Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN

Tregtia e paligjshme me bombolat e gazit shkakton tragjedi në Shqipëri

Çfarë tregon tragjedia e katërfishtë e familjes Gjoka në Velipojë për sigurinë e tregut të gazit në Shqipëri dhe një zinxhir pandëshkueshmërie, që stimulon shkelje të reja ligjore dhe aksidente me pasoja fatale.

Alketa Gjoka u zgjua herët mëngjesin e së dielës më 4 korrik 2021, me planin që të bënte gati për pushuesit hotelin e vogël të familjes, që ndodhet buzë detit Adriatik në Velipojë.

Rreth orës 6.45, ajo vendosi xhezven e kafesë mbi një bombul gazi kampingu, por dhoma shpërtheu në flakë me shkëndijën e parë.

Kur flakët u shuan dhe tymi u shpërnda, familjen Gjoka e pllakosi një tragjedi e rëndë.

Alketa, 40 vjeç dhe tre fëmijët e saj, Danjela 19 vjeç, Klarisa 15 vjeç dhe Enriko 12 vjeç u nxorrën të plagosur nga hoteli, por humbën jetën njëri pas tjetrit në një spital në Itali, ku ishin dërguar për kurim të specializuar.

Katër muaj pas tragjedisë, Gjergj Nikaj –babai i Alketës, pret i brengosur që ta mësojë të vërtetën nga hetimet.

“Ka shpërthy sapo vajza e ka ndezur sobën për të pjekur kafe,” tha ai për BIRN. “Për ngjarjen nuk mund t’i drejtoj gishtin askujt..,” shtoi ai.

Hetimet paraprake të policisë dhe një raport i Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial, ISHTI, fajësuan rrjedhjen e gazit të lëngshëm nga njëra prej bombulave si shkakun e tragjedisë.

Të dy institucionet e drejtuan gjithashtu gishtin ndaj stacionit lokal që i kishte shitur gazin familjes Gjoka dhe që një ditë pas shpërthimit, u bllokua nga ISHTI për kryerjen e aktivitetit pa licensë dhe dokumentacion. Procesverbali i inspektimit tregon gjithashtu se pajisjet nuk ‘plotësonin kushtet thelbësore të sigurisë”.

Biznesi i vogël me objekt rimbushjen dhe riparimin e bombulave të gazit në Velipojë ishte në pronësi të Petrit Mllojës dhe kishte një rekord problematik me ISHTI – inspektoriatin përgjegjës për kontrollin e enëve me presion.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se para tragjedisë në Velipojë, biznesi i familjes Mlloja ishte inspektuar katër herë, ishte gjobitur në mënyrë të përsëritur për shkelje të kushteve të sigurisë si dhe ishte proceduar nga Prokuroria për tregti të palicensuar karburantesh.

Mlloja nuk i pagoi asnjëherë gjobat – e megjithatë ai u lejua që të vazhdonte tregtinë e gazit.

Tragjedia e katërfishtë në familjen Gjoka është aksidenti më i rëndë i shkaktuar këtë vit nga bombulat e gazit, por jo i vetmi.

BIRN numëroi nga komunikatat ditore të policisë 19 aksidente të rënda gjatë vitit 2021, të cilat shkaktuan pesë viktima, shtatë të plagosur dhe disa shtëpi dhe biznese të rrënuara në qytete të ndryshme të vendit.

Për ekspertët e fushës, aksidentet janë shpesh shembujt fatalë të pasigurisë që mbizotëron në tregun e gazit të lëngshëm në Shqipëri. Arsyet sipas tyre gjenden te mungesa e seriozitetit të masave të ndërmarra si dhe te neglizhenca e rreziqeve, si nga konsumatorët ashtu edhe nga organet kontrolluese.

“Nëse shteti do të funksiononte, incentiva për të mos e shkelur ligjin do ishte aq e madhe saqë kjo nuk do ndodhte,” tha Zhani Shapo, ortak i kompanisë ALCERT, e cila kryen ndër të tjera edhe inspektime apo certifikime të enëve nën presion.

Meriljan Kurtaj, kreu i Drejtorisë së Inspektimit të Pajisjeve nën Presion në ISHTI, i tha BIRN se e kishte ndjekur personalisht rastin e Mllojës në Velipojë, pasi kishte parë ‘kushtet në të cilat ai punonte’.

I pyetur se pse ishte lejuar ai që të punonte, Kurtaj u përgjigj se “për mbylljen duhet të ndërhyjnë institucione të tjera”.

Avokati i Mllojës, Niazi Sinani e mohoi kategorikisht lidhjen e klientit të tij me aksidentin e 4 korrikut në Velipojë. Sinani pretendoi gjithashtu se kur u bllokua nga ISHTI më 5 korrik, Mlloja nuk e kishte hapur aktivitetin, por po e përgatiste atë për sezonin turistik.

“Ne luajmë bixhoz”

Një qytetar duke mbushur një bombol me gaz në një karburant në Fushë-Krujë. Foto ilustruese: Vladimir Karaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, dy burimet kryesore të ngrohjes së familjeve shqiptare janë druri dhe energjia elektrike. Gazi i lëngshëm, i cili tregtohet kryesisht përmes bombulave, edhe pse më i lirë në çmim, përdoret nga vetëm 10,2 për qind të familjeve në Shqipëri.

