Telekomi injoron auditorin, asnjë rekomandim i zbatuar nga viti 2017

Në mesin e krizës financiare dhe problemeve të shumta, Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës” është ndër institucionet më të kritikuara nga Auditori i Përgjithshëm.

Edhe këtë vit, Telekomi u përball me gjetje skandaloze që shpërfaqin ndër të tjera menaxhim të dobët dhe dyshime për keqpërdorim. Edhe pse auditori kishte dhënë rekomandime për zgjidhjen e problemeve të gjetura në këtë ndërmarrje, ato nuk ishin marrë parasysh nga Telekomi.

Në vitin 2017 kjo ndërmarrje kishte marrë 13 rekomandime nga auditorë të jashtëm të pavarur të angazhuar me tender nga Telekomi i Kosovës.

Në raportin e vitit 2018, Auditori i përgjithshëm, i cili për herë të parë ka audituar pasqyrat financiare të Telekomit të Kosovës, ka gjetur se Telekomi nuk e ka zbatuar asnjë nga rekomandimet e dhëna gjatë vitit 2017.

Në vitin 2018, Auditori i ka dhënë Telekomit të Kosovës më shumë se dyfishin e rekomandimeve që ia ka dhënë gjatë vitit 2017.

Në raportin e vitit 2018, Telekomi i Kosovës ka marrë 32 rekomandime, zbatueshmëria e të cilave do të matet në vitin 2019.

Përveç numrit të madh të rekomandimeve për gjetjet e Auditorit, të cilat janë shkruar në një raport 67 faqësh, Telekomi i Kosovës ka marrë një opinion të kundërt sa i përket pasqyrave financiare.

Sipas Auditorit, Telekomi i Kosovës nuk ka paraqitur pasqyra financiare të drejta dhe të vërteta.

Arsyetimi për opinionin e kundërt të Telekomit të Kosovës është shtrirë në 7 faqet e para të raportit.

178 të punësuar pa konkurs në Telekomin e Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2018 në Telekomin e Kosovës janë punësuar 178 persona për punë dhe detyra specifike pa shpallur fare konkurs publik.

Sipas Ligjit të punës kërkohet që “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.

Arsyeja e angazhimeve të tilla ishte se kompania, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme shpalljen e konkursit publik për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike.

Për më tepër, në përgjigjen e Telekomit jepen këto sqarime: ‘angazhimi i stafit me punë dhe detyra specifike në parim është realizuar, thirrja për shprehje të interesit është plasuar në web-faqe të kompanisë dhe në hyrje të objekteve kryesore të Telekomit, është bërë identifikimi i nevojave të stafit nga departamentet kërkuese dhe përmes angazhimit të stafit përcjellës nga secili Kryeshefi Ekzekutiv për kabinetet e tyre’.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues , përveç që mund të mos jetë në harmoni me obligimet ligjore, rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë se janë shqyrtuar shkaqet që kanë krijuar mangësitë e identifikuara dhe se janë marrë masat e nevojshme që të respektohen dispozitat ligjore përkatëse me rastin e angazhimeve të punonjësve të rinj”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

296 avancimet e dyshimta në Telekom

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në vitin 2018 në Telekomin e Kosovës kanë ndodhur 296 lëvizje të stafit prej njërës pozitë ose gradë në një pozitë ose gradë tjetër. Këto gradime që kryesisht ishin avancime, sipas Auditorit ishin bërë pa ndonjë kriter.

“Ne kemi rishikuar listën e lëvizjes së stafit dhe nuk kemi gjetur argumente se cili kriter është përdorur në lëvizjet e stafit p.sh. prej gradës 5 në gradën 14, prej 7 në gradën 15, prej gradës 9 në gradën 12, prej gradës 10 në 14, prej gradës 10 në gradën 15”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur si shkak i mungesës së kritereve të qarta dhe të përcaktuara për lëvizjet e stafit në Politiken e seleksionimit dhe rekrutimit.

Në raport thuhet se në politikën e rekrutimit dhe seleksionimit nuk janë paraparë kritere për lëvizjet e stafit në grada dhe pozita, mirëpo këto gradime në bazë të politikës në fuqi janë nën kompetencën e Kryeshefit Ekzekutiv në bashkëpunim me departamentin e Burimeve Njerëzore dhe departamentet përkatëse kërkuese.

Kodi i Etikës dhe Qeverisja Korporative për Ndërmarrjet Publike i publikuar nga Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, thuhet se: “Ndërmarrja do tё rekrutojë dhe përkrahë punonjësit pa diskriminim në bazë tё pёrshtatshmёrisё sё tyre për punë”; “Ndërmarrja do tё inkurajojë dhe ndihmoj punëtorët në tё gjitha nivelet e zhvillimit përkatës tё aftësive dhe progresit në karrierën e tyre”.

