Tërmeti rrit kërkesën dhe çmimet e banesave me qira në Durrës

Deri më 26 nëntor, dita kur një tërmet 6.4 i shkallës Rihter goditi qytetin bregdetar të Durrësit duke shkaktuar 51 të vdekur dhe qindra të plagosur, Islam Shqopa jetonte në një pallat 6- katësh të ndërtuar në fund të viteve 80’, të cilin e kishte blerë për 6 milionë lekë në vitin 2002.
Si qindra ndërtesa të tjera edhe pallati i Shqopës u dëmtua gjatë tërmetit dhe u shpall i pabanueshëm, duke e detyruar pensionistin durrsak të zhvendoset, fillimisht në çadër, pas 2 ditësh tek familjarët e tij dhe më pas në një banesë me qira.
“Normal që ka vështirësi të gjesh shtëpi me qira sot sepse është krijuar një vakum në treg, çmimet kanë lëvizur,” shprehet Islami. “Aq ka Durrësi se nuk ka shtëpi pafund,” shtoi ai.Shqopa dhe familja e tij janë sistemuar tek banesa e një miku të tij, ndërtuar gjatë pushtimit fashist në Luftën e Dytë Botërore, ku paguan një çmim preferencial prej 25 mijë lekësh në muaj.

“Nuk e ka pasur me qira dhe më tha eja po deshe të ofroj një kat,” kujton ai. “Unë po kërkoja shtëpi me qira, e sa ta paguaj diku tjetër ja jap këtij,” shtoi Shqopa.

Tërmeti i 26 nëntorit la pas mbi 4 mijë të pastrehë, pjesa më e madhe e tyre në Durrës. Për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të prekura Këshilli Bashkiak ka miratuara bonuse strehimi për më shumë se 1300 familje; megjithatë, kërkesa e lartë dhe e menjëhershme e ka bërë të vështirë sigurimin e një banese.

Sipas banorëve të Durrësit dhe agjentëve të pronave të patundshme, kërkesa e lartë ka sjellë dhe rritjen e pashmangshme të çmimeve; ndërkohë, aktivistët e shoqërisë civile ankohen se jo të gjithë banorët e prekur kanë përfituar bonus qiraje, pasi për shumë prej tyre nuk ka përfunduar procesit i vlerësimit të gjendjes së banesave.

Kriza e strehimi në Durrës pranohet dhe nga qeveria, e cila nënvijëzon se kjo situatë vjen si pasojë e numrit të lartë të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në Durrës është pak problem sepse janë të dëmtuara si shtëpitë e lira ashtu edhe ato të banuara dhe me zor po ecin, pasi ka shumë pak stok qiraje,” shpjegoi për BIRN Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Ndërsa në Tiranë nuk është problem edhe për Krujën e Thumanën kemi gjetur zgjidhje,” shtoi ai.

Kërkesë e lartë

Ornela Çuçi zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit duke folur për BIRN në njërin nga komplekset turistike ku janë strehuar qytetarët e Durrësit. | Foto : Geri Emiri

Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi të martën listën e dytë të qytetarëve të cilët përfitojnë bonus qiraje. Burimet zyrtare nga bashkia sqaruan se për një banesë 1 dhomë e një kuzhinë qeveria ofron 20 mijë lekë, 2+1 ofron 25 mijë lekë dhe 3+1 ofron 30 mijë lekë qira – një shumë mesatarisht më e lartë se bonusi i qirasë në Bashkinë Tiranë.

Lista deri më tani rendit si përfitues 1310 kryefamiljarë, teksa tregu është dukshëm i kufizuar.

“Banesa të disponueshme në Durrës kemi gjetur rreth 400, por që të gjitha pretendojnë t’i shesin dhe jo t’i japin me qira”, shpjegoi në një bisedë telefonike zëvendësministri Bejtja.

Sipas zëvendësministres së Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi kërkesa për shtëpi me qira është shumë herë më e lartë se oferta.

“Deri më tani në qytetin e Durrësit janë të strehuar në hotele 4200 banorë,” tha ajo, duke shtuar se me miratimin nga Këshilli Bashkiak Durrës të listës së personave që përfitojnë bonus qiraje, emrat do t’ia kalojnë hoteleve që të nis sistemimi i tyre në shtëpi me qira. Sipas Çuçit edhe pse një pjesë e shtëpive të këtyre banorëve mund të jenë të banueshme, dëmet janë serioze dhe meremetimet do të kërkojnë kohë.

“Një pjesë e mirë edhe nëse janë të banueshme duan meremetime prandaj nuk kemi bërë presion që qytetarët të largohen nga hotelet, duke i lënë afat deri në gjetjen e një banese me qira”, tha Çuçi.

Pas tërmetit Romina Lluca dhe familja e saj u strehuan në një hotel në Cërrik. Para një jave ajo u kthye në Durrës, për të kërkuar një shtëpi me qira, mundësisht në katet e ulëta pasi i ati ka kufizime në lëvizje.

“E vështirë shumë, me zor e kemi gjetur, shumë, shumë e vështirë”, tregon e reja që sapo ka rënë në ujdi për një shtëpi në zonën e Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe mbetet në pritje që në listën e radhës t’i dalë emri për bonus qiraje. “Jemi edhe durrsakë, e fut mik këtej e andej, me zor e kemi gjetur”, shtoi ajo.

Kjo është një nga zonat më të lakmuara sot sipas agjentëve të pasurive të patundshme, së bashku me zonën e bulevardit dhe të shëtitores Taulantia. Ndërkohë,  zona e plazhit, e Stadiumit dhe Spitalit është jashtë preferencave, evidentuan për BIRN agjentë të ndryshëm të pasurive të patundshme.

