Tregu i Zi Bëhet Transparent

Rreth 130 milionë euro mendohet se qarkullojnë brenda vitit në Kosovë, pa u evidentuar në sistemin tatimor dhe pensional të vendit.  

Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar më 21 shtator pas regjistrimit të popullsisë në prill të vitit të kaluar, 280,454 qytetarë janë deklaruar se janë të punësuar (shih raportin)

Në bazë të ligjit për fondet pensionale dhe ligjit për tatimin në të ardhura personale, të gjithë këta të punësuar duhet të paguajnë pension dhe tatim në të ardhura.

Por në Fondin Pensional të Kosovës thonë se kontribuues të pensioneve janë vetëm 251,510 persona.

Shifër gati të njëjtë me fondin pensional ka paraqitur edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). 

Diferenca ndërmjet të deklaruarve të punësuar në ASK dhe atyre që paguajnë pensione dhe tatime është 28,944 veta.  

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga institucionet përkatëse financiare të japin një shifër të përafërt se sa mund të jetë shuma e parave që këta rreth 30 mijë të punësuar fitojnë brenda vitit, para të cilat nuk evidentohen askund. 

Por këtë nuk pranuan ta bëjnë as zyrtarët e Fondit Pensional, të Administratës Tatimore të Kosovës apo Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ngase, sipas tyre, pagat nuk mund të jenë të njëjta për të gjithë. 

Duke marrë për bazë pagën mesatare në Kosovë prej 368 euro të përcaktuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë një përllogaritje. Nëse 30 mijë persona marrin 368 euro në muaj, del se në vit ata mund të fitojnë rreth 130 milionë euro. 

Nga kjo shumë, humbës dalin të jenë administrata tatimore dhe fondi pensional në një shumë totale prej 20 milionë euro.

Nga këto 130,000 milionë që konsiderohet që qarkullojnë në të zezë ose si paga që jepen në dorë pa paguar tatim, rreth 6 milionë euro nuk derdhen fare në formë tatimi në buxhetin e shtetit. 

Ndërsa fondi pensional humb rreth 14 milionë euro, pasi që pagat nuk paguhen në mënyrë të rregullt përmes bankës. 

Inspektorati i punës nuk konsideron të dhënat e ASK-së

Në bazë të ligjit të punës, të gjithë punëdhënësit janë të obliguar që të lidhin kontratë me punëtorë. 

Inspektorati i Punës që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është i obliguar që të kujdeset për respektimin e ligjit të punës dhe shqipton masa ndëshkuese. Një trupë ekzekutive e tij po ashtu ka kompetencë kontrollimin dhe verifikimin e personave që punojnë në të zezë.

Sipas kryeinspektorit të punës, Basri Ibrahimit, nuk janë të shumtë ata që punojnë pa kontrata të punës.

Nga rreth 250 mijë të punësuar në Kosovë, 50 inspektorë të Inspektoratit të Punës kanë kontrolluar vetëm 53 mijë persona nëse ata punojnë në bazë të kontratës.

“Nga 53 mijë persona që kemi kontrolluar, rreth tre mijë kanë rezultuar se punojnë pa dokumente. Kjo nuk është shifër e lartë”, thotë kryeinspektori i punës Basri Ibrahimi.

Gjatë punës së tij, inspektorati nuk bazohet në të dhënat e Agjencisë së Statistikave por në ato të Ministrisë së Punës.

Pavarësisht të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që shpërfaqin një dallim prej rreth 30 mijë personash e që potencialisht mund të punojnë në të zezë, kryeinspektori thotë se të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë më të saktat. 

Fondi: Nuk mund të dimë vlerën monetare 

Fondi pensional thotë se nuk mund të llogaris në vlerë monetare se sa humbje i shkaktojnë rreth 30 mijë personat që dyshohet se punojnë pa dokumente.

Jeton Demi, zyrtar për marrëdhënie me media në Fondin Pensional të Kosovës, thotë se diferenca e numrit të punësuarve sipas regjistrimit të popullsisë dhe numrit të kontribuuesve aktivë në fondin pensional më 2011, i bie të jetë rreth 11.5 për qind më pak kontribues.