Ekspertët besojnë se arsyet kryesore të përdorimit të ulët të gazit nga familjet shqiptare janë mungesa e sigurisë dhe aksidentet e shumta –shpeshherë me pasoja fatale.

“Incidentet me bombulat e gazit janë shtuar shumë gjatë kohëve të fundit,” tha specialisti i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Lezhë, Agustin Pepkolaj.

Legjislacioni shqiptar dhe rregulloret e sigurisë së Gazit të Lëngëzuar Natyror, GLN, kërkojnë që çdo bombul të jetë e kolauduar nga kompania që e tregton, e pajisur me certifikatë dhe e regjistruar tek ISHTI.

Ligji kërkon gjithashtu që vendosja e bombulave dhe lidhja e tyre me sistemin e gatimit apo të ngrohjes duhet të bëhet nga një specialist i kualifikuar i kompanisë tregtuese, ndërsa gazi duhet të jetë i aromatizuar, në mënyrë që në rast rrjedhje të mund të ndjehet.

Megjithatë, në terren qarkullojnë një numër i panjohur bombulash të vjetra dhe të pacertifikuara.

Kurtaj nga Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve nën Presion tha për BIRN se 90 për qind e aksidenteve ndodhin te përdoruesi fundor familjar dhe se në të gjitha rastet “janë gabime teknike gjatë instalimit ose nga pakujdesia e tyre”.

Kurtaj u ankua gjithashtu se konsumatorët familjarë i neglizhojnë kushtet e sigurisë dhe përdorin bombula shumëvjeçare, që janë të pacertifikuara, të pakolauduara dhe që janë instaluar prej vetë atyre.

“Ndonjëherë përdorin tuba që janë blerë para dhjetë vitesh,” tha ai, duke shpjeguar se sistemi që lidh bombulën me sobën është ai që sjell edhe aksidentet më të shpeshta.

Ndryshe nga Kurtaj, Anila Jani – një eksperte e legjislacionit për sigurinë e pajisjeve dhe aktualisht aksionere në kompaninë e inspektimeve, ALCERT thotë se përgjegjësia për sigurinë e bombulave bie mbi kompanitë tregtuese të gazit.

Ajo shpjegon se pikat e karburanteve apo shitësit me pakicë kanë detyrimin që t’i kontrollojnë bombulat që marrin bosh nga familjarët dhe konsumatori “presupozohet se merr pas një bombul të kontrolluar”.

Por në realitet, rregullat funksionojnë ndryshe.

“Ne luajmë bixhoz këtu, na kapi, s’na kapi,” tha Jani për BIRN duke iu referuar tregut të gazit.

“Ku e di babai im 70 vjeç legjislacionin, duhet t’i thotë ai atje [te karburanti] zotëri lëre bombulën këtu dhe merr këtë plot që është e kontrolluar,” shtoi ajo.

Kurtaj e pranoi fenomenin, por tha se ISHTI i kishte duart e lidhura në këtë pikë. Sipas tij, procedura e inspektimit kërkonte që subjekti të lajmërohej paraprakisht.

“Nuk ka kontrolle suprizë, pasi duhet ta lajmëroj tre ditë përpara dhe ai ka kohë që edhe nëse ka bombula të pakontrolluara, t’i fshehë e më pas t’i kthejë sërish në qarkullim,” tha ai.

‘E kishte hapur përsëri”

Një dyqan i tregtisë së gazit në Tiranë. Foto ilustruese: Nensi Bogdani.

Vetëm tre ditë pas aksidentit me pasoja fatale për familjen Gjoka dhe dy ditë pas bllokimit të aktivitetit nga ISHTI, Petrit Mlloja u gjet sërish me biznes të hapur dhe u arrestua më pas nga policia.

Kurtaj kujtoi për BIRN se ishte sinjalizuar personalisht për këtë fakt dhe ishte ai që kishte njoftuar policinë.

“Pasi e bllokuam më 5 korrik, mua më njoftuan që e kishte hapur përsëri. Mora inspektorin që kemi atje dhe njoftova policinë që plumbçet ishin thyer,” tha Kurtaj.

“Ne njoftuam bashkinë e Shkodrës që ta prishte si biznes, por na thanë që nuk ishte kompetencë e tyre,” shtoi ai.

Në njoftimin e datës 7 korrik, Policia e Shkodrës e lidhi arrestimin e Mllojës edhe me hetimet për tragjedinë në familjen Gjoka.

“U konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin nga shtetasi P. M., të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga ISHTI,” tha policia në një njoftim paraprak.

Prokuroria e Shkodrës e akuzoi Mllojën për ‘shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse’, por çështja u sfumua më pas në gjykatë.

