Trupat Speciale të Sistemit të Drejtësisë me Performancë jo-Speciale 

Luftimi dhe gjykimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të përballet me probleme serioze.

Efikasiteti i mekanizmave speciale të luftës ndaj korrupsionit tregon për ngecje dhe probleme serioze të cilat evidentohen gjatë analizimit të raporteve të punës në Prokurorinë Speciale dhe në Gjykatat e vendit.

Natyra komplekse e disa veprave penale, si korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi e krimet e luftës, kërkojnë hetime të avancuara, e po ashtu kërkojnë që gjyqtarët që i gjykojnë rastet lidhur me këto vepra të kenë njohuri të thelluara dhe të specializuara.

Për t’i dhënë përgjigje këtyre  krimeve më komplekse në Republikën e Kosovës fillimisht në vitin 2008 u themelua Prokuroria Speciale, si organ i ndjekjes. Ndërsa në vitin 2019  u themelua edhe Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’i gjykuar rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Të dhënat lidhur me Prokurorinë Speciale të Kosovës evidentojnë se kjo Prokurori e specializuar për luftimin e krimeve komplekse nuk ka arritur të zvogëlojë numrin e rasteve të pranuara nga viti 2016, përkundër që ka zgjidhur lëndë më shumë se që ka pranuar.

Raportet  pasqyrojnë se  në 79% të rasteve të ngritura nga PSRK, janë nxjerrë aktgjykime dënuese, mirëpo rezulton se gjatë kësaj periudhe  numri i ankesave të refuzuara në krahasim me ankesat e pranuara të ushtruara nga prokurorët e PSRK-së ka qenë shumë i lartë.

Përderisa në fund të vitit 2016 në Prokurorinë Speciale të Kosovës ishin të pazgjidhura kallëzimet penale ndaj 1725 personave, në fund të vitit 2020 ky numër është ngritur në 1840.

Evidentohet  se nga aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës nga viti 2016 deri në vitin 2020, janë nxjerrë aktgjykime dënuese ndaj 403 personave, ndaj 98 personave janë nxjerrë aktgjykime liruese, ndërsa ndaj 10 personave janë nxjerrë aktgjykime refuzuese.

Kjo pasqyron se në 79% të personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës gjykatat kanë nxjerrë aktgjykime dënuese.

Nga këto aktgjykime dënuese, rezulton se në rastet e korrupsionit si rezultat i aktakuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dënuar vetëm 40 % e të akuzuarve për vepra penale korruptive – 16 nga 40 të akuzuarit.

Për krahasim, 45% e personave të akuzuar për korrupsion nga Prokuroria Themelore e Prishtinës janë dënuar, 59% e të akuzuarve për korrupsion nga Prokuroria e Prizrenit janë dënuar, 75% e të akuzuarve për korrupsion nga Prokuroria e Pejës janë dënuar.

Përkundër që natyra e lëndëve që trajton Prokuroria Speciale e Kosovës është më komplekse dhe e vështirë, shihet se shkalla e suksesit të aktakuzave të korrupsionit të ngritura nga PSRK nuk është e kënaqshme.

Analiza shpërfaqë bashkëpunim të zbehtë të Prokurorisë Speciale të Kosovës me institucionet tjera të thirrura për parandalimin dhe luftimin e krimit, siç është Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Inteligjenca Financiare.

Po ashtu, të dhënat pasqyrojnë hezitimin e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës për të nisur hetime me vetiniciativë, ku rezulton se vetëm në 5 raste të hetimit të rasteve të korrupsionit nga Prokuroria Speciale janë nisur me vetiniciativë, ndërsa në të njëjtën periudhë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ishin iniciuar me vetiniciativë 29 raste të korrupsionit.

Nisja e hetimit ex-officio apo sipas detyrës zyrtare tregon gatishmërinë e Prokurorisë për të luftuar krimin përmes ndërmarrjes së veprimeve hetimore me vetiniciativë pa pritur parashtrimin e kallëzimit penal nga institucionet tjera dhe evidenton gatishmërinë për marrjen e rolit udhëheqës për luftimin e kriminalitetit siç edhe përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Statistikat e mbledhura nga databaza e BIRN-it, tregojnë se Prokuroria Speciale nuk e ka përdorur sa duhet armën e saj më të fortë, përdorimin e masave të fshehta për hetime sa më efektive.

