Trazira me të vdekur në Iran pas vrasjes së Mahsa Amini

Irani është nën presion publik që nga dita kur një grua 22-vjeçare vdiq në paraburgim nga policia iraniane e njohur si Policia e Moralit. Presidenti iranian Ebrahim Raisi, ndërkohë, i dënoi “standardet e dyfishta” të Perëndimit për të drejtat e grave.

Mijëra demonstrues marshuan të mërkurën nëpër rrugët e Iranit mes trazirave për vdekjen e Mahsa Amini.

Gruaja 22-vjeçare vdiq në paraburgim nga policia pasi u arrestua pasi dyshohet se mbante shami në një mënyrë “të pahijshme” sipas kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë.

Zyrtarët thanë të mërkurën se dy persona, përfshirë një oficer policie, vdiqën gjatë natës ndërkohë që forcat e sigurisë u përpoqën t’i shpërndanin protestuesit. Numri i të vdekurve nga trazirat  shkon në gjashtë.

Ndërkohë, në Stamboll, një grua preu flokët gjatë një proteste jashtë konsullatës iraniane në shenjë solidariteti me Mahsa Amini.

Dhjetra gra iraniane dhe turke jashtë konsullatës mbanin portrete të Amini dhe pankarta në mbështetje të të drejtave të grave.

Ndërprerje të internetit

Qasja në Instagram në Iran u ndërpre të mërkurën, sipas grupit të monitorimit NetBlocks me seli në Londër.

Platforma ka qenë tashmë një nga faqet e pakta të mediave sociale perëndimore të disponueshme në Iran pasi Teherani më herët i ka bllokuar platformat sociale Facebook, Telegram, Tëitter dhe YouTube.

Ndaras nga kjo, faqet e internetit të qeverisë iraniane u vunë nën atë që dukej të ishte një sulm kibernetik.

Hakerët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e dukshëm.

Vitet e fundit, hakerat disidentë kanë vënë në shënjestër qeverinë iraniane me sulme kibernetike. Teherani ka fajësuar për shumë nga këto sulme Izraelin.

Raisi dënon ‘standardet e dyfishta’ të Perëndimit

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mërkurën, presidenti iranian Ebrahim Raisi e akuzoi Perëndimin për “standarde të dyfishta” pasi disa vende perëndimore ngritën shqetësime për të drejtat e grave në Iran.

Kleriku i linjës së ashpër vuri në dukje vdekjen e grave indigjene në Kanada, “egërsinë” e grupit të ashtuquajtur “Shteti Islamik” (IS) kundër grave nga grupet e pakicave fetare dhe veprimet e forcave izraelite të sigurisë në territoret palestineze.

“Për sa kohë që ne kemi këtë standard të dyfishtë, ku vëmendja është e përqendruar vetëm në njërën anë dhe jo të gjithë njësoj, nuk do të kemi drejtësi të vërtetë”, tha Raisi.

Që nga revolucioni iranian i vitit 1979, Irani ka pasur një kod të rreptë veshjeje për gratë, duke u kërkuar atyre t’i mbulojnë flokët dhe pothuajse të gjithë lëkurën e tyre, përveç fytyrës.

Ndërkohë që shumë gra i kanë parë këto rregulla si më të relaksuara në qytetet e mëdha, ligjvënësit ultra-konservatorë kanë bërë përpjekje për muaj të tërë që këto ligje të zbatohen më rreptësisht.

Evoluimi i Hijab-it në Iran.  Burimi: IranSafar, RadioFreeEurope, Iranwire

 

SHBA dhe Britania e Madhe i mbështesin protestat

Presidenti i SHBA Joe Biden tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Uashingtoni qëndron “me gratë e guximshme të Iranit” duke protestuar kundër vdekjes së Amini.

“Sot ne qëndrojmë me qytetarët e guximshëm dhe gratë e guximshme të Iranit që tani po demonstrojnë për t’i siguruar të drejtat e tyre themelore,” tha Biden.

Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly i tha agjencisë së lajmeve AFP se protestat tregojnë se “një rrugë tjetër është e mundur” për Iranin.

“Ata mund t’i braktisin aspiratat e tyre për armë bërthamore. Ata mund ta ndalojnë shtypjen e zërave brenda vendit të tyre. Ata mund t’i ndalojnë aktivitetet e tyre destabilizuese,” tha ai.

“Kjo është rruga që ne duam që Irani ta ndjekë dhe kjo është rruga që do t’i shohë ata me një ekonomi më të fortë, një shoqëri më të lumtur dhe një pjesë më aktive në komunitetin ndërkombëtar.”/Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala