Testi si luks: Zyrtarët para qytetarëve, komunat presin me ditë në radhë

Shpërthimi i sërishëm i përhapjes së coronavirusit në Kosovë duket se i ka gjetur qytetarët dhe institucionet shëndetësore në alarm sa u përket testimeve.

Komunat e Kosovës, të kontaktuara nga KALLXO.com, kanë folur për një vonesë disaditëshe të kryerjes së testimeve te kontaktet e personave të infektuar ndërsa Ministria dhe Instituti i Shëndetit Publik mohojnë të jenë duke bërë favorizime në kryerjen e testeve, siç është denoncuar gjerësisht në rrjete sociale ditëve të fundit.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë për media tha se tash e tutje do të bëhen testime për Coronavirus vetëm personave të cilët kanë simptoma, siç janë kollitje, ethe, vështërsi në frymëmarrje si dhe humbje të shqisës së nuhatjes, këtu duke mos përfshirë edhe rastet e kontaktit të personave të cilët rezultojnë pozitiv.

Deri së fundmi, për tre muaj është testuar çdo person kontakti me personin që ka rezultuar pozitiv e madje edhe kontaktet e kontakteve.

Por, një gjë e tillë tashmë nuk po bëhet.

E njëjta nuk po vlen edhe për personat që janë nëpër institucionet e vendi, pasi që të njejtëve po u testohen rastet e kontakteve.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi rezultoi pozitiv me COVID-19, dhe u testuan rastet e kontaktit.

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorin e Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani në lidhje me këtë çeshtje por i njejti e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai në një përgjigje telefonike tha se prioritet është qytetari

“Jo, prioritet ka qytetari sipas indikacioneve, askush nuk ka më shumë apo më pak. Me indikacione epidemiologjike jemi prej kur kemi filluar, ne nuk ndërrojmë, ne jemi mjekë”, u përgjigj drejtori Ramadani.

“Krejt sipas indikacioneve epidiomologjike jemi duke punuar nuk kemi çfare të themi tjetër”, u shpreh tutje ai.

Në lidhje me testimet e kontakteve të personave që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, Ramadani tha se do të ketë të tilla.

“Kur një person rezulton pozitiv, Instituti gjurmon rastet e kontaktit dhe ata me shenja në radhën e parë në mënyrë emergjente testohen”, tha ai duke shtuar se të gjithë qytetarët sipas nevojës do të testohen.

Pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për nisjen e testimeve masive, kjo gjë nuk shihet ende në horizont. Ditën e fundit, të hënën, IKSHP ka realizuar 231 testime nga të cilat 122 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Në anën tjetër, të shumta janë ankesat e qytetarëve të cilët janë familjarë apo kontakte të personave që kanë rezultuar pozitiv ditëve të kaluara por që nuk janë testuar.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, drejtorë të Shëndetësisë e kryetarë të komunave të Kosovës kanë konfirmuar se nuk janë duke u testuar kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitivë dhe kjo erdhi pas shkresave të fundit me rekomandime nga ana Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar komunave.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemajli, ka thënë për KALLXO.com se në bazë të rekomandimeve të fundit të dhëna nga ana e MSH-së dhe IKSHP-së, testohen vetëm kontaktet që kanë simptoma të virusit COVID-19.

“Pas rekomandimeve të fundit të MSH-së dhe IKSHP-së testohen vetëm rastet që kanë simptoma të qarta të COVID-19 as familjarë as raste të punës. Pa pasur simptoma sipas rekomandimeve askush nuk mundet me u testu”, tha ai.

Ai shtoi se kontakteve të personave që kanë rezultuar pozitiv u rekomandohet që të vetizolohen.

“Ne kontaktet i marrim të personave të infektuar dhe i rekomandojmë që me zbatu rregullat e vetizolimit dhe sa të mundemi i mbikëqyrim, mund të ketë raste që ndonjë mund të bëjë edhe shkelje pa e ditë policia apo ne, por në moment që mësojmë një gjë të tillë apo kemi ankesa ne do t’u tërheqim vërejtjen”, shton Xhemajli.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha për KALLXO.com se testimet janë zbehur kohëve të fundit ndërsa shton se komuna që drejton mbrëmë ka shënuar një rast të ri.

“Kjo më shumë është përgjegjësi e Institutit. Qe një 1 muaj nuk kemi pasur raste të reja, një e kemi pasur mbrëmë por ai është i Prishtinës. Nuk janë testuar kontaktet e tij mbrëmë, është lajmëruar rasti, është i izoluar, ka qenë në kontakt në Ferizaj, është mjek tash duhet me këqyr me familje. Me testime janë më të zbehtë kohëve të fundit”, thotë Begaj.