“Mesatarisht, ne minimumi kemi dhënë dy banesa në ditë me qira, por nuk është e lehtë sepse kemi qenë të përqendruar në qytet,”  analizon Artan Selimaj, ndërmjetës i agjencisë “Remax Star Durrës”.

“Një pjesë e mirë e apartamenteve që kemi pasur janë dëmtuar dhe i kemi lënë fare deri në momentin që do riparohen apo do shpallen të banueshme”, shtoi ai.

Anisa, një tjetër agjente imobiliare në Durrës, e cila nuk pranoi të identifikonte agjencinë për të cilën punon, tregon se klientët nuk i duan pallatet e reja ose kur i marrin, janë ato të padëmtuara fare dhe maksimumi në katin e tretë. Ndërkohë, kolegu i saj Erin Reka shtoi se megjithëse katet më të larta mund të jenë më të sigurta, qytetarët kanë frikë.

“Ne kemi të disponueshëm shumë apartamente në katet e larta por që nuk preferohen”, tregon Reka, ndërmjetës i agjencisë “Century 21 New Day”, në Durrës.

Vonesa për minoritetet

Erin Reka, ‘broker’ [ndërmjetës] i agjencisë imobiliare “Century 21 New Day”, Durrës, duke folur për BIRN. Foto Geri Emiri/BIRN
Jo të gjithë qytetarët kanë mundur të dorëzojnë dokumentet për bonus qiraje. Procedura e verifikimit dhe klasifikimit të gjendjes së banesave ka krijuar pengesa për disa kategori shoqërore me specifika të veçanta. Agjentët e pasurive të patundshme shprehen se të paktë janë qytetarët pjesë e komunitetit rom apo egjiptian që i janë drejtuar për një banesë me qira, por në rastet kur ka ndodhur nuk ka pasur sjellje diskriminuese nga qiradhënësit.Aktivisti i të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian në Durrës, Ilir Jakupi shprehet se sipas tij problemi i këtij komuniteti qëndron në procesin e verifikimit të banesave, që më pas të mund të vijojnë procedurat për bonusin e qirasë.“Disa familje kanë probleme sepse ende nuk kanë shkuar inxhinierët për të verifikuar banesën, sepse që të marrësh bonusin e qirasë duhet një vërtetim nga kryetari i njësisë administrative  që banesa është e pabanueshme,” tha Jakupi, i cili drejton organizatën joqeveritare USHTEN, në Durrës“Në lagjen numër 18 ende nuk kanë ardhur inxhinierët. I është thënë gojarisht nga kryetarët e njësive administrative që do ju mbështesim me bonus qiraje por ata janë lënë pas dore për momentin,” tregon Jakupi, duke shtuar se në zonën e stadiumit ‘Niko Dovana’ ka një numër të madh banorësh të komunitetit egjiptian.Mungesa e informacionit dhe e kulturës së dorëzimit të një ankese për verifikim banese që më pas të vijohet me aplikimin e bonusit të qirasë, u evidentua si pengesë për komunitetin egjiptian, që kryesisht banojnë në lagjet numër 16 dhe 18.Rriten çmimet e qirasë
Pallat i dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor, në zonën e plazhit, Durrës. Foto Geri Emiri/ BIRN

Përpara goditjes së tërmetit, familja e Romina Llucit jetonte në një pallat të ndërtuar gjatë regjimit komunist nga Ish-Uzina e Radiotelevizorëve Durrës, UEM-i. Pallati 989 ose i UEM-it, ndërtuar me punë vullnetare kishte 18 apartamente.

Gushtin e këtij viti Romina dhe familja e saj shlyen pagesën e fundit për apartamentin, të cilin e blenë në fillim vitet’ 90-të. Me dëmtimin e kolonave nga tërmeti, sot aty nuk banon më askush dhe të gjithë banorët, përfshirë familja Lluci janë detyruar të zhvendosen në apartamente me qira.

“Mirë kjo, po kanë shkuar shtëpitë nga 300 euro, janë edhe me euro tani se përpara një 2+1 e merrje edhe me 15 mijë lekë”, u ankua Romina.

Agjenti Erin Reka shprehet se rritja e çmimeve ka ardhur edhe si pasojë e dëmtimeve të shumë apartamenteve që jepeshin me qira të ulët.

“Njerëzve i duket shumë sepse banesat që jepeshin lirë me qira janë prishur, se i tillë ka qenë ndërtimi ose edhe janë zënë, e nuk ka më apartamente me çmime të lira,” tha ai.

“Realisht ky çmim ka qenë me apartamentet e lira sot në treg”, shtoi Reka.

Përveç kërkesave për katet e para, një tjetër kërkesë që gjen pak hapësirë në treg është edhe gjetja e banesave të pamobiluara. Një pjesë e mirë e banesave që ofrohen me qira janë të mobiluara, çfarë ndikon edhe në çmimin e tyre.

Por jo të gjithë pronarët e shtëpive me qira i kanë rritur çmimit; madje, disa prej tyre në të kundërt i kanë ulur.

“Në zonën e Vollgës qiratë kanë qenë të larta në krahasim me zonat e tjera, pasi konsiderohet si zonë turistike dhe elitare,” shpjegon Artan Selimaj. “Por kemi pasur edhe zbritje të çmimeve, ku e kanë thënë vetë se po bëjnë ulje për shkak të tërmetit”, përfundoi ai. (reporter.al)