Temat e rëndësishme për shëndetësinë që nuk gjejnë hapësirë në media

Shkruar nga Besim Kodra

Shëndetësia është sektor kompleks dhe vështirë i kuptueshëm për ata që nuk janë të sektorit të njëjtë. Duke qenë kështu, gazetarët që nuk kanë përgatitje profesionale shëndetësore e kanë të vështirë të kuptojnë dhe më pas të raportojnë për temat e shëndetësisë. Duke marrë parasysh këtë fakt, sot nëpër pjesën më të madhe të mediave shohim shumë pak tema për sektorin e shëndetësisë. Madje edhe ato pak temat që trajtohen nga ky sektor janë krejt sipërfaqësore.

Njëra prej arsyeve që nuk ka raportim meritor për shëndetësinë është mungesë e trajnimeve dhe edukimit për gazetarët e këtij sektori. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka gazetaria në përgjithësi dhe ajo hulumtuese në veçanti për këtë sektorë është e pafalshme që ky sektor të mos ketë fokusin e duhur nga mediat.

Edukimi i gazetarëve për temat e shëndetësisë bëhet edhe më i vështirë marrë parasysh që një pjesë e madhe e mediave fare nuk bëjnë profilizim të gazetarëve. Pra, nuk caktohet një gazetarë i veçantë që e mbulon këtë sektorë. Ato media që e bëjnë një profilizim të gazetarëve pas një kohe arrijnë të ketë një mbulim më të mirë të këtij sektori.

Por, fatkeqësisht pjesa më e madhe e mediave operojnë vetëm duke u bazuar në lajmet e ditës, pra nëse ndonjë temë në shëndetësi është aktuale atëherë kemi fokus të mediave që zgjat 2 apo 3 ditë dhe më pas nuk ka më raportime. Përveç kësaj, kemi një numër të madh të mediave që operojnë me gazetarë praktikantë apo me gazetarë që punojnë me stilin Copy-Past, të dy këto praktika që më shumë i shkaktojnë dëme shëndetësisë se sa që qesin në dritë diçka.

Është edhe një arsye shtesë për raportime jo-cilësore në shëndetësi që ka lidhet me integritetin e një pjese të gazetarëve. Sektori farmaceutik në gjithë botën konsiderohet xheneratori më i madh i korrupsionit në shëndetësi, pasi që kanë masën pasurore shumë të lartë dhe lidhjet e tyre me politikën dhe gazetarinë janë të shpeshta.

Në mënyrë që gazetarët të kenë një raportim të drejtë dhe substancial për shëndetësinë do të duhej të kishte trajnime për ta, në mënyrë që ata të kuptojnë që ka shumë tema që mund të trajtohen të cilat pos sigurimit të transparencës do të kishin ndikim edhe në jetën dhe shëndetin e qytetarit.

Janë disa tema që nuk kanë gjetur trajnim nëpër mediat e të cilat janë shumë të rëndësishme për sistemin shëndetësor dhe për shëndetin e qytetarëve. Secila prej këtyre temave, sikur të trajtoheshin nëpër kronikat e gazetarëve apo nëpër debate, sot do të kishim një shëndetësi më të mirë dhe më pak para të shpenzuara nga qytetarët e Kosovës nëpër vendet e rajonit për të gjet shërim.

Edukimi shëndetësor

Edukimi shëndetësor është përgjegjësi e institucioneve shëndetësore dhe profesionistëve shëndetësor në njërën anë dhe e drejtë e pacientëve në anën tjetër.

Edukimi shëndetësor i rritë kapacitetet e qytetarëve për të parandaluar sëmundjet dhe për të menaxhuar vet me shumicën e sëmundjeve që mund të kenë. Rrjedhimisht, edukimi shëndetësor mundëson që qytetarët të kenë shëndet më të mirë dhe shtetit t’i kushtoj shumë më lirë kosto e shërbimeve shëndetësore.

