Trainkos- Bordi ku LDK e lë Mbrapa PDK-në

Labinot Halilaj mund të jetë shqetësuar nga premtimet e Isa Mustafës të bëra në fushatë zgjedhore që garantonte se nuk do të lejonte përfshirjen e njerëzve me të kaluar politike në borde të ndërmarrjes publike.

Ai në korrik të vitit 2011 kishte marrë postin e anëtarit të bordit në ndërmarrjen publike “Trainkos”.

Ishte mandatuar nga qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi.

Por përkundër ndërrimit të kryeministrave nuk ndryshoi posti i Halilajt, një anëtar i rangut të ulët të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai figuron se është anëtar i Kryesisë në Partinë Demokratike të Kosovës, dega në Drenas.

Edhe pse anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike llogariten se nuk duhet të jenë të politizuar, kjo nuk e ka penguar Halilajn që të kontribuojë për partinë  e tij.

Ai zakonisht ka qenë aktiv në rrjete sociale dhe në një status të tij në Facebook kishte shprehur gëzimin e tij për koalicionin PDK-LDK në Pejë.

Këtë e kishte bërë përkundër se ishte pjesë e bordit të një ndërmarrjeje publike.

Halilaj ka qenë mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale duke e shprehur përkatësinë e tij politike. Në një postim ai kishte shprehur publikisht gëzimin e tij për koalicionin qeverisës në Pejë në mes të PDK-së dhe LDK-së .

“PDK-ja pjesë e qeverisjes lokale në Pejë gjë e mirë kjo për dy arsye;1. Koalicioni me LDK-në si dhe 2. PDK bëhet pjesë e pushtetit lokal në Dukagjin,” shkruante Halilaj më 1 janar të vitit 2014.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Halilajn për ta pyetur lidhur me militantizmin partiak përkundër pozitës drejtuese në ndërmarrjen “Trainkos”.

Po ashtu e pyeti atë lidhur me shkollimin e tij nëse ai është adekuat për udhëheqjen e kësaj ndërmarrjeje publike.

Halilaj parapëlqeu që të mos flasë.

“Komunikimi me media bëhet përmes zyrës së sekretarit. Nuk dua të komentoj,” thotë Halilaj.

Bashkë me Halilajn në bordin e “Trainkosit” u emëruan edhe pesë të tjerë nga qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa.

Ata janë Sadik Kryeziu, Naim Gashi, Bujar Hasimi, Nusri Sallahu dhe Mustafa Mustafa.

Derisa Halilaj është i lidhur me PDK-në, kryesuesi i bordit në këtë ndërmarrje vjen nga LDK-ja.

Sadik Kryeziu vjen nga Malisheva dhe me profesion është jurist.

Ai është anëtar i kryesisë së LDK-së në Malishevë.

“Aktivitetet e mia politike nuk kanë qenë asnjëherë të fuqishme,” i tha Kryeziu Gazetës Jeta në Kosovë duke shtuar se ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai më herët ka mbajtur pozitën e kordinatorit për çështje juridike dhe administrative në Divizionin e Trashegimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Këtë post e ka mbajtur në kohën kur kjo ministri është udhëhequr nga Astrit Haraqia.

Kryeziu ka vazhduar edhe për disa kohë në këtë ministri, duke i ndërruar pozitat në zyrtar ligjor, shef i zyrës së personelit dhe drejtor ligjor.

Ai është dëshmitar në procesin gjyqësor të ish-ministrave të Kulturës Astrit Haraqija e Valton Beqiri të cilët akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit.

Kryeziu thotë se ka qenë meritor për të kryesuar bordin e “Trainkos-it”.

“Sa më përket mua e di që kam qenë me i miri, dmth kam qenë kandidati i parë i renditur në numrin 1, me më së shumti pikë të fituara gjatë intervistimit  ndër 15 kandidatet që komisioni përzgjedhës ia ka propopozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës  për emrim në pozitën e drejtorëve  të Bordit  në NP

‘Trainkos’.SHA. Dokumenti i tillë ekziston  edhe në dosjen time të emërimit dhe mund ta gjeni te Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës,” tha Kryeziu.

