Theodor Meron Rizgjidhet Kryetar i Tribunalit të Hagës

Gjyqtarët e ICTY-së të martën rizgjodhën Meron-in për kryetar ndërsa Carmel Agius-in si zëvendës të tij me mandat dyvjeçar, duke filluar nga 17 nëntori i këtij viti.

Vendimi do të sigurojë që Meron do të mbetet kryetar i Tribunalit deri në mbylljen e gjykatës në vitin 2016.

Meron mori 12 vota, ndërsa gjykatësi O-Gon Kwon, i cili gjithashtu kandidoi për kryetar, mori mbështetjen e gjashtë gjyqtarëve. Gjykatësi Alphons Orie ishte kandidat për zëvendëskryetar, por u mund nga Agius.

Kwon dhe Orie janë kryetarë të gjyqeve të shkallës së parë kundër ish-krerëve politikë dhe ushtarakë serbo-boshnjakë, Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit, të cilët po gjykohen për gjenocid dhe krime të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë konfliktit në fillim të viteve 1990.

Kjo është hera e tretë që Meron, 83-vjeçar, zgjidhet si kryetar i Tribunalit të Hagës.

Meron u kritikua ashpër nga shoqatat e viktimave në ish-Jugosllavi, pas publikimit të një letre nga gjykatësi i Tribunalit, Frederik Harhoff i cili kishte kritikuar shpalljen si të pafajshëm të udhëheqësve ushtarakë të rangut lartë.

Frederik Harhoff, një gjyqtar danez në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, kishte shkaktuar reagime, pas një e-maili privat ku kritikonte lirimet e fundit të komandantëve serbë dhe kroatë të luftës nga tribunali. E-maili u publikua në një gazetë në Danimarkë.

Në e-mail, Harhoff shkruante se ka dëgjuar që kryetari i Tribunalit, Theodor Meron, dyshohet të ketë bërë presion mbi gjyqtarët e tjerë, për të miratuar lirimet e gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markac, si dhe gjeneralin jugosllav Momçilo Perishiq dhe zyrtarët e sigurisë serbe Jovica Stanisiq dhe Franko Simatoviq.

Harhoff gjithashtu akuzoi Tribunalin se ka ndryshuar politkat e tij në dhënien e dënimeve.