Ilustrim
Trendi i rritjes së çmimit për ‘arin e zi’
Shtrenjtimi i derivateve, sa vjen e rritet. Të dhënat e ofruara nga Dogana e Kosovës për KALLXO.com, tregojnë se çmimet kanë shënuar një rritje të shpejtë.
Në muajin e parë të këtij viti, çmimi për një ton naftë apo ndryshe siç njihet edhe si ‘dizel’, sillej rreth 620 deri 695 dollarë për ton, ndërsa një ton benzinë sillej në mes 685 deri 710 dollarë.
Me fillimin e muajit shkurt, çmimi për një ton naftë sillej në mes 741 deri 840 dollarë, ndërsa për benzinë kushtonte 912 dollarë për ton.
Shpërthimi i luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës, i dha edhe një shtytje rritjes së çmimit të ‘arit të zi’.
Të dhënat e fundit tregojnë se tashmë një ton naftë kushton në mes 860 deri 920 dollarë ndërsa për benzinë çmimi sillet në mes 900 deri 930 dollarë.
Qeveria nuk ju lejon naftëtarët më shumë se 6% fitim
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në vend, Qeveria e Kosovës vendosi të përcaktohen çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Masat e vendosura nga Qeveria ishin:
1.1. Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes;
1.2. Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.
Përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.
Gjithashtu vendimi e obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi, doli i pari i naftëtarëve në vend, Fadil Berjani. Në një konferencë për media, ai kishte deklaruar se nuk është ishte infomuar lidhur me këtë vendim.
Berjani shtoi se e kundërshtojnë këtë vendim, pasi sipas tij, pikat e karburantit nuk mund të mbijetojnë.
“Unë po çuditem se si është e mundur që kryeministri të bindet që me 6 për qind të mundet një pikë karburanti të mbijetoj. Importi është me 4 për qind, unë si kryetar i shoqatës e kundërshtoj këtë vendim, ky vendim është shqetësues, i dëmton bizneset dhe i falimenton”, tha ai.
Ndërsa thotë se presin të gjejnë një gjuhë të përbashkët me Qeverinë.
Naftëtarët paralajmëruan rritjen e çmimit
Momentalisht, çmimi i naftës në Kosovë sillet nga nga 1.54 deri në 1.58 euro, mirëpo nga Shoqata e Naftëtarëve kanë paralajmëruar se çmimi i naftës mund të shkojë deri në 1.60 euro.
Lufta në mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë.
Këtë e ka thënë për KALLXO.com, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, duke shtuar se rritja e çmimit të derivateve e ka prekur edhe Kosovën.
Berjani kishte thënë se vetëm më 24 shkurt ka pasur rritje 60 dollarë për ton.
“Lufta në Ukrainë ka ndikuar që të ketë rritje enorme, janë çmimet më të larta në 20 vitet e fundit. Kjo ka ndodhur në tërë botën dhe po reflekton dhe te ne. Kjo situatë ka qenë edhe kur ka qenë edhe në luftën në Irak”, tha ai.
Berjani tha se çmimi i derivateve mund të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër.
“Sipas situatës dhe trendit në tërë botën çmimi më i lartë mundet me shku deri në 1 euro e 60 centë”, theksoi ai.