Masat e fshehta hetimore janë taktika hetimore përmes së cilave Prokuroria bën mbledhjen e provave me të cilat argumenton se është kryer vepra penale. Të tilla masa janë përgjimi, vëzhgimi i fshehtë, fotografimi, simulimi i veprave penale, incizimi i telefonatave, etj.

Të dhënat e analizuara evidentojnë injorim dhe mos përdorim të urdhëresave për masa të fshehta nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës në rastet e korrupsionit, teksa po ashtu pasqyrohet përdorim tejet i rrallë i kërkesave për caktim të masës së sigurisë për të pandehurit për korrupsion.

E dhënë shqetësuese që del nga analizimi i të dhënave mbetet edhe epilogu i rasteve të korrupsionit të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nga ku rezulton se në periudhën 2016-2020 më shumë ka të liruar sesa të dënuar për vepra penale të natyrës së korrupsionit.

Efikasiteti i Prokurorisë Speciale 

Të dhënat nga Prokuroria e Shtetit tregojnë se në vitin 2021 Prokurori i Shtetit kishte gjithsej 182 prokurorë në të gjitha nivelet, 17 nga të cilët – duke përfshirë edhe kryeprokurorin ishin të caktuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Të dhënat tregojnë se përgjatë pesë viteve 2016-2020 në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë parashtruar gjithsej 458 kallëzime penale, nga të cilat vetëm në vitin 2016 janë parashtruar 169 kallëzime, ndërsa nga parashtruesit prinë Policia e Kosovës që ka parashtruar numrin më të madh të kallëzimeve penale në Prokurorinë Speciale – gjithsej 193 kallëzime.

Të dhënat po ashtu evidentojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2020, në PSRK janë parashtruar vetëm 5 kallëzime penale nga Agjencia Kundër Korrupsion, ndërsa vetëm një rast është parashtruar nga Inteligjenca Financiare, ndërsa nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të parashtruar nga organet e administratës/inspeksionet.

Kjo pashmangshëm evidenton nevojën për një koordinim më të mirë të institucioneve të thirrura për parandalimin e korrupsionit dhe identifikimin e krimeve financiare me Prokurorinë Speciale të Kosovës e thirrur në veçanti për të luftuar këto lloje të krimeve.

Veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti ato me karakter financiar, kërkojnë hetim shumë disiplinor dhe koordinim të përpjekjeve të institucioneve të specializuara për luftimin e këtij lloj krimi. Të dhënat e analizuara nuk evidentojnë një bashkëpunim frytdhënës në mes të organit të specializuar të ndjekjes dhe organeve tjera në drejtim të parashtrimit të kallëzimeve penale.

Bashkëpunimi i institucioneve që kanë qasje në të dhëna financiare, sikurse janë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inteligjenca Financiare, do të rezultonte me hetime shumë cilësore financiare, që përpos se do t`i bënte rastet shumë të mbështetura në prova në gjykatë, do të ndikonte edhe në identifikimin eventual të pasurisë së fituar përmes veprës penale dhe rrjedhimisht rritjes së konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale.

Sipas të dhënave statistikore nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, një e dhënë tjetër që tregon se sa efikase ishte Prokuroria Speciale e Kosovës është edhe trajtimi i kallëzimeve penale dhe në veçanti mënyra e zgjidhjes së rasteve në gjykata të ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Të dhënat tregojnë që Prokuroria Speciale e Kosovës nga viti 2016 deri në vitin 2019, ka zgjidhur më shumë lëndë sipas personave sesa ka pranuar, mirëpo kjo nuk ka mjaftuar që të reduktohet numri i lëndëve të pazgjidhura.

Një e dhënë tjetër përmes së cilës vlerësohet puna e Prokurorisë Speciale të Kosovës është edhe pasqyrimi i epilogut të ankesave të parashtruara ndaj vendimeve të gjykatave  lidhur me rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale.

