatë luftës dhe ikën në Serbi e gjetiu në Veri, e nuk u kthyen kurrë më në shtëpitë e tyre private”- thotë ai.

Përveç këtyre shtëpive, sipas tij shumë shtëpi para dhe pasluftës kanë mbetur të pabanuara për shkak të migrimit në shtetet tjera.

Arsyet pas shtëpive bosh të Evropës janë të shumta. Nga pamundësia e pronarëve për të përballuar rinovimet dhe eksodi rural nga qytetet dhe fshatrat e largëta deri te pasojat e vazhdueshme nga kriza e Eurozonës.

 Një nga vështirësitë kryesore në mbledhjen e të dhënave për shtëpitë e zbrazta është se nuk ka një përkufizim të harmonizuar në nivel evropian. 

Gjatë realizimit të këtij artikulli hasa në zbraztësira shkencore. Një temë e tillë nuk ka trajtim të mjaftueshëm sociologjik, kulturor dhe as arkitektonik – temë për të cilën nuk gjen as literaturë.

“Ka pak ose fare studime sociologjike ose antropologjike për shtëpitë e pabanuara, përjashto ndonjë kronikë lajmesh televizive për shtëpitë e pabanuara si rrezik për kalimtarët e rastit”- tha ai.

Shtëpitë e pabanuara përderisa ekzistojnë si të tilla mbesin pjesë e kujtesës kolektive. Për ndonjë arsye ose tjetrën shtëpitë e braktisura edhe pse nuk kanë asnjë funksion shpërfaqin realitetin e dy shekujve të fundit.