Tentativa e KPM-së për censurimin e punës së mediave

Në fund të muajit dhjetor 2019 Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë kishte ndërmarrë një hap me të cilin synonte reformë në mënyrën e raportimit në Televizione dhe Radio.

Iniciativa e cila u anulua pas presionit të madh publik kishte nisur pas raportimeve të shumta të mediave nga proceset gjyqësore ku politikanët janë të akuzuar për korrupsion.

KPM është rregullator i mediave audio vizuale me kompetenca të japë dhe heqë licencat për TV-të dhe Radiot ndërsa gjatë rrugës mund të shqiptoj edhe gjoba për këto medium.

Në dhjetor 2019 opinionit ju bë e qartë se rregullatori kishte planifikuar ndryshime në rregullore të cilat preknin lirinë e shprehjes dhe të drejtën për tu informuar.

Në mesin e ndryshimeve ishte ndalimi në tërësi i raportimit nga gjykatat e po ashtu ndryshime të cilat mund të dërgonin në mbylljen e mediave në rast se shkelnin këto rregulla.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur censurues kurse Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe Internews Kosova kanë dalë me një reagim publik, ku e kanë konsideruar që ky Kod bie ndesh me Kushtetutën.

Draft-Kodi i KPM-së që ka tentuar të kufizojë punën e televizioneve dhe radiove, është inicuar në fund të muajit dhjetor të vitit 2019 nga KPM. I njëjti është pezulluar deri në shqyrtimin e komenteve dhe rivlerësimin e përmbajtjes së këtij Draft-Kodi.

Kjo është konsideruar meritë e të gjithë atyre që kanë reaguar, atyre që kanë dërguar komente në lidhje me nenet problematike dhe që kanë kontribuar që kjo temë të kthehet në debat publik.

Koordinatori i Zyrës Ligjore në Kallxo.com, Labinot Leposhtica ka thënë se ky Kod ashtu siç është hartuar bie ndesh me të paktën dy të drejta kushtetuese, që është liria e mediave dhe liria e shprehjes.

“Që nënkupton edhe marrjen e informacionit për publikun, kjo rregullore është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, me parimin e publicitetit, me nenin 301, kjo rregullore është në kundërshtim edhe me Udhëzuesin e Këshillit Gjyqësor për fotografimin dhe filmimin e seancave gjyqësore”, ka thënë Leposhtica.

Leposhtica ka shtuar se ky draft-Kod i ka tejkalu parimet kushtetuese edhe vetë kufizimet që i ka vendos Kodi i Procedurës Penale.

“Kodi i Procedurës Penale përcakton që shqyrtimi është publik dhe gjyqtari i çështjes që është i zoti i asaj çështje i vendos rregullat e publicitetit, kur vendos me i kufizu gjyqtari në rastet që u përmenden më herët, që mund të jenë çështje familjare, persona të mitur, çështje të integriteti seksual e të ngjashme, gjyqtari duhet me arsyetu me aktvendim të posaçëm, kufizimin e publicitetit të seancës”, ka theksuar ai.

Labinot Leposhtica nga KALLXO.com ka numëruar edhe nenet e këtij draft-Kodi që censurojnë punën e mediave. Leposhtica ka thënë se paragrafi 2 dhe paragrafi 11 i nenit 7 të këtij draft-Kodi ndalojnë raportimin nga gjakata.

“OSHMA-ve nuk ju lejohet të japin emrat, përshkrimin, pamjet, ngjashmëritë ose informatat specifike të ndonjë individi që gjoja ka kryer një krim, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përveç nëse për shkaqe të sigurisë publike një gjë e tillë kërkohet nga organet e rendit në rastet e ndjekjes së personave të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme”, thuhet në paragrafin 11 të nenit 7 të draft-Kodit të KPM-së.

Sipas Leposhticës, pjesa e përjashtimit në fund të këtij paragrafi i referohet rasteve kur vetë Policia publikon personat që janë në kërkim, personat e rrezikshmërisë së lartë e të ngjashme por në asnjë mënyrë nuk është përjashtim që duhet të ketë ky paragraf.

