Teknologjia si armik i lirisë së shprehjes

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë arrestuar më shumë se shtatë persona për shkak të postimeve në rrjete sociale. Normalisht, asnjëri i arrestuar nuk është akoma i fajshëm. Por, këtu ka një paradoks. Teknologjia do të duhej të ndihmonte njerëzit të shpreheshin më lirshëm, e jo t’i privonte ata nga të drejtat e tyre. Shprehja e mendimeve e interpretimi si ngjarje ishte arsye pse njerëzit shpikën shkrimin e të gjithë këtë teknologji për mijëra vjet. Megjithatë, nëse nisemi nga fakti i përhapjes së madhe të gjuhës së urrejtes, mosdurimit, thirrjes në vrasje e përkrahje të terrorizmit, tashmë teknologjia ka arritur në atë pikë që është kthyer në antipod të lirisë së shprehjes. Teknologjia e lirë dhe e qasshme nga shumica e qytetarëve pavarësisht shkollimit, përgatitjes e përvojës së tyre jetësore u mundëson që pavetëdijshëm të bëhen subjekte të hetimeve penale për shkak të postimeve në rrjete sociale.

Po i rikthej në vëmendjen tuaj këto raste duke nisur nga i fundit. Këto janë thirrje për ju që të keni kujdes në përdorimin e gjuhës në rrjete sociale. Pra, publikimet tuaja, përfshirë postimet, komentet, etj., që bien ndesh me ligjet në Kosovë, MUND të ju bëjnë juve subjekt të hetimeve e ndjekjes penale, ndoshta më vonë edhe dënimit.

Kryetari i Komunës së pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, është intervistuar në lidhje me deklaratën e tij për “vllavrasjen”. Prokuroria e ka intervistuar si të dyshuar për veprën penale “Nxitje të urrejtjes” që sipas nenit 141 të KPK-së dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vite. Shumë mirë që Agimi i ra pishman shpejt e nuk gjeti përkrahje për këtë. Megjithatë, kjo është një papërgjegjësi e madhe duke pasur parasysh funksionin që mban.

Ditë më parë, u arrestua personi me inicialet K.B., i cili sipas pretendimeve të prokurorisë, kërcënoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Arrestimi i tij është bërë për shkak të një postimi në Facebook që prokuroria e ka klasifikuar si vepër penale: “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, e që sipas nenit 121 dënimi në rast të vërtetimit të veprës varion nga 3 deri në 10 vite burg.

Në muajin janar ishte arrestuar qytetarja I.H., për shkak të një postimi në Facebook në përkrahje të gjeneralit të vrarë iranian, Sylejmani. Ajo u arrestua dhe vepra e saj u trajtua në seanca gjyqësore nga ana e prokurorisë si shtytje në kryerjen e veprave terroriste që sipas nenit 134 të KPK-së dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.

Në prag të vitit të ri 2020, ish kandidati i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti u arrestua pas një postimi në Facebook ku krijonte asociacione në mes vrasjes së presidentit të ShBA-së, Xhon Kenedit dhe kryeministrit Albin Kurti. Sipas prokurorisë, ai kishte kryer veprën: “shtytje në vrasje”, që sipas nenit 32 të KPK-së, nëse vepra kryhet, dënohet njëjtë si kryesi i veprës, pra dënohet si vrasësi apo si ai që tenton ta kryej një vepër të tillë.

Të gjithë këta persona e edhe të tjerë do të vazhdojnë të hetohen e ndoshta edhe do të gjykohen për shkak të keqpërdorimit të teknologjisë për vepra të ndryshme penale. Prandaj, sot kur në të gjithë botën shënohet Dita e Lirisë së Shtypit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që vëmendja e shoqërisë të drejtohet kah teknologjia, që profesori Milazim Krasniqi, e quajti aleat të dikurshëm të medias, që tashmë është shndërruar në armik.

Vetëm një vetëdijësim i lartë qytetar mund ta mbrojë lirinë e shprehjes në shoqërinë tonë, përndryshe, qeveritë, cilat do qofshin ato, do të shfrytëzojnë si precedent rastet e mësipërme së bashku me rastet tjerat të keqpërdorimit të teknologjisëqë ta kufizojnë të drejtën bazike qytetare për t’u shprehur lirshëm dhe rrjedhimisht edhe lirinë e shtypit. Së paku kështu është vepruar në rastet e demokracive të brishta, si rastet në Turqi dhe Hungari ku llogaritë private të individëve në rrjete sociale u mbyllën me pretekste të ngjashme.

Vetëdijësimi qytetar duhet të bëhet në dy forma. E para, duhet urgjentisht që në shkollat tona, në sistemin parauniversitar publik të mësohet lënda e Edukimit për Media, gjë që do t’u mundësonte fëmijëve e të rinjve të mësojnë se si të sillen me median-teknologjinë, t’i përdorin ato në vend të keqpërdorimit që e bëjnë aktualisht.

E dyta, partitë politike, mediat “mainstream”, universitetet, elitat dhe shoqëria civile, duhet që të denoncojnë e të flasin publikisht për problemet që kemi në komunikimin e shoqërisë sonë. Këta akterë duhet të distancohen e të denoncojnë gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme, bullizmin, nxitjen e veprat tjerat të dënueshme me kodet tona ligjore e morale. Është urgjente që një gjë e tillë fillimisht të bëhet nga parititë politike, të cilat padyshim janë përgjegjëset kryesore për një “tension të lartë” të diskursit në komunikimin publik, gjë e cila ka krijuar polarizim shoqëror. Ky do të ishte hapi i parë i çmontimit të një bombe sociale që ka shpërthyer në rrjetet sociale, e pasojat e saj do t’i vuajnë përmes kufizimeve qytetarët e Kosovës, mediat, dhe rrjedhimisht liria jonë.

(Autori është profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)