Ilustrim

Tërheqja e investimeve të huaja, mundësi e artë për vende të reja të punës

Pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re e Kosovës janë të mëdha dhe ato shtrihen në gjitha sferat e jetës. Megjithatë, sipas shumë sondazheve, qytetarët e Kosovës më së shumti presin zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës.

Një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik është përmes joshjes së investimeve të jashtme direkte. Kjo nënkupton stimulimin e kompanive të ndryshme që operojnë jashtë Kosove të vijnë dhe të investojnë në Kosovë.

Fatkeqësisht kësaj mundësie të artë për zhvillim ekonomik nuk i është dhënë ndonjë theks i veçantë në të kaluarën por as në programet e partive politike në zgjedhjet e sapopërfunduara. Edhe në rastet kur investimet e huaja kanë qenë pjesë e diskursit të politikanëve, prapë rezultati ka treguar që nuk kishte investime të mjaftueshme. Fushatat e partive politike kanë qenë kryesisht të bazuara në premtime populliste si dhe në premtime për rritje të shpenzimeve në pothuaj të gjithë sektorët nga arsimi e deri te fondi për Ushtrinë e Kosovës. Edhe sikur shpenzimet dhe të hyrat të rriten, prapë ato nuk do të mjaftojnë për të krijuar vende të reja të punës, aq shumë të nevojshme dhe të kërkuara.

Por, shembujt e shteteve tjera na tregojnë se ato e bazojnë zhvillim e tyre ekonomik në investime të jashtme direkte e cila ka rritur ndjeshëm punësimin në vendet e tyre.

Sipas Agjencisë për Zhvillim të Serbisë, Serbia është shndërruar në një destinacion të fuqishëm për investime të jashtme direkte duke e bërë lider të pakontestueshëm të rajonit duke i bindur shumë kompani siç janë Bosch, Michelin, Siemens e shumë tjera që të investojnë në Serbi.

Vlera e investimeve direkte të jashtme për çdo vit po rritet në Serbi ku për vitin 2019, kjo vlerë ka qenë gati 4 miliardë euro.

Edhe shtetet e tjera të rajonit janë fokusuar në investime direkte të jashtme.

Mali i Zi, i cili ka popullatë tre herë më të vogël se Kosova, edhe në kohë të pandemisë gjatë vitit 2020 ka arritur të ketë investime direkte të jashtme rreth 800 milionë euro, ku tre vendet e para që investojnë në Mal të Zi janë Rusia, Kina dhe Zvicra.

Edhe Kosova, me popullsinë më të re në Evropë,  duhet të ndjekë këtë model, i cili po del të jetë i suksesshëm për shtetet e rajonit.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, investimet direkte të jashtme në vitin 2018 ishin 213,7 milionë euro pra rreth 4 herë më të ulët sesa në Mal të Zi dhe rreth 20 herë më të ulët sesa në Serbi. Ky trend duhet të  përmirësohet nga Qeveria e re e Kosovës.

Sipas Raportit Hulumtues nga Institut për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), Kosova mbetet një vend jotërheqës për investime të huaja e sidomos larg tërheqjes së investimeve nga korporatat dhe markat e mëdha botërore.

Qeveria e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani ka shënuar përparim në disa faktorë që kontribuojnë në rritjen e investimeve të jashtme direkte siç janë politika tatimore më të favorshme në rajon, politikat e balancuara makroekonomike, infrastrukturën e përmirësuar rrugore; dhe sistemin e sigurt bankar por të pamjaftueshme për investime më serioze të jashtme.

Për të nxitur kompani serioze të investojnë në Kosovë mbetet shumë punë për të bërë. Besueshmëria në institucionet e Kosovës si dhe pengesat fiskale, pengesat administrative, korrupsioni, haraçi, krimi, vjedhja dhe ekonomia joformale vazhdojnë të jenë pengesa për të bërë biznes në Kosovë dhe kërcënojnë mjedisin e biznesit për tërheqjen e investimeve të jashtme direkte.

Edhe pse Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare siç janë Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) apo Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropë Qendrore (CEFTA) si dhe ka krijuar shumë trupa si Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike, Këshilli i Investitorëve Evropianë për të promovuar dhe nxitur investimet në Kosovë, sërish numrat tregojnë se interesimi i kompanive të huaja për të investuar në Kosovë mbetet i ulët.

Ka edhe pengesa të tjera që pamundësojnë ardhjen e investitorëve të huaj seriozë. Një ndër këta faktorë është fuqia profesionale punëtore.

Edhe pse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, fatkeqësisht shkollat profesionale në Kosovë çalojnë shumë dhe nuk po arrijnë të nxjerrin kuadro profesionale gjë që është pengesë për investitorë të huaj.

Zvarritja e lëndëve gjyqësore me vite apo edhe me dekada është tjetër faktor dekurajues. Po ashtu, pengesat administrative si licencimi, kohëzgjatja e marrjes së lejeve ndërtimore, procedurat e tejzgjatura për përdorim të pronës komunale, mungesa e hapësirave biznesore, ndërprerja e pakontrolluar e rrymës elektrike, janë faktorë tjerë dekurajues për bizneset e huaja.

Për të pasur sukses procesi i nxitjes së investimeve të jashtme direkte, Qeveria e re e Kosovës duhet të vendos si prioritet në agjendën e vet. Të bëjë hulumtime të mirëfillta në këtë drejtim se vetëm ekzistimi i agjencive apo komisioneve po del të jetë i pamjaftueshëm për nxitjen e investimeve të huaja. Lëndët gjyqësore që kanë të bëjnë me çështje biznesore duhet të trajtohen nga gjykata të veçanta të cilat do të punonin me një efikasitet më të madh. Në këtë drejtim do të ishte e udhës të shqyrtohet mundësia e krijimit të një gjykate komerciale.

Qeveria e Kosovës duhet t’i përmirësojë mangësitë e lartpërmendura e që mund të ketë edhe më shumë por në anën tjetër ka edhe elementë të cilët mund të inkurajojnë investitorët e huaj e që janë rini me njohuri të mira të gjuhës angleze, fuqi punëtore me kosto të ulët, tatimet më të ulëta në rajon, përdorimi i euros si monedhë zyrtare, legjislacioni në përputhje me BE-në, vendndodhja strategjike dhe mundësi të mëdha investimesh sektoriale në sektorë të veçantë, siç është Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimi (TIK).

(Autori është drejtor i organizatës Developing Together dhe hulumtues i temave të ndryshme, me fokus në banim dhe ndërtim)