Sipas Auditorit, në mungesë të një politike për avancimet rritet rreziku për trajtim jo të barabartë të dhe mund të krijojë diskriminime në gradimin e stafit.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë hartimin e rregullores së gradimeve dhe që gradimi i stafit dhe degradimi bëhen në bazë të kritereve të vendosura në rregullore/politikë e cila duhet të jetë e aprovuar në Bordin e drejtorëve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Diskriminimi i punëtorëve në Telekom

Në raportin e auditimit për vitin 2018 të Telekomit të Kosovës është konstatuar se 61 pozita ku punëtorët nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.

Në Ligjin e punës thuhet se “Punëdhënësi duhet t’i paguajë femrave dhe meshkujve kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensim i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera”.

Sipas përgjigjes së kompanisë arsyet për rastet e identifikuara kur punonjësit me pozita të njëjta paguhen me grada të ndryshme janë: kualifikimi shkollor dhe përvoja, dallimi në mes punës në departamente, ndryshime me vendime gjyqësore, i punësuar përmes konkursit publik me gradë përkatëse.

Mirëpo sipas Auditorit, këto nuk janë kritere që i ka paraparë ligji apo ndonjë rregullore e brendshme e Kompanisë dhe punonjësi duhet të paguhet për detyrën që kryen dhe përgjegjësitë që ka.

Në raportin e auditimit thuhet se pagesa e punonjësve për pozita të njëjta me grada të ndryshme rrit rrezikun e pakënaqësisë së punonjësve të cilët edhe mund të ngritin padi eventuale ndaj kompanisë për mos trajtim të barabartë.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që përmes akteve të brendshme të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë që punonjësit në pozitat e njëjta paguhen me grada të ndryshme”, thuhet në rrekomandimin e Auditorit për vitin 2018.

65 të punësuar në Telekomin e Kosovës përtej afateve ligjore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Telekomi i Kosovës ka angazhuar 65 të punësuar për punë dhe detyra specifike duke mos respektuar afatin e përcaktuar me ligj.

Në Ligjin e punës thuhet se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti”.

Auditori ka gjetur se në 65 raste Telekomi kishte angazhuar punonjës duke mos respektuar afatin maksimal të punësimit sipas kësaj mënyre të kontraktimit.

Tejkalimin e afatit të angazhimit Telekomi i Kosovës e ka arsyetuar se ka ndodhur për shkak të nevojave të departamenteve kërkuese.

Sipas Auditorit, Angazhimi i punëtorëve më gjatë se afati maksimal i lejuar rrezikon angazhimin e personave jo kompetentë për pozita përkatëse dhe rrit kostot e ndërmarrjes si dhe mund të rezultojë në mos efikasitetin operacional.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që përmes akteve të brendshme të ndërmarrjes të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësojnë lidhjen e kontratave për punë dhe detyra specifike më gjatë se afati maksimal i lejuar me ligj”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

90% e thirrjeve ‘Sim to Sim’ vijnë nga numrat e Z-Mobile

Telekomi i Kosovës ka raportuar përsëri për prezencën e aktivitetit ilegal “Sim to Sim” nga qershori i vitit 2018.

Sipas Auditorit, ky aktivitet ka pasur trend rritës muajve të fundit të vitit 2018, dhe kjo rritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019. Në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arritur mesatarisht në 200 aktivitete të tilla në muaj.

Nga rastet e identifikuara, 90% e numrave që kanë kryer aktivitete “Sim to Sim” i përkasin operatorit Z-Mobile.

Për më tepër, nga numrat e identifikuar që kanë kryer aktivitete “Sim to Sim” e që i takojnë operatorit MVNO, rreth 7% e tyre nuk janë bllokuar me kohë gjë që iu ka mundësuar që këtë aktivitet ta përsërisin.

“Pas trajtimit të kësaj çështje nga ana jonë gjatë kohës së kryerjes së auditimit, dhe njoftimit të zyrtarëve përgjegjës të këtyre aktiviteteve ilegale, zyrtarët e Telekomit kanë marr qasjet në sistemin e operatorit MVNO për bllokimin e tyre”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Shkak për rritjen e numrit të incidenteve të këtij lloji sipas zyrtarëve të Telekomit është ndërrimi i prefiksit nga +377 në +383, mungesa e sistemeve për identifikimin e menjëhershëm të këtyre aktiviteteve si dhe mungesa e qasjes në sistemin e operatorit MVNO për bllokimin e këtyre numrave. Mos bllokimi i menjëhershëm i këtyre numrave ka ndikuar në përsëritjen e kësaj dukurie nga numrat e njëjtë.

Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës, Grafika: Krenar Ferizi

Auditori ka thënë se pavarësisht se kontrata ndërmjet “PTK-së dhe Dardafon.net (Z-Mobile)” i obligon të dyja palët që të bashkëpunojnë në luftimin e dukurisë ‘Sim to Sim’, veprimet e të dyja palëve për trajtimin e çështjeve të raportuara lidhur me këtë dukuri kanë qenë të mangëta.

Telekomi i Kosovës duhet të zvogëloj dhe të parandaloj aktivitet jonormale që ndikojnë në humbjen e të hyrave financiare dhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Për më tepër, Dardafon.net (Z-Mobile) është në dijeni se nëse PTK detekton ndonjë aktivitet të dukurisë ‘Sim to Sim’, PTK rezervon të drejtën të bëjë shkyçjen e këtyre numrave. Nëse kjo dukuri rezulton si ‘neglizhencë’ nga ana e Dardafon.net (Z-Mobile) atëherë PTK rezervon të drejtën e ndërprerjes së Kontratës në tërësi.

Gjatë auditimit, është identifikuar mangësi në parandalimin e humbjeve dhe korrigjimeve të aktiviteteve që konsiderohen si mashtrime.

Sipas Auditorit, aktiviteti ilegal ‘Sim to Sim’ apo trafiku i anashkaluar ndikon në humbjen e të hyrave financiare të Kompanisë e gjithashtu edhe në cilësinë e shërbimeve.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që janë marr masat e nevojshme për identifikimin dhe bllokimin e menjëhershëm të aktiviteteve që shkaktojnë humbje të të hyrave financiare e gjithashtu dëmtim të cilësisë së shërbimit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Pesë pagesat e dyshimta në Telekomin e Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pesë lëndë në Telekomin e Kosovës janë proceduar për pagesë pa nënshkrimin e menaxherit të thesarit.

“Kjo kishte ndodhur si pasojë e mos aplikimit të kontrolleve efektive nga ZKFTH”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Te procedurat standarde të operimit (SOP) për financa të hartuara nga kompania, tek pjesa Aprovimit të Faturave, kërkohet që “Asnjë faturë të mos paguhet, nëse mungon një nga nënshkrimet e cekura si në vijim: Koordinatori për raportim dhe planifikim, menaxheri/projekt menaxheri, drejtori (i sektorit/departamentit kërkues) dhe menaxheri i Thesarit”.

Sipas Auditorit, mos vendosja e kontrolleve me rastin e realizimit të shpenzimeve dhe mos aprovimi i tyre në mënyrë formale nga personat përgjegjës të kompanisë, e rritë rrezikun e menaxhimit jo racional dhe efikas të shpenzimeve dhe kjo mund t’i shkaktoj ndërmarrjes humbje financiare të pa nevojshme.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që janë ndërmarr masat për vendosjen e kontrolleve adekuate në kompani dhe se aprovimi i shpenzimeve bëhet nga personat përgjegjës për menaxhim më efikas dhe racional të shpenzimeve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

15.5 milionë euro humbje në vitin 2018

Në raportin e Auditimit thuhet se Telekomi i Kosovës ka vazhduar të operojë me humbje. Vetëm në vitin 2018, kjo ndërmarrje kishte regjistruar një humbje prej 15,575,000 euro.

Trendi i humbjeve të Telekomit në raportin e Auditorit është përshkruar nga viti 2015.

Përkatësisht në vitin 2015 humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit ishte 7.9 milionë euro.

Në vitin 2016 kjo humbje është gjashtëfishuar në 50.9 milionë euro. Sipas Auditorit, në vitin 2017 humbja përsëri ka rënë në 13.9 milionë euro, dhe në vitin 2018 humbja e paraqitur ishte 15,575,000 euro.

Kapitali aksionar i emetuar si dhe komponentët tjera të kapitalit në vlerën 59,475,000 euro është zvogëluar nga humbjet e akumuluara në vlerë 34,022,000 euro që do të thotë se vlera e mbetur e ekuitetit është 25,453,000 euro.

Në raport thuhet se rezultatet e tilla nuk reflektojnë dividendën e deklaruar në vitin 2015 në vlerë prej 15 milionë euro, e cila ende nuk është paguar.

Prandaj nëse vazhdon trendi i tillë vlera e ekuitetit mund të bie në zero. Kjo situatë gjithashtu hedhë dyshime të konsiderueshme në aftësinë e Kompanisë për të vazhduar sipas hipotezës së vijimësisë”, theksohet në raportin e auditimit për vitin 2018.