Thaçi: Zgjedhjet në Veri Kur të Mbahen në Krejt Vendin

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovë do të organizohen me ftesën e Prishtinës nga OSBE-ja, por do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, duke folur para kabinetit qeveritar.

Thaçi përsëriti mbështetjen për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ky asociacion do të ketë rregulloren e vetë të punës në baza vullnetare të bashkëngjitjes së çdo komune dhe shkëputjes në të njëjtën kohë, “por pa asnjë mandat legjislativ dhe ekzekutiv apo të pushtetit të tretë”.

Kryeministri e informoi kabinetin se një ditë më herë e ka prezantuar në Kuvend raportin për takimin e radhës në Bruksel me kryeministrin serb, Ivica Daciq. “Dëshiroj të falënderoj shumicën e partive politike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për këtë proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore për fqinjësi të mirë. Në të njëjtën kohë dua të theksoj se tash jemi në fazë të rëndësishme apo përfundimtare të këtij procesi për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

Të mërkurën në mbrëmje dhe të enjten paradite, në Kosovë do të qëndrojë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila pritet të ketë takime më bartësit e institucioneve të Kosovës dhe me një pjesë të liderëve politikë.
 
“Vizita e baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë e cila besoj që do të mund të lëvizë gjërat përpara, që të ndodhin këto marrëveshje më herët, por me theks të veçantë ne do të fokusohemi edhe në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmat implementues, edhe KFOR-i, edhe EULEX-i, edhe institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë ndërkombëtare, domethënë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
 
Sa i përket Prishtinës, sipas tij, gjithçka është e qartë. “Qëndrimet tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet tona dhe me standardet evropiane”.
 
“Përkushtimi ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri; fillimi i funksionimit të jetës normale; shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë në këtë pjesë të vendit; krijimi i kushteve dhe rrethanave të përshtatshme për lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas legjislacionit kosovar; dhe në të njëjtën kohë, krijimi i kushteve të përshtatshme për organizmin e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore të vendit tonë në kohën kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën për nivelin lokal”, shtoi kryeministri.
Thaçi bëri të ditur se sot ka pasur një bisedë telefonike me Philip Reeker, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, nga i cili tha se ka marrë mbështetjen për tërë procesin që po zhvillohet.

Ai ka komentuar gjithashtu deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Nikoliq, pas takimit me baroneshën Catherine Ashton në Bruksel ka deklaruar se Prishtina zyrtare ka lëshuar pe lidhur me juridiksionin e komunave me shumicë serbe në veri.

Sipas Thaçit, “ato kanë qenë deklarata për të kënaqur opinionin e vet të brendshëm, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe”.

“Janë deklarata të mentalitetit të politikës së vjetër të Beogradit, që japin deklarata të ndryshme në rrethana të ndryshme, kur janë edhe të periudhave, siç e theksova edhe dje, nga Beteja e Kosovës, Rambuje, Marrëveshja e Kumanovës e deri në ditët e sotme. Por, sot është një rrethanë e re, jemi vende të pavarura dhe sovrane, synimi dhe qëllimi ynë është që të kemi fqinjësi të mirë si dy vende sovrane të integrohemi në NATO dhe BE, e për Kosovën të ketë lëvizje edhe për anëtarësim edhe në OKB”.

Nga ana e tij, kryeministri tha se ka vullnet dhe përgjegjësi për normalizimin e gjendjes në veri, sikurse dhe raportet ndërshtetërore Kosovë-Serbi.