Objekti i Ministrisë së Arsimit

Tenderi për digjitalizimin e shkollave për të verbërit për herë të pestë në OSHP

Tenderi i ministrisë së Arsimit për të digjitalizuar e shkollat e të verbërve, i hapur në kohë të pandemisë, ende nuk është përmbyllur. Ky tender ka shkuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për herë të pestë.

Kësaj here, tenderi ka shku në gjykatën e tenderëve pasi ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e ka anuluar tenderin për digjitalizim të shkollave në mungesë fondesh përkundër që procedurat e prokurimit janë përfunduar.

MAShTI vitin e kaluar i kishte zotuar 1 milion e 250 mijë euro.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak se nuk kemi mjete te mjaftueshme për nënshkrimin e kontratës,  Autoriteti kontraktues. ZKF nuk ka mundur te siguroj mjetet financiare”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit për anulimin e tenderit për “Furnizim lidhur me Digjitalizimin e materialeve moderne, modernizimi i shërbimeve nëpër shkolla si dhe furnizimi me pajisje të shërbimeve  online për shkollat e të verbërve”.

Kundër këtij njoftimi, kompania ‘Botek Sh.P.K’ është ankuar fillimisht në ministrin e Arsimit duke pretenduar se është bërë shkelje e ligjit të prokurimit. MASHTI nuk e ka miratuar ankesën e kompanisë Botek të bërë bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit.

‘Botek Sh.P.K’, më 15 korrik, ka bërë ankesë në Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) duke pretenduar se MAShTI nuk ka bazë ligjore ta anulojë këtë procedurë të prokurimit.

“Konstatimi i qëndrueshëm është se anulimi i aktivitetetit të prokurimit në këtë fazë nga AK është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Prokurim Publik dhe RRUOPP dhe se vendimi i Autoritetetit Kontraktues nuk përmbush asnjë nga arsyet sipas Ligjit për Prokurim Publik , neni 62”, thuhet më tej.

Në ankesën e tyre ‘Botek Sh.P.K’ thotë se ligji i Prokurimit nuk lejon që të anulohet tenderi pa u plotësu ndonjë prej kushteve që është cektur në nenin 62. Në ankesën e tyre, BOTEK pretendon se zyrtarët e MASHTI-it të cilët e kishin rekomanduar për kontratë në ofertë me ofert prej 38% më të lartë se oferta e tyre qëllimisht janë duke tentuar ta dëmtojnë këtë kompani.

Botek thotë se OSHP-ja disa herë ka marrë vendime për raste të ngjashme.

“Vendimet e lëshuara nga OSHP e qartësojnë përtej cfarëdo dyshimi se asnjë projekt nuk mund të anulohet në këtë fazë të procedurës së prokurimit kur tashmë janë përmbyllur të gjitha fazat e mundësive të ankimimi, vlerësimit, ri-vlerësimit dhe pritet vetëm nënshkrimi i kontratës”, thuhet në ankesën e bërë në OSHP-ë, e cila vazhdon të mbetet jo-funksionale në mungesë të anëtarëve të bordit.

Pas  kësaj, ankesa i është ndarë për shqyrtim ekspertit shqyrtues të prokurimit sipas procedurës së paraparë në ligjin e prokurimit për shqyrtim të ankesave.

Eksperti shqyrtues e ka finalizuar raportin e tij duke konstatuar që ministria e Arsimit nuk ka bazë ligjore për të anuluar tenderi. Ky raport i ekspertit shqyrtues nuk mund të shqyrtohet nga OSHP-ja pasi aktualisht ky institucion ka mbetur pa bord funksional. Qeveria e Kosovës i ka përfundu procedurat e prokurimit dhe i ka dërguar në Kuvend listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të OSHP-së të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në Konkurs. Sipas procedurës, Kuvendi e ka themeluar një komision i cili do t’i intervistojë dhe vlerësojë këta kandidatë dhe më pas do t’i propozojë Kuvendit kandidatët më të suksesshëm. Kuvendi i Kosovës aktualisht është në pushim dhe pritet të kthehet në seancën vjeshtore vetëm në muajin shtator.

“Eksperti shqyrtues i prokurimit mendon që AK ka bërë shkelje të nenit 44, paragrafi 6 i RRUOP-së që thotë se ndërprerja e procedurave të prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen: të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK”, thuhet në vlerësimin e ekspertit të OShP-së.

Sipas ekspertit, ofertat e operatorit ‘Botek Sh.P.K’, është ofertë e propozuar për t’u shpërblyer me kontratë është më e ulët se buxheti i paraparë për këtë aktivitet të prokurimit për rreth 34% në vlerë.

“Konsideroj se AK nuk ka vepruar në përputhje me LPP-në dhe legjislacionin sekondar më rastin e refuzimit të kërkesës për rishqyrtim të OE Botek, konkretisht nuk i ka zbatuar në mënyrë të saktë nenet 9 dhe 62 të LPP-së dhe paragrafin 6 të nenit 44 të RRUOPP-së”, thuhet më tej në përmbyllje të ekspertizës të ekspertit.

Tutje, eksperti shqyrtues konsideron se ankesa e ‘Botek Sh.P.K’ duhet të aprovohet si e bazuar dhe sipas tij, Paneli Shqyrtues i OShP-së të sjell vendim për miratim si të bazuar të ankesës dhe të obligoj MAShTI-n, që të vazhdojë me procedurën e njoftimit mbi vendimin e AK- dhe të nënshkruaj kontratën e dhënë sipas njoftimit të datës 5 mars 2021.

“Duke u bazuar në faktet, krahasimet, sqarimet dhe gjetjet tjera të cekura në këtë ekspertizë, eksperti shqyrtues i prokurimit i propozon Panelit Shqyrtues të OShP-së që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar. AK të obligohet që të vazhdoj me procedurat përmbyllëse të aktivitetit të prokurimit në përputhje me LPP-në dhe RRUOPP”, thuhet në fund të ekspertizës.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka bërë të ditur se nuk janë pajtuar me mendimin e ekspertit të angazhuar nga ana e OShP-së.

“Ne si Autoritet Kontraktues nuk jemi pajtuar me mendimin e ekspertit të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit”, thuhet në përgjigjen e tyre më shkrim duke mos dhënë detaje tjera.

Tenderi “Furnizim lidhur me Digjitalizimin e materialeve moderne, modernizimi i shërbimeve neper shkolla si dhe furnizimi me pajisje të shërbimeve  online për shkollat e të verbërve”, ishte hapur më 27 korrik të vitit 2020, pak kohë pas fillimit të pandemisë. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1 milion e 250 mijë euro. Ky tender ka qenë disa herë në gjykatën e tenderëve, e që OShP kishte kërkuar rivlerësim të këtij tenderi, pasi operatori ekonomik “Botek Sh.P.K” kishte bërë ankesë se MASHTI ia kishte dhënë kontratën një kompanie me ofertën më të shtrenjtë dhe ata kishin ofertuar më lirë. Pas rivlerësimit të tenderit, MAShTI më 5 mars të këtij viti kishte shpallur fitues operatorin “Botek Sh.P.K”, që kishte ofertuar më lirë së grupi i operatorëve ekonomik që para rivlerësimit ishin shpallur fitues.

Tenderi Ministrisë së Arsimit për blerjen e 5,000 tabletëve përfundon në Gjykatën e Tenderëve