Të dhënat evidentojnë se nga gjithsej 49 ankesa të parashtruara nga PSRK në vitin 2016,  prej të cilave 22 mbi lartësinë e dënimit, vetëm 2 ankesa janë pranuar, ndërsa 15 janë refuzuar (për pjesën tjetër të ankesave nuk janë ofruar të dhëna).

Të dhënat për vitin 2017, tregojnë se nga 63 ankesa të parashtruara nga PSKR, vetëm 3 janë aprovuar, ndërsa 23 janë refuzuar.

Të dhënat për vitin 2018, tregojnë se nga 33 ankesa të parashtruara nga PSRK, vetëm 7 janë aprovuar, ndërsa 23 janë refuzuar.

Të dhënat për vitin 2019, tregojnë se nga 33 ankesa atë parashtruara nga PSRK, 8 janë aprovuar, ndërsa 13 janë refuzuar.

Të dhënat për vitin 2019, tregojnë se nga 33 ankesa atë parashtruara nga PSRK, 9 janë aprovuar, ndërsa 12 janë refuzuar.

Të dhënat evidentojnë se cilësia e ankesave ndaj vendimeve të gjykatave, duke përfshirë edhe ankesat mbi dënimet nuk ka qenë e kënaqshme për çka edhe janë refuzuar nga gjykatat që kanë vendosur lidhur me këto ankesa.

Një segment tjetër shumë i rëndësishëm që tregon punën e Prokurorisë Speciale është edhe trajtimi i kallëzimeve penale të rasteve të korrupsionit.

Veprat penale korruptive si veprat ndër më komplekse për t`u zbuluar dhe hetuar dhe si veprat që shkaktojnë dëme të shumëllojshme financiare e shtetërore, kërkojnë hetim të shpejtë, të thellë dhe efikas.

Monitorimi i gjykimeve të rasteve të korrupsionit në gjykatat e Kosovës evidenton se për shumë prej rasteve aktakuzat ngritën një kohë të konsiderueshme pas momentit kur pretendohet të jetë kryer vepra penale, e në shumë raste evidentohet që edhe vetë hetimi ka filluar pas kalimit të një kohe të konsiderueshme të kryerjes së veprave penale.

Kjo ka për pasojë hetime të zbehta, pamundëson aplikimin e masave të fshehta të zbulimit dhe vëzhgimit dhe rrjedhimisht rastet e tilla janë të destinuara të mos bindin gjyqtarët që të gjejnë fajtor kryerësit dhe madje  ka raste që përgjatë rrugëtimit të tyre në Prokurori e në Gjykatë  rastet vjetërsohen.

Për të evituar situata të tilla,  kërkohet reagim i shpejtë dhe efikas i Prokurorisë, kërkohet vetiniciativë e prokurorëve e bazuar në Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Kodin e Procedurës Penale.

Të dhënat evidentojnë ngecje kur bëhet fjalë për nisjen e hetimeve me vetiniciativë nga Prokurorët e Shtetit.

Nga gjithsej 12 raste të korrupsionit  të trajtuara nga PSRK në vitin 2016 rezulton se vetëm në një rast është nisur procedura nga vetë prokurori i PSRK-së me vetiniciativë.

Të dhëna afërsisht të ngjashme janë edhe për vitin 2017, ku rezulton se nga gjithsej 4 raste të korrupsionit të trajtuara nga Prokuroria Speciale, asnjë nuk është nisur me vetiniciativë të Prokurorisë Speciale, ndërsa në vitin 2018 nga gjithsej 7 raste asnjë nuk është me vetiniciativë të Prokurorisë Speciale.

Situata duket se është përmirësuar në vitin 2019, ku nga 20 raste të korrupsionit të trajtuara në Prokurorinë Speciale të Kosovës, 4 janë nisur me vetiniciativë.

Mirëpo përsëri në vitin 2020, nga gjithsej 57 raste të korrupsionit të trajtuara në Prokurorinë Speciale të Kosovës, asnjë rast i vetëm nuk është nisur me vetiniciativë.

Të dhënat e përmbledhura evidentojnë se vetëm në 5 nga 100 rastet e korrupsionit të trajtuara në Prokurorinë Speciale në këtë periudhë, rasti është nisur me vetiniciativë të Prokurorit të Shtetit.

