Foto: Ilustrim

Tranzicioni energjetik: Me gaz apo pa gaz?

Vendet e Bashkimit Evropian po përgatiten për një mungesë të energjisë elektrike edhe po ballafaqohen me çmime të paparashikueshme të energjisë. Ndërsa ekonomia Kineze veçse po përballet me krizën energjetike, ku ndërprerjet e energjisë elektrike në shumicën e regjioneve janë bërë të përditshme. 

Jo edhe aq larg nga Kosova, qeveria Zvicerane po planifikon t`i urdhëroj rreth 30 mijë ndërmarrje, me konsum të lartë të energjisë elektrike, që në rast të mungesës së energjisë elektrike të ulin konsumin e energjisë deri në 30%.

Konsumatorët në Kosovë, të paktën deri më tash, nuk e kanë ndjerë krizën energjetike as në rritje të tarifave të energjisë falë prodhimit të energjisë elektrike i cili vjen kryesisht nga termocentralet e thëngjillit – si burime vendore dhe kryesore të energjisë. 

Mirëpo këtu duhet cekur edhe vendimin e Zyrë së Rregullatorit të Energjisë që deri më datë 1 prill 2022 të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Termocentralet e Kosovës (blloqet e ndryshme të Kosovës A dhe B) fatkeqësisht janë shumë të vjetra dhe si të tilla nuk mund të garantojnë stabilitet të furnizimit me energji elektrike. 

Edhe sot kur prodhimi nuk arrin të mbuloj kërkesën dhe importi nuk mund të sigurohet aq shpejtë, si pasojë kemi ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike. 

Termocentralet në Obiliq po ashtu lirojnë sasi të mëdha të gazrave serrë (p.sh. CO2) duke e ndotur ambientin në shkallë të lartë. Çdo teknologji tjetër që do të përdorej për prodhimin e energjisë elektrike e ndotë ambientin më pak se termocentralet e thëngjillit në Obiliq.

Qeveritë e Republikës së Kosovës kanë bërë disa herë përpjekje për të rivitalizuar dhe rritur kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike, mirëpo në këtë drejtim për fat të keq asnjëra nuk ia ka dalë të bëj ndonjë hap domethënës. 

Tani kur po përballet pothuajse i tërë globi me një krizë energjetike, kemi filluar të zgjohemi nga gjumi. Përkundër kësaj duhet thënë se Kosova duhet të kalojë këtë krizë të energjisë në gjithë Europën me këto kapacitete të energjisë që i ka. 

Mirëpo edhe pse tani gjendemi në një kohë shumë të vështirë, është me rëndësi të ceket se zgjerimi dhe diverzifikimi i kapaciteteve gjeneruese nuk bëhet për të shërbyer vetëm për një vit apo një dekadë, ato bëhen për të shërbyer më dekada të tëra. Prandaj, marrja e një vendimi të tillë kërkon ekspertizë, maturi, guxim, por edhe shumë studime të fizibilitetit.

Cilën rrugë duhet ndjekur Kosova për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, me çmim të ulët, por edhe duke punuar në drejtim të dekarbonizimit të sektorit energjetik?

T`i analizojmë shkurt disa nga burimet e mundshme që Kosova mund t`i përdorë:

Thëngjilli

Burimet e thëngjillit në Kosovë janë të mëdha dhe mund të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Mirëpo djegia e tij ka efekte të rënda për ambientin. Për këtë arsye shumica e vendeve të botës janë pajtuar që përdorimi i thëngjillit si burim i energjisë të bie në zero gradualisht deri në vitin 2050. Dhe këtij vendimi pritet që edhe Republika e Kosovës t`i bashkohet. Kjo len të kuptohet se nëse kemi një investim në një termocentral të ri të thëngjillit dhe në vitin 2025 lëshohet në përdorim, ai mund të përdoret vetëm për 25 vite. Mirëpo, në parim, ekziston kjo mundësi.

Prapëseprapë edhe termocentralet e reja të thëngjillit lirojnë përafërsisht 1 ton CO2 për të prodhuar 1 Megavat orë të energjisë elektrike apo rreth 30% më pak se termocentralet e vjetra. Problemi qëndron se për çdo ton CO2 që lirohet në atmosferë shumë shpejt mund të vendoset një taksë që duhet paguar për lirimin e tij. 

Për shembull, prodhuesit në Bashkimin Evropian (BE) paguajnë për momentin rreth 60 Euro për një ton CO2. Kjo nënkupton se termocentralet e thëngjillit paguajnë rreth 60 Euro shtesë për një megavat orë të energjisë elektrike. 

