Ilustrim

Trajtimi i rasteve të dhunës psikologjike nga institucionet shtetërore

Një burrë është dënuar me 600 euro me akuzat se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj gruas së tij. Ngjarje të tilla evidentohen çdo ditë në Kosovë ndërsa viktimat më të mëdha llogaritet të jenë fëmijët, dhuna ndaj të cilëve krijon pasoja në zhvillimin e tyre. 

Të dhënat tregojnë se në muajt e fundit janë disa qindra fëmijë të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje apo janë thirrë si dëshmtiarë në çështjet ku anëtarët e familjeve të tyre janë viktima të dhunës në familje. 

Në Prishtinë janë 190 fëmijë të cilët janë idetifikuar si viktima ose dëshmitarë në 125 rastet e dhunës në familje. Të dhënat nga Qendra për Punë Sociale tregojnë që shumica e rasteve përpos dhunës fizike kanë edhe dhunë psikologjike.

“Secili rast pa marrë parasysh se a ka qenë dhunë fizike, seksuale, emocionale, ekonomike në të njëjtën kohë ka qenë edhe dhunë psikologjike sepse është e pamundur që një viktimë të mos pësojë dhunë psikologjike krahas formave tjera të dhunës”, thotë Arlinda Kastrati, zyrtare për Marrëdhënie me Media në Komunën e Prishtinës.

Një komunë tjetër që ka raste të dhunës psikologjike është ajo e Gjakovës.

“Në Qendrën për Pune Sociale në periudhën janar-qershor janë paraqitur gjithsej 40 raste”, thotë Afërdita Spahiu Shllaku, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë.

Sipas saj, të gjitha këto raste fillimisht përjetojnë dhunë psikologjike të cilat më vonë shoqërohen edhe me dhunë fizike. Përderisa, Komuna e Pejës nga janari e deri në korrik të vitit 2021 ka pranuar gjithsej 24 viktima të dhunës psikologjike.

“Nga 24 raste, 8 prej tyre u është ofruar strehim i përkohshëm në strehimoren e gruas në Pejë”, ka thënë për KALLXO.com, Suzana Muriqi, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Pejë.

Në Komunën e Gjilanit janë regjistruar më pak raste të dhunës psikologjike se në atë të Gjakovës, gjithsej 18. 

“Përmes Qendrës për Pune Sociale i është ofruar ndihmë sociale dhe familjare 18 viktimave të dhunës psikologjike”, ka thënë për KALLXO.com Salihe Aliu, zyrtare në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ajo ka treguar se deri tani asnjë nga viktimat nuk ka kërkuar strehim në ndonjë qendër strehimore të Gjilanit. Ndërsa në Komunën e Suharekës, deri më tani në Qendrën për Punë Sociale janë pranuar 25 raste të dhunës në familje.

Sipas drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besa Kuqi, nga një janari e deri më 30 qershor të vitit 2021 janë pranuar 18 raste, ndërsa vetëm në muajin korrik janë pranuar shtatë raste.

“Në Qendrën për mbrojtjen e gruas dhe fëmijëve për shkak të rrezikshmërisë kemi strehuar dy nëna me fëmijë të cilat pas një kohë i kemi integruar prapë në familje”, ka thënë për KALLXO.com Kuqi.

Ajo ka treguar se është dhe një rast tjetër ku katër fëmijë të mitur janë nën mbikëqyrjen e gjyshit të tyre pasi që i ati ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Ky i fundit, sipas Kuqit, është ende në paraburgim. 

Gjendja në Komunën e Lipjanit po duket të jetë më e lehtë se në Komunat tjera. Sipas drejtroreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Merita Bytyqi, në Lipjan nga 1 janari deri më 31 korrik 2021 janë vetëm gjashtë viktima të dhunës psikologjike.

“Të gjitha rastet e dhunës në familje këshillohen dhe informohen për qendrat strehimore”, ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Çfarë thotë ligji për rastet e dhunës psikologjike?

Për rastet e dhunës psikologjike në Kosovë është në fuqi Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje. Aty tregohet se në kuadër të dhunës në familje hyn dhe presioni psiqik i ushtruar ndaj anëtarit tjetër të familjes. Si çdo dhunë tjetër edhe ajo psikologjike dënohet nga ligji. Një dënim i tillë është i lejuar në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kod i cili cakton që kushdo që kryen dhunë ose keqtrajtimin psikologjik dënohet me tre vjet burg.

“Çdo anëtar i familjes që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual ose ekonomik ndaj anëtarit tjetër të familjes së tij/saj, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet tutje.