“Në vlerë monetare kjo nuk mund të llogaritet për shkak se nuk mund të supozojmë në asnjë mënyrë se sa mund të jetë paga e atyre kontribuuesve për të cilët nuk janë paguar kursimet pensionale të detyrueshme”, thotë Demi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Zyra e Ekzekutive e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) thotë ndërkohë se 250,305 persona janë të punësuar në vend.

“Të dhënat që fondi pensional ka paraqitur janë të dhëna të sakta mbi numrin e të punësuarave (punëtor + të vetëpunësuar), ndërsa nëse komentojmë të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë, atëherë mund edhe të themi se ne jemi të vetëdijshëm që ekzistojnë punëtorë të pa regjistruar, por në të gjitha këto raste ATK merr masa për regjistrimin e tyre dhe aplikon edhe sanksione”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për gazetën. 

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës thonë se ata nuk kanë mandat të flasin për përputhje ose mospërputhje të të dhënave dhe se informatat e tyre nuk janë sekrete. 

Hazbije Qeriqi, përgjegjëse për Komunikim dhe Informim nga Zyra për Regjistrim të Popullsisë në ASK, tha se “ASK jep vetëm të dhëna/fakte zyrtare statistikore”.  

“Në këtë Regjistrim janë marrë të dhënat nga vetë qytetarët e Kosovës. Pra, ky është  deklarim i vetë qytetarëve të Kosovës”, thotë Qeriqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Si të tilla, këto të dhëna janë konfidenciale dhe nuk mund të ndahen me institucione të tjera.

“Sipas Ligjit mbi Statistikat Zyrtare dhe Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë Ekonomive Familjare dhe Banesave, disa të dhëna statistikore janë konfidenciale dhe nuk u jepen asnjë institucioni tjetër”, thotë Qeriqi.

E pyetur nëse Administrata Tatimore e Kosovës mund të kërkojë të dhënat e këtyre 280,454 personave të vetë-deklaruar si të punësuar për të bërë ndonjë hetim të mundshëm për shmangie nga tatimi, Hazbije Qeriqi nga ASK-ja e mohon në mënyrë të prerë këtë mundësi. “Jo. Kjo është  e përcaktuar me Ligj”.

Institucioneve nuk u përputhen të dhënat 

Dy institucionet e thirrura edhe për të evidentuar numrin e të papunëve në Kosovë, agjencia e statistikave dhe ministria e punës, kanë paraqitur prapë shifra të ndryshme.

Sipas Ministrisë së Punës janë 265,215 persona të paraqitur si punëkërkues, ndërsa ASK thotë se 508,100 janë të aftë për punë. 

Në anën tjetër, nga moskordinimi i institucioneve sa i përket këtyre shifrave del se përfitojnë rreth 1300 persona. 

foto  
Foto: Korab Basha  

Bazuar në të dhënat e siguruara nga MPMS, 1300 persona marrin ndihmë sociale në mënyrë të kundërligjshme, pasi që të njëjtit kanë paguar tatim në të ardhura, që do të thotë se kanë qenë në marrëdhënie pune.

Musa Demiri, drejtor i Zyrës për Komunikim Publik në MPMS, thotë se gjatë këtij viti, nga të dhënat që ka marrë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë evidentuar rreth 1,300 raste të shfrytëzuesve të ndihmave sociale, të cilët kanë paguar tatim mbi të ardhurat, ose që do të thotë se janë duke marrë ndihmë sociale në mënyrë të kundërligjshme.

“Konform kësaj vazhdimisht punohet në pastrimin e listave të shfrytëzuesve të ndihmave sociale”, thotë Demiri për Gazetën Jeta në Kosovë, pa dashur të përgjigjet nëse MPMS ka ndërmend të kërkojë të dhënat personale në ASK të rreth 30 mijë personave që mendohet se punojnë në të zezë.

Ekzistimin e punëtorëve që marrin pagë në të zezë e pranojnë zyrtarët e ATK-së, duke shpjeguar se marrin masa dhe aplikojnë sanksione në përpjekje për të zvogëluar numrin e pagave joformale. 

“ATK merr masa për regjistrimin e tyre dhe aplikon sanksione. Bazuar në Planin për Trajtimin e Rreziqeve për vitin 2012,  mosregjistrimi i punëtoreve nga punëdhënësi është duke u trajtuar me prioritet dhe do të vazhdojë të trajtohet edhe gjatë vitit 2013”, thonë në ATK.