Teknologjia e Komplikuar Për Policinë
Natën e Vitit të Ri, pak para se ora të shënonte ndërrimin e viteve, Xhabir Zharku i kishte hyrë adresarit të telefonit celular dhe çonte mesazhe urimi nga numri i tij i zakonshëm i celularit.
Një mesazh nga ish-kryetari i Kaçanikut, i arratisur për t’i ikur dënimit nga drejtësia kosovare, kishte mbërritur edhe në telefonin e Jeta Xharrës, drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për Kosovën.
“Edhe pse kësaj here ndryshe, për shkak të dënimit tim politik, shfrytëzoj nga rasti t’ju falënderoj nga zemra për mbështetje dhe uroj vitin 2013. Nga Xhabir Zharku”.
Në pyetjen e Xharrës se ku po e pret ndërrimin e viteve, Zharku kishte kthyer mesazh se ndodhet në Prishtinë “ndryshe nga herët e kaluara” kur këtë festë e kishte pritur në shtëpi.
Më saktësisht, thoshte ai, ndodhej në një restorant në kryeqytet.
Në vazhdimin e komunikimit, i pyetur se a ndihej i turpëruar që i ikte vendimit të gjykatës, Zharku thoshte se dënimi i tij ishte politik. “Besoj që gjatë vitit 2013 Eulex do e përmirësoj gabimin dhe lëndën do e kthej në rigjykim”, shkruante ai.
Madje, mesazh urimi nga Zharku kishte mbërritur edhe tek zyrtarë tjerë të lartë sipas Bajram Rexhepit, ministrit të Punëve të Brendshme.
“Kam dëgjuar se shumë njerëz kanë marrë sms prej tij ato ditë”, kishte thënë Rexhepi, për gazetën Express, të datës 9 janar.
Me projektligjin e ri për përgjimet, që do të dalë në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 24 janar, parashihet që të krijohet një Qendër Administrative Elektronike brenda Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nga ku do të kryhen të përgjimet telefonike prej mekanizmave të hetimeve si prokuroria, policia, doganat, vetë AKI si dhe EULEX-i.
Operatorët e telefonisë janë të detyruar që të ndajnë mjete në krijimin e kësaj qendre.
Nëse nuk e bëjnë këtë, mund të dënohen nga shteti.
Por, edhe tani, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, thotë se “policia mund të gjurmojë një telefon dhe të gjejë se nga cili vend është aktivizuar”.
Kompania “Vala” konfirmon se në këtë aspekt e ka ndihmuar policinë.
Sipas policisë, një nga rastet e suksesshme të kësaj natyre ishte arrestimi i Faton Hajrizit, i dënuar me 25 vjet burg dhe i arratisur shtatë herë, kur ai kishte ikur nga Dubrava në gusht 2007.
Por, nga 17 dhjetori, Xhabir Zharku po kërkohet nga Policia e Kosovës.
Ish-kryetari i Kaçanikut nuk i ishte përgjigjur vendimit të gjykatës komunale për të vuajtur dënimin prej tre vitesh burg për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje.
Zëdhënësi Baki Kelani thotë se policia në rastin konkret nuk mund të përgjigjet “nëse nëpërmjet përgjimit mund të specifikohet ose jo lokacioni i tij” dhe se a ka qenë në dijeni të komenteve të Rexhepit për sms-të e Zharkut.
Nëse po, qartësisht policia nuk ka arritur ta gjejë Zharkun edhe pse ai i ka nisur sms një numër personash, sipas ministrit të cilit i përgjigjet policia, Bajram Rexhepit.
“Zakonisht sms u dërgoj të gjithëve që kam në telefon”, kishte thënë Zharku, në komunikimet e tij të Vitit të Ri.
Policia nuk ka shumë sukses as në gjetjen e aparaturave
Suada Çerkezit nga Prishtina, në mesditën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar, i është thyer banesa në lagjen “Arbëria”.
Ajo thotë se i ishin vjedhur stoli ari e argjendi, e përveç tyre, edhe një telefon e një llaptop.
“Jo vetëm që janë dashur tri orë të presim jashtë banesës që një patrullë e policisë të vijë, por edhe kur e dhashë deklaratën në polici, tërthorazi mu bë e ditur se s’ka gjë prej gjetjes së tyre”, thotë Çerkezi, për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ajo është e bindur se stolitë nuk do të gjenden më.
Por së paku, thotë ajo, aparaturat do të mund të gjendeshin pasi kur futen në sistem mund t’i vërejnë kompanitë që ofrojnë internet e telefoni celulare.
Zyrtarë të “Valës”, operatorit mobil të Postës dhe Telekomit të Kosovës, thonë se kanë ndihmuar policinë deri më tash në një numër të konsiderueshëm rastesh.
“Të gjitha ato pajisje që kyçen mund të identifikohen”, thotë zyra e PTK-së për marrëdhënie me publikun.