Për qëllime të krahasimit të Prokurorisë Speciale me prokuroritë tjera, gjatë vitit 2016 nga të gjitha prokuroritë janë nisur me vetiniciativë 17 raste të korrupsionit, në vitin 2017 – 11 raste, në vitin 2018  – 26 raste, në vitin 2019 – 54 raste, në vitin 2020 – 13 raste.

Pra në total për periudhën kohore 2016-2020, me vetiniciativë Prokuroritë kanë nisur 121 raste të korrupsionit.

Një e dhënë tjetër që pasqyrohet nga të dhënat e hapura dhe që evidenton veprimet e prokurorëve të Prokurorisë Speciale në trajtimin e rasteve të korrupsionit evidenton se nga viti 2016 deri në vitin 2020, në asnjë rast nuk është nxjerrë urdhëresë për masa të fshehta për dallim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që gjatë këtyre viteve ka nxjerrë 43 urdhëresa për masa të fshehta dhe Prokuroria e Gjilanit që ka nxjerrë 3 urdhëresa për masa të fshehta,  ndërsa po gjatë kësaj periudhe, në vetëm një rast është parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit, ku edhe është pranuar kërkesa.

Paraburgimi, arresti shtëpiak dhe masat e tjera të cilat u caktohen të dyshuarve për të mos iu shmangur drejtësisë dhe për të mos asgjësuar provat apo ndikuar në dëshmitarë, del se po përdoren mjaftë rrallë.

Tregues shumë i rëndësishëm i efikasitetit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe cilësisë së punës së tyre është edhe forma e zgjidhjes së rasteve të ngritura nga PSRK në Gjykatë.

Të dhënat nga institucionet evidentojnë se në vitin 2016 gjykata ka nxjerrë aktgjykim dënues ndaj 3 personave ndaj të cilëve ishin ngritur aktet akuzuese, në vitin 2017, aktakuza ishte hudhur ndaj 3 personave para fillimit të shqyrtimit kryesor; në vitin 2018 Gjykata ka vendosur ndaj 23 personave të akuzuar për korrupsion, nga të cilët 13 janë shpallur fajtor, 5 janë liruar ndërsa ndaj 4 personave është refuzuar aktakuza; Në vitin 2019 nuk ka të dhëna, ndërsa në vitin 2020, 11 persona ishin akuzuar për vepra korruptive nga PSRK dhe të gjithë ishin liruar. (Databaza 2e)

Lidhur me rastet e korrupsionit të trajtuara nga PSRK, efikasiteti rezulton të jetë i ulët në krahasim me Prokuroritë tjera, për më tepër rezulton se me përjashtim të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka shkallën më të ulët të efikasitetit në trajtimin e kallëzimeve penale të korrupsionit në raport më të gjitha lëndët që janë në punë nga viti 2016 deri në vitin 2020, ndërsa po në këtë periudhë në të gjitha vitet mesatarja e trajtimit të kallëzimeve penale të korrupsionit në punë e PSRK-së ishte më e vogël se e Prokurorive tjera.

Kështu, në vitin 2016, PSRK kishte efikasitet 35 % ndërsa mesatarja e efikasitetit të të gjitha prokurorive ishte 51 %.

Në vitin 2017, PSRK 41%,  mesatarja 51%

Në vitin 2018 PSRK 35%,  mesatarja 59%

Në vitin 2019 PSRK 28%,  mesatarja 60%

Në vitin 2020 PSRK 47%, mesatarja 51%

Prokuroria Speciale e Kosovës nga vitit 2016 deri në fund të vitit 2020 ka ngritur gjithsej 846 aktakuza, ndërsa numri i hetimeve të papërfunduara është ngritur nga 434 në fund të vitit 2016, në 688 në fund të vitit 2020.

Po ashtu, nga viti 2016 deri në fund të vitit 2020 PSRK ka parashtruar gjithsej 151 kërkesa për paraburgim ndërsa janë aprovuar 143, apo 95% të kërkesave.

Po ashtu, sa i përket efikasitetit të trajtimit të kallëzimeve penale PSRK mbetet prapa të gjitha prokurorive krahasuar me Departamentin e Krimeve të Rënda të të gjitha prokurorive në Kosovë.

