Foto: BERZh

Tranzicioni i vështirë energjetik në Kosovë

Sa më shumë që po zhvillohet shoqëria kosovare aq më shumë po rritet nevoja për energji elektrike. Numri i pajisjeve që përdorin energjinë elektrike po rritet çdo ditë. Energjia elektrike që pajisjet tona përdorin duhet të jetë konstante me një frekuencë prej 50Hz. Nëse gjatë natës dritat në dhomat tona ndriçojnë herë më shumë e herë më pak, atëherë shumë pajisje elektrike rrezikohen të dëmtohen (digjen, si thotë populli) si pasojë e furnizimit jo të qëndrueshëm me energji elektrike.

Na kujtohet shumë mirë kur në shtëpitë tona në të kaluarën kemi pasur një stabilizator të fshehur prapa ormanit të televizorit ashtu që kur furnizimi me energji elektrike të jetë i dobët, televizori ynë të mos “digjet”.

Furnizimi jo adekuat me energji elektrike mund të ndodhë për arsye të ndryshme, p.sh. distancë e largët me trafo-stacion, rrjeti dobët, rrjeti i mbingarkuar, prodhim jo i mjaftueshëm, etj.

Përgjegjëse për të mbajtur stabilitetin e frekuencës në nivel kombëtar është Operatori i Sistemit, i Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT). Ndërsa devijimet lokale të frekuencës, që deri më sot në të shumtën e rasteve vijnë në Kosovë, duhet menaxhuar nga KEDS duke bërë modernizimin e rrjetit të vjetëruar, p.sh. duke zvogëluar distancën midis klientit dhe trafo-stacionit.

Termocentralet e thëngjillit (Kosova A dhe Kosova B, në Obiliq) njihen për prodhim shumë stabil, pasi prodhimi i energjisë elektrike nga to nuk varet nga kushtet atmosferike, p.sh. nëse bie shi, rrezon dielli, apo fryen era. Mirëpo, termocentralet kanë një fleksibilitet të ulët, pra nuk mund të ulin apo rrisin prodhimin shumë shpejt. 

Mungesa e fleksibilitetit krijon vështirësi për të balancuar kërkesën dhe ofertën për energji. 

Shembull, gjatë ditës zakonisht kërkesa për energji elektrike është më e lartë për shkak se shumë fabrika lëshojnë në punë makineritë e tyre, ndërsa gjatë natës kur njerëzit janë në gjumë konsumi për energji elektrike bie në nivelin më të ulët. Varësia e madhe nga termocentralet i pamundëson sistemit energjetik të Kosovës për të ulur prodhimin e energjisë elektrike në nivel me uljen e kërkesës për energji. 

Ndër vite kjo mungesë e fleksibilitetit ka bërë që KEK-u të importojë rrymë në kohë të pikut (nga ora 18:00 deri në ora 20:00) me çmime shumë të larta, shpesh edhe mbi 100 euro për MW, kurse në të njëjtën ditë gjatë natës të obligohet të shesë rrymën me çmime minimale, shpesh nën 20 euro për MW. 

Ashtu që prodhimi i energjisë elektrike të përcjellë kërkesën për energji elektrike, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK) ka një numër relativisht të madh të blloqeve. Aktualisht blloqet A1 dhe A2 janë jashtë funskioni, kurse tri blloqet tjera të Kosovës A: A3, A4 dhe A5 janë në funksion. Gjithashtu dy blloqet e “Kosovës B”, B1 dhe B2, janë në funksion.

Disa nga këto blloqe prodhojnë energji elektrike pa ndërprerë – zakonisht ato pa probleme teknike dhe më efiçientet – duke siguruar një furnizim bazë me energji elektrike, ndërsa të tjerat fillojnë të prodhojnë me rritjen e kërkesës.

Funksionimi i mirëfilltë i sektorit të energjisë varet nga këto elemente, prodhim i parashikueshëm dhe i sigurt dhe rrjet stabil i transmisionit dhe shpërndarjes që siguron bartjen e energjisë elektrike nga vendi i prodhimit te konsumatori fundor.

Çka pas vitit 2050, kur duhet të mbyllen termocentralet?

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar që përdorimi i lëndëve djegëse fosile (p.sh. thëngjill, gaz, dhe derivate të ndryshme të naftës) do të bjerë në zero deri në vitin 2050, në rrugën drejt luftimit të ndryshimeve klimatike.