Sipas kësaj zyre, procedura e gjurmimit të një aparati telefonik pason kur urdhrin përkatës e lëshon prokurori, gjyqtari paraprak ose kolegji i gjyqtarëve dhe kur polici, i cili merret me rastin e caktuar, e dërgon urdhëresën në Zyrën Ligjore të Kompanisë.
“Pastaj procedohet në bazë të rij”, thotë kjo zyrë.
Policia e Kosovës ka Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, por ata nuk japin shpjegime se si mund të gjurmohet një Ipad, telefon ose kompjuter i humbur me arsyetimin se kjo ka të bëjë me “veprime konkrete (taktika) hetimore”.
Megjithatë, sipas zëdhënësit të policisë Baki Kelani, në vitin 2012, policia ka trajtuar 11 raste të cilat janë proceduar sipas nenit 248 dhe 264 të Kodit Penal të Kosovës si dhe sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimeve Kibernetike. Neni 248 flet për “lëshimin e çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit” kurse neni 264 për “hyrje në sistemet kompjuterike”.
Për 6 raste janë ngritur kallëzime penale dhe janë arrestuar 8 persona të dyshimtë. Disa nga to, kanë të bëjnë me kompjuterë dhe aparate të telefonave celularë të humbur.
Por një nga këto raste është ai i Suada Çerkezit. Asaj nuk i është gjetur zgjidhje.
Policia, megjithatë, thotë se ka bashkëpunim të mirë me të gjitha kompanitë.
Edhe Enver Berisha nga kompania Kujtesa thotë se në të gjitha rastet/kërkesat e parashtruara nga policia e Kosovës tek ata, kanë dhënë përgjigje.
“Në rastet kur mund të identifikojmë një aparaturë të vjedhur, kur pajisja pc (kompjuter personal), llaptop etj, lidhet direkt në rrjetin tonë me modem, atëherë kemi mundësi ta identifikojmë”, thotë Berisha.
Por, sipas tij, nëse personi e ndërron adresën e pajisjes (numrin serik që ka çdo kartelë e rrjetit të internetit) apo e kyç në internet pas ndonjë pajisje tjetër – për shembull pas ndonjë routeri (pajisje e cila pranon internet me një IP adresë dhe mundëson lëshimin e IP adresës lokale) apo firewall-i (muri mbrojtës) – atëherë është e pamundur të identifikohet pajisja.
Edhe Alban Kastrati nga kompania IPKO thotë se Policia e Kosovës ndihmohet në baza ditore në bazë të legjislacionit në fuqi edhe nga shërbimet e internetit edhe të telefonisë.
Ai thotë se gjatë vitit 2012, ashtu sikurse edhe gjatë viteve paraprake, IPKO ka pranuar numër të madh të urdhrave të lëshuara nga autoritetet për gjurmim të aparaturave.
“Por meqë nuk bëjmë kategorizimin e llojit të urdhrave të pranuar nga Policia e Kosovës, nuk mund të japim numër të tyre”, tha Kastrati për Gazetën Jeta në Kosovë.
Sipas tij, rastet e vetme kur IPKO nuk mund t’i identifikojë aparatet e lajmëruara si të vjedhura, janë kur ato nuk kyçen në rrjetin e sa pas vjedhjes.
“Menjëherë pas lidhjes në rrjetin e IPKO-së, pajisja identifikohet përmes protokolleve standarde”, thotë ai. “Por, është me rëndësi të dihet se IPKO nuk mban një listë të zezë të pajisjeve që lidhen në rrjetin e saj”.
Petrit Llugaxhiu, servisues në shitoren “Apple” (Molla) në Prishtinë, thotë se “nuk ka asnjë mundësi që një telefoni të vjedhur apo të humbur, t’i fshihen të dhënat”.
“Kjo nuk mund të bëhet as në Kosovë as diku tjetër. Kushdo që ka një telefon të vjedhur, sapo të hyjë në sistem, identifikohet me të dhënat e personit që është i regjistruar dhe me të dhënat tjera unike të atij aparati telefonik”, thotë Llugaxhiu.
Pavarësisht kësaj, disa qytetarë kanë kontaktuar Gazetën Jeta në Kosovë për tu ankuar në lidhje me pamundësinë e gjetjes së këtyre aparateve në javët e kaluara.
Nazim Haliti, zëvendësdrejtor i FIQ-it, një organizatë e përqendruar në sundimin e ligjit, thotë se “problemi i krimeve kibernetike nuk është trajtuar asnjëherë në rrafshin e duhur”.
Kjo, sipas tij, mund të jetë pasojë e mungesës së ekspertizës së akterëve të tjerë joinstitucionalë dhe mbase për shkak të mungesës së zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse.
“Policia e Kosovës ka një njësit që merret me krimet kibernetike, por në praktikë, nga raportimet e tyre, nuk kemi parë asnjëherë rezultate të prekshme”, thotë Haliti.