Aktualisht në Kosovë edukimi shëndetësor i qytetarëve është në nivele të ulëta. Kjo e ka dëmtuar në masë të madhe shëndetin e qytetarëve dhe kosto e trajtimit të tyre është gjithmonë në rritje e sipër. Gjithashtu kjo ka ndikim direkt edhe në jetëgjatësinë e qytetarëve. Edukimi shëndetësor është përgjegjësi e institucioneve, por nuk do mend që mediat mund dhe duhet të luajnë një rol kyç në edukimin e qytetarëve sepse është mision edhe i tyre.

Përzgjedhja e mjekut familjar

Që nga viti 2012 në Kosovë është aprovuar ligji për shëndetësi. Në këtë ligj qytetarëve u jepet e drejta për të zgjedhur mjekun e tyre familjar. Kjo është një mundësi e mirë që qytetarët të kenë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe një lidhje të fortë për mjekun e tyre. Edhe pse kjo e drejtë është garantuar tash e 10 vite, ajo nuk është zbatuar në praktikë. Qytetarët ende nuk kanë mjek familjar të përzgjedhur dhe rrjedhimisht nuk kanë mbikëqyrje nga ana institucioneve. Mungesa e mjekut familjar të përzgjedhur i rritë vështirësitë e pacientëve për tu qasur në shërbime, ka ndikim direkt në shëndetin e pacientit dhe e bënë të vështirë rrugëtimin e pacientit në shërbimin shëndetësor. Gjithashtu është një parakusht për të filluar sigurimin shëndetësor publik. Edhe kjo temë nuk është trajtuar nga mediat sa duhet.

Licencimi i institucioneve shëndetësore publike

Sipas ligjit për shëndetësi të gjitha institucionet shëndetësore publike mund të fillojnë punën pas licencimit. Ndërsa institucionet shëndetësore ekzistuese kanë afat 6 muaj të përgatiten për procesin e licencimit. Edhe pse ky ligj është miratuar para 10 vitesh, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka licencuar institucionet shëndetësore publike. Mungesa e kritereve për të themeluar dhe mbajtur një institucion shëndetësor ka ulur në masë të madhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore deri në rrezikim të sigurisë së pacientëve. Në vitin 2019 Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka kërkuar opinionin e Avokatit të Popullit se a kemi të bëjmë me shkelje masive të të drejtave të qytetarëve nëse këto institucione nuk janë të licencuara. Në vitin 2021 Avokati i Popullit ka nxjerrë rekomandim për Ministrinë e Shëndetësisë që të hartoj udhëzim administrativ për kriteret e licencimit dhe të licencoj institucionet shëndetësore publike. Edhe pse është një rekomandim i tillë, ende nuk ka hapa konkret në këtë drejtim. Licencimi do të nënkuptonte, rritjen e investimeve në shëndetësi, rritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët dhe përmirësim të qasjes së pacientëve në shërbimet shëndetësore publike. Sikur të trajtohet kjo temë nga mediat, zbatimi i ligjit do të ishte shumë më i mirë se sa që është tash.

Mbulimi universal shëndetësor

Raporti i progresit i vitit 2017 ka theksuar se 18% e qytetarëve të republikës së Kosovës nuk kërkojnë fare shërbime shëndetësore në pamundësi për të mbuluar tarifat financiare! Gjithashtu, 34% e qytetarëve kanë vështirësi në qasje në shërbime për shkak të financave. Edhe pse OBSH ka përcaktuar se pagesat nga xhepi nuk duhet të shkojnë më shumë se 20%, në Kosovë aktualisht vlerësohet të jenë mbiu 40%. Kjo e pengon qasjen e  pacientëve në shërbime shëndetësore dhe shteti nuk ju garanton qytetarëve mbulim universal me shërbime shëndetësore siç e ka obligim. Kjo poashtu është një temë që duhet të trajtohet në thelbë, pasi mungesa e qasjes në shërbime shëndetësore ndonjë pacient mund të qojë drejt vdekjes.