Ish- Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu tash e dy javë ka marrë pozitën e Nënkryetarit të kësaj komune ka thënë se testimet duhet të bëhen për të gjithë e jo të ketë favorizime.

“Nuk duhet me pasë të privilegjuar, duhet të respektohet ligji për të gjithë njëjtë. Jo për dikë ligji me kanë njerkë e për dikë nënë. Pavarësisht nëse je funksionar apo deputet apo çka do qoftë duhet të jenë ligjet dhe shkresat duhet të funksionojnë njëjtë për të gjithë, ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë por kjo ndodh te ne”, thotë Shehu.

Ai tutje shton se ka pasur ankesa nga qytetarët për vonim të rezultateve të testimit.

“Ka pasur ankesa në momentin kur është ndërru qeveria, na kemi pasur probleme dhe kemi pasur ankesa që rezultatet i kemi marrë katër ditë me vonesë, e më herët kjo nuk ka qenë. Ky trend me qeverinë e re, po vonohen rezultatet për katër ditë dhe personat që janë testuar po presin me i marrë rezultatet. Kjo është një problem në vete sepse pas katër ditëve po na vjen konfirmimi se kush është me coronavirus dhe pas katër ditëve lëshohet vendimi për vetizolim dhe gjatë atyre ditëve personi ka mujt me lëvizë dhe me i infketu edhe të tjerët”, shton Shehu.

Edhe Shehu pranon që me rekomandimet e fundit që kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë nuk po testohen kontaktet e personave që po rezultojnë pozitiv.

“Sipas një shkrese që na ka ardhur ne nga MSh me rekomandim të IKShP-së thotë se testimet do të bëhen për personat që kanë simptoma, natyrisht kjo është kompetencë e Qendrës Emergjente Rajonale, por megjithatë kjo ëshytë shkresë që na ka ardh ne”, thotë ai.

Tutje ai shton se në një periudhë më herët janë gjurmuar dhe testuar edhe kontaktet e të rezultuarve me COVID-19.

“Sipas shkresës së ministrisë personat që nuk kanë simptoma por eventualisht janë të dyshuar rekomandohet që të shkojnë në izolim për dy javë ditë por nëse fillojnë të kenë simptoma mund të ju bëhet testi.

Në një periudhë të caktuar janëtestu edhe gjurmimet e kontakteve edhe kontaktet e kontakteve por me marrjen e shkresës së re ka numër më të vogël të gjurmimit të kontakteve”, shton ai.

Gjithashtu Shehu përmend edhe se qytetarët po ankohen për testime sa i takon udhëtimeve.

“Zakonisht po kemi ankesa prej qytetarëve që kanë nevojë për udhëtim e nuk po mund të testohen. Kjo ka qenë ankesa më e madhe deri më tani”, përfundon Shehu.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me ankesat e qytetarëve për testime të pakta.

I pyetur në lidhje me testimin e kontakteve të deputetit të LDK-së, Arben Gashi i cili doli pozitiv me coronavirus ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj thotë se kanë pasur simptoma.

“Ajo çka më është njohur është se dy bashkëshortët kanë pasur simptoma, jo të lehta. Arbeni ka pasur edhe vjellje e simptoma përcjellëse. Është drejtuar në Klinikën Infektive si pacient dhe unë jam njoftuar për vizitën e tij nga ambulanca në Infektivë dhe rekomandimet të cilat i janë përcjellë deri në marrjen e rezultatit nga i cili ka dalë pozitiv”, ka thënë Zemaj për KALLXO.com.

Ai mohoi se ka favorizime në testimet e familjarëve të fytyrave publike.

“Nëse ka ndonjë shkelje, autorizojmë Inspektoratin Shëndetësor”, shtoi Zemaj në lidhje me ankesat.

Ndërkohë, infektimi me virus edhe i sekretarit të Kuvendit dhe një zyrtari tjetër të këtij institucioni ka bërë që Kuvendi të kërkojë nga IKSHP që t’i testojë punëtorët tjerë, dhe kjo mund të shkaktojë telashe tjera në procesin e testimit të kontakteve nëpër komuna.

Më 22 qershor, KALLXO.com ka publikuar një dokument të cilin Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse​ të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Strategjinë e testimit laboratorik dhe ritestimit si dhe në strategjinë e testimit të ECDC të datës 27 maj 2020, ka rekomanduar që të bëjë përditësimin e strategjisë së testimit dhe ritestimit për coronavirus.

Në po këtë dokument pika e 8 e udhëzimit në “Rekomandimet për testim” thuhet se “nuk testohen personat asimptomatikë, por udhëzohen në vetizolim 14 ditor si dhe monitorim vetanak të gjendjes shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë”.

Udhëzuesi i ri: Kush dhe kur duhet të testohet për COVID-19?