Avdullah Hoti gjatë fushatës | Foto: Facebook

Tentativa e dytë e Avdullah Hotit për ta drejtuar Qeverinë e Kosovës

Avdullah Hoti për herë të dytë e mori besimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u bërë kryeministër, në rrethana krejtësisht të ndryshme politike.

Hoti ishte kandidati i LDK-së për kryeministër për zgjedhjet nacionale të vitit 2017, por nuk kishte arritur të marrë besimin qytetar për ta drejtuar vendin, pasi partia tij ishte renditur e treta.

Hoti atë kohë kishte arritur t’i sigurojë mbi 100 mijë vota – si bartës i listës, ndërkaq nga zgjedhjet e fundit, me vetëm 26 mijë e 94 vota, ai pritet të bëhet kryeministër.

Ai u propozua për pozitën kryesore ekzekutive pas më shumë se dy muaj prej kur u zgjodh zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti, për t’u shkarkuar më pas nga eprori i tij, pas rrëzimit të Qeverisë me 25 mars.

Mes kritikave për krizën politike në kohë të pandemisë, presidenti Hashim Thaçi i dha LDK-së mandatin për ta formuar Qeverinë, duke mënjanuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila as nuk dërgoi emër dhe as nuk e refuzoi të drejtën si fituese e zgjedhjeve të mandatojë dikë tjetër për kryeministër, duke kërkuar shkuarjen ne zgjedhje, pas situatës me pandeminë e coronavirusit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019, Avdullah Hoti kishte kandiduar për deputet të Kuvendit të Kosovës, përderisa më 3 shkurt mori post ekzekutiv nga koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Në zgjedhjet e fundit, ai kishte marrë 26 mijë e 94 vota, duke u renditur kështu njeriu i pestë më i votuar në këtë parti. Hoti ishte votuar më pak se bashkëpartiakët e tij, Vjosa Osmani, Kujtim Shala, Anton Quni e Lumir Abdixhiku.

Në legjislaturën e kaluar të Kuvendit, Hoti ishe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ndërsa paraprakisht e kishte drejtuar Ministrinë e Financave për një mandat në Qeverinë e Isa Mustafës, në vitet 2014-2017.

Në të kaluarën më të hershme politike, Avdullah Hoti ishte nënkryetar në Komunën e Prishtinës, atëbotë e drejtuar nga Isa Mustafa.

Ish-zëvendëskryeminstri njihet për kundërshtimet e tij me kryeministrin tash në detyrë, Albin Kurtin.

Hoti në 50 ditët sa ishte në qeveri, kritikoi në vazhdimësi Kurtin se nuk po hiqte kundrejt kërkesave të partnerëve të Kosovës, respektivisht ShBA-së, tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Të enjten e 23 prillit, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së nga e cila u propozua për kryeministër, ai tha se kjo qeveri po krijohet në rrethana specifike, për disa arsye.

“Kjo qeveri po krijohet në rrethana specifike të pandemisë dhe për shkak të zhvillimeve politike. Unë kam marr bekimin nga LDK-ja për të provuar të ndërtojmë ekipën për qeverinë e re që do të ketë sfidën e parë, menaxhimin e pandemisë dhe sfidën e dytë, rimëkëmbjen e ekonomisë”, tha ai.

Hoti pati deklarime edhe për dialogun me Serbinë dhe reciprocitetin.

“Dialogu është çështja kryesore me të cilën do të ballafaqohemi në qeverinë e re. Dialogu do të udhëhiqet nga Qeveria. Jam i bindur që do të krijojmë edhe një konsensus të nevojshëm”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket reciprocitetit me Serbinë, Hoti tha se çdo masë do të diskutohet me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.