Kosova ende nuk e ka vendosë një taksë të tillë, mirëpo besojmë se deri në vitin 2025 BE-ja do ta detyroj atë të vendosë këtë taksë para se prodhuesit kosovarë që eksportojnë të detyrohen të paguajnë këtë taksë kur ata i fusin produktet e tyre në ndonjë shtet të BE-së. 

Meqë prodhimi i një megavati të energjisë elektrike në orë nga termocentralet e thëngjillit në Kosovë kushton për momentin rreth 30€, atëherë implementimi i një taksë të CO2 prej 60€ për një ton, i nivelit të njëjtë me atë të BE-së, do ta ngrit në 90€ koston e prodhimit të energjisë elektrike nga këto termocentrale. Me këtë ato nuk janë më konkurruese me burimet e tjera të energjisë.

Nga kjo mund të konkludojmë se termocentralet e thëngjillit mund të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm, mirëpo kanë kosto të lartë ekonomike e sidomos ambientale.

Gazi

Gazi natyrorë si burim i energjisë elektrike dhe asaj të ngrohjes gjen përdorim të madh në shumicën e vendeve të rajonit dhe ato të BE-së, mirëpo jo edhe në Kosovë. 

Përdorimi i gazit natyrorë kërkon investime të mëdha në ndërtimin e infrastrukturës (gypave) së gazit, gjë që i mungon Kosovës. Si rrjedhojë, Kosova nuk ka asnjë termocentral të gazit. Ndërtimi i kësaj infrastrukture kërkon analiza dhe planifikim të mirëfilltë sepse nevojiten investime të mëdha. 

Sipas literaturës dhe raportit të organizatës ndërkombëtare të energjisë të vitit 2020, ndërtimi i një termocentrali të gazit është më i lirë se sa i një termocentrali të thëngjillit. Edhe koha e ndërtimit të termocentralit me gaz është më e shpejt se sa e një termocentralit me thëngjillit. 

Ngritja e kapaciteteve të gazit e rrit deverzifikimin e burimeve të energjisë dhe, në parim, e rrit sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike.

Gjithashtu kalimi nga thëngjilli në gaz kontribon në reduktimin e ndotjes së ambientit, sepse gazi është më pak ndotës se thëngjilli. 

Termocentralet e gazit lirojnë rreth 50% më pak CO2 se sa ato të thëngjillit, çka është një hap jashtëzakonisht i madh në mbrojtje të ambientit. Si çdo gjë tjetër, edhe përdorimi i gazit si burim i energjisë i ka përparësitë, por edhe rreziqet që vijnë nga ajo.

Integrimi i gazit si burim i energjisë e hapë Kosovën në tërësi ndaj ndryshimeve rajonale dhe globale në fushën e energjisë. Pra, konsumatorët e Kosovës do të jenë të ndikuar dhe të varurë nga lëvizjet e cmimeve në tregun botërorë. 

Lëvizjet e çmimeve të energjisë në botë diktohen nga fuqitë e mëdha dhe krizat e ndryshme politike ose ekonomike. Kosova është e pafuqishme dhe nuk mund të krijojë mekanizma për mbrojtje ndaj këtyre krizave.

Ta marrim një shembull nga kriza aktuale energjetike në vendet e BE-së si rrjedhojë e rritjes së çmimit të gazit për afro 600% brenda një viti. Nëse këto ditë Kosova do të kishte prodhuar energjinë elektrike vetëm nga termocentralet e gazit, atëherë konsumatorët Kosovarë do të duhej të paguanin fatura të energjisë elektrike me një ngritje prej 600%.

Nuk po i hyjmë fare analizës se si do të ndikon një rritje e tillë e faturave të energjisë elektrike mbi aktivitetin ekonomik të industrive të ndryshme në Kosovë. 

Nëse ekziston një probabilitet i lartë i këtyre rreziqeve, atëherë është thjeshtë e papërballueshme për stabilitetin ekonomik dhe shoqërorë të Kosovës të hapet ndaj këtyre rreziqeve.

Nga kjo ne mund të konkludojmë se termocentralet e gazit mund të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me një kosto më të ulët ambientale se sa thëngjilli, mirëpo Kosova hapet ndaj rreziqeve të mëdha nga krizat globale politike dhe ekonomike.

Burimet e Ripërtritshme 

Integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) është i domosdoshëm për reduktimin e lirimit të CO2-it. Ne gjithë  globin çdo ditë e më shumë po rritet pjesëmarrja e BRE-ve (në formë të erës, diellit, biomasës, gjeotermale, etj.) në prodhimin e energjisë elektrike. Investimet në BRE mundësohen kryesisht nga format e ndryshme të përkrahjes financiare nga qeveritë (p.sh. grante, subvencione, etj.).