Edhe Sami Kafexholli, kryetar i degës së LDK-së në Malishevë e konfirmon se Kryeziu është anëtar kryesie në këtë parti.

“Ai ka kërkuar dorëheqjen. Ne do ta shqyrtojmë. E ka kërkuar dorëheqjen më moti. Ai herë ka marrë pjesë ne mbledhje të Kryesisë, herë nuk ka marrë pjesë,” tha Kafexholli.

Kryeziu më herët ka mbajtur edhe pozitën e zyrtarit për zhvillimin dhe trajnimin e stafit komunal në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv në Komunën e Malishevës.

Po ashtu ka kryer detyrat e sekretarisë së Kuvendit të Komunës në kuader të Zyrës së Kryetarit të atëhershëm Isni Kilaj nga radhët e PDK-së.

Me prejardhje nga LDK –ja në këtë bord nuk është vetëm Kryeziu.

Edhe Bujar Hasimi duket të jetë simpatizues i flakët i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai vjen nga Prishtina dhe ka të përfunduar fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

I kontaktuar përmes telefonit nga gazeta Jeta në Kosovë, Hasimi nuk është përgjigjur as nj e-mailin e tij, as në mesazhet e dërguara në rrjetin social Facebook.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Afrim Kuleta, sekretar në “Trainkos”, më shumë informata për Hasimin.

“Trainkosi” ka dërguar një CV të Hasimit.

Aty tregohet se ka përvojë pune në administratë, ka punuar si sekretar teknik, ka qenë kontabilist në një firmë private si dhe është anëtar bordi në një organizatë joqeveritare të quajtur “Vullneti Rinor”.

Hasimi në Facebook vërehet se përkushtohet shumë në aktivitete partiake të LDK-së.
Madje ai ka krijuar një faqe në Facebook ku e promovon përfshirjen e tij në këtë parti.

Anëtar tjetër në bordin e “Trainkosit” do të jetë Naim Gashi.

Vjen nga Ferizaj dhe ka punuar në Ministrinë e Diasporës si udhëheqës i Divizionit për Hulumtime dhe Analiza në Departamentin e Investimeve të Diasporës. Gashi është ekonomist dhe ka përvojë të gjatë në këtë fushë.

Ai thotë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë subjekti politik.

 “Besoj se komisioni më ka përzgjedhur duke u bazuar në përvojat e punës time 22 vjeçare ku kam treguar suksese në punët menaxheriale në shumë kompani vendore dhe ndërkombëtare. Eksperienca ime në kampin Bondsteel besoj të më ketë dhënë më shumë pikë në përzgjedhjen time si anëtar i bordit,” tha Gashi.

Anëtari tjetër i bordit Mustafa Mustafa vjen nga Prizreni.

Mustafa ka studiuar në Sarajevë në fushën e komunikacionit.  Në biografinë e tij të siguruar nga sekretari i “Trainkosit” nuk tregohet për përvojën e punës .

Ai nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me punët që ka kryer para se të bëhej anëtar bordi.

Ndërsa Bastri Sallahu është anëtari tjetër i bordit në “Trainkos”. Është nga Vushtrria.
Bazuar në CV-në e siguruar nga sekretari i “Trainkosit” del se Sallahu ka punuar më herët në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë në cilësinë e zyrtarit të metrologjisë për forcë dhe presion.

Po ashtu ka punuar edhe si inspektues i kontrollimeve të automjeteve në një firmë private dhe ka punuar për disa organizata joqeveritare.

Në CV-në e tij ka shënuar se është ekspert i komunikacionit për shqyrtimin e analizave kohore e hapësinore dhe të aksidenteve në komunikacion.

Ai nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë në pyetjet lidhur me përvojën e tij në të kaluarën para se të emërohej në pozitën e anëtarit të bordit të “Trainkosit”.