Telekomi dorëzoi kallëzim penal për 'zhdukjen' e telefonëve

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Kosovës për keqpërdorim të kontratës në vlerë 207 mijë euro që ishte nënshkruar në gusht të vitit 2019 për blerjen e 305 telefonave të mençur.

Blerja e këtyre telefonave ishte bërë pas kërkesës që e kishte bërë Vesmira Haradinaj, kunata e Ramush Haradinajt, e cila ishte punësuar në mënyrë kundërthënëse si zv/drejtoreshë e Financave në Telekom gjatë mandatit të tij.

Kjo kontratë ishte audituar nga Komiteti i Auditimit në Telekomin e Kosovës. Pasi ka konstatuar se një pjesë e telefonëve nuk ka të dhëna kujt i janë shpërnda, Komiteti i Auditimit e ka udhëzuar menaxhmentin ekzekutiv të kësaj korporate për ngritjen e kallëzimit penal ndaj ish-zyrtarit Kryesor i Financave ish-drejtorit të marketingut të kësaj ndërmarrje.

Dorëzimin e kallëzimit penal në Prokurori e ka konfirmuar edhe UD Kryeshfja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana.

“Mundem me ua konfirmu se kemi dërgu kallëzim penal. Më tepër nuk kam komente se është në vazhdimësi të procesit. Fjala është për keqpërdorime në shpërndarjen e telefonave”, ka deklaruar Hana.

Komiteti i Auditimit të Telekomit të Kosovës ka arritur të sigurojë të dhëna për destinimin e 147 telefona të mençur, të cilët u janë shpërndarë institucioneve të Kosovës. Por, sipas dokumentit të Komitetit të Auditimit, pjesa tjetër e telefonëve nuk ka të dhëna se kujt i janë shpërnda.

Telefonat janë shpërndarë tek disa institucione, në mesin e të cilëve edhe në komunat e udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Junikut, Kosovare Gacaferi e ka konfirmuar për KALLXO.com se Komuna e Junikut në vitin 2019 i ka pranuar 13 telefona nga Telekomi i Kosovës.

“Ne e kemi pasur një kontratë në kuadër të MAP-it, përkundër asaj që 6 muaj ne jemi ankuar vazhdimisht që i kemi pas shërbimet katastrofë,edhe ofertat kanë qenë shumë të shtrenjta, ata i kanë pru edhe pajisjet se ashtu ka qenë kontrata, i kanë sjellë 13 telefona, ne i kemi ende aty në komunë, hala nuk kanë ardhë as me i marrë iu patëm kërku me ardhë me i marrë se ne donim edhe me e shkëputë kontratën, edhe ende nuk kanë ardhë me i marrë”, ka thënë Gacaferi për KALLXO.com.

Me tej Gacaferi ka shtuar se kontrata me Telekomin e Kosovës është ndërprerë më 31 mars 2020 për shkak të kostos së lartë dhe shërbimeve të kqija.

“Ne vetëm e kemi shkëputur kontratën me ta, prej 31 mars 2020 nuk kemi më përgjegjësi ndaj tyre. Ata telefona i kemi pranuar në 2019 por nuk i kemi shpërnda hiq. Në momentin që i kemi pranu i patëm thonë që mos i sillni se veç jemi duke mendu me shkëputur kontratën, edhe për koston e lartë dhe shërbimet e tmerrshme”, ka thënë Gacaferi.

Edhe Komuna e Rahovecit ka pranuar 11 telefona nga Telekomi i Kosovës. Këtë e ka konfirmuar Veli Gashi, shefi i kabinetit të kryetarit Smajl Latifi.

“I kemi marrë gjithsej 11 telefona, kanë mbet pa marrë drejtoresha e Administratës, drejtori i Kadastrit, drejtori i Urbanizmit dhe Drejtori i Shërbimeve Publike edhe shefi i kabinetit të kryetarit. Sipas atyre vetëm ata që janë në pozita ekzekutuese duhet me marrë. Marrëveshja ka qenë me u plotësu krejt këta por ata i kanë pru vetëm 11. Kur kemi komuniku me drejtorin e shitjes, ka thënë që i sjellin, por deri tani nuk i kanë sjellë të gjithë. Këta 11 telefonat i kanë sjellë në 2019”, ka thënë Gashi.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, gjatë mandatit të të cilit është nënshkruar kontrata për blerjen e 305 telefonave, ka thënë për KALLXO.com se nuk beson që ka pasur keqpërdorime në shpërndarjen e këtyre telefonave.

