Tolaj Kërkoi 10% për Vazhdimin e Kontratës
Në ambientet e kinemasë ABC1, Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten vazhdoi seancën kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.
Në pjesën e parë të kësaj seance, kolegji i gjykatësve dëgjoi përgjigjet e Berat Marmullakut, zyrtarit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Dëshmitari që nga viti 2008 punon në Departamentin e Prokurimit dhe ndër shumë kontrata që kishin dhënë ishte edhe ajo me “Jona Med”-in lidhur me penjtët kirurgjikë.
Marmullaku tregoi se si ministria në vitin 2011 kishte hapur tender të madh me 20 lote dhe në lotin e 20-të ishte ai i penjve kirurgjikë, për të cilën kishte konkurruar “Jona Med”, si operator ekonomik.
Dëshmitari tregoi se ai ishte kryetar i komisionit vlerësues, kurse anëtarë profesionalë ishin Hajrullah Fejza dhe Bekim Fusha.
Ai tregoi edhe për kriteret që kompanitë në atë kohë është dashur t’i plotësonin. “Kompanitë është dashur të sjellin certifikatën e produktit dhe katalogun. Kompania që do të fitonte duhej të ishte oferta më e lirë e përgjegjshme”.
Pasi që ishte mbyllur tenderi, MSh-ja kishte pranuar ofertat dhe i kishte hapur ato. Komisioni ishte mbledhur dhe kishte arritur të përpilonte raportin e tij lidhur me vlerësimin për operatorët, tregoi dëshmitari.
Vlerësimi ishte bërë për secilin ofertues dhe për secilin lot, ndërsa raportet i ishin dorëzuar te shefi i prokurimit, i cili më pas kishte mundësinë që t’i nënshkruante raportet, apo t’i kthente ato mbrapa. “Nëse e kthen raportin, kthimi duhet të jetë i arsyetuar mirë”, shpjegoi Marmullaku.
Më tutje, Marmullaku tregoi sesi ai dhe kolegët e tij kishin vlerësuar për lotin 20 se kushtet i ka plotësuar “Jona Med” dhe ai raport i ishte dërguar më pas shefit të prokurimit, Zenel Kuçi, aktualisht i pandehur në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.
“Zenel Kuçi i ka nënshkruar 19 lotet, përveç lotit 20. Në fillim unë nuk e dija arsyen pse nuk kaloi ky lot, por mendova se mund të jetë për shkak të një donacioni nga organizata HOPE”.
“Por pas dy apo tre javësh më është kërkuar që ta shqyrtojmë të njëjtin lot, për shkak të specifikave teknike, se kinse ‘Jona Med’ nuk i plotëson kushtet teknike”, dëshmoi Marmullaku.
Rishqyrtimin atij ia kishin kërkuar të pandehurit Zenel Kuçi, Hajrullah Fejza dhe Bekim Fusha. “Kur më kërkuar që ta rishqyrtojmë tenderin isha shumë skeptik se çdo alternativë tjetër do të ishte e drejtë”.
Pasi që fillimisht dëshmitari kishte refuzuar që ta rishqyrtonte tenderin, i pandehuri Zenel Kuçi i kishte thënë” “Ti e di që Ilir Tolaj nuk i jep tender ‘Jona Med’-it”.
Tutje, dëshmitarit i ishte dërguar edhe një e-mail nga Hajrullah Fejza, i cili i kishte treguar në mënyrë specifike se cilat kompani i plotësonin kushtet dhe specifikat teknike.
Në raportin e dytë, “Jona Med”-i ishte eliminuar për shkak të specifikave teknike, mungesa e katalogëve 5 dhe 6. Ndërsa komisioni e kishte rekomanduar, e më pas Zenel Kuçi e kishte nënshkruar kontratën për “Liri Med”-in, oferta e së cilës ishte gati 500 mijë euro më e shtrenjtë.
“’Liri Med’ kishte çmimin prej afro 920 mijë euro, ndërsa ‘Jona Med’-i ishte rreth 430 mijë euro”, tha Marmullaku.
Më vonë, kur dëshmitari ishte marrë në pyetje në prokurori, ai kishte kuptuar se “Liri Med”-i nuk i kishte plotësuar kushtet dhe specifikat teknike për të cilat ishte kthyer loti në rivlerësim.
Marmullaku tregoi se ai për 4 muaj ishte transferuar në një pjesë tjetër të MSh-së, kjo me vendim të sekretarit Permanent, Ilir Tolaj.
Ai tregoi edhe për problemin që i kishte lindur me të pandehurit të tjerë kur kishte shkuar në zyrën e financave për një certifikatë të pagesave.