Kosova ka sasi të mëdha të thëngjillit, mirëpo përdorimi i tij nuk ka të ardhme dhe shoqëria kosovare duhet të pajtohet që ai do të qëndrojë nën tokë dhe nuk do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Në këtë rrugë, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë përpjekje të dizajnojnë politika të mirëfillta energjetike që garantojnë një treg të lirë dhe të sigurt ashtu që investorët privatë të investojnë në shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) – në formë të erës, diellit, gjeotermale, ujit, etj. – që në të ardhmen të sigurohet furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike me zero emetim të gazrave serrë dhe stabilitet të rrjetit me koston më të ulët të mundshme.

Aktualisht, Kosova është shumë larg divorcit nga thëngjilli, sepse mbi 90% e energjisë që konsumohet në Kosovë vjen nga djegia e thëngjillit. Mirëpo, me investimet që janë bërë apo janë duke u bërë, mund të konstatohet që tranzicioni ka nisur. Janë shumë projekte për prodhim të energjisë nga era, uji apo dielli që u është garantuar nga institucione e Republikës së Kosovës mbështetje financiare dhe blerje e energjisë elektrike me tarifa fikse. Kur këto investime të lëshohen në operim do të rritet diversiteti i burimeve të energjisë elektrike.

Tranzicioni energjetik, me fjalë të tjera kalimi nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile (thëngjilli) me prodhim shumë stabil dhe të sigurt të energjisë elektrike në ato të BRE-ve përcillet me shumë sfida.

E para, prodhimi i energjisë elektrike nga BRE-të varet kryesisht nga kushtet klimatike. Ne e dimë mirë që kushtet klimatike ndryshojnë jo vetëm nga stina në stinë por edhe brenda muajit, javës dhe ditës. Kjo bën që prodhimi i energjisë elektrike të jetë shumë i ndryshueshëm nga minuta në minutë, nga ora në orë, nga dita në ditë, nga java në javë, nga muaji në muaj, nga stina në stinë dhe nga viti në vit.

E dyta, meqë energjia e ripërtritshme nuk vjen kur të duhet, por sipas kushteve atmosferike, atëherë vjen sfida e përdorimit të saj pasi energjia elektrike nuk mund të vendoset në depo dhe të ruhet, e tani të përdoret kur të ketë nevojë. Në anën tjetër, kufizimet në rrjetën e transmisionit dhe të shpërndarjes duhen respektuar me përpikëri.

Ashtu siç është e vështirë të bëhet një parashikim i saktë i motit po ashtu është i vështirë të bëhet parashikimi i prodhimit të energjisë elektrike nga BRE-të. Tranzicioni energjetik nënkupton kalimin nga një sistem ku prodhimi i energjisë elektrike është konstant dhe i parashikueshëm në një sistem me BRE me prodhim të ndryshueshëm dhe të paparashikueshëm.

Teknologjitë e erës dhe diellit prodhojnë energji elektrike vetëm atëherë kur fryen era përkatësisht rrezon dielli. Kjo nënkupton se gjatë natës prodhimi i energjisë elektrike nga panelet diellore është zero. Panelet diellore si të tillë gjatë natës janë të pashfrytëzueshme dhe gjatë kësaj kohe nuk mund të mbështetemi në to për furnizim me energji elektrike.

Kemi vende në territorin e Republikës së Kosovës ku intensiteti i erës është i lartë. Kryesisht në këto vende po ndërtohen dhe pritet të ndërtohen parqe me mullinj të erës. Mirëpo edhe në këto vende energjia elektrike prodhohet vetëm kur fryn era. Edhe për këto vende është e vështirë të parashikohet kur fryn era, sa është intensiteti i saj dhe për sa kohë fryen ajo. 

Pra as energjia e erës e as ajo e diellit që në tërë globin po përdoren në masë të gjerë nuk garantojnë furnizim stabil me energji elektrike.

Me fjalë të tjera, ndërprerjet e energjisë elektrike do të jenë të zakonshme, por edhe prezenca e “stabilizatorëve” do të shtohet në çdo kënd të shtëpive tona për t`i ruajtur pajisjet elektrike që të mos “digjen”.

Nëse nuk kemi një qasje shumëdimensionale dhe krijojmë kornizat e funksionimit të një tregu të lirë ku investorët marrin vendime të pavarura në cilat teknologji të investojnë, por mbështetemi vetëm në ato teknologji ku investimet marrin mbështetje financiare shtetërore, atëherë rrezikojmë që një ditë të ndodhë që nga salla e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të dalë mjeku dhe të thotë duhet të presim deri sa të rrezojë dielli ose fryejë era për të vazhduar procesi i operimit të pacientit.

