Tjetër mësymje parave të Trust-it, si shkoi nisma e vitit 2020

Ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur se ka dërguar në Qeveri projektligjin për plotësim-ndryshim të Ligjit për fonde pensionale, për çështjen e tërheqjes edhe një sasie të caktuar nga Trusti. Mirëpo, subjekti politik më i madh në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë propozim të PDK-së.

Një nismë e tillë për tërheqje të mjeteve në Trust, ishte marrë nga Qeveria e kaluar me kryeministër Avdullah Hotin. Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti në programin qeverisës, në një nga masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike pas rënies ekonomike si pasojë e masave të ndrëmarra për mospërhapjen e COVID-19, kishte paraparë tërheqjen e një përqindje të kursimeve pensionale.

Masa e pestë e kësaj pakoje kishte të bënte pikërisht për mjetet e Trustit.

“Masa e pestë për stimulim të kërkesës agregate. Këtu planifikojmë kthimin e një përqindje të mjeteve të kursyera të Trustit Pensional për kontributpagues bazuar ne nevojat e tyre e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhe tre mujore, ndërsa shteti e mbulon brenda disa viteve”, ka thënë Hoti në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoti.

Kohën kur po paraqitej kjo masë, fondi kishte 2 miliardë euro.

Për të shtyrë përpara idenë e tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trust, ish-kryeministri Hoti qe takuar me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtuesit e Trust-it, për të diskutuar për ecurinë e procesit të implementimit të nismës që si qëllim e kishte zbutjen e pasojave në ekonominë familjare për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19.

Në fillim të muajit korrik, nga Ministria e Financave ishte bërë e ditur se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një projektligj, i cili përveç zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, do të mundësojë që kontributpaguesit të mund të tërheqin një shumë të mjeteve nga llogaria e tyre në Trust.

Ky projektligji parashihej t’i dërgohej Kuvendit brenda dy javëve. Në mbledhjen e Qeverisë më 22 korrik 2020, u miratua ky projektligj për të shkuar më pas në Kuvend.

Tërheqja e 10% kursime në “udhëkryq”

Lidhur me tërheqjen e parakohshme të një përqindje të kursimeve pensionale dhe dilemat për këtë nismë, Instituti GAP doli me një raport i cili identifikoi përparësitë dhe dëmet që mund të shkaktoheshin nga kjo tërheqje.

Raporti i këtij instituti tregoi se tërheqja e një pjese të fondit nuk do të rrezikonte likuiditetin e sistemit financiar në vend.

“Tërheqja eventuale e një pjese të fondeve të Trustit nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe bankat komerciale nuk do ta rrezikonte likuiditetin e sistemit financiar të Kosovës. Deri më datën 13 korrik 2020, Trusti mban mbi 196.6 milionë euro në bankat komerciale në Kosovë, rreth 32.5 milionë në BQK dhe rreth 1.8 miliardë euro në instrumente tjera financiare”, thuhej në raport.

Tutje potencohej se tërheqja eventuale e të gjitha mjeteve të Trustit nga BQK dhe depozitat afatshkurta të bankave komerciale për t’i mbuluar pagesat e qytetarëve që vendosin t’i tërheqin 10 për qind të fondeve të kursyera, nuk do të shkaktonte krizë të likuiditetit te bankat komerciale në Kosovë.

Ana tjetër e medaljes ishe se, tërheqja e parakohshme e të hollave nga Trusti do të reduktonte kursimet e qytetarëve kontributpagues të dedikuara për moshën e pensionimit.

“Trusti ka rreth 670 mijë llogari të hapura të kontributpaguesve që nga themelimi ku prej tyre rreth 380 mijë janë llogari aktive. Ofrimi i mundësisë së tërheqjes së parakohshme të 10% të kursimeve të secilës llogari kërkon procesim dhe ekzekutim të një numri të madh të pagesave brenda një kohe të shkurtër. Kjo mund ta paraqes nevojën për rritje të stafit të Trustit për të realizuar transferet me kohë”, thuhet në raport.

Gjithashtu, një numër i qytetarëve nuk janë të informuar rreth platformës online të Trustit që tregon shumën e kursyer shumën që mund ta tërheqin të çdo personi të regjistruar.

Përveç kësaj, mjetet e qytetarëve në Trust ndryshojnë në kohë reale dhe si rrjedhojë mund të ketë paqartësi apo diskrepancë në mes të kursimeve në momentin që shikohen online dhe në kohën e tërheqjes së 10 përqindëshit të tyre.

Një tjetër raport analizë nga instituti INDEP, tregoi se domosdoshmërisht shpërndarja e gjerë e mjeteve do të ketë efekt pozitiv dhe zingjiror në ekonomi.

“Mundësia e tërheqjes së 10 për qind të kursimeve nga kontributdhënësit do të ndihmojë në rritjen e kërkesës agregate duke rritur konsumin, sektorin e shërbimeve, dhe në disa raste edhe ndërtimtarinë. Duke rritur kërkesën agregate shteti do të përfitojë nga Tatimi në Vlerën e shtuar si përfitim direkt. Ndërsa, përfitimi indirekt do të jetë shumë më i madh pasi që do të ndikojë në ruajtjen e vendeve të punës i cili rrezikohet të dëmtohet shumë nëse pandemia do të vazhdojë në këtë trend”, tregoi raporti.

Për më tepër raporti thoshte se janë mbi 2 miliardë euro në Trust, tërheqja e plotë e mjeteve do të rezultonte në 200 milionë euro në qarkullim në ekonomi. Nëse shikohej në përqindje të Produktit Bruto të Brendshëm do të kishte një ndikim afër 3 për qind.

Katër ‘kushtet’ e Trustit për tërheqjen e mjeteve

Tërheqja e këtyre mjeteve mund të bëhej vetëm online dhe atë vetëm pasi që ligji të hyjë në fuqi, të nënshkruhej nga presidenti dhe të publikohej në gazetën zyrtare.

Këtë e kishte thënë, drejtori menaxhues i FKPK-së, Ardian Zalli, pas një takimi që kishte me zëvendëskryeministrit e atëhershëm Besnik Tahiri.

Në Kuvend, disa subjekte politike, ishin pro votimit të këtij projektligji e disa të tjera kundër. Partia PDK kishte thënë se projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike i propozuar në Kuvendin e Kosovës, nuk adreson problemet e vendit me ekonomi dhe pandemi.

Sipas kësaj partie, tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale, do të dëmtojë qytetarët, meqë shteti nuk do të rimbursojë asnjëherë këto mjete. Kundër ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte deklaruar se nuk do të përkrahë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Nga subjekti politik LDK ishte kërkuar që ky projektligj të votohet ndërsa nga AAK ishte quajtur të turpshme mungesa e deputetëve për votimin e këtij ligjit.

Pas disa tentimeve, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 në seancën e jashtëzakonshme të datës 4 dhjetor 2020.

Ky projektligj kishte arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Votat qeverisë për ta kaluar këtë projektligj ia siguruan deputetët e PDK-së, të cilët propozuan amandamente shtesë.

Nëpërmjet këtij projektligj mes të tjerash parashihej tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

Ligji në fjalë ishte proceduar nga qeveria që nga vera, ndërkaq në lexim të parë kishte arritur të miratohet pas gjashtë tentimeve. Kurse, në lexim të dytë, më 11 nëntor nuk kishte arritur që të niste seanca për votimin e tij për shkak të mungesës së kuorumit.

‘Black Friday’ për tërheqjen e kursimeve

Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, kishte njoftuar se të premten e datës 11 dhjetor 2020 në ora 15:00 do të hapej sistemi për të aplikuar për Fondin e Kursimeve – Trust. Në anën tjetër, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, kishte thënë se aplikimi është i lehtë.

Ndonëse faqja fillimisht ishte jashtë funksioni, për më pak se  një orë prej se ishte hapur mundësia për të aplikuar në Trust për të tërhequr 10 për qind  të vlerës, kishin aplikuar mbi 30 mijë persona.

FKPK kishte njoftuar se atë ditë ishin bërë 218 mijë aplikimi për tërheqjen e 10 për qind të kontributeve ndërsa brenda dy ditëve të para, ky numër kishte shkuar deri 270 mijë.

Shifrat për tërheqjen e mjeteve tregonin edhe raste interesante.

Rreth 6 mijë qytetarë, kishin aplikuar për tërheqjen e 10 eurove nga kursimet e tyre. Ndërsa për t’i tërhequr më pak se 100 euro nga kursimet e tyre pernsionale, numri i qytetarëve që kishin aplikuar arriti në 72 mijë.

FKPK kishte caktuar datën 23 dhjetor 2020 për të realizuar pagesat në llogaritë bankare për aplikimet e para të qytetarëve për tërheqjen e 10 përqindëshit.

Sipas Trust-it, nga data 11 dhjetor 2020 deri me 6 prill 2021, 10 përqindëshin e kursimeve pensionale e kanë tërhequr 427,363 kontribuues dhe shuma e tërhequr ishte 198.06 milionë euro.

Më tej thuhet se fitimi mesatar i për të gjitha llogaritë ishte 24.2 për qind, me shumë mesatare prej 463 euro. Nga gjithsej rreth 650 mijë kontribuues që kishin të mundësi aplikimi për tërheqje, rezulton se 66 për qind e tyre kanë aplikuar për tërheqje.

Para Komisionit për Buxhet dhe Transfere, drejtori menaxhues Ardian Zalli kishte thënë se rimbursimi i mjeteve për qytetarët që tërheqin para nga fondi i kursimeve pensionale sipas ligjit, parashihet të nis në vitin 2023.

Burimi: Fondi i Kursimeve Pensionale te Kosoves (FKPK)
Burimi: Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK)

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) që njihet edhe si Trust, është institucion publik i pavarur dhe jo fitimprurës, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

FKPK u themelua në fund të vitit 2001 dhe aktivitetin e filloi në muajin gusht të vitit 2002. Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Fondi i FKPK-së, është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

Me legjislacioni në fuqi mund të përdoren vetëm për pension dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër. Në të kundërtën, nevojiten ndryshime ligjore.