Thuajse një muaj pas arrestimit, Gjykata e Apelit të Shkodrës vendosi lirimin nga qelia të Mllojës dhe lënien e tij në ‘arrest shtëpiak’. Ndërsa më 19 tetor, Gjykata e Shkodrës vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” për Mllojën, ndonëse prokurorja Blerta Hamza i kujtoi gjykatës se ai po hetohej edhe për ngjarjen e rëndë me 4 viktima.

“Aktualisht jemi në hetim e sipër, jemi duke bashkëpunuar dhe me shtetin Italian pasi janë 4 viktima,” citohet Hamza në vendim.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, avokati i Mllojës Niazi Sinani mohoi që arrestimi i klientit të tij të kishte lidhje me ngjarjen në Velipojë.

“Në asnjë moment, as ai vetë e as organi kompetent nuk e ka lidhur arrestimin me ngjarjen në Velipojë,” tha ai për BIRN.

Sinani kundërshtoi gjithashtu inspektimet nga ISHTI, ndërsa pretendoi se klienti i tij nuk e kishte filluar tregtitë, por ishte “vetëm në fazën e përgatitjes dhe sistemimit” për sezonin veror.

“Një grup i ISHTI-t dhe një inspektor i saj ka shkruar një procesverbal, ku shkruhet se klienti im ‘mund të shiste’ bombula gazi. ‘Mund’ dhe jo po shiste apo ka shitur më përpara,” thotë avokati në përgjigjen me shkrim, duke e theksuar përmes thonjëzave fjalën ‘mund’.

Kjo nuk është përballja e parë e Mllojës me drejtësinë.

Pasi nisi tregtinë e gazit në vitin 2016, fillimisht në emër të bashkëshortes dhe më pas në emrin e tij, Mlloja u inspektua disa herë nga ISHTI dhe akumuloi gjoba të papaguara në vlerën e 3 milionë lekëve.

Për këtë arsye, biznesi i tij u vendos nën sekuestro preventive në janar 2020.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Shkodrës së datës 26 tetor 2020, Mlloja u akuzua se përveç gazit, kishte tregtuar gjithashtu edhe karburante, pa e regjistruar këtë aktivitet në QKB dhe pa licensë.

Dyshimi për tregtim të kundraligjshëm të naftës u evidentua në korrik 2019 nga inspektorët e Tatimeve, çka solli regjistrimin e një procedimi penal ndaj Mllojës për akuzat e “fshehjes së të ardhurave” dhe “ushtrimi i aktivitetit tregtar i paregjistruar në organet tatimore”.

Çështja mbërriti deri në dyert e gjykatës, por më 26 tetor 2020, Prokuroria u tërhoq nga kërkesa për dënimin e tregtarit dhe i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes, me argumentin se ndaj Mllojës nuk kishte pasur më herët masa administrative për “fshehje të ardhurash”. Gjykata pranoi arsyetimin dhe e pushoi çështjen.

E pyetur nga BIRN për tërheqjen e akuzës, prokurorja që hetoi Mllojën, Edlira Cufi tha se ‘nuk e kujtonte çështjen’.

Gjobat pezull

Historia e Mllojës me gjobat e papaguara nuk është një rast i izoluar.

Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN siguroi nga ISHTI se gjatë pesë viteve të fundit ishin kryer mijëra inspektime dhe ishin vendosur 202 gjoba për shkelje nga më të ndryshmet nga subjektet e tregtisë së gazit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre u ekzekutuan.

Në total, ISHTI vendosi gjoba me vlerë 41.5 milionë lekë, por vetëm 13 milionë lekë ose 31 për qind e tyre arritën të vileshin në pesë vjet.

Sipas Zhani Shapos, procesi i pandëshkueshmërisë e stimulon tregtinë e paligjshme të gazit përmes rimbushjes së bombulave të paregjistruara.

“Logjikisht, karburanti ka shumë për të humbur dhe nëse funksion ligji nuk do kishte incentivë për të rimbushur bombula,” tha Shapo.

Sipas tij, gazi që shitet për familjarë është pjesë shumë e vogël e fitimeve të pikave të karburantit dhe nëse masat do ishin serioze, ato nuk do kishin leverdi të vijonin me procesin.

Ai shtoi gjithashtu se mosvjelja e gjobave është problem i legjislacionit që u kërkon institucioneve t’i çojnë ato për ekzekutim përmes gjykatave, duke i futur në ngërç inspektoriatet e ngjashme me ISHTI.

Kreu i Drejtorisë së Inspektimit të Pajisjeve nën Presion, Kurtaj ankohet gjithashtu për procedurën si dhe për faktin që gjobat e tyre nuk janë titull ekzekutiv. Sipas tij, kjo u lë shteg subjekteve që të ankohen në procese të gjata gjyqësore apo të gjejnë forma alternative për shmangien e gjobave.

“Nëse do të paguheshin gjobat, automatikisht do mbylleshin ato [subjektet], por ato u shmangen gjobave me padi në gjykatë apo edhe forma të tjera, që e mbyllin si biznes, i ndryshojnë emër,” tha Kurtaj për BIRN.

“Bizneset e kanë mësuar këtë. Të gjithë e dinë që me një ankim në gjykatë gjoba mbetet pezull,” përfundoi ai.