Policia e Kosovës në bazë të këtij kodi trajton rastet e dhunës në familje, në të cilën hyn dhe dhuna psikologjike. Por te statistikat që ata mbledhin nuk i specifikojnë rastet e dhunës të ndara në llojin e tyre, por vetëm si “Dhunë në familje”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com ka thënë se që nga 1 janari e deri në gusht të vitit 2021 në Polici janë raportuar gjithsej 1 mijë e 374 raste të dhunës në familje. Nga këto raste janë gjithsej 1 mijë e 383 viktima. Ku 1 mijë e 63 janë vajza/gra dhe 320 janë djem/burra.

KALLXO.com kontaktoi dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës për të parë se sa persona janë dënuar pasi që të njëjtët kanë ushtruar dhunë psikologjike, mirëpo të njëjtët thanë se nuk kanë të dhëna të tilla.

“Lidhur me rastet që ndërlidhen me dhunën psikologjike, Zyra për Statistika nuk grumbullon dhe nuk posedon kësi lloj të të dhënave”, tha Astrit Kolaj, udhëheqës i Zyrës për Komunikim Publik në KPK për KALLXO.com.

KALLXO.com vazhdimisht raporton për rastet të dhunës dhe se çfarë ndodh me personat që  ushtrojnë dhunë tek të tjerët. Një prej këtyre rasteve është ai kur një burrë kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj gruas dhe vajzës së tij. I njëjti ishte dënuar me gjobë në shumë prej 600 eurove si dhe me dënim me burgim prej një viti me kusht, që ky dënim të mos ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në afatin prej 2 vitesh.

Një rast tjetër ku personat janë dënuar për dhunë psikologjike është ai ku djali kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij. Djali është dënuar nga Gjykata e Gjakovës. Dënimi ndaj tij ka qenë dënim me kusht dhe me gjobë në shumën prej 200 eurove. 

Çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë për parandalimin e dhunës psikologjike?

Sipas Ministrisë së Drejtësisë (MD) zbatimi i ligjeve që janë në fuqi për parandalimin e dhunës është një nga sfidat kryesore në praktikën e përditshme të tyre.

“Konsiderojmë që jo vetëm mungon informimi i plotë i publikut për të drejtat e garantuara dhe mekanizmat në funksion të institucioneve përgjegjëse por edhe aplikimi i kësaj baze ligjore […] nga ana e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Ministria e Drejtësisë për KALLXO.com.

Të njëjtit thanë se dhuna psikologjike është e shprehur shumë në Kosovë por që nuk raportohet mjaftueshëm.

“Dhuna psikologjike ndonëse e shprehur shumë, janë të pakta rastet kur kjo formë e dhunës raportohet por edhe kur raportohet, nuk adresohet siç duhet nga prokuroritë dhe gjykatat”, thuhet tutje.

Për parandalim të dhunës në familje kjo ministri më 14 qershor 2021 ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planit të Veprimit 2022-2026. Kryesuese në këtë Grup Punues është zëvendësministrja Nita Shala, e cila njëkohësisht është edhe Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje.

“Grupi punues tashmë ka evidentuar objektivat kryesore dhe disa nga aktivitetet e posaçme dhe planifikon të finalizojë dokumentet brenda muajit nëntor 2021”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Për parandalimin e dhunës në familje, duke përfshirë këtu dhe dhunë psikologjike MD – ja thotë se i ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm veprimesh.

Disa nga këto veprime janë:

– Funksionalizimi i Grupit të Koordinuar Ndër-Ministror me përfaqësim të plotë nga gjithë institucionet përgjegjëse. “Kjo rrit koordinimin ndër-institucional me synim ndërmarrjen e hapave drejt parandalimit të dhunës në familje”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

– Funksionalizimi i data-bazës integruese për rastet e dhunës në familje, duke mundësuar mbledhjen e përbashkët të të dhënave nga gjashtë institucionet përgjegjëse me të cilat ballafaqohet viktima e dhunës në familje: Policia e Kosovës, Mbrojtësit e Viktimave, Prokuroria, Gjykata, Strehimoret dhe Punëtorët Social;

– Finalizimi i Plotësim/Ndryshimit të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas, me synim garantimi të ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje, si kategori e veçantë, pa pasur nevojë të përmbushin kriterin financiar;

– Ndërmarrja e fushatave sensibilizuese për parandalimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore;

– Është zhvilluar analiza e parë për të krijuar linjën e veçantë buxhetore për strehimoret;

– Ka filluar cikli i trajnimeve për procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje;

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).