“Temat e nxehta” të partive politike para zgjedhjeve: Veriu, bashkimi kombëtar, vizat

Disa prej temave që konsiderohen më sfiduese janë rikthyer si pjesë e diskursit politik në Kosovë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Udhëheqësit e disa subjekteve politike në vend në tubime para nisjes zyrtare të fushatës kanë përmendur mundësinë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ndërkohë, veriu i Mitrovicës sërish është bërë arenë përplasjesh politike, sidomos pas vizitës që bënë në fundjavë atje ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Osmani në zgjedhje do të garojë në një listë të përbashkët me LVV-në, me synimin që më pas të jetë kandidate për presidente.

Ndërkaq, temën e bashkimit të Shqipërisë e riktheu në këtë parafushatë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook i është drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me fjalët se nëse dëshirojnë ta shmangin referendumin Serbia duhet ta njohë Kosovën shtet të pavarur.

Ideja për bashkim më Shqipërinë ishte proklamuar më herët edhe nga ish-kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si edhe nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Në lidhje me këtë temë,  Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë paralajmërimet e politikanëve kosovarë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë i ka ndërlidhur me fushatën elektorale.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zivalj ka theksuar se liderët politikë në rajon duhet të nxisin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

“Liderët politikë në rajon duhet të udhëheqin me shembullin e promovimit të një klime të besimit të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal, me parime dhe vlera të cilat BE-ja përfaqëson. Kjo është e vlefshme edhe në fushatat elektorale”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim për KALLXO.com.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar se ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur, për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan.

KALLXO.com ka kërkuar koment nga ambasadori Kosnett për deklarimet e politikanëve kosovarë për mundësinë që Kosova të bashkohet me Shqipërinë përmes një referendumi.

Në anën tjetër, njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, thotë për KALLXO.com se bashkimi me Shqipërinë është, megjithatë, luftë e një partie politike (AAK) që të mobilizojë votuesit nacionalistë.

“Kjo është e dallueshme edhe në betejën për pronësinë mbi UÇK-në, pra lufta në mes të partive që janë konsideruar si parti të krahut të luftës. Kjo për shkak të presionit për mbijetesë si dhe mungesës së kauzës pas keqqeverisjes përgjatë dy dekadave të fundit”, tha ajo.

Sipas Eminit, bashkimi me Shqipërinë është përdorur shumë gjatë nga partitë politike për në fushata elektorale jo veç për të nxitur mbështetje brenda por edhe si mjet provokimi në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar.

“Deklarata, pra, ka nxitur reagime nga Vuçiq dhe BE duke e ndihmuar edhe më tej një kauzë duke e bërë relevantë në sytë e votuesit por që brenda ka gjasa minimale të realizohet. Partia e cila e ka kthyer këtë çështje në fokus nuk duket që e ka as idenë se si ky bashkim do të realizohet, e as nuk e ka të qartë nëse Shqipëria vend i NATO-s dhe tashmë gati për të filluar negociatat për anëtarësim në BE e ka të njëjtin qëllim”, vlerëson Emini.

Ajo shton se duke e përdorur këtë çështje vazhdimisht e pa asnjë rezultat konkret po zhvlerësohet një kauzë shumë të rëndësishme kombëtare.

Në anën tjetër, vizita e Kurtit dhe Osmanit në veri të Mitrovicës fundjavën e kaluar ngjalli reagime të partive politke, pasi disa prej tyre e cilësuan edhe si provokim, për shkak të situatës në atë pjesë.

Sa i përket veriut të Kosovës, analistja Donika Emini thotë se vizita e U.d. Presidentes me Kurtin përveç që ishte e pamatur ishte edhe e planifikuar keq.

“E para, nuk pritet që një gjeneratë e re e politikanëve të përdorin strategji të elitës së vjetër politike e cila veriun nuk e ka pa përtej integrimit në letër dhe vizitave pa asnjë plan se si të përmirësohet jeta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës”, tha ajo,

Sipas Eminit, veriu është çështje e cila jo vetëm që duhet të diskutohet por edhe të adresohet urgjentisht, mirëpo me qasje më strategjike e jo me marshe të thata drejt urës së Ibrit.

“Kjo qasje deri tash nuk ka qenë efektive dhe nuk duhet të përdoret nga politikanë të cilët së paku pritet të kenë qasje më ndryshe ndaj roblemeve të pazgjidhura për dy dekada. Veriu i Kosovës është tregues i qartë i sfidave që na presin, andaj kjo vizitë dhe incident i panevojshëm duhet t’i shërbejë Kurtit dhe Osmanit si mësim për të ardhmen në pushtet si dhe kompleksitetin dhe sensitivitetin e kësaj çështje”, thekson Emini.

Ndërkaq, gazetari kosovar Agron Halitaj vlerëson se në veri nuk ka ndryshuar asgjë as pas vizitave politike.

“Hajde, ata u turpëruan, po si s’po kanë turp këta që po shesin trimëri.  Në veri asgjë nuk ka ndryshuar nga dje. Ajo pjesë e Kosovës vazhdon të administrohet nga Serbia. E ju shqiptarë, shajuni e grrithuni mes vete sa të mundeni…”, ka shkruar Halitaj në Facebook të dielën e kaluar.

Për dallim prej herave të tjera, politikanët po tregohen më të rezervuar sa i përket temës së liberalizimit të vizave, një prej çështjeve kjo më e premtuar prej spektrit politik ndër vite e që ende nuk ështe finalizuar.

Për këtë të fundit është deklaruar më konkretisht kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se do të punojnë shumë për këtë temë kur shpalosi programin qeverisës.

“Do të punojmë shumë për të merituar dhe për të përmbyllur liberalizimin e vizave. Jam i bindur që për disa muaj ne mund ta avancojmë në këtë drejtim”, ka theksuar Hoti.

Kurse, për Donika Eminin mospërdorimi i temës së integrimeve në BE – sidomos i liberalizimit të vizave – si premtim elektoral është indikator që elita politike është e vetëdijshme për sfidat e Kosovës në këtë drejtim.

Sipas saj, meqë në të kaluarën çështja e liberalizimit është keqpërdorur nga pothuajse të gjitha partitë politike. Kjo çështje është zhvlerësuar sidomos pas pritjeve me vite të tëra e pa rezultat konkret.

“Përdorimi i kësaj çështje deri në nivel banal ku ishte deklaruar që vizat janë ‘liberalizu pardje’ edhe mosbesimi i qytetarëve në këtë drejtim e kanë lënë jashtë premtimeve këtë çështje që megjithatë është me rëndësi për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, duke qenë të vetëdijshëm që ka shumë pak gjasë të ndodhë në pjesën e parë të vitit gjatë Presidencën Portugeze ka hezitim më e premtu liberalizimin. Kurse në gjysmën e dytë të vitit mundet me pasë lëvizje pozitive gjatë presidencës sllovene, mirëpo niveli i paparashikurshmërisë po shkakton edhe hezitim për premtimin e vizave”, thotë ajo për KALLXO.com.

Megjithatë, sipas Eminit, secila parti do të duhej të tregojë se si planifikon t’i qaset kësaj çështjeje dhe të zhbollokojë një proces që është në fazën e fundit dhe më kritike – pa përmendur data dhe pa premtuar asgjë përveç strategjisë dhe përkushimit që Kosova do të ketë në këtë drejtim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.