Kujdesi shëndetësor i integruar

Ndër vite kujdesi shëndetësor është fokusuar vetëm në shëndet, mirëpo koha me theks të veçantë pandemia COVID 19 e ka vërtetuar se kujdesi shëndetësor është më shumë se trajtim i sëmundjes. Pra, për të pas një shëndet të mirë sipas OBSH-së nuk është e mjaftueshme që të mos kesh një sëmundje fizike apo psiqike, por edhe të kesh mirëqenie sociale, e cila sigurohet nga aktiviteti ekonomik dhe jo vetëm. Prandaj, e gjithë bota moderne është duke shkuar kah integrimi i shërbimeve me theks të veçantë të atyre shëndetësore dhe sociale, në mënyrë që qytetarit t’i garantohen të drejtat bazike që ai të bëjë një jetë të dinjitetshme.

Kompensimi i pacientëve në rast të dëmtimit në institucione shëndetësore

Prej vitit 2004 është në fuqi Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor ku ndër të tjera është paraparë edhe krijimi i një fondi të veçantë për kompensimin e pacientëve të cilët dëmtohen në shërbime shëndetësore. Edhe pse me ligj është paraparë një gjë e tillë Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë hap në themelimin e këtij fondi! Si rrjedhojë, shumë pacientë dëmtohen në shërbime shëndetësore por nuk mund të kompensohen. Një pjesë e tyre bëjnë padi e cila zgjatë shumë vite dhe e rëndon sistemin shëndetësor pa nevojë! Gjithashtu, në bazë të ligjit të lart-cekur institucionet private shëndetësore për t’u licencuar do të duhej që të paguanin taksën për përgjegjësinë civile në kompanitë private të sigurimeve në mënyrë që pacientët të mund të merrnin kompensim nëse dëmtohen. Por edhe kjo gjë nuk ka ndodhur dhe institucionet shëndetësore private licencohen pa e paguar këtë taksë.

Raportimi i institucioneve shëndetësore

Kosova vazhdon të mos jetë e krahasueshme me vendet e tjera sa I përket të dhënave shëndetësore. Kosova nuk e ka një “Llogari Kombëtare Shëndetësore”. Institucionet tona shëndetësore nuk dorëzojnë fare “Raporte pune e financiare” ose edhe ato që i dorëzojnë janë të varfëra, të pa mbështetshme dhe të pakrahasueshme.

Në anën tjetër, institucionet shëndetësore private nuk raportojnë fare në ministri të shëndetësisë, përjashtimisht obligimet që i kanë ndaj ATK-së dhe Ministrisë së Financave. Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna për punën që e bëjnë institucionet private. Kjo përveç që nuk jep një pasqyrim të qartë të gjendjes shëndetësore të qytetarëve, jep shumë hapësirë për keqpërdorime. Është shumë e nevojshme që Kosova sikurse vendet që kanë shëndetësi moderne, të aplikoj “Llogari Kombëtare Shëndetësore” e cila do të jepte pasqyrim të saktë të gjendjes shëndetësore dhe shpenzimeve financiare në shëndetësi. Edhe kjo temë është trajtuar shumë pak krahasuar më rëndësinë që e ka për shëndetin e qytetarëve.

Siguria e pacientëve gjatw trajtimit shëndetësor

Mungesa e licencimit të institucioneve shëndetësore publike bënë që një numër jo i madh i tyre të mos i plotësojnë kushtet për të funksionuar. Mungesa e këtyre kushteve nuk prodhon cilësi të shërbimeve shëndetësore, e aq më pak siguri! Duke filluar nga keqfunksionimi i shërbimeve shëndetësore, praktikat e pa përshtatshme shëndetësore dhe gabimet mjekësore, paraqesin një rrezik për sigurinë e pacientëve në këto institucione. Gjithashtu, mungesa e një inspektimit të mirëfilltë (sepse ka një numër të kufizuar të inspektorëve ) i lejon që edhe institucionet shëndetësore private të shkelin praktikat e mira shëndetësore dhe të rrezikojnë sigurinë e pacientëve gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Autori është themelues i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë