Tre Vjet për Ish-Gjykatësin

Paneli gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX’it dhe një gjykatës vendor, dënuarn ish gjykatësin Ukë Muqaj me tre vite burgim për veprat penale “Marrje rryshfeti” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Aktakuza e ngarkon Ukë Muqajn për atë se në vitin 2006, në Pejë, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, ka marrë nga i akuzuari Viktor Zefi, 12.000 euro, e të cilat ky i fundit i kishte marrë më parë nga e dëmtuara F. N., me qëllim që gjyqtari të ndërpres masën e paraburgimit për tre të pandehurit, ndaj të cilëve në atë kohë zhvillohej procedurë penale.

Ish gjykatësit Muqaj ju shqiptua edhe dënimi plotësues ku i ndalohet ushtrimi i ndonjë funksioni publik apo administrativ për tre vite. Po ashtu, të njëjtit do ti konfiskohet shuma prej 10.000 euro. 

I pandehuri i dytë në këtë çështje, Viktor Zefi dënohet me dy vite burg dhe atë për veprat penale “Dhënie rryshfeti” dhe dy vepra penale “Ushtrim i ndikimit”.

Të njejtit ju shqiptua edhe dënimi plotësues  ku i ndalohet ushtrimi i ndonjë funksioni publik apo administrativ për 2 vite. 

Avokatët mbrojtës paralajmëruan ankesë, ndërsa prokurori nuk ishte prezent.

Për shpalljen e këtij aktgjykimi palët pritën 2 orë e 10 min, për shkak të vonesës së panelit gjykues.