Telashet e Hanit të Elezit për sigurimin e ujit të pijshëm

Banorët e Komunës së Hanit të Elezit tash e disa vite përballen e mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa edhe ajo sasi e vogël që vie nga dy burimet e furnizimit sipas tyre është e ndotur.

Në kushte anonimiteti, ata kanë raportuar në KALLXO.com për këtë problematikë e cila sipas tyre po jua vështirëson jetesën.

Banorët e Hanit të Elezit, furnizohen më ujë nga dy burime, një në fshatin Gllobiçicë të Komunës së Kaçanikut dhe tjetri në Dimcë.

Mirëpo të dy këto burime përveç që janë të pamjaftueshme, uji që vie nga to është edhe papërdorshëm për pije sipas banorëve.

E për këtë problematikë, zyrtarë nga Komuna e Hanit të Elezit kanë thënë për KALLXO.com që komuna është jo kompetente për menaxhimin e ujit, ndonëse janë zotuar që janë duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërsa zyrtar nga kompania regjionale e menaxhimit të ujërave ‘Bifurkacioni’ kanë deklaruar se kjo kompani ka në menaxhim vetëm 30% të ujësjellësit të Hanit të Elezit, dhe në pjesën që menaxhohet nga ta nuk ka probleme më ujë të papijshëm.

 

Bunarët për ujë në Dumcë Foto: KALLXO.com

Pranvera e 2021, zotim për zgjidhjen e problemit

Mallzum Qajani, nënkryetar i Komunës së Hanit të Elezit ka thënë për KALLXO.com se problemi i ujit e përcjellë përherë Komunën dhe asnjëherë nuk kanë pasur një zgjidhje definitive.

“Ky problem i ka dy dimensione, dimensioni i parë ne e dimë që me ligjet në fuqi komuna është jokompetente për menaxhimin e ujit, ne deri sot nuk kemi mundur ta menaxhojmë dhe ta vendosim në kontroll si dhe problemi i dytë është në menaxhimin e ujit të cilin qytetarët e shfrytëzojnë pa kufizim dhe nuk kompensohet”, tha Qajani.

Qajani ka thënë që nga bashkëpunimi që kanë pasur me zyrën e kryeministrit dhe kompaninë regjionale të menaxhimit të ujërave ‘Bifurkacioni’ kanë arritur që ta menaxhojnë burimin e ujit në fshatin Gllobiqicë. Mirëpo sipas tij problem kanë tek burimi i Dimcës.

“Burimi i Dimcës është problematik për shkak që uji është i papërpunuar për shkak që është prej përroit dhe në rastin e të reshurave atmosferike uji turbullohet dhe ky problem është i përhershëm”, ka thënë ai.

Mallzum Qajani, nënkryetar i Komunës së Hanit të Elezit Foto: KALLXO.com

Sipas Qajanit, Komuna e Hanit të Elezit do të vazhdoj me hapjen e puseve në Dimcë në mënyrë që ta zbusin problemin e mungesës së ujit.

“Kemi bërë shpime edhe vitin e kaluar por nuk kemi pasur sukses për shkak që nuk ka dalë sasia e ujit, ndërsa edhe këtë vit do të fillojmë me disa shpime që po shpresoj se do të gjejmë sasi të mjaftueshme të ujit dhe në mënyrë graduale gjatë vitit 2020 dhe në pranverën e vitit 2021 të zgjidhet problemi i ujit”, tha ai.

Prioriteti i komunës së udhëhequr nga kryetari i pavarur, Rufki Suma është funksionalizimi i fabrikës në fshatin Dimcë.

Kjo fabrikë është ndërtuar si bashkë investim ndërmjet CDI-Zvicerane, komunës së Hanit të Elezit dhe partnere ka qenë edhe fabrika e Cimentos Sharrcem. Projekti ka kushtuar afër 450,000.oo euro dhe kjo fabrikë është përuruar në vitin 2010. Afër 230,000 kanë qenë donacion i CDI-së, 120,000 nga Komuna dhe 100,000 nga Sharrcemi.

Për këtë nënkryetari Qajani ka thënë për KALLXO.com se presin donacion nga donatorët për funksionalizim.

“Kompania regjionale e ka pas për obligim nuk është marrë me menaxhim, funksionalizimi i fabrikës është prioriteti i parë, por me mjetet buxhetore të Komunës është problematike”, tha a.

Bifurkacioni, pak mundësi dhe kapacitete për të ofruar zgjidhje

Ashtu si komunës, edhe kompanisë regjionale ‘Bifurkacioni’ nuk po iu mjaftojnë mundësitë dhe kapacitetet teknike e financiare ‘të bërë diçka më tepër’ për sigurimin e ujit në këtë qytet.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kompaninë regjionale të ujërave ‘Bifurkacioni’, Valdet Syla, Menaxher i Departamentit Operativ Jeton Shabani, Përgjegjës i Sektorit të Ujësjellësve dhe Cilësisë së Ujit në Zonat Rurale, kanë thënë që kjo kompani ka nën menaxhim vetëm një pjesë të vogël të ujit në këtë Komunë.

“Pjesa e qytetit në të majtë të hekurudhës (drejtimi Ferizaj Hani i Elezit), që është pjesa më e madhe e qytetit, furnizohen me ujë të pijes drejtpërdrejtë nga burimet e fshatit Dimcë, por kjo pjesë-zonë nuk menaxhohet nga KRU Bifurkacioni”, thuhet në përgjigje.

Pjesët e menaxhuara kompania regjionale ‘Bifurkacioni ‘përfshinë lagjen e re të Hanit të Elezit si dhe fshatrat, Seçishtë, Bravë e Meliq.

Ndërsa sipas përgjigjeve të marra nga zyrtarët e kësaj kompanie, cilësia e ujit është në nivelin e duhur.

“Shfaqja e turbullirës në ujin e pijes, mund të jetë nga ndonjë prishje-defekt në rrjetin furnizues të ujësjellësit dhe si pasojë e ndërprerjes së përkohshme të furnizimit me ujë, por kjo ndodhë shumë rrallë”, thuhet në përgjigje.

Tutje ata kanë treguar për punën që kompania e ka bërë për përmirësimin e cilësisë së ujit në pjesën e menaxhuar nga ta në Komunë e Hanit të Elezit.

“Uji i pijes, klorizohet rregullisht në rezervoar, kompania e ka bërë rehabilitimin fillestar të rrjetit, duke rregulluar defektet në rrjet, izolimin e rezervoarit, vendosja e paisjeve për dezinfektim dhe vazhdon ta bëj mirëmbajtjen e rregullt të rrjetit të ujësjellësit” kanë thënë tutje ata.

Sipas tyre ‘Bifurkacioni’ ka kontratë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për analiza të ujit, të cilët i marrin mostrat e ujit për analiza në baza ditore, javore dhe mujore.