“Unë isha në zyre duke shikuar në librin e pagesave, ka kaluar Bekim Fusha dhe më ka parë. Pas pak ai ka dërguar një e-mail te Ilir Tolaj dhe drejtori i financave, duke më akuzuar se kinse unë po shikoja dokumente konfidenciale”, tregoi dëshmitari.
Tolaj menjëherë e kishte ftuar në takim dëshmitarin dhe aty kishte ftuar edhe Musa Rexhën, drejtorin e financave; Arif Alidemën, drejtorin e investimeve kapitale; Dinë Kastratin, drejtorin e burimeve njerëzore dhe Bekim Fushën.
Tolaj në atë takim e kishte qortuar dëshmitarin dhe i kishte dhënë urdhër Kastratit që Marmullakut për shkeljen të fillojë procedimin disiplinor. Aty Tolaj i kishte thënë dëshmitarit se ai po i dërgonte letra prokurorisë, porse kishte thënë se nuk mërzitej për këtë punë.
Gjatë kohës sa po dëshmonte dëshmitari, prokurorja kërkoi që gjykatësja t’i tërheqë vërejtjen vajzës së Tolajt që gjendej në publik. “Vajza e Ilir Tolajt po bënë gjestikulime kundrejt meje dhe koleges time”.
Tutje dëshmitari u përgjigj edhe në pyetjet e mbrojtjes. Gjatë pyetjeve dëshmitari tregoi se ai nga dosja e tenderit e kishte hequr vlerësimin e parë për lotin 20, dhe e kishte lënë vetëm vlerësimin e dytë.
Këtë veprim, dëshmitari e pranoi se e kishte bërë vetë dhe se nuk e kishte kërkuar lejen e as nuk e kishte njoftuar askënd.
Pas pushimit, prokurorja hoqi dorë nga ndjekja penale për Alban Thaçin, të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit. Ky lajm bëri që në sallë të ketë duartrokitje. Avokati i tij, Ahmet Ahmeti, e falënderoi gjykatën dhe prokurorinë për korrektësinë.
Dëshmitari i radhës ishte Fadil Lubeniqi, pronar i kompanisë farmaceutike “Pro Farm Helvetica”, i cili për disa vite kishte punuar me tenderë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Dëshmitari tregoi se si ai në vitin 2010 e kishte fituar një tender për furnizim me infuzione të MSh-së. Në këtë tender, ai i kishte pasur pesë lloje të ndryshme të infuzioneve, ndërsa kontrata kishte qenë e tipit “një plus një”.
Dëshmitari tregoi se ashtu siç ministria ia kishte kërkuar përmes planit, firma e tij pa asnjë ditë vonese i kishte dërguar në katër stade infuzionet. Ai tha se nuk kishte pas asnjë vërejtje për dërgesat.
Lubeniqi tregoi se si ai ishte thirrur nga Hajrullah Fejza që të shkonte në MSh që të merreshin vesh se a janë për vazhdimin e kontratës, apo jo. Por, aty i ishte thënë se “janë të gatshëm ta vazhdojnë kontratën, porse ata do ta kërkojnë shpërblimin që iu takon atyre”.
“Nëse doni ta vazhdoni kontratën edhe për një vit, ju duhet të jepni 10%, pasi që kjo është kërkesë e shefit, zotëri Ilir Tolajt”, tregoi dëshmitari se i ishte thënë atë ditë në MSh.
“Unë ju thash se fitimi jonë është vetëm 9.8% në gjithë tenderin dhe se këtë ata e dinë pasi që në MSh e kam marr lejen e importi të mallit”, shtoi dëshmitari.
Pasi që ishin ndarë me Hajrullah Fejzën, dëshmitari kishte parë se Fejza ishte takuar me Ilir Tolajn, porse nuk e dinte nëse ka qenë rastësi, apo Tolaj ka qenë duke pritur një përgjigje nga dëshmitari.
Tutje Lubeniqi kishte kuptuar se në një tender tjetër ishte shtuar edhe një lot i ri që kishte të bënte me infuzionet dhe nga aty ai e kishte kuptuar se kontrata atij nuk i ishte vazhduar.
Operatori “Exclusive” Gjilan, që e kishte fituar tenderin për infuzionet kishte qenë më i shtrenjtë se firma e dëshmitarit për më shumë se 30%.
Dëshmitari po ashtu tregoi se pasi që nuk i ishte vazhduar kontrata, ai ishte dashur t’i paguante të gjitha borxhet dhe ta mbyllte firmën e tij në tremujorin e parë të 2011-ës.
Dëshmitari do të vazhdojë edhe të premten dëshminë e tij.
Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme. Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit. Për këtë pjesë aktakuza është konfirmuar.
Po ashtu aktakuza është konfirmuar për Ilir Tolajn në disa nga pikat e aktakuzës. Tolaj para gjykatës do të përgjigjet për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose i autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.