Ndërsa drejtori i Departamentit Ligjor në KPM, Niman Racaj ka thënë se qëllimi i kthimit të këtij neni ka qenë mbrojtja e figurave jo publike kurgjo dhe asgjë tjetër. Po ashtu Racaj ka thënë se nuk ka qenë qëllim i institucionit që të ndalohet raportimi nga gjykata për persona të cilët i takojnë profilit publik dhe që puna e tyre ka të bëj me interesin e publikut.

“Paragrafi 11, e keqja është se ka mbetur i interpretueshëm dhe ne për këtë kemi ndërmarrë disa veprime të caktuara që mos të ngutemi nëse mbetet e interpretueshme si nen që ndalohet raportimi nga gjykata duke mendu që kjo është e interpretueshme si formë ne e kemi pezullu si akt dhe do ta rivlerësojmë në mënyrë që ky Kod të jetë në pajtim me lirinë e mediave dhe me lirinë e shprehjes dhe t’i promovoj ato”, ka potencuar Racaj.

Gazetari dhe moderatori i Radio Televizionit 21, Leart Hoxha theksoi se nëse i ndalohet televizionit të mbuloj një seancë gjyqësore atëherë detyrohen të publikojnë informacione të deformuara. Hoxha shtoi se institucionet shtetërore po tentojnë me i detyru mediat me promovu lajme gjysmake ose me operu me gjysëm-fakte.

“Nëse i ndalohet një ekipi televiziv ta mbuloj një seancë gjyqësore edhe nëse redaktori përgjgjegjës e konsideron që është me interes publik ne kemi me transmetu lajmin, po çka kemi me bo atëherë nëse nuk jam në gjendje me dërgu gazetar dhe kamerë, atëherë kam me u shërby me burime edhe kam me marrë lajm të deformuar edhe të njëanshëm, se ose kam me marrë prej avokatit ose prej dikujt që ka qëllu në seancë ose prej dikujt që ma jep versionin e vet edhe më pas jam tu e deformu lajmin”, tha Hoxha.

Sipas tij, shumë më lehtë është të rregullohet puna e mediave duke u rrit transparenca se sa duke u vendos bllokada edhe barriera ligjore në punën e mediave.

Anëtari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Beadin Syla tha që aktualisht KPM e ka një Kod që është i mirë dhe se KPM përmes këtyre ndryshimeve po tentohet të kthehet shumë vite prapa.

“Ne edhe në letrën që ua kemi dërgu kemi kërku arsyetime se cilat kanë qenë rastet që e kanë shty për me marrë këtë iniciativë, a mundeni me i thonë tri raste, ose një rast ku mediat e kanë shkelë të drejtën e një personi deri në momentin e shpalljes së aktigjykimit nga gjykata qoftë edhe e shkallës së parë”, ka shtuar Syla.

Njëra prej organizatave që kanë dërguar komente pas ftesës publike të KPM-së për këtë draft-Kod, ka qenë edhe Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK). Drejtoresha e AMPEK, Ardita Zejnullahu ka theksuar se figurat publike nuk duhet të frikësohen nga radiot dhe televizionet, për shkak se të njëjtat rregullohen institucionalisht.

“Mediat audio-vizuale janë të rregulluara institucionalisht prej KPM-së, është kollaj është me i mbrojtë ata prej lajmeve të rreme nuk kisha thënë që figurat publike duhet me pas frikë prej televizioneve dhe radiove që rregullohen prej KPM-së sepse është Kodi i Etikës, mandej janë ligjet e tjera që sanksionojnë çështen e lajmeve të rreme”, tha Zejnullahu.

Zejnullahu nga AMPEK shtoi se dilema pas iniciativës për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit është se pse po ndodh kjo, për t’i mbrojtur figurat publike apo për ekskluzivitetin e mediave online.

“A po bëhet me i mbrojtë figurat publike, qysh u tha në deklaratën e parë të përfaqësuesve të KPM-së apo po bëhet me i mbrojtë mediat online që me ua lonë ekskluzivitetin, sepse këta mediat online nuk i rregullojnë, ato kanë me vazhdu me raportime prej gjykatave, pamjet nga gjykata nuk kishin guxu me u shfaq në televizione apo radio”, përfundoi Zejnullahu.

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy – NED).