2016 – PSRK – 33 % DRK  61%

2017 – PSRK – 31%  DKR 62%

2018 – PSRK – 11 % DKR  61%

2019 – PSRK – 14 % DKR   67 %

2020 – PSRK – 17% DKR 63 %

Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës

Duke synuar rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e cilësisë në trajtimin e rasteve që bien në kompetencë  të Prokurorisë Speciale të Kosovës u ndryshua Ligji për Gjykata me të cilin ndryshim u mundësua themelimi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ky Departament i Specializuar u krijua në fillim të vitit 2019, ndërsa organizimi dhe funksionalizimi i tij u detajua me Rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nr. 03/2019 të datës 23 prill 2019.

Funksionalizimi i Departamentit u konkretizua në muajin korrik 2019 pas përzgjedhjes së 6 gjyqtarëve dhe transferimit të 3 zyrtarëve ligjor nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në fillim të vitit 2021 në Departamentin Special u angazhuan edhe gjashtë gjyqtarë të tjerë, ndërsa  gjithashtu u shtuan edhe 6 zyrtarë ligjor.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN në Këshillin Gjyqësor të Kosovës rezulton se nga funksionalizimi i Departamentit Special në korrik të vitit 2019 e deri në fund të muajit shkurt 2022, në këtë Departament janë pranuar gjithsej 234 lëndë – duke mos i përfshirë lëndët e procedurës paraprake, ekstradimit dhe ndihmës juridike ndërkombëtare.

Nga këto lëndë të pranuara gjatë kësaj periudhe, Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka arritur të zgjidhë 137 lëndë, apo 58% të lëndëve të pranuara.

Nëse Departamenti Special i Gjykatës Themelore vazhdon zgjidhjen e lëndëve  me këtë trend dhe po ashtu pranon lëndë sa ka pranuar deri më tani që nga funksionalizimi,  i bie që mesatarisht për çdo vit do të shtohen nga 32 lëndë të pazgjidhura.

Departamenti Special vitin 2021 e ka filluar me 66 lëndë të trashëguara nga viti 2020, gjatë vitit 2021 janë pranuar 72 lëndë të reja, ndërsa janë zgjidhur vetëm 37 lëndë e që i bie se efikasiteti i departamentit në raport me lëndët e pranuara për vitin 2021 ishte 51 %, ndërsa në të njëjtin vit, Departamenti i Krimeve të Rënda kishte efikasitet prej 87,83%.

Për më tepër, nëse shikohet efikasiteti i Departamentit Special në raport me të gjitha lëndët në punë, i bie që nga gjithsej 138 lëndë të trashëguara dhe të pranuara, janë zgjidhur vetëm 37 apo 27 % e lëndëve.

Pra, Departamenti Special vitin 2021 e ka nisur me 66 lëndë dhe e ka përmbyllur me 101  lëndë të pazgjidhura, dhe nëse vazhdon ky trend i pranimit të lëndëve dhe efikasitetit të zgjidhjes, lëndët e pazgjidhura do të rriten edhe për së paku 50%.

Të dhënat nga raporti vjetor statistikor për vitin 2021  evidentojnë se Departamenti Special i Gjykatës Themelore e ka nisur vitin me 66 lëndë të trashëguara, ka pranuar gjithsej 72 lëndë të reja, ka zgjidhur 37 lëndë, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura edhe 101 lëndë.

Kjo i bie që efikasiteti i këtij Departamenti ishte 51%, ndërsa numri i lëndëve të vjetra ishte 24 lëndë që kur llogaritet për numrin e gjyqtarëve 12, i bie që mesatarja e gjyqtarëve në zgjidhjen e lëndëve ishte 0.26 %.

Mesatarja e krimeve të rënda të gjykatave themelore të Kosovës ishte 4.99% ndërsa e departamentit të përgjithshëm ishte 18.72.

Sipas raportit vjetor statistikor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2020 mosha mesatare e lëndëve në punë ishte 956 ditë – kohëzgjatja mesatare 178 ditë.

Që nga funksionalizimi i Departamentit Special e deri në fund të shkurtit 2022,  janë zgjidhur edhe 6 raste të pastrimit të parasë dhe 5 raste të krimeve të luftës.