E treta, shoqëritë moderne nuk mund të heqin dorë nga furnizimi i pandërprerë me energji elektrike. Nuk janë vetëm industritë ato të cilat kërkojnë dhe e kanë të domosdoshme furnizimin e sigurt dhe stabil me energji elektrike për të garantuar vazhdimësi në procesin e prodhimit të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme. Në kohët moderne janë edhe familjet dhe individët të cilët nuk mund as të paramendojnë të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, kjo krejt si rrjedhojë e elektrifikimit të një numri të madh të aktiviteteve individuale, familjare dhe shoqërore.

Miksi i përshtatshëm i burimeve të ndryshme të energjisë elektrike 

Furnizimi me energji elektrike nga BRE-të është shumë i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm, pasi varet nga kushtet atmosferike. Për të eliminuar mungesa por edhe teprica të mëdha të energjisë elektrike nevojitet një “miks” i përshtatshëm i burimeve të ndryshme të energjisë elektrike dhe jo kapacitete të tepërta të teknologjive të caktuara.

Meqë prodhimi nga BRE-të është shumë i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm, atëherë balancimi i këtyre devijimeve kërkon teknologji që brenda sekondave mund të përshtasin (rrisin apo ulin) por edhe të nisin nga zero prodhimin e energjisë elektrike.

Termocentralet e thëngjillit fatkeqësisht nuk janë në gjendje të ofrojnë një shërbim të tillë që vjen nga integrimi në shkallë të lartë i kapaciteteve të BRE-ve.

Hulumtime të shumta janë duke u bërë për zhvillimin e baterive të mëdha (p.sh. kompania amerikane Tesla investon shuma marramendëse), mirëpo deri sot ende nuk kemi një teknologji që në shkallë të madhe ruan energjinë.

Vendet e zhvilluara dhe me përqindje të lartë të BRE-ve (erës dhe diellit) sikurse Gjermania, Austria, Spanja, Italia, përdorin pompat e ujit me dy bazene që në gjuhën angleze njihen si “Water pumped storages”.

Njëri nga këto bazene ndërtohet lartë në kodër, ndërsa tjetri ndërtohet poshtë në ndonjë luginë. Të dy bazenet lidhen me gypa për të bartur ujin nga poshtë lartë, dhe anasjelltas. Kur ka tepricë të energjisë, uji pompohet në kodër në bazenin e epërm duke mundësuar ruajtjen e energjisë për shfrytëzim të mëvonshëm.

Në orët kur ka mungesë të energjisë elektrike, uji i ruajtur më parë rrjedh nga lartë në bazenin e poshtëm, dhe kështu futen turbinat në funksion për të prodhuar energjinë elektrike.

Ky cikël garanton balancimin e të gjitha devijimeve dhe paparashikimeve në prodhim nga BRE-të, shfrytëzim efiçient të burimeve energjetike, stabilitet të rrjetës, dhe furnizim stabil me energji elektrike.

Kjo është teknologjia e vetme që garanton ruajtje të energjisë në sasi të madhe dhe shfrytëzim të saj në kohë reale.

Kosova është e pasur me kodra dhe pyje, mirëpo e varfër me prurje të ujit. Prandaj një “pumped storage” garanton shfrytëzimin e një sasie të caktuar të ujit të cilën e mban në dy bazene, por në të njëjtën kohë mundëson ruajtjen e ujërave të reshjeve atmosferike.

Punime të shumta shkencore si ato teorike ashtu edhe ato empirike këshillojnë rritjen investime në “pumped storages” si e  vetmja mënyrë për integrimin e BRE-ve, duke mbajtur nën kontroll koston e tranzicionit energjetik.

Në Republikën e Kosovës “pumped storages” ulin rrezikun e investimeve në BRE, sepse ato garantojnë balancimin e devijimeve në kohë reale me kosto të parashikueshme dhe të menaxhueshme.

“Pumped storages” janë një investim për shumë gjenerata sepse ato kanë një jetëgjatësi prej së paku 80 vite.

Tranzicioni energjetik bëhet duke kaluar nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile (thëngjillit) në ato të BRE-ve.

Integrimi i kapaciteteve të mëdha të BRE-ve dhe tranzicioni i plotë është i mundur vetëm duke i kombinuar me “pumped storages”.

Ky kombinim garanton investime optimale në BRE, shfrytëzim efiçient të tyre, stabilitet të rrjetës, furnizim me energji elektrike dhe kosto të ulët të furnizimit.

Autori është profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Grisons (Zvicër)