Thaçi: Dorëhiqem për Çështje Personale

 

Gani Thaçi, vëllai i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në të cilën ishte emëruar në fillim të javës së kaluar.  

Dorëheqja nga posti që paguhet afro 4 mijë euro sipas Thaçit është bërë për arsye përsonale. 

“E kam njoftuar bordin për këtë. Kam dhënë dorëheqje për shkaqe përsonale”, ka thënë Thaçi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai nuk ka pranuar të bëjë publike arsyet e tij personale për tërheqjen nga posti në të cilin ishte emëruar nga Bordi i Byrosë Kosovare të Sigurimit. 

“Askush nuk ka kërkuar nga unë që të japë dorëheqje. Nuk kam pasur presion nga askush për këtë”, ka deklaruar Thaçi.

Dorëheqja e tij do të shqyrtohet nga Bordi i BKS-së gjatë javës së ardhshme. 

“Ne do ta shqyrtojmë dorëheqjën e tij javën që vjen. Me sa di unë është Thaçi ka dhënë dorëheqje për çështje personale”, ka deklaruar Rrahim Pacolli, kryetar i bordit të BKS-së një institucion që mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe e përfaqëson vendin në byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve pa paguar sigurime kufitare shtesë. 

Gazeta JNK kishte raportuar para një jave se Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tri vite përvojë menaxheriale. Pacolli pati deklaruar se Thaçi kishte 3 vjet e gjysmë përvojë menaxheriale si zv/drejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve. Kishte pasur edhe kandidatë që kanë më shumë përvojë menaxheriale por, sipas Pacollit, nuk ishin të përshtatshëm pasi i kishin ndërruar shpesh vendet e punës.

Artikullin e mëhershëm mund ta lexoni këtu.