Ilustrim

Tutori i Premtonte Burrë “Me Letra”

Duke e shfrytëzuar gjendjen e varfër të A-së, e cila në atë kohë ishte e mitur, Shefket Kryeziu, 56-vjeçar, e detyronte që të kryente marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm, kundrejt një pagese të vogël. Herën e fundit kishte marrë 20 euro për të kënaqur një mik të tutorit të saj.

Edhe vetë, 56-vjeçari nga Gjilani kishte kryer disa herë marrëdhënie seksuale me vajzën, të cilën i premtonte se do t’ia gjente për t’u martuar një shqiptar me “status të rregulluar” në shtete të perëndimit.
 
Gjykata e Qarkut në Gjilan e ka dënuar me dy vjet e tetë muaj burgim Kryeziun për kryerjen e  veprës penale “Trafikim me njerëz”, sipas nenit 139, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës. Kurse Sermaxhaj (1957), edhe ky nga Gjilani, është dënuar me tetë muaj, për “Shfrytëzim të shërbimeve seksuale”, nga neni 139, paragrafi 5, i KPK-së.

Prokurori i Qarkut, Afrim Shefkiu, në maj 2012, kishte ngritur aktakuzë kundër Kryeziut, nën dyshimin e bazuar se që nga muaji tetor 2011 e deri më 12 maj 2012, në mënyrë të vazhdueshme e ka trafikuar të dëmtuarën A. S., e cila në fillim ishte e mitur.

“Këtë e kishte bërë duke e shfrytëzuar gjendjen e varfër të saj dhe duke e shantazhuar e detyron që të kryejë marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm, për kundërshpërblim të caktuar. Ai i kishte premtuar se do t’i gjejë njerëz me vizë për t’u martuar”, thuhej në aktakuzë.

Më 12 prill 2012, rreth orës 20:30, të dëmtuarën A., Shefketi ia ka dorëzuar të akuzuarit të dytë Mevlud, me qëllim të kryerjes së aktit seksual, kundrejt një pagese prej 20 eurosh. Pas punës operative, policia në motel “Butrinti” në fshatin Budrigë, i kap dhe arreston të dyshuarit.

Sermaxhaj akuzohet se më 12 prill 2012, në motel “Butrinti” ka shfrytëzuar shërbimet seksuale nga personi për të cilin ka pasur njohuri se është viktimë e trafikimit. Ata merren vesh paraprakisht për sigurimin e një femre për marrëdhënie seksuale, për çmimin prej 20 eurosh.

Ai e bën pagesën për qëndrim në motel. Më pas, Shefketi vendoset me një femër tjetër në një dhomë, kurse Mevludi me A-në. Ata kapen në flagrancë dhe arrestohen në vendngjarje nga policia.
 
“Më ka premtuar se do të ma marrë lejen dhe do të ma gjejë një djalë jashtë. Më thoshte: ‘Ke me pas një jetë më të mirë’. E gjithë këtë e ka bërë me më përfitu mua”, ka thënë e dëmtuara A., gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ajo ka treguar para gjykatës se ka pasur marrëdhënie me Shefketin, por “nuk i kujtohet sa herë”.

“Shefketi më ka vënë në kontakt me persona të tjerë për marrëdhënie seksuale”, ka vazhduar A, e cila ka përmendur edhe emra të tjerë në gjykatë, të cilët kanë paguar për shërbime seksuale, por nuk janë pjesë e aktakuzës. 

“Kam pasë marrëdhënie me Sadriun… Shefketi më ka dërguar deri në hotel; m’i ka premtuar 50 euro, ndërsa mi ka dhënë vetëm 10 euro”, ka thënë ajo .

I akuzuari Shefket e pranoi se në momentin e arrestimit kishin qenë në dhomë me M-në., por tha se qëllimi i tyre ishte vetëm të pinin kafe, e asgjë më shumë. E siç duket, atij i pëlqen ta pijë kafen i zhveshur. Ai para prokurorit e pranoi se ishte i zhveshur gjatë arrestimit.

I akuzuari Mevlud, po ashtu, e pranoi se gjatë arrestimit ishte në dhomë me A. dhe se ia kishte dhënë 20 euro. I pyetur se pse ia ka dhënë këto para, ai tha se A. gjatë rrugës i kishte përmendur një palë xhinse. “I kishin mbetur merak dhe unë ja kam dhënë këto para me i ble farmerkat”.

Edhe ky tha se ndodhej në dhomën e motelit për të pirë kafe. “Në dhoma, kemi hyrë me propozimin dhe insistimin e A-së… Gjatë arrestimit isha i ulur, ndërsa A. në banjo”.
 
Fjalën përfundimtare, prokurori Afrim Shefkiu e dorëzoi me shkrim. Por, ai kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të dënohen me dënime meritore. Ai tha se është vërtetuar se ata janë kryes të veprave penale, që kjo prokurori ua ngarkon në barrë.

Edhe mbrojtësja e të dëmtuarës, avokatja Mihane Ismajli, e përkrahu fjalën e prokurorit dhe parashtroi kërkesë pasurore.
 
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Shefket Kryeziu, avokati Elmi Qerimi, kërkoi nga gjykata që klientin e tij ta lirojë nga akuza, me arsyetimin se “ky veprim do të kontribuonte në sundimin e ligjit dhe së drejtës”.

Edhe mbrojtësi i Sermaxhajt, Ymer Huruglica, kërkoi nga gjykata që të sjellë aktgjykim lirues. “I mbrojturi im nuk i ka shfrytëzuar shërbimet seksuale, e as që e ka ditur që e dëmtuara është viktimë e trafikimit”, u shpreh ai.
 
Trupi gjykues, në përbërje prej Hasan Sadikut – kryetar dhe Elfete Shala dhe Selami Syla – anëtarë, pas këshillimit dhe votimit mori aktgjykim duke i shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim dy të akuzuarit.

Prokurori dhe mbrojtësit paralajmëruan ankesë kundër aktgjykimit.