Nord Stream 2 route   -    Foto: Euronews

Tubacioni ‘Power of Siberia 2’ në drejtim të Kinës do ta zëvendësojë rrjedhën 'Nord Stream 2'

Moska zyrtare ka njoftuar se tubacioni i gazit Nord Stream 2 do të “zëvendësohet” me një gazsjellës alternativ për Kinën, raporton Euronews.

‘Power of Siberia 2’, diçka që Moska dhe Pekini e kanë diskutuar për disa vite, do të zërë vendin e Nord Stream 2, tha të enjten ministri rus i Energjisë Alexander Novak.

Nordstream 2 është një rrjedhë e propozuar për sjelljen e gazit rus në Evropë, veçanërisht në Gjermani. Ndërtimi i tubacionit të diskutueshëm përfundoi në shtator të vitit 2021, megjithëse certifikimi i tij u pezullua pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Duke folur në televizionin shtetëror rus, Novak u pyet nëse tubacioni aziatik mund ta zëvendësonte homologun e tij evropian brenda strategjisë ruse të energjisë – për të cilën ai u përgjigj me “po”.

Më herët gjatë ditës, ministri tregoi se Rusia dhe Kina së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje për të ofruar “50 miliardë metra kub gaz” në vit përmes tubacionit të propozuar “Power of Siberia 2”.

Ky vëllim përfaqëson pothuajse kapacitetin maksimal të Nord Stream 1 – 55 miliardë m³ në total – i cili është mbyllur që nga shtatori.

Nord Stream 1, që e lidh Rusinë dhe Gjermaninë, dikur transportonte rreth një të tretën e dërgesave të gazit rus në Bashkimin Evropian.

‘Power of Siberia 2’ do ta furnizojë ekonominë e uritur për energji të Kinës përmes Mongolisë nga Rusia perëndimore. Punimet e ndërtimit janë vendosur të fillojnë në vitin 2024. Ai është pasardhësi i gazsjellësit ‘Poëer of Siberia 1’, i drejtuar nga Gazprom, që shtrihet nga Siberia lindore deri në Kinën veriore.

Moska dëshiron që ‘Power of Siberia 2’ të zëvendësojë gazsjellësin e izoluar Nord Stream 2, një projekt i mbështetur prej kohësh nga Gjermania, por që Shtetet e Bashkuara e patën një pikëpamje shumë të zbehtë, për shkak të shqetësimeve për varësinë evropiane nga energjia ruse.

Eksportet e gazit nga Rusia do të “ulen me rreth 50 miliardë m³” në vitin 2022, shtoi Novak gjatë intervistës së së enjtes.

Ndërkohë, ministri rus i energjisë tha se gjiganti energjetik Gazprom po planifikon t’i “rrisë dërgesat e tij” në Kinë në “20 miliardë m³ gaz” çdo vit.

Lidhja në fillim të vitit 2023 e fushës së Kovytka, pranë liqenit Baikal, me Fuqinë e Siberisë do të kontribuojë ndjeshëm në këtë rritje.

Në vitin 2025 – viti kur tubacioni do të arrijë kapacitetin maksimal – më shumë se 61 miliardë m³ gaz rus do të transportohet në Kinë./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala