Timori Lindor e Njeh Pavarësinë e Kosovës

“I nderuari Ministër Hoxhaj, shpreh mirënjohjen për vizitën tuaj në Timorin Lindor me 15 shtator, ku ne kemi diskutuar çështjet e interesit të përbashkët. Timori Lindor ndan eksperienca të përbashkëta dhe solidarizohet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës. Kam nderin që t’u përcjell juve, dhe përmes juve Qeverisë së Kosovës, se Qeveria Demokratike e Timorit Lindor njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Me këtë njohje formale është dëshira ime që Timori dhe Kosova mund të lidhin marrëdhënie diplomatike sa më parë”, thuhet në letrën dërguar ministrit Hoxhaj.

Në këtë letër po ashtu thuhet se Timori Lindor shpreh urimet e përzemërta popullit të Kosovës për progresin e arritur.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj me 15 shtator ka vizituar Timorin Lindor, ku ishte pritur nga përfaqësues të lartë të këtij shteti.

Gjatë takimeve të ndryshme edhe në Fiji dhe New York, Ministri Hoxhaj kishte marrë mbështetjen e këtij shteti për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas MPJ-së, numri i shteteve që e kanë njohur deri më tani Republikën e Kosovës, me Timorin Lindor arrin në 93. Njohja e fundit ishte ajo nga Papua New Guineja, më 3 tetor të sivjetmë.