Një kategori tjetër e veprave me të cilat është ngarkuar ky Departament, janë edhe rastet e terrorizmit, nga ku rezulton se në periudhën korrik 2019 – shkurt 2022 janë zgjidhur gjithsej 43 raste të terrorizmit.

Përpos rasteve të zgjidhura,  si rezultat i vendimeve të Departamentit Special në shkallë të parë apo të dytë, gjatë periudhës korrik 2019 – shkurt 2022 janë konfiskuar mbi 2 milionë euro mjete financiare.

Departamenti Special i Apelit

Sikurse Departamenti Special i Gjykatës Themelore, edhe shkalla e dytë e këtij Departamenti në Gjykatën e Apelit u funksionalizua në korrik të vitit 2019.

Fillimisht, Departamenti Special i Apelit e filloi punën me 3 gjyqtarë, ndërsa në janar të vitit 2021 ju shtuan edhe 3 gjyqtarë të tjerë nga të cilët 1 gjyqtar i komunitetit serb.

Pjesë e këtij Departamenti janë edhe gjyqtarët e lëmisë penale të  Divizionit të Mitrovicës, çka në total e dërgon në 8 numrin e gjyqtarëve të Departamentit Special të Apelit.

Që nga funksionalizimi i Departamentit Special të Apelit, ky Departament nuk është mbingarkuar me lëndë, çfarë ka sjellë situatën në të cilën gjyqtarët e ngarkuar në Departamentin Special kanë zgjidhur edhe lëndë të Departamentit të Krimeve të Rënda krahas atyre të Departamentit Special.

Gjatë vitit 2019 janë pranuar gjithsej 17 lëndë prej tyre janë kryer 7 lëndë, ndërsa kanë mbetur edhe  10 lëndë të pazgjidhura, shprehur në përqindje efikasiteti i Departamentit është 41,2 %.

Gjatë vitit 2020 janë pranuar gjithsej 43 lëndë ndërsa janë kryer 48 lëndë, dhe kanë mbetur 5 lëndë të pazgjidhura, shprehur në përqindje efikasiteti i Departamentit është 111,6 %.

Gjatë vitit 2021 janë pranuar gjithsej 36 lëndë ndërsa janë kryer 36 lëndë, teksa në fund të vitit  kanë mbetur 5 lëndë të pazgjidhura, shprehur në përqindje efikasiteti i Departamentit është100 %.

Historiku i Prokurorisë Speciale 

Natyra komplekse e disa veprave penale, si korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi e krimet e luftës kërkojnë hetime të  avancuara e po ashtu kërkojnë që gjyqtarët që i gjykojnë rastet lidhur me këto vepra të kenë njohuri të thelluara dhe të specializuara.

Për t’i dhënë përgjigje këtyre  krimeve më komplekse në Republikën e Kosovës fillimisht në vitin 2008 u themelua  Prokuroria Speciale e Kosovës si organ i ndjekjes, ndërsa në vitin 2019  u themelua edhe Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’i gjykuara rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kompetencë që të ngris aktakuza në Gjykatat Themelore, përfshirë këtu Departamentin Special, për veprat penale që ka kompetencë sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës ka katër departamente:

  •         Departamenti për Krime Lufte
  •         Departamenti për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK.
  •         Departamenti për Terrorizëm.
  •         Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar

Të dhënat e përdorura në këtë analizë kanë si burim të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, ku pasqyrohet efikasiteti dhe efektiviteti i Prokurorisë Speciale të Kosovës që nga viti 2016 e këtej e po ashtu pasqyrohet edhe puna e Departamentit Special nga themelimi e këtej.

Përmes të dhënave të hapura është pasqyruar  efikasitetit i Prokurorisë Speciale në trajtimin e rasteve duke filluar nga fazat më të hershme,  parashtrimi të kallëzimeve penale e deri tek trajtimi i tyre në gjykatë e po ashtu është pasqyruar  edhe numri i rasteve ku janë parashtruar ankesa ndaj vendimeve të gjykatave dhe epilogu i këtyre ankesave.

Po ashtu është pasqyruar efikasiteti i Departamentit Special që nga themelimi dhe funksionalizimi e deri më tani ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar  edhe strukturës, numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtyre dy trupave speciale të drejtësisë.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.