Përparësitë e BRE-ve janë të shumta. Lirimi i CO2-it nga prodhimi i energjisë elektrike me BRE është zero. Në të njëjtën kohë, krizat globale ekonomike dhe politike nuk kanë ndonjë ndikim të theksuar në sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, por edhe në faturat e energjisë elektrike. 

Integrimi i tyre kërkon edhe një digjitalizim më të lartë të industrive, por edhe të ekonomive familjare, që do të ndikonte në rritjen e eficiencës. 

Me BRE-të Kosova arrin tri qëllime, dekarbonizimin e sektorit të energjisë, izolim modest nga krizat globale ekonomike dhe politike, si dhe nxitje të digjitalizimit.

Mirëpo edhe BRE-të i kanë të metat e tyre. Prodhimi i energjisë elektrike varet kryesisht nga kushtet atmosferike. Mullinjtë e erës dhe panelet diellore prodhojnë energji elektrike vetëm atëherë kur frynë era dhe rrezon dielli. 

Është shumë e zakonshme dhe e përditshme që të kemi kohë me tepricë të energjisë elektrike, por gjithashtu edhe me mungesë të saj. Mirëpo, furnizimi me energji elektrike duhet të garantohet në çdo kohë pa marrë parasysh kushtet atmosferike.

Punime të shumta shkencore rekomandojnë për një kombinim të BRE-të me ndonjë formë të ruajtjes së energjisë (p.sh. bateri, pumped-storages, ose hidrogjen) ose “sector coupling” për të garantuar furnizim të sigurtë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.

Danimarka është një shembull i mirë për zgjerimin e përdorimit të “Sector coupling”. “Sector coupling” është një proces ku energjia elektrike transformohet në hidrogjen në kohët kur kemi tepricë të energjisë elektrike nga era apo dielli. Më vonë hidrogjeni mund të shfrytëzohet si burim i energjisë në orët apo ditët kur prodhimi nga burimet e erës dhe diellit është i pamjaftueshëm. 

Praktikat e mira nga vendet evropiane tregojnë për një shfrytëzim në masë të madhe të hidrogjernit në forms të gazit për ngrohjen e objekteve të mëdha dhe përdorim të ndryshëm në industri.

Bateritë fatkeqësisht nuk mund të përdoren për shkak se nuk mund të ruajnë energjinë në masa të mjaftueshme.

Alternativa tjetër për të ruajtur energjinë e tepërt të BRE-ve janë “pumped-storages”. Këto na mundësojnë ruajtjen e energjisë në orët kur ka tepricë dhe të konsumojmë atë në orët kur kemi mungesë të energjisë. Në këtë drejtim Kosova duhet të mendoj dhe të bëj studime se cilat janë kapacitetet e mundshme për ndërtimin e pumped-storages.

Ne mund të konkludojmë se një kombinim i BRE-ve të ndryshme për dallim nga thëngjilli dhe gazi e ruajnë ambientin, por edhe mund të garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike vetëm në kombinim me “sector coupling” (kthimin e energjisë në hidrogjenë) ose “pumped-storages” (pompimin e ujit nga bazeni me lartësi mbidetare më të ulët në një bazen me lartësi më të madhe mbidetare. Më pas ky ujë përmes rënjës së lirë lëshohet poshtë – kështu prodhohet energjia elektrike, kryesisht në orët kur kërkesa për energji është e madhe dhe rrjedhimisht çmimi i saj është i lartë).

Për Kosovën është shumë me rëndësi që hartimi i strategjisë së tranzicionit të energjisë të paraprihet nga studime të ndryshme të fizibilitetit që tregojnë potencialin por edhe kombinimet e ndryshme të BRE-ve që garantojnë furnizim të qëndrueshëm në harmoni me ambientin por edhe me çmim të përballueshëm për konsumatorët privat dhe industrial të Kosovës.

Kosova ka shumë mundësi për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Mirëpo nëse Kosova krenohet si një nga vendet me tarifat më të ulëtat të energjisë elektrike në Evropë, atëherë ky reputacion nuk mund të mbahet edhe gjatë nëse bëhen investime në kapacitete e reja gjeneruese për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, dhe për dekarbonizimin e sektorit të energjisë.

Adhurim Haxhimusa, profesor dhe hulumtues në Univerzitetin e Shkencave të Aplikuara të Grizonit në Zvicër

Fitim Kryeziu eshte Inxhinjer i larte i sistemit energjetik ne Energinet ne Danimarke