Foto: Qendra e Aftësimt Profesional në Prishtinë.

Trajnimet falas në qendrat e aftësimit profesional, mundësi për avancim në karrierë

Egnita Hadri, pak muaj më parë është certifikuar në drejtimin e parukerisë në Qendrën e Aftësimit Profesional në Gjakovë, ndërsa aktualisht në po të njëjtën qendër ka filluar trajnimin në menaxhim biznesi, si drejtim të dytë.

21-vjeçarja shpjegon se gjithmonë i ka pëlqyer të merret me stilimin dhe prerjen e flokëve andaj dhe ka zgjedhur të aftësohet në këtë drejtim.

“E kam zgjedhur drejtimin e parukerisë për shkak se më ka pëlqyer gjithmonë të merrem me flokët ndërsa menaxhimin e kam vazhduar për ta zhvilluar më tepër idenë time dhe për të mësuar si ta menaxhoj biznesin tim në të ardhmen dhe kam shkuar në QAP për shkak se i kemi të gjitha mundësitë në të gjitha trajnimet”, tha ajo për KALLXO.com.

Drejtimi: Menaxhimi i Ndërmarrjeve Mikro dhe të vogla(Themelues biznesi). Foto: Qendra e Aftësimit Profesional Gjakovë.

Në Qendrën e Aftësimit Profesional në Gjakovë janë gjithsej 52 kandidatë, të cilët ndjekin trajnime profesionale në programe të ndryshme.

“Aktualisht në Qendrën në Gjakovë ofrohen trajnime në 8 programe të ndryshme: Asistent Administrativ, Kontabilitet, Menaxhimi i Ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, Vetëpunësim, Instalime Elektrike, Saldues, Parukeri, Grimerë”, thuhet në përgjigjen e Arber Zhubit, udhëheqësit të kësaj qendre.

Egnita Hadri thotë se trajnimi ka qenë pa pagesë dhe ka zgjatur rreth dy muaj.

“Kam përfituar përvojë shumë të mirë, kjo është një qendër shtetërore dhe ke mundësi për aftësim profesional dhe certifikohesh me certifikatë që është e njohur ndërkombëtarisht”, tha ajo për KALLXO.com.

Kurset në këto qendra zgjasin zakonisht prej 20 ditë deri në 6 muaj, varësisht nga specifikat e kursantëve dhe drejtimit.

Në Kosovë janë tetë qendra të aftësimit profesional, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Këto qendra menaxhohen përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Qendra e Aftësimit Profesional në Prizren. Foto: QAP Prizren.

“Kandidatët të cilët dëshirojnë të trajnohen në qendrën në fjalë duhet të regjistrohen si punëkërkues apo i papunë në Zyrat e punësimit. Ata/ato, pas këshillimeve, informimit përcaktohen për një kurs të caktuar të cilin e kemi funksional si mundësi”, shpjegon për KALLXO.com, Sinan Gashi, udhëheqës i QAP në Prizren.

Sipas tij në këtë qendër aktualisht janë 104 kandidatë në 15 drejtime që funksionojnë në këtë qendër.

Veton Avdullahi është një tjetër kandidat, i cili aftësimin profesional e ka bërë në qendrën në Prishtinë, ku është certifikuar në drejtimin teknik i teknologjisë dhe informacionit.

Një përparësi për Vetonin është edhe që trajnimi është falas.

“Përparësitë për trajnime në këtë qendër janë së është pa pagesë, diploma njihet ndërkombëtarisht, është aftësimi profesional, mundësi punësimi në një profesion të caktuar etj”, tha ai për KALLXO.com.

Në QAP në Prishtinë janë funksionale gjashtë drejtime.

“Në mungesë të zyrtarëve për trajnim nuk janë funksionale 10 profesione: Asistent Administrativ, Kontabilitet, Administrim Biznesi, Vetëpunësim, Ndërtimtari, Ujësjellës, Ngrohje Qendrore”, thuhet në përgjigjen e QAP për KALLXO.com.

Kandidatët duke bërë punën praktike në QAP në Prishtinë. Foto: Qendra për Aftësim Profesional në Prishtinë.

Labinot Avdylaga, tashmë i certifikuar në drejtimin Instalime Elektrike, ka shkuar në QAP për të marrë më shumë njohuri në teori dhe t’i përvetësojë aftësitë që i ka pasur në praktikë.

“Kam zgjedhur këtë drejtim për arsye se punoj në këtë fushë dhe kam dashur të mësoj më shumë nga trajnerët në mënyrë që të avancoj dhe të certifikohem”, tha 35-vjeçari për KALLXO.com.

Drejtimi: Saldim në Qendrën e Aftësimit Profesional në Gjakovë. Foto: QAP Gjakovë.

Sipas përgjigjeve të dërguara nga udhëheqësit e qendrave të aftësimit profesional në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë disa nga drejtimet të cilat kanë më shumë kandidatë janë drejtimi i Parukerisë, Saldimit, Instalimeve Elektrike, Pastiqerisë dhe Ujësjellës.