“Janë organet, departamentet, drejtoritë, si shitja, marketingu dhe financat që e menaxhojnë një kontratë me komunat. Kryeshefi me u marrë edhe me një komunë apo institucion, me dërgu telefonin është një anomali e llojit të vet. Bordin e kuptoj, ata ashtu si kanë ardhë në mënyrë të dhunshme prej njerëzve me direktiva politike kqyrin me xhiru filma mirëpo organet e drejtësisë e japin verdiktin final por unë nuk besoj që ka pas ndonjë keqpërdorim”, ka thënë Istrefi për KALLXO.com.

Më tej Istrefi ka shtuar se kujt i shpërndahen telefonat kanë vendosur Drejtoria e Shitjes, Drejtoria e Marketingut apo Drejtoria e Financave, varësisht se kush ka qenë përgjegjës për zbatimin e kontratës.

“Nuk është e rrugës me kryeshefin me shku deri në mikromenaxhment me u marrë me procese, për këtë i kemi drejtoritë, edhe i kanë autorizimet e plota që komfor ligjit në fuqi dhe në interes të korporatës me marrë edhe vendime”, ka deklaruar Istrefi për KALLXO.com.

Kontrata në vlerë 207 mijë e 733 euro, për blerjen e 305 telefonave ishte nënshkruar më 21 gusht 2019 me kompaninë “Z0ne Mobile” me aksionarë Alban Limanin dhe Donika Bajramin. Sipas dokumenteve të këtij biznesi që janë dorëzuar Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, në vitin 2016 kur ishte hapur biznesi “Z0ne Mobile”, aksionarë ishin Donika Bajrami dhe Alban Limani. Më pas për një kohë, Bajrami nuk ishte aksionare në këtë biznes.

Donika Bajrami përsëri ishte rikthyer si aksionare në “Z0ne Mobile” më 16 tetor 2019, rreth 2 muaj pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e 305 telefonave.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Alban Limani, aksionar në kompaninë “Z0ne Mobile”.

“Donika edhe Albani janë aksionarë. Donika është prej vitit 2019 nëse nuk gaboj. Në fillim kur e kemi hapë ka qenë aksionare, mandej nuk ka qenë aksionare, i ka shit aksionet te Fadil Aliu, mandej Fadil Aliu m’i ka dhonë mu aksionet e mandej prapë Donika ka hyrë si aksionare në vitin 2019. Nëse nuk gaboj Donika është aksionare pas kontratës”, ka thënë Alban Limani, njëri nga aksionarët e “Z0ne Mobile”.

Blerja e 305 telefonave mobil nuk kishte qenë e planifikuar më parë, ndërsa Telekomi i Kosovës për të kishte dhënë një arsye në dosjen e kontratës.

“Telekomi i Kosovës është duke humbur treg dhe konkurrenca është duke punuar me të madhe në joshjen e konsumatorëve. E vetmja kundërpërgjigje ndaj konkurrencës është që Telekomi të ofron shërbime/ produkte të kombinuara (minuta+SMS+Internet+Telefon), që të jetë konkurrues”,  thuhet në dosjen e kontratës.

Përveç kësaj, Telekomi në kohën kur ishte nënshkruar kontrata, kishin thënë se të gjithë telefonat janë të destinuar për konsumatorë të Telekomit dhe jo për menaxhmentin.

Telekomi i Kosovës i kishte planifikuar të shpenzonte 171 mijë e 800 euro për blerjen e këtyre telefonave, mirëpo ofertat kishin ardhur më të larta. Oferta më e lirë ishte nga kompania “Z0ne Mobile”, e cila ishte rekomanduar për kontratë në vlerë prej 207 mijë e 733 euro.

Llojet e telefonave mobil të mençur që janë blerë me këtë kontratë janë: 10 copë – Samsung Galaxy Note 9; 5 copë – Samsung Galaxy S9; 6 copë – Samsung Galaxy S9; 68 copë – Samsung Galaxy S8; 50 copë –  Samsung Galaxy A5; 10 copë – iPhone XS Max; 5 copë – iPhone XS; 131 copë – iPhone X; 14 copë – iPhone 8 dhe 6 copë – iPhone 8+.